HAZAELI
[Perëndia pa].
Mbret i shquar i Sirisë që duket se filloi të sundonte gjatë kohës kur mbret i Izraelit ishte Jehorami (rr. 917-905 p.e.s.). (2Mb 8:7-16) Vdiq gjatë mbretërimit të Jehoasit të Izraelit (rr. 859-845 p.e.s.). (2Mb 13:24, 25) Hazaeli nuk ishte me prejardhje mbretërore, por kishte qenë thjesht një zyrtar i lartë në shërbim të pararendësit të tij, mbretit Ben-Hadadi II i Sirisë.—2Mb 8:7-9.
Vite përpara se Hazaeli të bëhej mbret, Jehovai e kishte udhëzuar Elijan ‘ta miroste si mbret të Sirisë’, sepse kombi i Izraelit kishte mëkatuar ndaj Perëndisë dhe Hazaeli duhej ta ndëshkonte.—1Mb 19:15-18.
Hazaeli nuk u miros kurrë vërtet me vaj. Megjithatë, detyrën që mori Elija e përmbushi pasuesi i tij, profeti Elise. Kjo ndodhi kur mbreti sirian Ben-Hadadi II u sëmur dhe dërgoi Hazaelin në Damask, qyteti kryesor i Sirisë. Ai duhej t’i çonte një dhuratë Eliseut dhe ta pyeste nëse Ben-Hadadi do të shërohej apo jo. Eliseu i tha: «Shko e thuaji [Ben-Hadadit]: ‘Ti do ta marrësh veten.’» Por vazhdoi: «E megjithatë Jehovai më ka treguar se ai do të vdesë.» Më pas i tha Hazaelit: «Jehovai më ka treguar se ti do të bëhesh mbret i Sirisë.» Kur u kthye, pyetjes së mbretit se ç’i kishte thënë Eliseu, Hazaeli iu përgjigj: «Më tha: ‘Ti do ta marrësh veten.’» Por të nesërmen e mbyti mbretin me një kuvertë të lagur dhe filloi të mbretëronte në vend të tij.—2Mb 8:7-15.
Fjalët që Eliseu i tha Hazaelit kanë qenë subjekt i mjaft supozimeve. Sipas shënimit anësor të tekstit masoretik, si dhe sipas Septuagintës greke, Vulgatës latine, Peshitës siriake e 18 dorëshkrimeve hebraike vargu është: «Thuaji: ‘Ti do ta marrësh veten.’» Kurse në tekstin kryesor masoretik është: «Thuaji: ‘Ti nuk do ta marrësh veten.’»
Të supozojmë se Hazaeli duhej t’i çonte këto fjalë Ben-Hadadit: «‘Ti do ta marrësh veten.’» Në këtë rast, përgjigjja që i dha Eliseu pyetjes së Ben-Hadadit mund të ketë qenë një lloj enigme, domethënë se Ben-Hadadit nuk do t’i vinte fundi nga sëmundja, e megjithatë do të vdiste (siç edhe ndodhi, nga dora e Hazaelit). Sidoqoftë, Hazaeli i tha me fjalë mbretit pjesën e parë të përgjigjes së Eliseut, pra se ‘do ta merrte veten’, kurse pjesën tjetër ia tregoi me një veprim të dhunshëm.—2Mb 8:10.
Shtyp Izraelin. Pak pasi u bë mbret, Hazaeli hyri në luftë me mbretërit e Izraelit dhe të Judës në Ramot-Galaad (Ramah). Aty u plagos mbreti Jehoram i Izraelit, por tregimi biblik nuk na thotë si përfundoi kjo betejë. (2Mb 8:25-29; 2Kr 22:1-6) Në kohën kur mbret i Izraelit ishte Jehu, pasuesi i Jehoramit, Hazaeli nisi ta merrte Izraelin pjesë-pjesë, duke shtënë në dorë Galaadin dhe Bashanin, në lindje të Jordanit. (2Mb 10:32, 33) Kjo i hapi rrugën pushtimit të mëvonshëm të mbretërisë së Judës. Hazaeli mori qytetin e Gathit në Filisti dhe pastaj vendosi të dilte kundër Jerusalemit. Mirëpo mbreti Jehoas i Judës e bleu Hazaelin me gjëra të çmuara nga tempulli e pallati, kështu që ai u tërhoq dhe nuk e sulmoi Jerusalemin.—2Mb 12:17, 18.
Hazaeli e shtypi edhe më fort Izraelin gjatë mbretërimit të Jehoahazit, birit të Jehut. Kështu u plotësua ajo që kishte parathënë profeti Elise—Hazaeli do t’u vinte zjarrin vendeve të fortifikuara të Izraelit, do të vriste me shpatë burrat e zgjedhur, do të bënte copë-copë fëmijët e tyre dhe do t’u çante barkun grave shtatzëna. (2Mb 13:3, 22; 8:12) Mirëpo Perëndia nuk e lejoi Sirinë ta dërrmonte krejtësisht Izraelin. (2Mb 13:4, 5) Pas vdekjes së Hazaelit, Jehoasi, mbreti i Izraelit, korri tri fitore dhe i rimori Ben-Hadadit III, birit të Hazaelit, qytetet që ky i fundit ia kishte marrë Jehoahazit, atit të tij. (2Mb 13:23-25) Më vonë, mbreti Jeroboam II i Izraelit «ia riktheu Damaskun dhe Hamathin Judës dhe Izraelit».—2Mb 14:28.
Në mbishkrimet e lashta. Hazaeli përmendet në një mbishkrim të gjetur në një vend që sot quhet Afis, rreth 40 km në jugperëndim të Halebit. Ky mbishkrim, që e quan «Barhadad» birin e Hazaelit, Ben-Hadadin III, pajtohet me Biblën kur thotë se ai pasoi të atin si mbret i Sirisë.
Fushatat e Shalmaneserit III kundër Sirisë janë shënuar në analet e tij, ku tregon fitoret kundër Hazaelit. Në to Hazaeli quhet njeri i thjeshtë (fjalë për fjalë: bir i askujt), pa dyshim ngaqë nuk kishte prejardhje mbretërore, por hipi në fronin e Damaskut duke vrarë mbretin Ben-Hadadi II. Në një nga këto mbishkrime thuhet: «Në vitin e 18-të të mbretërimit tim kalova Eufratin për të gjashtëmbëdhjetën herë. Hazaeli i Damaskut (Imerisu) pati besim tek ushtria e tij e madhe, mobilizoi trupat e tij të shumtë dhe e bëri fortesë të vetën malin Senir (Sa-ni-ru), një mal përballë Libanit. Luftova kundër tij dhe e munda, duke i vrarë me shpatë 16.000 ushtarë të zgjedhur. I mora 1.121 karroca, 470 kuaj, si edhe kampin. Ai u zhduk që të shpëtonte jetën, (por) unë e ndoqa dhe e rrethova në Damask (Di-mas-qi), në selinë e tij mbretërore. (Atje) ia rrafshova kopshtet (jashtë qytetit dhe ika). Marshova deri te malet e Hauranit (sadee matHa-u-ra-ni), duke shkatërruar, rrënuar e djegur qytete pafund, dhe zura plaçkë të pallogaritshme.»—Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. B. Priçardi, 1974, f. 280.
Mirëpo duket se Shalmaneseri III nuk arriti ta pushtonte Damaskun. Këtë e bëri Tiglath-Pileseri III kur mbret i Sirisë ishte Rezini. Kështu u përmbush profecia që Jehovai kishte thënë përmes Amosit: «Do të dërgoj zjarr në shtëpinë e Hazaelit, dhe ai do të përpijë kullat e Ben-Hadadit. Do të thyej shulat e Damaskut.»—Am 1:4, 5; 2Mb 16:9.