TEKOA
Qytet në territorin e Judës që zakonisht e lidhin me Kirbet-ʼet-Tukuʽn, rreth 16 km në jug të Jerusalemit dhe afro 820 m mbi nivelin e detit. Në lindje shtrihet shkretëtira e Judës, pjesë e së cilës me sa duket ishte ‘shkretëtira e Tekoas’ (ku amonitët, moabitët dhe forcat e malit Seir pësuan disfatë të rëndë gjatë mbretërimit të Jehozafatit). (2Kr 20:20, 24) Mbreti Rehoboam, nipi i Davidit, rindërtoi e fortifikoi Tekoan, dhe qyteti siç duket për shekuj me radhë shërbeu si postë ushtarake në sistemin mbrojtës të Judës. (2Kr 11:5, 6; krahaso Jr 6:1.) Ikeshi, babai i Irës, njërit prej luftëtarëve të fuqishëm të Davidit, ishte nga Tekoa. (1Kr 11:26, 28) Nga Tekoa ishte edhe gruaja e mençur që, me urdhër të Joabit, doli para mbretit David në mbrojtje të Absalomit. (2Sa 14:1-21) Po këtu, në shekullin e 9-të p.e.s., profeti Amos ishte bari delesh.—Am 1:1.
Disa arrijnë në përfundimin që Tekoa i përmendur në regjistrimet gjenealogjike të Judës (1Kr 2:3, 24; 4:5) ishte një nga bijtë e Ashurit. Mirëpo, në listën e 1 Kronikave 4:5-7, Tekoa nuk renditet mes shtatë bijve që lindën dy gratë e Ashurit. Prandaj Ashuri mund të ketë qenë themeluesi i qytetit ose paraardhësi i popullsisë së Tekoas dhe jo babai i një djali me këtë emër.