ROMA
Qyteti dikur i vogël në Lacio që u bë selia qeveritare e perandorisë më të madhe botërore në kohët e lashta biblike; sot, kryeqyteti i Italisë. Roma ndodhet afro 25 km larg bregdetit dhe shtrihet në të dyja brigjet e lumit Tiber, pak a shumë në mes të pjesës perëndimore të gadishullit Apenin që është 1.130 km i gjatë.
Themelimi i Romës—domethënë kur ndodhi dhe prej kujt—mbështillet nga tisi i legjendave dhe i mitologjisë. Sipas gojëdhënës, ajo u themelua në vitin 753 p.e.s. nga Romuli, mbreti i parë i saj, por janë gjetur varre dhe dëshmi që tregojnë se banohej nga një kohë shumë më e hershme.
Nga sa dihet, vendbanimet e para u ngritën në shtatë kodra në bregun lindor të lumit Tiber. Sipas legjendës, vendbanimi më i lashtë ndodhej në kodrën e Palatinit. Gjashtë kodrat e tjera përqark Palatinit (duke nisur nga veriu, pastaj sipas akrepave të orës) ishin: Kuirinali, Viminali, Eskuilini, Celiani, Aventini dhe Kapitolini. Me kalimin e kohës, luginat moçalore mes kodrave u bonifikuan dhe në ato troje të mira u ndërtuan banesa, forume dhe cirqe. Sipas Plini Plakut, në vitin 73 të e.s. muret rrethuese të qytetit ishin afro 21 km të gjata. Më pas, kodrat dhe luginat e bregut perëndimor të Tiberit u aneksuan, bashkë me më shumë se 40 ha tokë që sot janë territor i Vatikanit. Sipas disa llogaritjeve të kujdesshme, para zjarrit të madh të epokës së Neronit, popullsia e qytetit ishte ku e ku më tepër se një milion banorë.
Jeta politike e Romës. Në rrjedhën e shekujve, Roma eksperimentoi lloj-lloj formash qeverisjeje. Disa institucione i imitoi nga kombe të tjera, kurse disa ishin risi të Romës. Historiani H. Xh. Uells vërejti: «Fuqia e re romake që u ngrit të sundonte botën perëndimore në shekullin e 2-të dhe të 1-rë p.e.s., ndryshonte në disa drejtime nga të gjitha perandoritë e mëdha që kishin mbizotëruar botën e qytetëruar deri në atë kohë.» (Pocket History of the World, 1943, f. 149) Fytyra politike e Romës ndryshonte pareshtur teksa shkonin e vinin lloj-lloj qeverish. Ndër to ishin koalicionet e krerëve patriarkalë, monarkitë, aristokracitë, ku pushteti ishte në duart e patricëve, diktaturat dhe stilet e ndryshme të sundimit republikan, ku pushteti kalonte sa në dorë të senatorëve, të konsujve dhe të triumvirateve (koalicione ku sundonin tri veta), që karakterizoheshin nga luftërat mes klasave dhe fraksioneve. Gjatë viteve të fundit të saj, Roma u qeveris nga një sërë perandorësh. Siç ndodh rëndom me qeveritë njerëzore, historia politike e Romës u ndot nga urrejtja, xhelozia, intrigat e vrasjet, nga shumë komplote e kundërkomplote që zinin fill te fërkimet e brendshme dhe luftërat e jashtme.
Roma e vendosi pak e nga pak sundimin mbi botën. Fillimisht ndikimi i saj u shtri në mbarë gadishullin Apenin, pastaj në pellgun e Mesdheut dhe matanë tij. Emri i qytetit u bë sinonim i emrit të perandorisë.
Në skenën ndërkombëtare, Roma kapi majat e lavdisë gjatë sundimit të cezarëve. I pari prej tyre ishte Jul Cezari, i cili, në vitin 46 p.e.s., u shpall diktator për dhjetë vjet, por u vra nga komplotistët në vitin 44 p.e.s. Vijoi një periudhë gjatë së cilës një triumvirat u orvat të mbante frenat e pushtetit, por përfundimisht sundimtari i vetëm i Perandorisë Romake mbeti Oktaviani (31 p.e.s.–14 të e.s.). Në vitin 27 p.e.s., Oktaviani arriti të shpallej perandor me titullin «august». Pikërisht gjatë sundimit të Augustit, në vitin 2 p.e.s., lindi Jezui. (Lu 2:1-7) Pasuesi i Augustit, Tiberi (14-37 të e.s.), sundoi gjatë kohës së shërbimit të Jezuit në tokë. (Lu 3:1, 2, 21-23) Më pas erdhën në pushtet Gaji (Kaligula) (37-41 të e.s.) dhe Klaudi (41-54 të e.s.). Ky i fundit nxori një dekret që i dëbonte judenjtë nga Roma. (Ve 18:1, 2) Pas tij e mori pushtetin Neroni (54-68 të e.s.), të cilit iu apelua Pavli për çështjen e vet gjyqësore.—Ve 25:11, 12, 21; FIGURAT, vëll. 2, f. 534 në botimin anglisht.
Perandorët romakë në radhë kronologjike pas Neronit (në shekullin e parë) ishin: Galba (68-69 të e.s.); Otoja dhe Viteli (69 të e.s.); Vespasiani (69-79 të e.s.), gjatë sundimit të të cilit u shkatërrua Jerusalemi; Titi (79-81 të e.s.), që kishte udhëhequr më parë sulmin e suksesshëm kundër Jerusalemit; Domiciani (81-96 të e.s.), nën sundimin e të cilit, sipas gojëdhënës, Gjoni u internua në ishullin e Patmosit; Nerva (96-98 të e.s.) dhe Trajani (98-117 të e.s.). Gjatë mbretërimit të Trajanit, perandoria u zgjerua si kurrë ndonjëherë. Kufijtë e saj u shtynë në të gjitha drejtimet—deri në lumin Ren dhe Detin e Veriut, deri në Danub, deri në Eufrat, deri në kataraktet e Nilit, deri në Sahara dhe deri në Atlantik në perëndim.—HARTA, vëll. 2, f. 533 në botimin anglisht.
Në epokën e perëndimit të Perandorisë Romake ishte perandor Kostandini i Madh (306-337 të e.s.). Si mori në dorë pushtetin, ai e shpërnguli kryeqytetin në Bizant (Kostandinopojë). Shekullin tjetër, në vitin 476 të e.s., Roma ra dhe gjenerali gjerman Odoaker u bë mbreti i parë «barbar» i saj.
Kushtet dhe jeta në qytet. Gjatë sundimit të Augustit, administrata e qytetit ndahej në 14 lagje, çdonjëra nga të cilat qeverisej prej një magjistrati që zgjidhej me short vit për vit. Ishin organizuar shtatë skuadra zjarrfikësish, të quajtura vigiles, secila përgjegjëse për dy lagje. Jashtë qytetit, sapo kaloje kufirin verilindor, ndodhej një forcë speciale prej afro 10.000 ushtarësh që përbënin Gardën Pretoriane ose Gardën Perandorake, e cila mbronte perandorin. Veç saj, ishin tri «kohorta urbane»—një lloj force policore që ruante ligjin dhe rendin në qytetin e Romës.
Njerëzit e kamur dhe me pozitë shpesh jetonin në pallate madhështore lart në kodra dhe kishin në shërbim të tyre shumë shërbëtorë e skllevër, nganjëherë me qindra. Poshtë në lugina, populli i thjeshtë jetonte mizëri nëpër insulae të stërmëdha ose shtëpi popullore disakatëshe, që Augusti kishte vendosur të mos ishin më të larta se 21 m. Ato blloqe banesash përshkoheshin nga rrugica të ndotura dredha-dredha, plot me rrëmujën dhe korrupsionin tipik të qyteteve të mëdha.
Në ato lagje të varfra, zjarri historik i vitit 64 të e.s. solli vuajtjet më të tmerrshme dhe rrëmbeu më shumë jetë njerëzish. Taciti përshkruan hallin e «grave të lemerisura që klithnin me të madhe; të njerëzve në moshë të thyer a të njomë që iknin nga sytë këmbët». (Analet, XV, XXXVIII) Nga 14 lagjet e Romës, vetëm 4 i shpëtuan zjarrit.
Fare pak veta në Romë i përkitnin shtresës së mesme; të pasurit ishin një pakicë. Kur Pavli shkoi për herë të parë në atë qytet, ndoshta gjysma e popullsisë përbëhej nga skllevër pa kurrfarë të drejte ligjore: robër lufte, kriminelë të dënuar ose fëmijë të shitur nga prindërit. Në gjysmën tjetër të popullsisë me njerëz të lirë, pjesa dërrmuese ishin të vobektë që rronin thuajse vetëm me ndihmat e shtetit.
Që të varfrit të mos ngrinin krye, shteti siguronte dy gjëra: ushqim dhe argëtim. Nga kjo erdhi shprehja satirike panem et circenses (bukë dhe shfaqje cirku), që do të thoshte se mjaftonin këto për të kënaqur të varfrit e Romës. Prej vitit 58 p.e.s. e tutje, drithi zakonisht shpërndahej falas, e po ashtu edhe uji, që sillej në qytet nga shumë kilometra larg me anë të ujësjellësve. Vera kushtonte lirë. Për këdo që kishte qejf të lexonte, ishin hapur biblioteka. Për popullsinë në përgjithësi kishte palestra e banja publike, teatro e cirqe ku të kalonin kohën e lirë. Në teatro shfaqeshin drama greke e romake, valle dhe pantomima. Në arenat dhe amfiteatrot e mëdha zhvilloheshin lojëra që ngjallnin emocione të forta, kryesisht gara me karroca dhe ndeshje të egra gladiatorësh, ku njerëzit dhe bishat luftonin deri në grahmat e fundit të vdekjes. Cirku i Madh, Circus Maximus, kishte më shumë se 150.000 vende. Hyrja për në ato lojëra ishte falas.
Këto shpenzime të mëdha qeveritare nuk vileshin nga popullsia e Romës, sepse, pas pushtimit të Maqedonisë në vitin 168 p.e.s., qytetarët romakë ishin përjashtuar nga taksat. Mirëpo banorët e provincave paguanin taksa të rënda që u viheshin si drejtpërdrejt, edhe tërthorazi.—Mt 22:17-21.
Ndikimi i huaj. Në shumë aspekte, Roma ishte një mozaik gjigant racash, gjuhësh, kulturash dhe idesh. Politika romake nxori dalëngadalë kodin e së drejtës romake, ku përfshiheshin ligje që përcaktonin të drejtat dhe kufizimet e qeverive, të gjykatave e të magjistratave dhe që siguronin mjete ligjore, siç ishte qytetaria, për të mbrojtur të drejtat e njeriut. (Ve 25:16) Të drejtën e qytetarisë e gëzonin qytetet e federatës romake dhe koloni të ndryshme të perandorisë. Të kishe qytetarinë sillte shumë avantazhe. (Ve 16:37-39; 22:25, 26) Nëse nuk lindje me atë të drejtë, mund ta blije. (Ve 22:28) Në këtë mënyrë dhe në rrugë të tjera, Roma u orvat të fuste kulturën romake në territoret e pushtuara dhe të forconte kështu pozitën e saj si padronia e perandorisë.
Rrënojat e veprave madhështore arkitektonike japin një nga shembujt më të mirë të ndikimit të jashtëm te Roma. Ngado që hedh sytë në këtë qytet-muze, vizitori vëren çfarë është huazuar nga grekët dhe nga popujt e tjerë. Harku gjysmërrethor romak, të cilin romakët e përdorën me mjaft mjeshtëri, në të vërtetë nuk ishte shpikje inxhinierike e Romës. Arritjet e Romës në fushën e ndërtimit i detyroheshin në masë të madhe edhe përdorimit të një forme primitive betoni si llaç dhe si përbërës kryesor i gurëve artificialë.
Programi i ndërtimit të Romës filloi tërë vrull gjatë shekullit të fundit që vendi ishte republikë, por shtysë të fortë i dhanë perandorët. Augusti tha se e gjeti qytetin me tulla dhe e la me mermer. Mermeri përdorej kryesisht për të veshur ndërtesat me tulla a beton. Qyteti u rindërtua për herë të dytë pas zjarrit të madh të vitit 64 të e.s. Ndër strukturat më të famshme romake ishin forumet, tempujt, pallatet, amfiteatrot, banjat publike, ujësjellësit, kanalizimet e nëndheshme dhe përmendoret. Koloseu madhështor dhe disa përmendore, si Harku i Titit që paraqit rënien e Jerusalemit, qëndrojnë ende në këmbë, në mos të plota, pjesërisht. (FIGURAT, vëll. 2, f. 536 në botimin anglisht) Romakët bënë emër edhe si ndërtues rrugësh e urash anekënd perandorisë.
Në qytet vërshoi një dallgë aq e madhe të huajsh, saqë romakët qaheshin se Roma nuk ishte më romake. Të ardhurit dyndeshin nga çdo cep i perandorisë dhe sillnin me vete zejet, zakonet, traditat dhe fenë e tyre. Ndonëse gjuha zyrtare ishte latinishtja, gjuha ndërkombëtare ishte greqishtja e zakonshme (koine). Prandaj edhe apostulli Pavël e shkroi në greqisht Letrën drejtuar Romakëve. Ndikimi grek ndihej edhe në letërsi dhe në metodat e arsimimit. Djemtë, e hera-herës edhe vajzat, arsimoheshin sipas sistemit athinas dhe u mësohej letërsia greke e gojëtaria; kujt ia mbante xhepi, e çonte të birin në ndonjë nga shkollat filozofike të Athinës.
Feja. Roma mirëpriste, gjithashtu, lloj-lloj fesh të rreme. Historiani Xhon Lord e përshkroi kështu situatën: «Në Romë mbretëronin bestytnitë, pasi atje gjeje priftërinj e besimtarë nga tërë vendet nën sundimin e saj—‘bijat lëkurëzeshkëta të Isidës, me daulle e tambure dhe me sjellje të pacipë; ithtarë të Mitrës perse; aziatikë të tredhur; priftërinj të Cibelës, me vallet e shfrenuara dhe piskamat e çjerra; adhurues të perëndeshës së madhe Dianë; robër barbarë, me ritet e priftërinjve teutonë; sirianë, judenj, astrologë kaldeas dhe shtriganë nga Tesalia’.»—Beacon Lights of History, 1912, vëll. III, f. 366, 367.
Devotshmëria ndaj këtyre feve dhe dhënia pas orgjive të tyre të shthurura seksuale çoi në braktisjen e plotë të virtyteve morale dhe normave të drejtësisë nga romakët, qoftë të shtresës së ulët, qoftë të shtresës së lartë. Një shembull i këtyre të fundit, sipas Tacitit, ishte Mesalina, bashkëshortja kurorëshkelëse dhe vrasëse e perandorit Klaud.—Analet, XI, I-XXXIV.
Ndër fetë e Romës spikaste adhurimi i perandorit. Sundimtari i Romës konsiderohej një hyjni. Adhurimi i perandorit praktikohej sidomos në provinca, ku u ngritën tempuj në të cilët i bëheshin flijime perandorit si një perëndie. (FIGURA, vëll. 2, f. 536 në botimin anglisht) Në një vepër të tij, shkrimtari Xhorxh Botsford vëren: «Adhurimi i perandorit mbeti boshti i fesë në botën romake deri kur përqafuan krishterimin.» Një mbishkrim i zbuluar në Azinë e Vogël thotë për perandorin: «Ai është ati Zeus dhe shpëtimtari i mbarë racës njerëzore, i cili plotëson çdo lutje, e madje jep më shumë nga ç’i kërkojmë. Në fakt, tokë e det prehen në paqe; qytetet lulëzojnë; gjithkund ka harmoni, begati dhe lumturi.» Kulti i perandorit ishte një nga shkaqet kryesore të përndjekjes së të krishterëve, për të cilët ky shkrimtar thotë: «Refuzimi i tyre për të adhuruar gjeniun, pra hyjninë mbrojtëse të perandorit, natyrisht që interpretohej si mungesë respekti dhe tradhti.»—A History of Rome, 1905, f. 214, 215, 263.
Krishterimi mbërrin në Romë. Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., «banorë të përkohshëm nga Roma, judenj e prozelitë bashkë» panë me sytë e tyre rezultatet e derdhjes së frymës së shenjtë dhe disa nga ata patjetër që ishin mes 3.000 vetave që u pagëzuan në atë rast. (Ve 2:1, 10, 41) Si u kthyen në Romë, pa dyshim që predikuan, e si rrjedhojë u formua një kongregacion i krishterë mjaft i fortë dhe i zellshëm. Apostulli Pavël tha se për besimin e tyre ‘flitej në mbarë botën’. (Ro 1:7, 8) Të krishterët e Romës i përmend edhe Taciti (Analet, XV, XLIV), edhe Suetoni (Jeta e Cezarëve, Neroni, XVI, 2).
Rreth vitit 56 të e.s., Pavli i shkroi kongregacionit të krishterë në Romë dhe afro tre vjet më pas shkoi në Romë si i burgosur. Pavlit ia kishte dashur zemra të shkonte atje më parë dhe në të tjera rrethana (Ve 19:21; Ro 1:15; 15:22-24); megjithatë, ndonëse i burgosur, u dha dëshmi të plotë atyre që i shkonin në shtëpinë ku mbahej në arrest. Për dy vjet në ato kushte, ai vazhdoi ‘t’u predikonte mbretërinë e Perëndisë dhe t’u mësonte me shumë lirshmëri fjale, pa asnjë pengesë, gjërat për Zotërinë Jezu Krisht’. (Ve 28:14-31) Madje edhe Garda Pretoriane e perandorit e dëgjoi mesazhin për Mbretërinë. (Fi 1:12, 13) Kështu, siç ishte parathënë, Pavli ‘dha dëshmi të plotë edhe në Romë’.—Ve 23:11.
Gjatë dy vjetëve të arrestit në Romë, Pavli gjeti kohë të shkruante letrat për efesianët, filipianët, kolosianët dhe Filemonin. Po në Romë, me sa duket në të njëjtën periudhë, Marku shkroi ungjillin e tij. Pak para se të lirohej ose fill pas lirimit, rreth vitit 61 të e.s., Pavli shkroi Letrën drejtuar Hebrenjve. (He 13:23, 24) Herën e dytë që ishte i burgosur në Romë, rreth vitit 65 të e.s., i shkoi për vizitë Onesifori dhe atëherë Pavli shkroi Letrën e Dytë drejtuar Timoteut.—2Ti 1:15-17.
Ndonëse në Romë shkuan Pavli, Luka, Marku, Timoteu dhe të krishterë të tjerë të shekullit të parë (Fi 1:1; Kl 4:10, 14), nuk ka asnjë dëshmi që Pjetri të ketë shkuar ndonjëherë atje, siç thonë disa gojëdhëna fetare. Historitë për martirizimin e Pjetrit në Romë janë thjesht gojëdhëna tradicionale pa baza të forta historike.—Shih LETRAT E PJETRIT.
Qyteti i Romës mori nam tepër të keq për përndjekjen e të krishterëve, sidomos gjatë sundimit të Neronit dhe të Domicianit. Në rrënjë të atyre përndjekjeve ishin dy shkaqe: (1) zelli i madh ungjillëzues i të krishterëve për të bërë besimtarë dhe (2) qëndrimi i paluhatshëm i të krishterëve që gjërat e Perëndisë t’ia jepnin atij, e jo Cezarit.—Mr 12:17.
[Figura në botimin e shtypur]
Rruga Apia, ku kaloi Pavli udhës për në Romë