BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/4 f. 2-4
  • A mund të shmangen luftërat?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A mund të shmangen luftërat?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një nevojë biologjike?
  • Shkaqet e luftërave
  • Lufta
    Zgjohuni!—2017
  • Fajtori i vërtetë i luftërave dhe i vuajtjeve
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
  • Pikëpamja e Zotit për luftën sot
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • Çfarë mendon Zoti për luftën?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/4 f. 2-4

A mund të shmangen luftërat?

LUFTA është një argument i trishtueshëm i lajmeve. Pa dyshim që këto buletine brutaliteti të tronditin. Por, ndoshta edhe habitesh për faktin se përse duhet të jenë armët zgjidhja e grindjeve. A do të mësojnë ndonjëherë njerëzit të jetojnë në paqe?

Duket sikur shërimi nga plaga e luftës është më i pakapshëm se kura për SIDA-n. Në shekullin XX u mobilizuan për luftë kombe të tëra, miliona njerëz u dërguan nëpër fushëbeteja dhe qindra qytete u bënë gërmadha. Dhe nuk duket se kjo kasaphanë do të mbarojë. Tregtia fitimprurëse e armëve na bën të sigurt se ushtritë e rregullta dhe gueriljet e botës do të vazhdojnë të jenë të pajisura tmerrësisht.

Pasi armët po bëhen gjithnjë e më vdekjeprurëse, numri i viktimave rritet me të shpejtë. Më shumë se gjysma e 65 milion ushtarëve që u ndeshën në Luftën I Botërore u vranë ose u plagosën. Gati 30 vjet më vonë, vetëm dy bomba atomike shkaktuan më shumë se 150.000 viktima ndër civilët japonezë. Prej Luftës II Botërore e këndej, konfliktet kanë qenë më të kufizuara. Megjithatë mbjellin akoma vdekje, sidomos midis civilëve, që tani përbëjnë 80 për qind të viktimave.

Në mënyrë paradoksale, këto masakra që nuk bëjnë dallime kanë ndodhur në një epokë në të cilën janë bërë përpjekje të papara për të përjashtuar luftën si mjet për zgjidhjen e grindjeve midis kombeve. Me përfundimin kohët e fundit të Luftës së Ftohtë, u shpresua shumë se do të lindte një rregull i ri dhe paqësor botëror. E megjithatë, paqja botërore vazhdon të mbetet më shumë se kurrë një iluzion. Përse?

Një nevojë biologjike?

Disa historianë dhe antropologë pohojnë se luftërat janë të pashmangshme, madje të nevojshme, sepse janë pjesë e luftës për mbijetesë, siç mbështet evolucionizmi. I ndikuar prej këtij mendimi, analisti ushtarak Friedrich von Bernhardi pohoi në 1914-ën se luftërat bëhen «në interes të përparimit biologjik, shoqëror dhe moral». Sipas kësaj teorie, lufta ishte një mënyrë për të eliminuar individët apo kombet e dobëta, duke u lejuar mbijetesën atyre që përshtateshin më mirë.

Një argumentim i tillë do të ishte shumë pak ngushëllues për miliona vejushat dhe jetimët e luftërave. Përveç faktit se është e neveritshme nga pikëpamja morale, kjo mënyrë e të menduarit nuk mban parasysh realitetin e egër të luftërave moderne. Mitralozat nuk i kursejnë ata që përshtaten më mirë dhe bomba bën pluhur e hi si të fortët, ashtu edhe të dobëtët.

Duke i harruar mësimet e rënda të Luftës I Botërore, Adolf Hitler ëndërronte të krijonte një racë superiore me anë të pushtimeve ushtarake. Në librin e tij Mein Kampf (Lufta ime) ai shkroi: «Njerëzimi është bërë i madh ndër luftërat e përhershme dhe vetëm në një paqe të përhershme ai do të humbasë. . . . Më i fuqishmi duhet të sundojë dhe jo të përzihet me më të dobëtin.» Por në vend se ta lartësonte njerëzimin, Hitleri sakrifikoi miliona jetë dhe shkatërroi një kontinent të tërë.

Por, nëse lufta nuk është një nevojë biologjike, ç’gjë e shtyn njerëzimin drejt vetëshkatërrimit? Cilat forca i detyrojnë kombet në këtë «punë barbarësh»?a Le të shohim në vijim disa faktorë themelorë që pengojnë përpjekjet më të mira të atyre që punojnë për paqen.

Shkaqet e luftërave

Nacionalizmi. I përmendur shpesh prej politikanëve dhe gjeneralëve, nacionalizmi është një nga forcat më të fuqishme që provokon luftërat. Shumë luftëra janë zhvilluar për të mbrojtur «interesat kombëtare» apo për të ruajtur «nderin kombëtar». Kur mbizotëron mentaliteti i «vendit tim, me të drejtë apo jo», edhe një agresion i hapur mund të justifikohet si një sulm mbrojtës.

Mëri etnike. Shumë luftëra rajonale kanë shpërthyer dhe më tej janë ushqyer nga urrejtje të vjetra mes racave, fiseve dhe grupeve etnike. Luftërat tragjike civile në ish-Jugosllavi, në Liberi dhe në Somali janë shembuj të kohëve të fundit.

Rivalitete ekonomike dhe ushtarake. Në periudhën para Luftës I Botërore, e qetë vetëm në dukje, fuqitë evropiane ngritën në fakt ushtri mjaft të mëdha. Gjermania dhe Britania e Madhe bënin garë për të parë se cila do të ndërtonte më shumë koracata. Pasi çdo komb i madh që u përfshi më në fund në kasaphanë besonte se lufta do të rriste fuqinë e tij dhe do t’i sillte përfitime ekonomike të papritura, kushtet ishin pjekur për konfliktin.

Armiqësi fetare. Sidomos kur shoqërohen nga ndarjet raciale, ndryshimet fetare mund të prodhojnë një përzierje shpërthyese. Konfliktet në Liban dhe në Irlandën e Veriut, si dhe luftërat midis Indisë dhe Pakistanit i kanë rrënjët e tyre thellë në urrejtjet fetare.

Një luftënxitës i padukshëm. Bibla zbulon se «perëndia i këtij sistemi gjërash», Satana Djalli, tani është më veprues se kurrë. (2. Korintasve 4:4, BR) Duke qenë shumë i zemëruar dhe duke pasur vetëm «pak kohë», ai krijon kushte, përfshi edhe luftëra, që e rëndojnë gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet toka.​—Zbulesa 12:12.

Këto shkaqe që janë në themel të luftërave nuk janë të lehta për t’u shkulur. Më se 2.000 vjet më parë, Platoni tha se «vetëm të vdekurit e kanë parë fundin e luftërave». Mos vallë vlerësimi i tij therës është e vërteta e hidhur të cilën të gjithë duhet të mësojmë ta pranojmë? Apo kemi arsye për të shpresuar se një ditë do të vijë një botë pa luftëra?

[Shënimi]

a Ishte Napoleoni ai që e përcaktoi luftën një «punë barbarësh». Pasi gjatë pjesës më të madhe të jetës së vet si i rritur qe një ushtarak dhe për gati 20 vjet komandant suprem i ushtrisë, ai i pa personalisht barbaritë nëpër luftime.

[Burimi i figurës në faqen 2]

Kapaku: Gassed, pikturë e John Singer Sargent, (hollësi), Imperial War Museum, Londër

[Burimi i figurës në faqen 3]

Instituto Municipal de Historia, Barcelonë

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo