BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/3 f. 23-27
  • Predikimi nga fshati në fshat në Spanjë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Predikimi nga fshati në fshat në Spanjë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Njohja ligjore nxit dëshminë në fshat
  • «Kërkoni ata që e meritojnë»
  • Lexues të Biblës përgjigjen menjëherë
  • Paragjykime të mposhtura
  • Kërkojnë në Bibël për të vërtetën
  • Një korrje e shkëlqyer
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/3 f. 23-27

Predikimi nga fshati në fshat në Spanjë

JEZU KRISHTI udhëtoi «nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke mësuar dhe duke vazhduar udhëtimin e tij drejt Jeruzalemit». (Luka 13:22, BR) Për të kryer shërbimin e tij, Jezui dhe dishepujt e tij nuk predikuan vetëm «nga qyteti në qytet», por edhe «nga fshati në fshat». Edhe pse do të ishte më e lehtë për ta të përqendroheshin në qytete, ata nuk harruan fshatrat e shumtë rreth e rrotull.a

Dëshmitarët e Jehovait në Spanjë, gjendeshin përpara një sfide si kjo që iu paraqit Jezuit. Në vitin 1970, kishte akoma zona shumë të mëdha fshatrash të paprekura, gati për t’u korrur. (Mateu 9:37, 38) Në qindra fshatra, në malet me shi të veriut, në rrafshirat e thata qendrore dhe përgjatë bregdetit, mesazhi i Perëndisë nuk kishte arritur kurrë.

Dëshmitarët e Jehovait në Spanjë, ishin të vendosur të mos kursenin përpjekjet për të çuar lajmin e Perëndisë në këto rajone. Por, përse njerëzit e këtyre zonave kishin pritur kaq gjatë për të dëgjuar mesazhin e Mbretërisë? Dhe si reaguan ata?

Njohja ligjore nxit dëshminë në fshat

Vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Spanjë, ishte ndaluar që nga përfundimi i luftës civile në vitin 1939. Që nga viti 1950 deri në vitin 1969, Dëshmitarët e zellshëm predikonin me kujdes në qytete, ku prania e tyre binte më pak në sy. Kur vepra e tyre në vitin 1970 u ligjërua përfundimisht, në Spanjë ishin rreth 10.000 lajmëtarë të Mbretërisë. Gati të gjithë jetonin në qytete dhe në qendrat e mëdha, por edhe fshatrat kishin nevojë të dëgjonin mesazhin e Mbretërisë. Kush do ta pranonte sfidën?

Në vitet ’70, filloi një fushatë për të çuar lajmin e mirë në zonat e gadishullit. Që nga viti 1973 deri në vitin 1979, në botimin e përmuajshëm për kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, Shërbimi Ynë i Mbretërisë, u shfaqën afërsisht çdo muaj lajmërime speciale që paraqitnin nevojën në rajone të ndryshme të vendit. Shumë familje të gatshme dhe të ndjeshme iu përgjigjën thirrjes dhe pranuan të shërbenin atje ku kishte më shumë nevojë.

Një shembull tipik është ai i Rosendos dhe gruas së tij, Lusit. Ata ishin dërguar si pionierë specialë (lajmëtarë të Mbretërisë në shërbim të plotë kohor) në një fshat të dëgjuar për zënien e peshkut, në Spanjën veriperëndimore dhe kur u bënë me fëmijë, vendosën të qëndronin në këtë zonë. «Duhet të pranoj se kemi kaluar momente me të vërtetë të vështira,—pohon Rosendo.—Ishte shumë e vështirë për të gjetur punë, por duke i varur shpresat në ndihmën e Jehovait, kurrë nuk mbetëm të pangrënë ose pa shtëpi. Sigurisht që ia vlente.» Me kalimin e viteve, kanë pasur mundësi për të dhënë ndihmesën e tyre në formimin e katër kongregacioneve në këtë rajon të Spanjës.

«Kërkoni ata që e meritojnë»

Jezui u tha dishepujve të tij «të kërkonin» në çdo qytet ose fshat, ata që e meritonin. (Mateu 10:11) Në zonat e fshatrave të Spanjës për një kërkim të tillë nevojitej zell dhe iniciativë, siç mësuam nga Ankel, një vëlla nga Alkoi (Alikante). Sapo kishte mbaruar vizitat tek disa shtëpi në fshatin Masias, kur dëgjoi të këndonte një këndes. Mendoi me vete: «Nëse është një këndes, duhet të ketë ndonjë shtëpi diku këtu afër​—një shtëpi që na ka shpëtuar pa e vënë re.» Pasi kërkoi me sy rreth e qark, Ankeli gjeti një shteg që të çonte deri në kreshtën e kodrës dhe përfundimisht në një shtëpi të veçuar.

Këtu banonte Joseja dhe Doloresi, rreth të 60-ave, që ishin vëlla e motër në mish. Ata dëgjonin me kujdes dhe pranuan menjëherë propozimin për të filluar një studim biblik. Megjithatë, nuk ishte e lehtë të studioje me këta persona të përulur, sepse nuk dinin as të lexonin e as të shkruanin dhe çdo gjë duhej t’ua përktheje nga spanjishtja në gjuhën valenciane, e vetmja gjuhë që kuptonin. Përveç kësaj, ata përballonin edhe kundërshtimet e shumta të fqinjëve. Pa marrë parasysh pengesat, Joseja bashkë me Doloresin përparuan në të vërtetën edhe pse duhej të bënin shumë rrugë nëpër male për të marrë pjesë në mbledhje. Përfundimisht, ishin të aftë për pagëzimin dhe të dy vazhduan t’i shërbenin Jehovait me besnikëri.

Rosendo dhe Lusi, të përmendur më lart, kujtojnë se si një grua e paralizuar në një shtëpi të veçuar afër Moanës, në Spanjën veriperëndimore, pranoi të vërtetën. Ajo quhej Maria. Kur foli për herë të parë me Dëshmitarët, ajo nuk dinte as të lexonte dhe as të shkruante dhe dergjej në shtrat për shumë vjet, për shkak të një poliomeliti që kishte kaluar që në fëmijëri. Shtëpia e saj gjendej rreth 2 km larg rrugës më të afërt. Megjithatë, ishte e etur për të studiuar Biblën dhe shpejt tek ajo u bë e dukshme vendosmëria për t’i shërbyer Jehovait. Maria mësoi të lexonte dhe të shkruante dhe filloi të merrte pjesë në mbledhje, falë përpjekjeve të përkushtuara të kongregacionit. Vëllezërit e mbanin atë për 200 m, nga shtëpia e saj deri në një rrugicë të paasfaltuar, ku e ulnin me kujdes në makinë. Pavarësisht se filluan kundërshtimet nga familja, ajo përparoi derisa arriti të pagëzohej. Falë besimit që i dha progresi i saj frymor, mësoi të ngasë një makinë të modifikuar në mënyrë speciale dhe arriti të ndjekë një kurs për edukimin themelor. «Ia vlen të bësh çdo lloj përpjekjeje për të ndihmuar njerëz si Maria»,—shpjegon Rosendo.

Lexues të Biblës përgjigjen menjëherë

Në vitet ’70, Bibla u vu për herë të parë në dispozicion për të gjithë publikun spanjoll. Shumë spanjollë blenë një kopje të saj dhe disa filluan të lexonin Shkrimet. Pilari, nga Medina del Kampo (Valladolid), ishte tashmë duke e lexuar Biblën, kur Dëshmitarët e Jehovait erdhën në qytetin e saj, në vitin 1973. Duke qenë katolike, tregonte kujdes në pranimin e literaturës nga Dëshmitarët, megjithatë donte që me të vërtetë të kuptonte Biblën. Kështu, pranoi të kishte takime javore për t’iu përgjigjur pyetjeve të saj në lidhje me Biblën.

Duke e përdorur mirë literaturën e botuar nga Shoqata Watch Tower, motra pioniere që vizitonte Pilarin ishte e aftë për t’iu përgjigjur pyetjeve të shumta të saj. E prekur nga ajo që kishte mësuar, pas disa javësh Pilari pranoi të studionte Biblën duke përdorur librin E vërteta që të çon në jetën e përhershme. (angl.) Para se të mbaronte studimin e këtij libri, ajo kishte lexuar gjithë Biblën dhe ishte e bindur se kishte gjetur të vërtetën. Në Medina del Kampo, ku tani ka një Sallë të shkëlqyeshme Mbretërie dhe një kongregacion me 63 lajmëtarë, ajo ishte Dëshmitarja e parë.

Dëshmitarët spanjollë gjejnë akoma njerëz që janë «të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore» dhe që e lexojnë Biblën rregullisht, duke u përpjekur të kuptojnë vullnetin e Perëndisë. (Mateu 5:3, BR) Pepi, një ish-katolike, e cila dikur mësonte katekizmin në qarkun e Zumaias (në veri të Spanjës), po predikonte në fshatin afër, kur takoi priftin e fshatit.

«Pepi, po e humb kohën kot,—i tha asaj prifti.—Këtu në Itziar, vetëm dy njerëz​—një çift i martuar—​janë të interesuar për gjërat frymore. Pjesa tjetër shkon në kishë thjesht për zakon.»

«E po,—iu përgjigj Pepi,—nëse ka dy njerëz që janë të interesuar për gjërat frymore, ata do të bëhen Dëshmitarë të Jehovait.»

Pepi vazhdoi veprën e predikimit shtëpi më shtëpi bashkë me Dëshmitarë të tjerë, derisa përfundoi dhënia e dëshmisë në të gjithë fshatin dhe siç duhej shpresuar, në një shtëpi të veçuar, vëllezërit gjetën tamam çiftin për të cilin kishte folur prifti. Po lexonin Biblën, por nuk e kuptonin. Pranuan menjëherë një studim biblik, përparuan me shpejtësi dhe u pagëzuan në prill të 1991-shit.

Disa njerëz me zemër të sinqertë, e mësuan të vërtetën thjesht duke lexuar vetë literaturën e bazuar në Bibël, të botuar nga Shoqata Watch Tower. Për shembull, Dëshmitarët nga Almaden (Ciudad Real), po predikonin në qendrën e vogël të Siruelas (Badajoz), kur gjetën një zonjë që e dëgjonte me shumë vëmendje mesazhin e tyre. Duke parë interesin e dukshëm tek ajo, i ofruan një studim biblik në shtëpi. Megjithatë, ajo refuzoi, duke thënë se po merrte tashmë mësime të Biblës nga një zotëri i vjetër. Edhe disa njerëz të tjerë që banonin në këtë zonë thanë të njëjtën gjë. Kureshtarë, vëllezërit pyetën se kush mund të ishte ky zotëri i vjetër. Morën adresën e tij dhe shkuan t’i bënin një vizitë.

Për habinë e tyre, mësuan se ky njeri nga Madridi, i quajtur Filip, kishte marrë librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsën mbi tokë. Pasi e kishte lexuar nga fillimi në fund, ai kishte kuptuar se e kishte për detyrë t’u fliste të tjerëve për lajmin e mirë. Kështu, përdorte këtë libër për t’u dhënë atyre mësime biblike. Vëllezërit rregulluan që të studionin me të. Edhe një zonjë me të cilën ai studionte Biblën, pranoi një studim. Edhe pse tani është 80-vjeçar dhe nuk gëzon shëndet të mirë, Filipi po përparon mjaft mirë në të vërtetën.

Paragjykime të mposhtura

Territoret në zonat e fshatrave paraqesin disa probleme të veçanta. Zakonisht, në këto zona traditat fetare dhe bestytnitë kanë një ndikim të fuqishëm dhe shumë njerëz që jetojnë nëpër fshatra kanë një dyshim të rrënjosur kundrejt çdo «feje të re». Shumë fshatarë i kushtojnë veçanërisht shumë rëndësi asaj që mund të mendojnë fqinjët ose të afërmit e tyre, nëse ndryshojnë fenë. Por fuqia e Fjalës së Perëndisë mund të mposhtë probleme të tilla dhe ndryshon jetën e njerëzve. Një gjë e tillë ndodhi në fshatin e njohur për peshkim, në Kangas de Moraso, në Spanjën veriperëndimore.

Roberto, një vendas nga ky fshat, filloi të punonte si marinar që në moshën 14-vjeçare, i shtyrë nga dëshira për të qenë i pavarur. Jeta në marinën tregtare e lidhi me marinarë të tjerë të rinj, të cilët pinin shumë dhe përdornin drogë, për të shtyrë orët e gjata të vetmisë në det. Shpejt edhe Roberto u dha mbas pijes dhe drogës.

Me kalimin e kohës Roberto u kthye në shtëpi, por nuk mund t’ia dilte mbanë të hiqte dorë nga këto vese të këqija dhe as nuk e kishte menduar një gjë të tillë. Për të paguar drogën, filloi të vidhte dhe përfundoi në burg në gjashtë raste të ndryshme. Në moshën 18-vjeçare u rrezikua për vdekje, pasi kishte përdorur një përzierje gati fatale vere dhe qetësuesish. Doktorët i shpëtuan jetën, por ai nuk mund të përdorte më krahët dhe këmbët. Kur doli nga spitali i kishte të katra gjymtyrët të paralizuara. Edhe pse i kufizuar në një karrige me rrota, nuk hoqi dorë nga droga. Feja e kishte zhgënjyer dhe i dukej sikur droga ishte e vetmja gjë që i jepte kuptim jetës së tij​—deri 3 vjet më pas, kur u vizitua nga Dëshmitarët e Jehovait.

Njohja e profecive biblike të plotësuara, e ndihmoi Roberton të mposhtte skepticizmin e tij. Mirëseardhja e ngrohtë që gjeti në Sallën e Mbretërisë, e bindi atë se feja e vërtetë pasuron jetën e njerëzve. Brenda nëntë muajve, Roberto e mundi vesin e përdorimit të drogave dhe u pagëzua. Pa marrë parasysh paaftësitë e tij fizike, që prej tetë vjetësh ai shërben si pionier. Gjatë dy vjetëve të fundit ka shërbyer si plak në kongregacion. Françeskos, njërit prej miqve të tij të vjetër, i la aq shumë mbresa ndryshimi i jetës së Robertos, sa edhe ai u bë një Dëshmitar dhe tani shërben si shërbëtor ndihmës. Ndryshimi i jashtëzakonshëm i këtij të riu që dukej se vuante nga një sëmundje e pashërueshme siç është droga, i ndihmoi njerëzit e këtij vendi të vlerësonin më mirë natyrën e veprës sonë. Madje, një grua solli në Sallën e Mbretërisë djalin e saj të dhënë pas drogës, për të parë nëse mund ta kuronin Dëshmitarët.

Kërkojnë në Bibël për të vërtetën

Zakonisht, njerëzit e fshatit e vlerësojnë të vërtetën në mënyrë të tillë që kjo shpesh i bën me turp të diturit nga bota. (1. Korintasve 1:26, 27) Adelina, një mesogrua e ndrojtur, është nga këta persona që tregojnë çmueshmëri të tillë. E mori me shumë seriozitet besimin e saj katolik. Çdo mëngjes gjunjëzohej për t’u lutur, duke thënë disa herë lutjen Ati ynë dhe Ave Maria. Çdo ditë ia drejtonte lutjen e saj një «shenjti» të ndryshëm, vetëm për t’u siguruar se të paktën disa nga lutjet e saj do të dëgjoheshin.

Kur Adelina filloi të studionte Biblën, e nisi me të njëjtin zell për besimin e ri. Edhe ndrojtja nuk e pengonte më, edhe pse herën e parë që ajo dhe burri i saj shkuan në Sallën e Mbretërisë, u deshën dhjetë minuta për të marrë guximin të hynin brenda. Megjithatë, pasi hynë, ajo dëgjoi me vëmendje. Në një rast dëgjoi të flitej për Mbretërimin mijëvjeçar të Krishtit. Argumenti i trajtuar e tërhoqi aq shumë, saqë kur u kthye në shtëpi, dëshironte të lexonte akoma më shumë për të në Biblën e saj. Por as ajo dhe as burri i saj, nuk e dinin ku mund ta gjenin informacionin, edhe pse ishin të bindur se ishte përmendur diku në librin e Zbulesës. Kështu, po këtë natë, Adelina filloi të lexojë librin Zbulesa dhe vazhdoi të lexonte derisa përfundimisht në orët e para të mëngjesit, arriti në kapitullin 20.

Në një rast tjetër, Adelina mësoi se ishte e përshtatshme për burrin të përfaqësonte gruan e tij në lutje. Edhe pse ishte i gatshëm të lutej, burri i saj nuk dinte ç’të thoshte në lutje. Po këtë natë, Adelina vendosi të kërkonte në Bibël. Në orën dy të natës, e zgjoi burrin për t’i treguar se kishte gjetur kapitullin gjashtë të Mateut, i cili trajton me hollësi argumentin mbi lutjen. Pasi lexoi mësimet e Jezuit, më në fund burri i saj bëri një lutje për të dy. Tani Adelina dhe burri i saj janë Dëshmitarë të Jehovait.

Një korrje e shkëlqyer

Gati pas 25 vjetësh që shërbëtorët e zellshëm të Jehovait, japin dëshmi në territoret e zonave të fshatrave, çdo cep i Spanjës ka dëgjuar lajmin e mirë. Ashtu siç ndodhi gjatë shekullit të parë, në Azinë e vogël, «fjala e Jehovait është përhapur në mbarë vendin». (Veprat 13:49, BR) Kështu, mijëra njerëz nga këto fshatra janë përgjigjur në mënyrë të favorshme.

Në Spanjë dhe kudo, predikimi në mënyrë të kuptueshme në zonat e fshatrave kërkon durim dhe vetëmohim. Por, meqë vullneti i Perëndisë është që «të shpëtojë çdo lloj njeriu», Dëshmitarët e Jehovait janë të lumtur që kërkojnë ata që tregojnë çmueshmëri. (1. Timoteut 2:4) Dhe siç e tregojnë përvojat e përmendura më lart, Jehovai i ka bekuar në mënyrë të pasur përpjekjet e bëra për predikimin nga fshati në fshat në Spanjë.

[Shënimi]

a Jozef Flavio llogariti se në Galile kishte gjithsej 204 «qytete dhe fshatra» dhe e përshkroi atë si një rajon me «një numër të madh fshatrash».

[Harta në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

FRANCË

PORTUGALI

SPANJË

ISHUJT BALERIKË

ISHUJT KANARIE

[Burimi i figurës në faqen 24]

Vilak, Lérida

[Burimi i figurës në faqen 24]

Puebla de Sanabria, Zamora

[Burimi i figurës në faqen 25]

Kasarabonela, Málaga

[Burimi i figurës në faqen 25]

Sinues, Huesca

[Burimi i figurës në faqen 26]

Lekeitio, Vizkaja

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo