HAGEU
[(lindur në ditë) feste].
Profet hebre që shërbeu në Judë dhe në Jerusalem gjatë mbretërimit të Dar Histaspisit, mbretit të Persisë, në kohën e guvernatorit Zorobabel.—Hg 1:1; 2:1, 10, 20; Ezd 5:1, 2.
Sipas traditës judaike, Hageu ishte anëtar i Sinagogës së Madhe. Duke u bazuar te Hageu 2:10-19, disa thonë se mund të ketë qenë prift. Emri i tij del bashkë me atë të profetit Zakaria në mbishkrimet e Psalmit 111 (112) te Vulgata latine; Psalmet 125 dhe 126 te Peshita siriake; 145 te Septuaginta greke, Peshita dhe Vulgata; dhe 146, 147 e 148 te Septuaginta dhe Peshita. Ka të ngjarë që Hageu të ketë lindur në Babiloni dhe të jetë kthyer në Jerusalem me Zorobabelin dhe mbetjen e judenjve në vitin 537 p.e.s. Megjithatë, për Hageun nuk dimë shumë, sepse Shkrimet nuk tregojnë asgjë për prejardhjen e tij, fisin, etj.
Hageu ishte profeti i parë pas mërgimit dhe, rreth dy muaj më vonë, me të u bashkua edhe Zakaria. (Hg 1:1; Za 1:1) Kundërshtimi i armiqve kishte sjellë ndërprerjen e ndërtimit të tempullit, por apatia dhe egoizmi i judenjve që e kishin mendjen vetëm tek interesat e tyre bëri që kjo të zgjaste disa vjet më shumë. Hageu u ndezi zellin judenjve të kthyer në atdhe për të rifilluar ndërtimin e tempullit. (Ezd 3:10-13; 4:1-24; Hg 1:4) Katër mesazhet hyjnore që shpalli ai brenda katër muajve vitin e 2-të të mbretërimit të Dar Histaspisit (520 p.e.s.) dhe që i dokumentoi në librin biblik me emrin e tij, u dhanë nxitjen e duhur judenjve për t’iu futur punës. (Hg 1:1; 2:1, 10, 20; shih LIBRI I HAGEUT.) Hageu dhe Zakaria i nxitën pareshtur të vazhdonin punën, derisa tempulli përfundoi aty nga fundi i vitit të 6-të të mbretërimit të Darit, në vitin 515 p.e.s.—Ezd 5:1, 2; 6:14, 15.