HERDHET
Gjëndrat seksuale të mashkullit. Sipas ligjit që Perëndia i dha Izraelit, një izraelit nuk pranohej në priftëri nëse kishte ndonjë të metë fizike; ndër to ishin edhe herdhet e shtypura. (Le 21:17-21, 23) Ky standard i lartë për priftërinë ishte në përputhje me shenjtërinë e detyrës së priftërinjve si përfaqësues të shenjtërisë së Jehovait para Izraelit. Gjithashtu, ajo është në përputhje me faktin që priftëria e Izraelit simbolizonte priftërinë qiellore të Krishtit dhe të kongregacionit të tij me nënpriftërinj, te të cilët nuk ka asnjë të metë. (He 7:26; Ef 5:27; Zb 14:1, 5; 20:6) Veç kësaj, Perëndia donte priftërinj që mund të kishin fëmijë që do t’i pasonin. Megjithatë, Ligji thoshte se ata që kishin këtë të metë fizike mund të hanin nga gjërat e shenjta që jepeshin për priftërinjtë.—Le 21:21, 22.
Për arsye të ngjashme, një kafshë me herdhe të shtrydhura, të shtypura, të shkulura ose të prera nuk mund të paraqitej si flijim. (Le 22:24; krahaso Ma 1:6-8; 1Pj 1:19.) Ja pse izraelitët nuk i tridhnin kafshët, pasi Ligji kërkonte që të gjitha kafshët shtëpiake që përdoreshin për ushqim, të çoheshin në shenjtore që të thereshin e të haheshin si flijim në bashkësi. I njëjti ligj zbatohej edhe në Tokën e Premtuar për ata që nuk jetonin larg Jerusalemit.—Le 17:3-5; Lp 12:20-25.
Më tej, në Ligj thuhej: «Asnjë njeri që është tredhur duke shtypur herdhet ose që e ka organin mashkullor të prerë, nuk mund të bëhet pjesë e kongregacionit të Jehovait.» (Lp 23:1) Këtu ‘tredhja’ nuk tregon një defekt të lindur ose ndonjë dëmtim të shkaktuar aksidentalisht. (Krahaso Le 21:17-21; Lp 25:11, 12.) Me sa duket, kishte të bënte me tredhjen e qëllimshme për arsye imorale, si homoseksualizmi. Për të ruajtur pastërtinë e kongregacionit, një njeri i tillë duhej mbajtur jashtë tij e nuk duhej lejuar të shoqërohej me të.
Ligji theksonte respektin e Jehovait për të drejtën e burrit që të kishte fëmijë nga gruaja e vet dhe për aftësitë riprodhuese që i ka dhënë burrit e gruas. Martesa me kunatin lejonte vazhdimësinë e trungut familjar, të emrit dhe të trashëgimisë së një burri. (Lp 25:5-10) Menjëherë pas shpalljes së kësaj mase, Ligji shtonte se nëse dy burra përlesheshin me njëri-tjetrin dhe gruaja e njërit prej tyre e zinte tjetrin nga organet gjinore për të ndihmuar të shoqin (veprim që mund t’i shkatërronte aftësitë riprodhuese), asaj i pritej dora. (Lp 25:11, 12) Pra, në këtë rast nuk zbatohej ligji i shpagimit. (Lp 19:21) Perëndia nuk kërkonte shkatërrimin e organeve riprodhuese të saj ose të të shoqit. Në këtë mënyrë martesa mund të ishte akoma e frytshme dhe i shoqi mund të vazhdonte të kishte pasardhës.
Ata që janë tredhur mund të jenë pjesë e kongregacionit të krishterë, sepse Ligji është anuluar në bazë të flijimit të Krishtit. (Kl 2:13, 14) Megjithatë, ligjet e cituara më sipër nënvizojnë konsideratën e Perëndisë për organet e riprodhimit dhe tregojnë qartë se është e gabuar që një i krishterë të bëjë një operacion që i shkatërron aftësitë riprodhuese pa ndonjë arsye serioze, duke treguar kështu mungesë çmueshmërie për këtë dhuratë të Perëndisë.
Organ gjinor. Fjala hebraike e përkthyer «mish» (basár) përdoret te Levitiku 15:2, 3 (shën., NW) për të treguar organin gjinor të mashkullit, penisin, veçmas herdheve.—Shih PASTËRTIA; krahaso Is 57:8, shën., NW.
Organi gjinor mashkullor ka qenë objekt kulti për paganët në lashtësi, siç është edhe sot në disa vende. Ka mundësi që tek Ezekieli 8:17 (shën.) përmendet shkarazi një kult i tillë që kishte ndotur izraelitët apostatë në kohën e Ezekielit.