Krijuesi ynë i madh dhe veprat e tij
SA MADHËSHTORE! Ushtima e katarakteve të Iguasusë apo Niagarës, kanionet e fuqishme të Arizonës apo Havait, fjordet madhështore të Norvegjisë apo Zelandës së Re—çfarë shprehje admiruese që shkaktojnë këto mrekulli natyrore! Por, a janë këto vetëm produkte të rastit të së ashtuquajturës Nënë Natyrë? Jo, ato janë shumë më tepër se kaq! Janë vepra mahnitëse të Krijuesit të Madh, të Atit të dashur qiellor për të cilin mbreti i mençur Solomon ka shkruar: «Çdo gjë e ka krijuar të bukur në kohën e vet. Madje edhe kohën e papërcaktuar e ka vënë në zemrën e tyre, që njerëzimi kurrë të mos zbulojë punën që Perëndia i vërtetë ka bërë nga fillimi deri në fund.» (Eklisiastiu 3:11) Vërtet, kërkimi i të gjitha gjërave me të cilat Krijuesi ynë e ka mbushur gjithësinë, do t’i merrte njerëzimit një kohë të pafundme.
Sa Krijues të Madh që kemi! Sa të gëzuar jemi që ky Perëndi i Gjithëfuqishëm «në fund të këtyre ditëve na foli nëpërmjet një Biri, që e ka caktuar trashëgimtar të të gjitha sendeve dhe nëpërmjet të cilit bëri sistemet e gjërave.» (Hebrenjve 1:2, NW) Ky Bir, Jezu Krishti, i çmonte gjërat e këndshme të krijesave të Atit të vet. Ai shpeshherë i përmendte ato kur krahasonte qëllimet e të Atit dhe kur u fliste me fjalë inkurajuese dëgjuesve të tij. (Mateu 6:28-30; Gjoni 4:35, 36) «Me besim» shumë kanë perceptuar se mrekullitë e krijimit «u vendosën në rregull prej Perëndisë.» (Hebrenjve 11:3, NW) Jeta jonë e përditshme duhet të pasqyrojë këtë besim.—Jakovi 2:14, 26.
Vërtet, krijesat e Perëndisë sonë janë të mëdha. Ato pasqyrojnë në mënyrë të mrekullueshme mençurinë e tij, fuqinë, drejtësinë dhe dashurinë e tij. Për shembull, ai e përkuli tokën tonë dhe e bëri që të rrotullohej rreth diellit në mënyrë që krijesa e tij e ardhme, njeriu, të mund t’i gëzohej vazhdimësisë së këndshme të stinëve. Perëndia deklaroi: «Prej tani, derisa të ekzistojë toka, s’do të ndalojë mbjellja as korrja, as [koha] e ngrohtë e as e ftohtë, as vera e as dimri, as dita e as nata.» (Zanafilla 8:22, DK) Përveç kësaj, Perëndia e furnizoi me bollëk tokën tonë me minerale të çmueshme. Veçanërisht, siguroi ujë me bollëk, që më vonë u bë pjesë përbërëse themelore dhe përkrahje e gjithë jetës tokësore.
Me një vazhdimësi të rregullt të gjashtë «ditëve të krijimit», secila me gjatësi prej mijëra vjetësh, «forca aktive e Perëndisë» veproi në përgatitjen e tokës si vendbanim të njeriut. Drita përmes së cilës ne shohim, ajri që ne thithim, toka e thatë mbi të cilën jetojmë, bimësia, vazhdimësia e ditës dhe natës, peshqit, zogjtë, kafshët—të gjitha janë krijuar me rradhë nga Krijuesi ynë i Madh në shërbim dhe gëzim të njeriut. (Zanafilla 1:2-25) Me siguri mund t’i shoqërohemi psalmistit në thirrjen: «Sa të shumta janë veprat tuaja, o Jehova! Të gjitha ato i ke krijuar me mençuri. Toka është plot nga prodhimet tua.»—Psalmi 104:24.
Kryevepra e krijimit të Perëndisë
Ndërsa «dita» e gjashtë e krijimit i afrohet fundit, Perëndia bëri njeriun dhe mandej ndihmësen e tij, gruan. Çfarë kulmi mjeshtëror në krijimin tokësor, shumë më i mrekullueshëm se sa të gjitha krijesat e tjera fizike të krijuara më parë! Psalmi 115:16 na informon: «Sa për qiejt, qiejt i takojnë Jehovait, por tokën ua ka dhënë bijve të njeriut.» Në përputhje me këtë, Jehovai i ka projektuar shpirtërat tanë njerëzorë në mënyrë që të mund t’i gëzohemi dhe t’i përdorim krijesat e tij më të hershme në tokë. Sa mirënjohës duhet t’i jemi për sytë tanë,—shumë më të ndërlikuar se sa kamera më e mirë, e cila mund të shikojë botën me ngjyra përreth nesh! Ne kemi veshët tanë—më të mirë se çfarëdo sistemi me zë të bërë nga njeriu—që na ndihmojnë për t’iu gëzuar bisedimit, muzikës dhe këngës melodike të zogjve. Ne kemi një mekanizëm të foluri, duke përfshirë edhe gjuhën e larmishme. Shijimi me gjuhë, i kombinuar me ndjenjën tonë të të nuhaturit, poashtu na parapërgatit që të ndjejmë kënaqësi në shumëllojshmërinë e pafund të ushqimeve. Dhe sa e çmojmë prekjen e një dore të dashur! Me siguri, mund ta falënderojmë Krijuesin tonë ashtu si psalmisti që tha: «Do të të lavdëroj sepse jam bërë në mënyrë tmerrsisht të mrekullueshme. Veprat e tua janë të mrekullueshme, ndërsa shpirti im e di shumë mirë.»—Psalmi 139:14.
Dashamirësia e dashur e Krijuesit tonë
Psalmisti ka shkruar: «Falënderojeni Jehovain, o ju popull, sepse ai është i mirë . . .; Bërësin e mrekullive, të gjërave të mëdha, vetëm sepse dashamirësia e tij e dashur është deri në kohëra të pacaktuara.» (Psalmi 136:1-4) Kjo dashamirësi e dashur e nxit atë tani që të bëjë vepra të mrekullueshme, shumë më të mëdha se të gjitha krijesat të cilat sapo i kemi përshkruar. Po, edhe pse është duke pushuar nga krijimi e gjërave materiale, ai është duke krijuar në planin frymor. Këtë ai po e bën si përgjigje ndaj provokimit djallëzor që i është hedhur në fytyrë. Në ç’mënyrë?
Njeriu dhe gruaja e parë ishin vendosur në një parajsë madhështore, Eden. Megjithatë, një engjëll kryengritës, Satanai, e ngriti veten si një perëndi dhe e udhëhoqi atë çift njerëzor në kryengritje kundër Jehovait. Me të drejtë, Perëndia i dënoi ata me vdekje, me pasojën që fëmijët e tyre, e gjithë raca njerëzore, lindën në një gjendje mëkati, vdekje. (Psalmi 51:5) Raporti biblik në lidhje me Jobin, tregon se Satanai e provokoi Perëndinë, duke deklaruar se asnjë njeri nën sprovë nuk mund ta ruajë integritetin e vet ndaj Tij. Por Jobi, sikur edhe shumë shërbëtorë të tjerë besnikë të Perëndisë nga kohërat biblike e deri në ditët tona, provoi se Satanai është një gënjeshtar i madh. (Jobi 1:7-12; 2:2-5, 9, 10; 27:5) Jezui, si një njeri i përsosur, shërbeu si shembull i pakrahasueshëm në ruajtjen e integritetit.—1. Pjetrit 2:21-23.
Kështu, Jezui mundi të thotë: «Princi i botës [Satana] kundër meje s’mundet asgjë.» (Gjoni 14:30) Akoma edhe sot «e gjithë bota shtrihet nën fuqinë e të ligut.» (1. Gjonit 5:19, NW) Satanait i janë dhënë rreth 6.000 vjet për t’i kundërshtuar drejtësisë së sovranitetit të Jehovait, që të tregojë se a do të ketë sukses sundimi i tij personal mbi njerëzimin. Sa mjerisht që ka dështuar, siç vazhdon të dëshmojë gjendja e keqësuar botërore! Perëndia ynë i dashur, Jehova, së shpejti do ta largojë këtë shoqëri të korruptuar botërore, duke e mbrojtur sovranitetin e vet të drejtë mbi tokën. Çfarë lehtësimi të gëzuar do të sjellë kjo për njerëzit e dëshiruar për një sundim paqësor, të drejtë!—Psallmi 37:9-11; 83:17, 18.
Mirëpo, kjo s’është e tëra! Dashamirësia e dashur e Perëndisë do të tregohet edhe më tutje në bazë të fjalëve të Jezuit në Gjonin 3:16: «Vërte Hyu aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, mos të birret, por ta ketë jetën e pasosur.» Kjo përtrirje e njerëzimit me shpresën e jetës së përhershme në tokë përfshin edhe krijimin e gjërave të reja. Ç’janë këto? Si do të përfitojë njerëzimi rënkues? Këtë do ta tregojë artikulli ynë vijues?