HAMATHI, HAMATHITËT
Në fillimet e historisë së Izraelit, Hamathi ishte kryeqyteti i një mbretërie të vogël kananite në Siri. Edhe rajoni bujqësor pjellor përqark qytetit mori të njëjtin emër. Gjatë epokës greke dhe romake, qytetit iu vu emri klasik Epifania, për nder të Antiokut IV (Epifan). Sot quhet Hama, një formë e shkurtuar e emrit fillestar.
Qyteti i Hamathit ndodhej në brigjet e lumit Orontes, anës rrugëve të rëndësishme tregtare, 81 km larg Mesdheut, rreth 190 km në veri të Damaskut dhe rreth 120 km në jug të Halebit.
Edhe pse disa herë është thënë se Hamathi kishte origjinë hitite, ka më shumë të ngjarë që e themeluan hamathitët, të afërm të hititëve dhe një nga 70 familjet e formuara pas Përmbytjes. Hethi dhe Hamathi, paraardhësit e atyre dy familjeve, u renditën si biri i 2-të dhe biri i 11-të i Kanaanit, birit të Kamit.—Zn 10:6, 15-18; 1Kr 1:8, 13-16; shih HITITËT.
‘Hyrja e Hamathit.’ Historia më e lashtë rreth Hamathit tregon se në shekullin e 16-të p.e.s., 12 vëzhguesit izraelitë u ngjitën nga jugu dhe shkuan deri në «hyrje të Hamathit». Kjo shprehje që përsëritet shpesh në Shkrime, mendohet se nuk nënkupton portat e qytetit, por kufirin jugor të territorit që ishte nën sundimin e tij. (Nu 13:21) Ai ishte caku verior deri ku u shtri pushtimi i vendit nga Josiu. (Js 13:2, 5; Gjy 3:1-3) Megjithatë, disa studiues hedhin idenë se shprehja «deri në hyrje të Hamathit» (Js 13:5) mund të lexohet edhe «deri në Lebi-Hamath (Luani i Hamathit)», që do të thotë se ishte një vend specifik.—Shih Vetus Testamentum, Lajden, 1952, f. 114.
Nuk dihet me siguri se ku ndodhej ai kufi (ose vend). Konsiderohej si kufiri verior i territorit të Izraelit (Nu 34:8; 1Mb 8:65; 2Mb 14:25; 2Kr 7:8) dhe si vend në kufi të Damaskut. (Jr 49:23; Ezk 47:15-17; 48:1; Za 9:1, 2) Sipas disave, ishte skaji jugor i luginës së Koele-Sirisë (e quajtur edhe Beka), e cila gjendet mes vargmaleve të Libanit dhe Anti-Libanit. Të tjerë thonë se ndodhej në gjysmë të rrugës nga Baalbeku për në Riblah. Kurse disa të tjerë parashtrojnë idenë se ndodhej akoma më në veri, mes Homsit dhe detit, ku nis të zgjerohet rruga.—Ezk 47:20.
Marrëdhëniet me Izraelin. Toi (Tou), mbret i Hamathit, dërgoi të birin, Joramin (Hadoramin), që ta përgëzonte mbretin Davidin për fitoren kundër armikut të përbashkët, Hadadezerit. Asokohe Hamathi ishte mbretëri e pavarur. (2Sa 8:3, 9, 10; 1Kr 18:3, 9, 10) Mirëpo gjatë mbretërimit të Solomonit, mbretëria e Hamathit me sa duket ishte nën sundimin e Izraelit, sepse Solomoni ndërtoi në atë rajon qytete-depo. (2Kr 8:3, 4) Pas vdekjes së Solomonit, Hamathi fitoi dhe ruajti pavarësinë, me përjashtim të një periudhe të shkurtër në shekullin e nëntë p.e.s., kur Jeroboami II e riktheu përkohësisht nën sundimin izraelit. (2Mb 14:28) Pak a shumë në atë kohë, Hamathi u përshkrua si «qytet shumë i populluar».—Am 6:2.
Në shekullin e tetë p.e.s., Hamathin dhe fqinjët e tij, ndër të cilët edhe mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit, i pushtuan asirianët që ishin turrur të shtrinin sundimin mbi botën. Politika e Asirisë ishte t’i shpërngulte robërit dhe t’ua këmbente vendbanimet me njëri-tjetrin, prandaj popullsia e Hamathit zuri vendin e banorëve të Samarisë, të cilët u çuan në Hamath e në vende të tjera. (2Mb 17:24; 19:12, 13; Is 10:9-11; 37:12, 13) Në vendet e larta të Samarisë, hamathitët vunë idhuj të perëndisë së tyre Ashima, ndonëse ajo perëndi e kotë nuk i kishte shpëtuar dot nga asirianët.—2Mb 17:29, 30; 18:33, 34; Is 36:18, 19.
Sipas një mbishkrimi kuneiform që i ka mbijetuar kohës (Muzeu Britanik 21946), pas betejës së Karkemishit në vitin 625 p.e.s. (Jr 46:2), forcat e Nabukodonosorit i kapën egjiptianët që ia kishin mbathur dhe i asgjësuan në krahinën e Hamathit. (Assyrian and Babylonian Chronicles, nga A. K. Grejsëni, 1975, f. 99) Në po atë zonë, disa vjet më parë faraoni Neko kishte zënë rob mbretin Jehoahaz. (2Mb 23:31-33) Më pas, në vitin 607 p.e.s., kur ra Jerusalemi, Zedekinë dhe robër të tjerë i çuan në Riblah, në rajonin e Hamathit, dhe atje Zedekisë ia vranë para syve bijtë, bashkë me fisnikë të tjerë. (2Mb 25:18-21; Jr 39:5, 6; 52:9, 10, 24-27) Sidoqoftë, Perëndia kishte premtuar se në kohën e duhur do të kthente një mbetje të popullit të vet të robëruar, përfshirë edhe ata që ishin çuar në vendin e Hamathit.—Is 11:11, 12.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
Deti i Madh
Lumi Orontes
Hamath
Homs
Riblah
M. e Libanit
Sidon
Lumi Litani
M. e Anti-Libanit
Damask