HAZARMAVETI
[oborr (vendbanim) i vdekjes].
Pasardhës i Noesë nëpërmjet Semit dhe Joktanit. (Zn 10:1, 21, 25, 26; 1Kr 1:20) Në përgjithësi mendohet se pasardhësit e Hazarmavetit u vendosën me banim në rajonin e Hadramautit, në jug të Arabisë. Ngjashmëria mes bashkëtingëlloreve të emrit origjinal në hebraisht dhe atij në arabisht flet për një lidhje mes Hadramautit dhe Hazarmavetit. Kufijtë gjeografikë të Hadramautit nuk janë të qartë. Është një rajon përafërsisht 880 km i gjatë dhe 240 km i gjerë. Pas rrafshinës bregdetare mjaft të ngushtë, vendi ngrihet thikë përpjetë në një rrafshnaltë gurore me lartësi 900 deri në 1.200 m. Rrafshnalta përshkohet nga shumë lugina përrenjsh të thella e shkëmbore, që janë mjaft pjellore. Atje harlisen palmat dhe hurmat e Arabisë, kullotin dhen, deve, gomarë e gjedhë dhe kultivohet meli, jonxha, llullaqi, pambuku, misri e bimë të tjera. Më e rëndësishmja ndër luginat e përrenjve është Vadi-Hadramauti. Buron në brendësi të vendit, rreth 480 km larg bregut perëndimor të Gadishullit Arabik, gjarpëron drejt lindjes për afro 640 km, dhe së fundi derdhet në Detin Arabik si Vadi-Masila (emri i rrjedhës së tij të poshtme). Në lashtësi, rajoni i Hadramautit luante rol të rëndësishëm për shkak të tregtisë së temjanit. Sot janë të rralla pemët nga merret temjani i bardhë, ndërsa dikur ato mbulonin vendin.