BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/2 f. 23-26
  • Predikimi në vendin e kontrasteve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Predikimi në vendin e kontrasteve
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Lajmi i mirë përparon
  • Salla të ndërtuara brenda një kohe të shkurtër
  • Skaji verior
  • Tek Alice Springs dhe lamtumirë brendësisë së vendit
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/2 f. 23-26

Predikimi në vendin e kontrasteve

KANGURË, koala, vomba, ornitoringë, Ayers Rock dhe Pengesa e Madhe e Shkëmbinjve Nënujorë​—këto janë emra që të vijnë ndër mend kur mendon për Australinë. Por habia më e madhe është se pjesa më e madhe e australianëve ndoshta kurrë nuk e kanë vizituar Ayers Rock ose Pengesën e Madhe të Shkëmbinjve nënujorë apo të kenë parë një koala, një vomba a një ornitoring jashtë kopshtit zoologjik. Arsyeja është se 85 për qind e 17.3 milion banorëve të vendit jeton në pesë qytetet më të mëdha përgjatë vijës bregdetare.

Pasi kalohet skaji bregdetar dhe përshkohen 200 kilometra në brendësi të vendit, arrihet në fillimin e brendësisë së tokës së famshme të kontinentit. Terreni ndryshon nga pyjet e harlisura dhe nga tokat e pasura bujqësore në një zonë të gjerë, të nxehtë e të thatë ku mbijetojnë vetëm shkurre dhe barëra të qëndrueshme. Por, në brendësi të tokës jeta ekziston. Qendra të mëdha për rritjen dhe mbarështimin e deleve dhe të gjedhëve zënë qindra kilometra hapësirë. Akoma më në brendësi ka shkretëtira përvëluese ku njerëzit që jetojnë aty shpesh herë humbin jetën për shkak se nuk marrin masat përkatëse paraprake.

Lajmi i mirë përparon

Pikërisht në një mjedis të tillë predikohet lajmi i mirë i Mbretërisë së Jehovait në këtë vend. Çdo vit mijëra persona i përgjigjen premtimit të Perëndisë për një botë të re të drejtë. Vitin e fundit të shërbimit numri i lajmëtarëve të Mbretërisë arriti mbi 57.000, gati dyfishi i dhjetë vjetëve të kaluar. Ndërkohë që pjesa më e madhe e lajmëtarëve ashtu si dhe pjesa më e madhe e popullsisë janë përqendruar në qytetet bregdetare, lajmi i mirë gjithashtu përparon edhe në brendësi të vendit.

Për të pasur thjesht një ide se ç’do të thotë të predikosh në këtë vend të pamatë kontrastesh, le t’i bashkohemi njërit prej pesë mbikëqyrësve krahinorë dhe gruas së tij ndërkohë që vizitojnë disa nga kongregacionet që ndodhen në zonat e thella në brendësi. Gjatë udhëtimit të tyre ata do të vizitojnë shtetin e Australisë Perëndimore, një pjesë të shtetit Queensland dhe Territorin Verior, një zonë me sipërfaqe 4 milion e 700.000 kilometra e gjerë. Është gati sa gjysma e Evropës, duke përfshirë dhe ish-Bashkimin Sovjetik.

Udhëtimi ynë fillon në Perth, kryeqyteti i Australisë Perëndimore. Në këtë qytet krejt modern me 1.2 milion banorë, janë 49 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait. Përveç atyre në gjuhën angleze ka edhe kongregacione në gjuhën greke, italiane, portugeze dhe spanjolle, si dhe grupe të vogla në gjuhë të tjera. Është edhe një kongregacion i formuar vetëm nga vëllezër dhe motra të cilët e përqendrojnë predikimin e tyre tek njerëzit vendas të kontinentit. Shumë prej këtyre njerëzve të përulur tani pranojnë mesazhin e Mbretërisë. Por, si ecën puna larg qyteteve të mëdha?

Nga Perth përshkojmë 1.800 kilometra në veri deri në Port Hedland, ku do të mbahet një asamble qarkore. Pjesa më e madhe e 289 pjesëmarrësve kanë përshkuar nga 200 deri në 700 kilometra për të qenë të pranishëm. Ata vijnë nga zonat e veçuara ku kongregacioni më i afërt mund të jetë 250 kilometra larg dhe ku duhet të ecësh në rrugë të paasfaltuara të mbushura me gurë majëmprehtë që shpesh shpojnë gomat e makinës. Në këtë zonë ka tre kongregacione që s’ka shumë kohë që kanë ndërtuar Salla Mbretërie, duke përdorur metodat e ndërtimit të shpejtë.

Salla të ndërtuara brenda një kohe të shkurtër

Është krejt e ndryshme të ndërtosh një Sallë Mbretërie në këtë zonë dhe të ndërtosh një të tillë në qytet apo në qendrat e mëdha! Pjesa më e madhe e materialeve të ndërtimit duhet transportuar me kamion nga Perth, që gjendet 1.600 kilometra më në jug. Qindra vëllezër e motra përshkojnë këtë distancë dhe aq më tepër në fundjavën e caktuar për të marrë pjesë në ndërtimin e Sallës së Mbretërisë në një kohë kur temperatura e ambientit lëkundet nga 40-45°C. Një grumbullim i tillë në një vend kaq të vogël të veçuar është një dëshmi e dukshme më vete. Kur u ndërtua një Sallë Mbretërie në Tom Price, një qendër e vogël ku nxirren minerale hekuri, faqja e parë e gazetës lokale lajmëronte: «Një mirëseardhje e ngrohtë për artizanët vullnetarë dhe ndihmësit e tyre që marrin pjesë në ‘ndërtimin e shpejtë’ brenda tri ditëve të Sallës së Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait në Tom Price.»

Dukej se gati të gjithë në qytet dëshironin të bashkëpunonin. Në vend të 11.000 dollarëve australianë të zakonshëm për transportin e 50 ton materialeve, një shofer bujar u kërkoi vëllezërve vetëm paratë për karburantin. Shoqëria tregtare për lyerjen e lokaleve dhuroi 100 litra bojë. Disa shoqëri të tjera tregtare vunë në dispozicion makineritë e tyre dhe një shoqatë e punimeve minerale vuri falas në dispozicion një vinç. Gjendja e strehimit për 300 vizitorë sillte një problem, por bashkëpunimi i qytetarëve ishte i dukshëm. Disa telefonuan dhe ofruan krevate. Një burrë mori në telefon për të thënë se nuk do të qëndronte në shtëpi gjatë fundjavës, por do ta linte portën e jashtme të hapur. Ai tha: «Shtëpia është e juaja gjatë gjithë kohës që do të vazhdojnë punimet.»

Një incident humoristik ndodhi kur disa vëllezërve iu dha një adresë ku ata duhej të merrnin një dhomë rimorkio që i përkiste administratës lokale. Ata u hutuan kur panë një shënim në portë që thoshte: «Nuk pranojmë vizita për motive fetare.» Por, dhoma rimorkio ishte aty. Kështu, informuan zonjën e shtëpisë që po e merrnin këtë dhomë e cila ishte plot me plehra. Ndërkohë që po hiqnin plehrat dhe po e pastronin kuptuan menjëherë se ajo nuk i përkiste administratës lokale. Kur u kthye në shtëpi i zoti i rimorkios, gruaja i tregoi se Dëshmitarët e Jehovait kishin marrë dhomën e tij rimorkio. Vëllezërit u kthyen shpejt me rimorkion tashmë të zbrazur duke u shfajësuar. Më pas u bë një bashkëbisedim i ngrohtë dhe këta ish-kundërshtarë kishin shumë pyetje mbi ne dhe punën tonë. Tani kishin shumë dëshirë të vinin e të shihnin Sallën e re të Mbretërisë.

Që të predikohet lajmi i mirë në këtë zonë kërkohet durim. Para së gjithash për shkak të distancave të mëdha. Një motër pioniere dhe burri i saj që banojnë në Port Hedland bëjnë rregullisht mbi 350 kilometra në rrugë të paasfaltuara dhe me pluhur nga Port Hedland deri në Marble Bar për të bërë rivizita dhe studime biblike. Marble Bar është një ndër vendet më të nxehta në Australi, ku shpesh nga tetori deri në fund të marsit temperaturat kalojnë 50°C.

Skaji verior

Darwin, që gjendet 2.500 kilometra më në veri, është një tjetër qendër ku do të ketë një asamble qarkore. Ky mbikëqyrës krahinor dhe gruaja e tij përfitojnë nga udhëtimi me orë të zgjatura për të mos mbetur mbrapa me studimin personal. Në fillim lexojnë dhe shqyrtojnë tekstin e ditës. Pastaj dëgjojnë të regjistruar në kasetë leximin e Biblës. Ashtu siç marrin me turne drejtimin e makinës po ashtu lexojnë me turne artikujt nga Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!

Një shenjë rrugore i paralajmëron të kenë kujdes nga «roadtrains». Këto janë mjete që përdoren për të tërhequr tre ose katër dhoma rimorkio dhe janë të gjata deri në 55 metra. Kështu nevojitet shumë vend kur ato duhet të kalojnë. Përdoren për të transportuar gjë të gjallë dhe gjëra të tjera në qendrat e izoluara.

Koha është gjithmonë e nxehtë dhe fshati vazhdimisht thahet. Peizazhi djerr ndoshta mund të të japë përshtypjen e një varreze të pamatë, sepse toka është e mbuluar me fole milingonash të vendosura në distancë të njëjtë. Këto fole milingonash janë me ngjyra të ndryshme gjë që varet nga toka që milingonat përdorin për t’i ndërtuar dhe mund të jenë të larta nga një deri në dy metra e gjysëm. Më pas, kur po përshkonim lumin Viktoria, shikojmë shumë shenja të përgatitura për të tërhequr vëmendjen e njerëzve. Njëra thotë: «Rrezik: Nuk mund të notohet. Në këtë lumë ka krokodilë njeringrënës.» Me zgjuarsi vendosin të gjejnë mënyra të tjera për t’u larë dhe për t’u freskuar!

Më në fund arrijnë në majën veriore të Australisë që zakonisht njihet me emrin «Top End». Në Darwin, që është kryeqyteti i Territorit Verior janë dy kongregacione të mëdha të Dëshmitarëve të Jehovait. Që Darwin është një qytet ku bashkëjetojnë shumë kultura shihet fare lehtë nëse merr pjesë në asamblenë qarkore. Takojmë Charles, një tridhjetëvjeçar që me origjinë është nga pjesa lindore e Timorit, në Indonezi, një zonë e përshkuar nga lufta. Prindërit e tij kinezë e kishin mësuar të praktikonte adhurimin e stërgjyshërve. Gjithashtu, ai i ishte përkushtuar edhe artit luftarak. T’i braktiste të gjitha këto nuk ishte e lehtë, për shkak se ishte i lidhur fort me spiritizmin. Megjithatë, duke mbajtur në mend premtimin e Jezuit se «e vërteta do t’ju lirojë» u lirua nga ajo mënyrë jetese. (Gjoni 8:32) «Sot,—thotë ai,—e kam ndërgjegjen të pastër para Jehovait dhe vazhdimisht po i shërbej Jehovait si shërbëtor ndihmës. Synimi im është të regjistrohem në Shkollën e Aftësimit për Shërbim.

Më pas takojmë Beverly nga Papua Guinea e Re. Beverly tregon: «Në fillim nuk ndihesha shumë i sigurt t’u jepja dëshmi njerëzve të bardhë, sepse anglishtja ishte gjuha ime e dytë dhe disa shprehje bashkë me theksin australian ma vështirësonin të kuptuarit. Por, duke kujtuar se Bibla na thotë të besojmë në Jehovain, të provojmë dhe të shohim se ai është i mirë fillova në shërbimin e plotë kohor si pionier në janar 1991. I pari që studioi Biblën me mua tani është pionier. Gjithashtu, dy nga motrat e tij kanë pranuar të vërtetën dhe njëra prej tyre shërben si pioniere bashkë me burrin e saj.»

