A i kushton vëmendje paralajmërimit të Perëndisë?
SHPESH paralajmërimet jetëshpëtuese nuk përfillen. Shumica e banorëve të Pompeit nuk i përfilli gjëmimet e egërsuara të malit Vezuv. Në mënyrë të ngjashme, shumë njerëz sot nuk i përfillin paralajmërimet e një katastrofe botërore që po pllakos. Por, për ata që janë gati për t’u ballafaquar me faktet, paralajmërimi është po aq real, sa edhe vetëtimat e dritës dhe flaka që nxirrte Vezuvi në shekullin e parë. Dy luftëra botërore, qindra konflikte të armatosura më të vogla, zi buke, tërmete të mëdha, murtaja, valë të njëpasnjëshme kriminaliteti dhe dhune, si dhe një fushatë botërore predikimi, të gjitha së bashku përbëjnë një paralajmërim dramatik se shoqëria njerëzore po shkon nxitimthi drejt një krize katastrofale.
Bibla bën një parashikim që të vë në mendime: «Sepse atëherë do të jetë mjerim aq i madh, sa që mjerim të tillë nuk ka pasur që se u krijua bota deri tani, as nuk do të ketë më!» (Mateu 24:21) Siç ndodhi edhe gjatë shkatërrimit të Pompeit, do të ketë edhe nga ata që do të shpëtojnë, «një shumicë e madhe që askush s’ mund e numronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe», që «erdhën nga prova [mjerimi, NW] e madhe.»—Zbulesa 7:9, 14.
Pyetja është: Kur do të vijë ky shkatërrim? Ka arsye bindëse për të besuar se mjerimi është i pashmangshëm. Me sa duket, duke menduar për faktorin kohë, dishepujt e Jezuit pyetën: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të këtij sistemi gjërash?» (Mateu 24:3, NW) Vërej se si u përgjigj Jezu Krishti.
Lufta: një aspekt i rëndësishëm i shenjës së përbërë
Jezui nuk paratha vetëm një ngjarje të jashtëzakonshme. Përkundrazi, ai foli për një varg ngjarjesh që së bashku do të përbënin paralajmërimin hyjnor: një shenjë të përbërë të përfundimit të sistemit të gjërave. Ngjarja e parë e parathënë, përshkruhet në Mateun 24:7: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.» (NW) Në një profeci paralele të Zbulesës (Apokalipsi) 6:4, Bibla parathoshte se «paqja do të hiqej nga toka.» Kjo nënkuptonte luftë në një shkallë pa precedent.
Historia tregon se kjo profeci mbi luftën e përgjithshme është përmbushur qysh prej vitit të paharrueshëm 1914. Libri Aventura amerikane, duke folur mbi vitet që i paraprinë 1914-s, thotë: «Shumë amerikanë kishin hyrë në shekullin e ri plot shpresë. Ishin ‘vitet e mira’ dhe zgjatën deri në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit. . . . Pastaj, më 28 korrik 1914, ajo atmosferë u trondit nga një fjalë: luftë.» (American Adventures) Filloi, kështu, Lufta e Parë Botërore, që zgjati prej 1914-s deri në 1918-n dhe u quajt prej disave «lufta që do t’u jepte fund gjithë luftërave». Njëzet e tetë vende u përfshinë në të drejtpërdrejt. Dhe nëse përfshijmë edhe vendet në varësinë e tyre, kombet ndërluftuese përfaqësonin 90 për qind të popullsisë botërore të asaj kohe.
Lufta e Parë Botërore solli edhe përdorimin e mjeteve vdekjeprurëse të reja dhe mjaft efikase luftarake, si mitralozi, gazet helmuese, flakëhedhëset, tanket, aeroplanët dhe nëndetëset. Pothuajse dhjetë milion ushtarë u vranë, më shumë se në të gjitha luftërat kryesore të zhvilluara gjatë 100 viteve të mëparshme të vëna së bashku! U plagosën rreth 21 milion ushtarë. Ishte me të vërtetë një luftë botërore, që e identifikoi 1914-n si fillimin e «ditëve të fundit». (2. Timoteut 3:1) Megjithatë, lufta ishte vetëm një nga aspektet e shenjës së Jezuit.
Aspekte të tjera të shenjës
Jezui shtoi: «Do të ketë mungesë ushqimesh dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin. Të gjitha këto gjëra janë fillimi i dhimbjeve të shtrëngimit.» (Mateu 24:7, 8, NW) Luka 21:11 i shton listës edhe «murtajat». Përpara fundit të Luftës së Parë Botërore, gripi spanjoll u përhap mbi mbarë tokën. Kur përfundoi, kishte vrarë mbi 20 milion njerëz, më shumë nga sa kishte vrarë lufta.
Gjatë dhe pas luftës, me miliona të tjerë vdiqën urie. Edhe tërmetet patën shumë viktima. Në 1915, më se 30.000 u vranë në Itali; në 1920, rreth 200.000 vdiqën në Kinë; në 1923, gati 143.000 humbën jetën në Japoni. E megjithatë, siç tregoi Jezui, e gjitha kjo nuk ishte veçse fillimi i dhimbjeve të shtrëngimit. Një fjalor e përcakton «dhimbjen», si një «spazmë të shkurtër therëse të vuajtjes». Prej 1914-s, kjo botë ka kaluar nga njëra spazmë vuajtjesh në tjetrën, me një intensitet dhe frekuencë gjithnjë në rritje. Për shembull, vetëm 21 vjet pas Luftës së Parë Botërore, shpërtheu Lufta e Dytë, me 50 milion viktima dhe e përcolli njerëzimin në epokën bërthamore.
Në vitet e fundit është folur shumë për një tjetër shkak shtrëngimi: shkatërrimi i ambientit nga njeriu. Edhe pse Jezui nuk e përmendi këtë veçanërisht në profecinë e tij, Zbulesa 11:18 tregon se para shkatërrimit që po afrohet, njeriu «do të shkatërronte tokën». Provat se ky shkatërrim po ndodh janë të bollshme. Duke iu referuar librit Gjendja e botës 1988, këshilltari ambientalist Norman Myers jep këtë mesazh alarmant: «Asnjë brez në të kaluarën nuk është ballafaquar gjatë ekzistencës së vet me perspektivën e një zhdukjeje në masë. Asnjë brez në të ardhmen nuk do të ballafaqohet më me një sfidë të tillë: nëse brezi i tanishëm nuk ia del dot në këtë punë, dëmi do të jetë përfundimtar dhe nuk do të ketë më një ‘mundësi tjetër’.»—State of the World 1988.
Le të mendojmë edhe për raportin mbi harxhimin e shtresës së ozonit në atmosferë, botuar nga revista Newsweek, më 17 shkurt 1992. Në të citohej Alexandra Allen, eksperte e Greenpeace-it për problemet e ozonit, e cila paralajmëronte se harxhimi i ozonit «përbën tani një kërcënim për të ardhmen e mbarë jetës mbi tokë.»—Për prova të mëtejshme mbi shkatërrimin e tokës nga pikëpamja ambientale, shiko kutinë e kësaj faqeje.
Hapësira nuk na lejon një trajtim të hollësishëm të të gjitha aspekteve të profecisë së Jezuit. (Për një sintezë të aspekteve të tjera profetike, shiko tabelën e faqes 5.) Megjithatë, një aspekt që nuk mund të lihet pas dore është përshkruar në Mateun 24:14: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar, në dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (NW) Nuk ka dyshim se cilët janë ata që po e kryejnë këtë vepër botërore predikimi. Dëshmitarët e Jehovait, vetëm në vitin 1992, dedikuan mbi një miliard orë në këtë vepër, në 229 vende. Prandaj, vepra e tyre përbën një nga provat më të dukshme të faktit se po jetojmë në ditët e fundit.
Mos u mashtroni!
Por dikush mund të kundërshtonte se të flasësh për «ditët e fundit» është thjesht pesimizëm. «Ç’mund të themi për shembjen së fundi të komunizmit në Evropën Lindore?—pyesin ata. Ose për përpjekjet e bëra nga superfuqitë për të sjellë paqen? A nuk provojnë këto se gjendja po përmirësohet?» Jo. Vërej që Jezui nuk tha se në ditët e fundit mbarë bota do të tronditej vazhdimisht nga luftëra, tërmete dhe uri. Që lajmi i mirë të shpallet në mbarë botën, duhen të paktën disa periudha me paqe relative.
Sill ndër mend, gjithashtu, se Jezui i krahasoi ditët e fundit me ditët para Përmbytjes së Noes. Në atë kohë njerëzit ishin të zënë me të ngrëna, me të pira dhe me martesa, pra, aktivitetet e zakonshme të jetës. (Mateu 24:37-39) Kjo të bën të mendosh se në ditët e fundit, edhe pse kushtet do të jenë brengosëse, gjërat nuk do të katandisin deri aty, sa të bëjnë të pamundura aktivitetet e zakonshme të jetës. Ashtu si në ditët e Noes, pjesa më e madhe e njerëzimit është kaq e zënë me punët e përditshme, saqë nuk e kupton seriozitetin e kohës.
Do të ishte e rrezikshme, pra, të zhyteshim në indiferencë për shkak të disa zhvillimeve politike, në dukje favorizuese. (Krahaso 1. Selanikasve 5:3.) Ka prova më se të mjaftueshme se profecia e Jezuit po përmbushet tani, një paralajmërim se shkatërrimi është afër!
Me pasoja të lavdishme
Shkatërrimi i Pompeit solli vdekje dhe mjerim. Ndërsa fundi i sistemit të tanishëm të gjërave, do të pastrojë rrugën drejt jetës së përhershme në një tokë të mrekullueshme parajsore. (Zbulesa 21:3, 4) Toka nuk do të shkretohet më nga luftërat e ndezura prej qeverive që përçajnë njerëzimin. Njerëzit nuk do të dridhen më nga frika e një shfarosjeje bërthamore. Fabrikat që vjellin helme kimike në ambient do të zhduken.—Danieli 2:44.
Në atë kohë, çdo njeri në jetë do të dojë drejtësinë dhe do të jetë një mik i vërtetë për të afërmin, në bindje të plotë ndaj qeverisë së Mbretërisë. (Psalmi 37:10, 11) Spitalet, ceremonitë funebre dhe varrezat do të jenë gjëra të së shkuarës. Nuk do të ketë më divorce, ndarje, shtypje dhe abuzime ndaj të vegjëlve.—Isaia 25:8; 65:17.
A dëshiron të mbijetosh në ditët e fundit dhe të shohësh botën e re të lavdishme të Perëndisë? Atëherë «rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast.» (Marku 13:33) Megjithatë, ngjarjet botërore tregojnë se koha e caktuar është afër, tmerrësisht afër për shumicën. Nuk ka kohë për të humbur. Prandaj, vepro për të shpëtuar jetën dhe kërko ata që i kushtojnë vëmendje shenjës botërore të ditëve të fundit. Është e lehtë për t’i njohur ata, sepse janë të vetmit që i binden urdhrit të Jezuit për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë në mbarë botën. Bashkë me ta, bëj hapat e nevojshme për t’u rreshtuar me Mbretin, Jezu Krishtin, për të cilin kanë thënë: «Në emrin e tij do të shpresojnë kombet.»—Mateu 12:18, 21.
[Kutia në faqen 5]
Njëzet e katër aspektet e shenjës
1. Luftëra pa precedent—Mateu 24:6, 7; Zbulesa 6:4
2. Tërmete—Mateu 24:7; Marku 13:8
3. Mungesë ushqimesh—Mateu 24:7; Marku 13:8
4. Murtajaz—Luka 21:11; Zbulesa 6:8
5. Rritje e paligjshmërisë—Mateu 24:12
6. Shkatërrim i tokës—Zbulesa 11:18
7. Ftohje e dashurisë—Mateu 24:12
8. Pamje të frikshme—Luka 21:11
9. Dashuri e pazakontë për paratë—2. Timoteut 3:2
10. Mosbindje ndaj prindërve—2. imoteut 3:2
11. Do të duan kënaqësitë më tepër se Perëndinë—2. Timoteut 3:4
12. Përparësi ndaj dashurisë për vetveten—2. Timoteut 3:2
13. Mungesë e përgjithshme e dashurisë së natyrshme—2. Timoteut 3:3
14. Kundër çdo lloj mirëkuptimi—2. Timoteut 3:3
15. Mungesë vetëkontrolli në çdo shtresë të shoqërisë—2. Timoteut 3:3
16. Mungesë e përhapur e dashurisë për mirësinë—2. Timoteut 3:3
17. Në mënyrë hipokrite shumë veta do të vetëquhen të krishterë—2. Timoteut 3:5
18. Disa do ta teprojnë me të ngrëna e me të pira—Luka 21:34
19. Tallësit do ta hedhin tej shenjënz—2. Pjetrit 3:3, 4
20. Shumë profetë të rremë do të jenë aktivë—Mateu 24:5, 11; Marku 13:6
21. Predikim i lajmit të mirë të Mbretërisë së vendosur të Perëndisë—Mateu 24:14; Marku 13:10
22. Persekutim i të krishterëve të vërtetë—Mateu 24:9; Luka 21:12
23. Ditët e fundit arrijnë kulmin me britma paqeje dhe sigurie—1. Selanikasve 5:3
24. Njerëzit nuk e kuptojnë rrezikun—Mateu 24:39
[Kutia në faqen 6]
Problemet e ambientit: një shenjë e kohëve
◻ Mburoja e ozonit në gjerësitë e banuara dendur të hemisferës veriore po rrallohet dy herë më shpejt, sesa mendonin shkencëtarët disa vite më parë.
◻ Të paktën 140 lloj bimësh dhe kafshësh çdo ditë janë të dënuara të zhduken.
◻ Nivelet atmosferike të dioksidit të karbonit që mban nxehtësinë, janë tani 26% më të larta se përqëndrimi paraindustrial dhe vazhdojnë të rriten.
◻ Sipërfaqja e Tokës në 1990 ishte më e nxehtë, se në çdo vit tjetër qysh kur filloi mbledhja e të dhënave në gjysmën e shek. XIX; gjashtë nga të shtatë vitet më të nxehta janë regjistruar qysh prej 1980-s.
◻ Pyjet po zhduken me një ritëm prej gati 17 milion ha në vit, një sipërfaqe e barabartë pothuajse me gjysmën e Finlandës.
◻ Popullsia botërore po rritet çdo vit me nga 92 milion veta: njësoj sikur të shtohej çdo vit një Meksikë tjetër; nga ky total, 88 milion e shtimit ndodh në vendet e zhvilluara.
◻ Gati 1,2 miliard njerëzve u mungon uji i pijshëm.
Sipas librit State of the World 1992, nga Worldwatch Institute, faqe 3, 4, W. W. Norton & Company, New York, London.
[Figura në faqen 7]
Pas shkatërrimit do të vijë bota e re e lavdishme e Perëndisë