Ta mbajmë syrin tonë «të thjeshtë» në veprën e Mbretërisë
REPUBLIKA Demokratike Gjermane (R.D.GJ.), apo Gjermania Lindore siç njihet, nuk mbushi as një gjysmë shekulli jetë. Dyzet e një vjet ekzistencë morën fund më 3 tetor 1990, kur territori i saj, afërsisht katër herë më i madh se ai i Shqipërisë, u integrua në Republikën Federale Gjermane, që quhej Gjermania Perëndimore.
Ribashkimi i dy Gjermanive nënkuptonte një numër shumë të madh reformash. Ajo çka i ndante të dy vendet nuk ishte vetëm një kufi fizik, por një barrierë ideologjish. Çfarë domethënie kishte e gjithë kjo për njerëzit në atë vend dhe si ndryshoi jeta për Dëshmitarët e atjeshëm të Jehovait?
Wende, revolucioni i nëntorit 1989 që bëri të mundur ribashkimin, pasoi menjëherë periudhën prej katër dekadash të një socializmi të ashpër. Gjatë kësaj periudhe, aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait ishin të ndaluara dhe persekutimi i tyre herë pas herë ishte intensiv.a Kur në R.D.GJ. erdhi liria, popullsia kaloi shumë shpejt në eufori. Por, pasi gëzimi u venit, shumë veta u çorientuan, u mërzitën, madje u zhgënjyen. Detyra e integrimit të të dy Gjermanive në një tërësi të vetme shoqërore, politike dhe ekonomike doli tepër e vështirë.
Sipas raportit special «162 ditë të historisë gjermane» (162 Tage Deutsche Geschichte) në Der Spiegel, pas ribashkimit u përhap frika e papunësisë, inflacioni dhe rritja e qirave. «A do të kem një pension të mjaftueshëm?»,—pyeste shumëkush në ish-R.D.GJ.-në. Po për banesat? «Kudo në R.D.GJ., banesa të vjetra janë duke u prishur, rrugë të tëra po bëhen të pabanueshme.» Ndotja arriti nivele të frikshme.
Si kanë vepruar Dëshmitarët e Jehovait në ish-R.D.GJ.-në, kur janë ballafaquar me trazira të tilla shoqërore dhe ekonomike?
T’i mbajmë sytë në fokusin e duhur
Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë kufij ideologjikë. Besimi i tyre i mbështetur në Bibël është njësoj si në lindje dhe në perëndim. Ndërsa ambienti i tyre shoqëror ndryshon, shumë Dëshmitarë po mbajnë ekuilibrin frymor duke i pasur sytë të fiksuar në qëllimin kryesor, shërbimin ndaj Jehovait. Përse është e domosdoshme kjo?
Sepse «skena e kësaj bote po ndryshon». (1. Korintasve 7:31, BR) Një plak i krishterë thekson se predikimi nën ndalim përpara Wende-s kërkonte guxim; ai u mësoi Dëshmitarëve të besonin në Jehovain dhe të aftësoheshin në përdorimin e Biblës. Megjithatë, tani «ne duhet të jemi më të kujdesshëm që të mos devijohemi prej materializmit dhe anktheve të jetës».
Liria dhe përparimi janë matur shpesh me terma materialiste. Shumë njerëz në atë rajon ndjejnë nevojën për të rifituar kohën dhe ndoshta edhe kënaqësitë e humbura. Kjo të bëhet e qartë kur udhëton nëpër rrugët me kalldrëm të qyteteve dhe fshatrave të Turingës dhe Saksonisë në jug. Rrugët kanë nevojë për riparim dhe banesat janë modeste, por çfarë begatie me antena sateliti! Është e lehtë për dikë që të mashtrohet nga besimi se siguria dhe lumturia vijnë duke pasur çdo gjë që të sheh syri. Sa kurth i rrezikshëm!
Në Predikimin në Mal, Jezui foli mbi rreziqet e vëmendjes së tepërt ndaj gjërave materiale dhe anktheve të jetës. «Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë»,—këshilloi ai. Dhe shtoi: «Syri është dritëza e trupit. Në qoftë, pra, se syri yt është i shëndoshë [i thjeshtë, BR], i tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar.» (Mateu 6:19, 22) Çfarë do të thotë ai? Një sy i thjeshtë është ai që ndodhet në fokus dhe që transmeton imazhe të qarta për mendjen. Një sy frymor që është i thjeshtë, e mban të qartë imazhin e Mbretërisë së Perëndisë. Kështu, vendosmëria e një të krishteri për të mbajtur një sy të thjeshtë me fokus të qartë nga Mbretëria e Perëndisë, si dhe për të vënë në plan të dytë ankthet e jetës, e ndihmon atë që të jetë i ekuilibruar frymësisht.
Kjo mund të ilustrohet nga përvoja e një çifti nga Zvickau, Saksoni, që tregoi interes për Biblën gjatë kohës së Wende-s. Biznesi i tyre u hante shumë kohë, megjithatë ata vunë interesat frymore në radhë të parë, duke ndjekur të gjitha mbledhjet e krishtere. «Nga pikëpamja e biznesit, nuk duhej të harxhonim kohë,—pranojnë ata,—por nga ana frymore ne kishim nevojë për të.» Çfarë vendimi i mençur!
Le të shqyrtojmë edhe një familje në Plauen, po në Saksoni. Burri ishte orëbërës dhe një zanatçi në punën e vet. Pas Wende-s, qiraja për vendin e tij të punës u ngrit me shpejtësi. Çfarë duhej të bënte? «Do të më kushtonte shumë para dhe unë e mësova të vërtetën që të jetoj për të vërtetën.» Kështu, ai u zhvendos në një tjetër vend pune më pak të rehatshëm, por me një qira të vogël. Po, orëbërësi mësoi shumë shpejt që të mbante një sy të thjeshtë.
Megjithatë, disa e kanë mësuar shumë vonë. Një plak i krishterë, duke menduar se ekonomia e re e tregut të lirë ishte plot me premtime, u dha mbas biznesit. Një mbikëqyrës udhëtues e nxiti me dashuri që të mos u lejonte premtimeve të biznesit që të linin jashtë karakterin e tij frymor. Mjerisht, kjo gjë ndodhi. Disa muaj më vonë vëllai dorëzoi privilegjin e shërbimit si plak. Më vonë ai shkroi: «Në bazë të përvojës sime, do të këshilloja çdo vëlla që synon për privilegje shërbimi të mos lëshohet në biznes privatisht.» Kjo nuk do të thotë se të qenët privat është diçka e gabuar për një të krishterë. Por pavarësisht nëse kemi apo jo punën tonë private, vëmendja e tepërt ndaj shqetësimeve ekonomike mund të na bëjë pa dashur skllevër të pasurisë. Jezui tregoi rezultatin: «Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve njëkohësisht. Ose do të dojë njërin, ose do të urrejë tjetrin. Njërit do t’i jetë besnik, kurse tjetrin do ta mashtrojë.» (Mateu 6:24, ECM) Poeti gjerman Gëte pohoi: «Askush nuk është skllav më i pashpresë, se ai që kujton se është i lirë.»
Kur na zë një stuhi e vërtetë, ndoshta na duhet të mbyllim sytë ose të vëmë duart përpara për të pasur kështu një pamje më të mirë. Kur jemi të rrethuar nga trazira politike, ekonomike apo shoqërore, përqëndrimi është i nevojshëm për të mbajtur parasysh pikësynimin tonë frymor. Çfarë po bëjnë disa të krishterë për të mbajtur sy të thjeshtë në veprën e Mbretërisë?
Aktivitete të Mbretërisë në rritje
Kudo në R.D.GJ.-në e dikurshme, Dëshmitarët po i kushtojnë gjithnjë e më shumë kohë se më parë predikimit. Në dy vitet e fundit, mesatarja e kohës së harxhuar në shërbimin në fushë u rrit me 21 përqind. Si rezultat pati një rritje dramatike prej 34 përqind të studimeve biblike në shtëpi. Për më tepër, numri i pionierëve të rregullt tani është katër herë më i lartë nga sa ishte vetëm dy vjet më parë! Edhe pse të tjerët janë të shqetësuar dhe ankohen, më shumë se 23.000 të krishterë në ish-R.D.GJ.-në po ballafaqohen me këtë situatë duke mbajtur sy të thjeshtë. Kjo ka kontribuar në rritjen mahnitëse të aktiviteteve të Mbretërisë.—Krahaso Josiu 6:15.
Ky aktivitet i zgjeruar do të thotë se territori është nën një kujdes të mirë në jug, ku jeton edhe shumica e Dëshmitarëve. Shumë emra të atyre vendeve janë të njohur në histori. Nëse të pëlqejnë sendet fine prej porcelani, duhet ta njohësh qytetin e Maisenit, pranë Drezdenit, si vendlindja e shumë punimeve prej porcelani nga më delikatet në botë. Maiseni është tani shtëpia e më shumë se 130 lajmëtarëve të Mbretërisë. Ose, le të marrim Vaimarin, «kryeqytetin klasik të Gjermanisë». Monumenti i Gëtes dhe Shilerit në qendër të qytetit, dëshmon për lidhjet dinjitoze të Vaimarit me këta dy shkrimtarë dhe është një burim krenarie për shumë veta. Sot, Vaimari mund të krenohet me 150 lajmëtarët e lajmit të mirë.
Megjithatë, në veri punët janë ndryshe, me më pak lajmëtarë dhe me një largësi më të madhe midis kongregacioneve. Veçanërisht ndihet mungesa e punës. Shumë veta që kanë punë janë të detyruar t’i rrinë mbi kokë nëse duan që ta ruajnë atë. Një vëlla që shërben si predikues në shërbim të plotë kohor në veri, shpjegon: «Kur vepra ishte e ndaluar, çdo vëlla kishte nevojë për mbrojtjen e Jehovait në shërbim, por sa për gjetjen e një pune nuk kishte vështirësi. Tani është krejt e kundërta. Kemi liri për të predikuar, por kemi nevojë për udhëheqjen e Jehovait në lidhje me punësimin. Një ndryshim i tillë kërkon një farë përshtatjeje.»
A janë të gëzuar lajmëtarët që kanë mundësi për të predikuar më shpesh? Ja, cili është mendimi i Volfgangut: «Është shumë më mirë që i njëjti lajmëtar të punojë në të njëjtin territor gjithnjë e më shumë. Njerëzit i besojnë atij dhe janë më të hapur.» Veç kësaj, ata «nuk ndihen më të shqetësuar kur flasin mbi fenë në derë, madje edhe kur i dëgjojnë kalimtarët. Feja nuk është më një argument tabu». Ralfi dhe Martina janë dakort. «Ne gëzohemi duke punuar në territorin tonë vazhdimisht. Mund t’i njohim njerëzit personalisht dhe jemi, gjithashtu, të mrekulluar nga varieteti i madh i literaturës që disponojmë.»
Vlerësim për literaturën tonë
Ralfi dhe Martina vlerësojnë veçanërisht librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? (angl.) Për shumë veta që përqafuan ateizmin në ish-R.D.GJ.-në, ky libër po del si një mjet i mrekullueshëm për studime biblike në shtëpi. Ata dëshironin, gjithashtu, edhe një botim më të vogël me të njëjtin material. «Sa të lumtur ishim me daljen e broshurës A kujdeset për ne me të vërtetë Perëndia? (angl.) në kongresin krahinor “Mbajtësit e dritës”, që u mbajt në Drezden në 1992-shin. Ajo qe një përgjigje për lutjet tona.»
Edhe shumë jo Dëshmitarë po i admirojnë botimet e Shoqatës Watch Tower. Në korrik 1992, një lektore në edukimin shoqëror, shkroi për të shprehur «respektin [e saj] më të madh dhe falënderimet më të ngrohta» për botimet që ajo i përdorte për të përgatitur leksionet e saj. Në janar 1992, një zonjë në Rostok pranoi një kopje të librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë nga dy Dëshmitarë që erdhën në portën e saj. Ajo i shkroi zyrës së degës në Gjermani: «Unë i përkas Kishës Luterane. Kam respektin më të madh për aktivitetet e organizatës së Dëshmitarëve të Jehovait. Ata mbështesin me vendosmëri se njerëzit nuk mund të ekzistojnë më gjatë pa drejtimin e Perëndisë.»
Sa drejtim frymor po u japin kishat e krishterimit anëtarëve të tyre? Gazeta e mirënjohur Die Zeit komentonte në dhjetor 1991 se edhe pse Kisha Luterane kishte «gëzuar në lavdi për një kohë të shkurtër, si nënë e revolucionit paqësor, popullariteti i saj duket se po zvogëlohet me shpejtësi». Në fakt, një përfaqësues i Kishës Luterane u ankua: «Njerëzit e ngatërruan jetën në sistemin e tregut të lirë me parajsën.» Një anëtar i kishës në Magdeburg shkroi për të kërkuar informata. Përse? «Pas shumë vitesh që kam buzëqeshur me mosbesim,—shkruan zotëria,—tani jam vendosmërisht i bindur se kjo botë është në ditët e saj të fundit dhe se ne do të hasim shqetësime të mëdha në të ardhmen e afërt.»
Ndërtime për shtrirjen
Përpara Wende-s, Sallat e Mbretërisë nuk lejoheshin në R.D.GJ. Tani ka një nevojë të ngutshme për to; ndërtimi i tyre është detyrë e dorës së parë. Ky është një tjetër aspekt i adhurimit të vërtetë që po pëson një tranzicion të dukshëm. Përvoja e një vëllai ilustron se sa shpejt ka ndodhur ky ndryshim.
Në mars të 1990-ës, vetëm disa orë pasi Dëshmitarët e Jehovait morën njohjen legale në R.D.GJ., një vëlla u ftua për t’i folur një grupi Dëshmitarësh, duke përdorur për herë të parë në jetë një mikrofon. Dy vjet e gjysmë më vonë, kongregacioni ku ai shërbente dedikoi një Sallë Mbretërie krejt të re. Deri në fund të 1992-shit, ishin ndërtuar shtatë Salla Mbretërie për 16 kongregacione. Mbi 30 të tjera, si dhe një Sallë tërheqëse Asamblesh, janë në plan për t’u ndërtuar.
Me sy të fiksuar në Mbretërinë e Perëndisë
«Pak pas Wende-s,—kujton një plak i krishterë,—shumë njerëz nuk e pranonin Biblën. Ata i vunë shpresat në qeverinë e re, e cila kish premtuar më në fund kushte më të mira.» A u plotësua shpresa e tyre? «Brenda dy vjetësh ata ndryshuan mendje. Njerëzit tani janë dakort me ne se qeveritë njerëzore kurrë nuk mund të sjellin paqe dhe drejtësi.»
Shumëkush iu gëzua rënies së socializmit në R.D.GJ., duke shpallur atë që ata e konsideronin si një agim i artë i ideologjisë perëndimore. Por u zhgënjyen. Pavarësisht nga qeveria që është në fuqi, Dëshmitarët e Jehovait i mbajnë sytë të thjeshtë dhe të fiksuar me vendosmëri në Mbretërinë e Perëndisë, e cila shkëlqen si një yll në qiell. Kjo shpresë kurrë nuk do të çojë në zhgënjim.—Romakëve 5:5.
[Shënimi]
a Shiko «Jehovai u kujdes për ne kur ishim nën ndalim», pjesët 1-3, në numrat e 15 prillit, 1 dhe 15 majit 1992 të Kullës së Rojës, anglisht.
[Figurat në faqen 26]
Dëshmitarët në Gjermani po e përdorin lirinë e tyre për të qenë sa më shumë të përfshirë në aktivitetet e Mbretërisë