Para se të ikim nga Darwin, bëjmë një udhëtim të shpejtë rreth 250 kilometra të gjatë në lindje të Parkut Kombëtar në Kakadu, i mirënjohur për shumëllojshmërinë e jetës së zogjve. Këtu njohim Debbia, e vetmja predikuese e lajmit të mirë në mbarë zonën. E pyesim të na tregojë se si bën për t’u mbajtur e fortë frymësisht në këtë zonë të izoluar. Ajo përgjigjet: «Së pari, me anë të lutjes. . . . Gjithashtu marr ngushëllim nga shkrime të tilla si Isaia 41:10 i cili thotë: ‛Mos u frikëso, sepse unë jam me ty. Mos shiko rreth e rrotull, sepse unë jam Perëndia yt. Unë do të të forcoj. Me të vërtetë do të të ndihmoj. Me të vërtetë do të të mbroj me të djathtën time të drejtë.’

Në Jilkimingan, që gjendet 450 kilometra në jug të Darwin, takojmë një grup të vogël vendasish. Për shumë vjet, kjo bashkësi vendase konsiderohej si një grup i Dëshmitarëve të Jehovait, sepse shumë prej tyre merrnin pjesë rregullisht në asambletë qarkore dhe ato krahinore, edhe pse askush prej tyre nuk ishte pagëzuar. Kjo bashkësi njihej për mbajtjen e pastërtisë. Lumturisht, tani disa prej tyre qëndrojnë të patundur në të vërtetën dhe janë pagëzuar. Ata janë ndër vendasit e parë që nuk banojnë në qytet dhe bënë një gjë të tillë. Nevojitet kurajo dhe besim në frymën e shenjtë të Jehovait për këta njerëz të përulur për t’u liruar nga traditat shekullore dhe nga praktikat spiritiste të fisit të tyre.

Tek Alice Springs dhe lamtumirë brendësisë së vendit

Erdhi koha të ikim nga skaji verior dhe të bëjmë 1.600 kilometrat e fundit që na ndajnë nga Alice Springs në «Qendrën e Kuqe» të kontinentit, afër të famshmit Ayers Rock. Këtu, në Sallën e Mbretërisë të pajisur me ajër të kondicionuar dhe me vende të rehatshme për t’u ulur do të mbahet një asamble në të cilën mund të marrin pjesë mbi 130 persona nga dy kongregacione të zonës. Përsëri është një gëzim të shohim polinezianë, evropianë e vendas të shijojnë së bashku shoqërinë e krishterë.

Përfundimisht lëmë Alice Springs dhe fillojmë etapën e fundit të udhëtimit bashkë me mbikëqyrësin krahinor dhe gruan e tij. Gjatë udhëtimit përshkojmë 2.000 kilometra përmes kontinentit, në drejtimin veri-lindor. Kështu i themi lamtumirë brendësisë së vendit dhe përfundimisht arrijmë në pyjet e harlisura tropikale të Queensland​—vendi i Pengesës së Madhe të Shkëmbinjve Nënujorë—​ku ka shumë kongregacione me një raport të lartë të Dëshmitarëve në krahasim me popullsinë.

Megjithatë, para se të mbarojmë udhëtimin do të marrim pjesë në një tjetër asamble qarkore. Pasi ngjitemi në bordin e një aeroplani në Cairns​—qendra tropikale e Queensland me Pengesën e Madhe të Shkëmbinjve Nënujorë që njihet si e famshme—​lëmë kontinentin Australian dhe duke fluturuar mbi skajin verior të gadishullit Capo York përmes ngushticës Torres arrijmë në ishullin Thursday. Këtu ka një kongregacion të vogël prej 23 lajmëtarësh. Ç’gëzim të shohësh 63 pjesëmarrës në asamblenë e fundit të këtij udhëtimi!

Shpresojmë se të ka pëlqyer ky shikim i shpejtë i veprës së predikimit të Mbretërisë në këtë vend kontrastesh. Ndoshta një ditë do të mund të na vizitosh në këtë vend që të ngjall kureshtje dhe të takosh drejtpërsëdrejti vëllezërit dhe motrat që përmbushin me besnikëri shërbimin e tyre në këtë territor të pashoq.

[Harta dhe figura në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Port Hedland

Kanberrë

Tom Prais

Marbëll Bar

Njuman

Darvin

Katerinë

Elis Springs

Aiërs Rok

Ishulli Thursday

Keirns

Adelaide

Melburn

Hobart

Sidnei

Brisbane

Perth

[Figura në faqen 24]

Perth, kryeqyteti i Australisë Perëndimore

[Figura në faqen 25]

Dëshmia në rrugë sjell rezultate të mira

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo