BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it “Gadi”
  • Gadi

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Gadi
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Gaditët
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Ataroti
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Rubeni
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Të bekuar janë ata që i japin lavdi Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it “Gadi”

GADI

[1-3: mbarësi.]

1.  Djali që i lindi Jakobit nga Zilpa, shërbyesja e Leas, e cila lindi edhe Asherin, vëllanë e vogël të Gadit. Ai lindi në Padan-Aram rreth vitit 1770 p.e.s. Kur lindi ai, Lea thirri me zë të lartë: «Ç’mbarësi!»; ja pse i mbeti emri Gad. (Zn 30:9-13; 35:26) Gadi ishte me vëllezërit e tij në të dyja udhëtimet që bënë për në Egjipt për të blerë grurë nga Jozefi. (Zn 42:3; 43:15) Në vitin 1728 p.e.s., kur ai dhe familja e tij u shpërngul në Egjipt bashkë me të atin, Jakobin, Gadi ishte rreth 42 vjeç. (Zn 46:6, 7, 16) Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, kur po vdiste, Jakobi bekoi 12 djemtë e tij dhe për Gadin tha: «Gadin do ta mësyjë një bandë kusarësh, por edhe ai do t’i sulet prapavijës së tyre.»​—Zn 49:1, 2, 19.

2. Fisi që erdhi nga shtatë bijtë e Gadit. Vitin e dytë pas Daljes nga Egjipti, luftëtarët e këtij fisi arrinin në 45.650. (Zn 46:16; Nu 1:1-3, 24, 25) Gadi ishte në ndarjen trifisëshe ku bënte pjesë edhe Rubeni me Simeonin. Ata fushonin në jug të tabernakullit. (Nu 2:10-16) Kur Izraeli nisej për marshim, e para nisej ndarja e Judës; pas tyre, vinin levitët nga familjet e Gershonit dhe të Merarit, që mbartnin tabernakullin, dhe pastaj vinte ndarja ku bënte pjesë Gadi. Në krye të ushtrisë së Gadit ishte Eliasafi, biri i Deuelit. (Nu 10:14-20) Në fund të udhëtimit në shkretëtirë, luftëtarët e fisit të Gadit nuk arrinin në më shumë se 40.500 veta, pra 5.150 më pak.​—Nu 26:15-18.

Territori. Burrat e fisit të Gadit ishin rritës bagëtish si etërit e tyre. (Zn 46:32) Për këtë arsye kërkuan që t’u jepej territori i pasur me kullota në lindje të Jordanit. Moisiu pranoi duke ia dhënë këtë territor Gadit, Rubenit dhe gjysmës së fisit të Manaseut, që gjithashtu kishin shumë bagëti, por me kusht që këto fise të ndihmonin fiset e tjera të shtinin në dorë territoret në perëndim të Jordanit. Ata pranuan me dëshirë, dhe pasi ndërtuan vatha të gurta për bagëtinë dhe qytete për fëmijët, dhanë kontigjentin e tyre të luftëtarëve që kaluan Jordanin për të shtënë në dorë vendin. (Nu 32:1-36; Js 4:12, 13) Territori i Gadit ishte pushtuar nga amoritët, të cilët ishin mundur nga izraelitët nën udhëheqjen e Moisiut.​—Nu 32:33; Lp 2:31-36; 3:​8-20.

Territori që kishte zënë Gadi përfshinte ultësirat përgjatë pjesës më të madhe në lindje të lumit Jordan; në jug shkonte deri afër Detit të Vdekur dhe në veri deri afër detit të Kineretit. Gjithashtu, territori i tyre përfshinte edhe pllajat e larta dhe luginën e përroit të Jabokut. Pra, një pjesë e mirë e Galaadit bënte pjesë në territorin e Gadit. (Lp 3:12, 13) Gadi kufizohej në veri nga fisi i Manaseut dhe në jug nga fisi i Rubenit.​—Js 13:24-28.

Pas pushtimit të vendit, Josiu u dha burrave të Gadit një pjesë të plaçkës dhe i nisi të ktheheshin. Atëherë, Gadi bashkë me Rubenin dhe Manaseun ngritën një altar të madh afër Jordanit. Fiset e tjera u alarmuan kur e morën vesh këtë, por u qetësuan kur këto fise shpjeguan se e kishin ndërtuar altarin si dëshmi se do të adhuronin vetëm Jehovain, ashtu si fiset e tjera në perëndim të Jordanit. Altari ishte për t’i siguruar se nuk ekzistonte asnjë ndarje mes fiseve në lindje dhe në perëndim të Jordanit.​—Js 22:1-34.

Të gjitha këto ishin në harmoni me bekimin e Jakobit për Gadin: «Gadin do ta mësyjë një bandë kusarësh, por edhe ai do t’i sulet prapavijës së tyre.» (Zn 49:19) Ky fis nuk kishte frikë që njëra anë e kufirit (ajo lindore) ishte e ekspozuar ndaj bandave të kusarëve. Ai nuk zgjodhi të jetonte në malësinë lindore vetëm që t’i bënte bisht luftës për të shtënë në dorë vendin e Kanaanit. Fjalët e fundit që i tha Jakobi Gadit ishin në njëfarë mënyre një urdhër për t’iu përgjigjur flakë për flakë sulmeve të kusarëve dhe atyre që do të shkelnin kufijtë e tij. Veç kësaj, gaditët i sulmonin mësymësit duke i detyruar të ktheheshin me të katra dhe, më pas, ndiqnin prapavijën e tyre.

Edhe Moisiu foli për cilësitë e mira të Gadit kur tha: «Bekuar qoftë ai që zgjeron kufijtë e Gadit! Ai do të rrijë si luan, e do të shqyejë qoftë krahun, qoftë çaçkën e kokës. Pjesën e parë ai do ta veçojë për vete, atë pjesë që i dha ligjdhënësi. Krerët e popullit do të mblidhen bashkë. Ai do të çojë në vend drejtësinë e Jehovait dhe vendimet e tij gjyqësore për Izraelin.»​—Lp 33:20, 21.

Ramoti i Galaadit, në territorin e Gadit, ishte një nga qytetet e strehimit të caktuara nga Moisiu. (Lp 4:41-43) Qytete të tjera levite në territorin e tyre ishin Mahanaimi, Heshboni dhe Jazeri. (Js 21:38, 39) Diboni, ku u zbulua Guri i famshëm i Moabit në vitin 1868 të e.s., ishte një prej disa qyteteve të rindërtuara nga gaditët pas pushtimit të territorit.​—Nu 32:1-5, 34, 35.

Përkrah Davidit. Kur Davidi nuk mund të lëvizte lirisht për shkak të Saulit, disa krerë ushtarakë nga bijtë e Gadit kaluan lumin Jordan, në kohën kur ai dilte nga shtrati, për t’i vajtur në ndihmë në Ziklag të Judës. Ata përshkruhen si «burra trima e të fuqishëm, ushtarë gati për luftë, që mbanin gati mburojën e madhe dhe heshtën, fytyrat e të cilëve ishin si ato të luanëve, dhe ishin të shpejtë si gazelat në male. . . . Më i vogli ishte i barabartë me njëqind dhe më i madhi me një mijë». (1Kr 12:1, 8-15) Për përleshjen e tyre me hagritët dhe aleatët e tyre, për ta (si edhe për rubenitët dhe manasitët) është thënë: «Gjatë luftës ata i thirrën Perëndisë për ndihmë, dhe ai iu përgjigj përgjërimit të tyre, ngaqë ata kishin besim tek ai.» Si rezultat, morën si plaçkë shumë e shumë robër dhe bagëti.​—1Kr 5:18-22.

Ndoqën Jeroboamin. Gjatë ndarjes së mbretërisë, fisi i Gadit mbajti anën e fraksionit të veriut që drejtohej nga Jeroboami. Vite më vonë, në kohën e Jehut, kur «Jehovai nisi t’i shkëpuste Izraelit pjesë njëra pas tjetrës», Gadi, që ishte i zbuluar nga ana lindore e kufirit, u bë shesh beteje për luftërat mes mbretërisë veriore të Izraelit dhe Sirisë. (2Mb 10:32, 33) Në fund, Gadin e pushtoi Tiglath-Pileseri III, mbreti i Asirisë, dhe mori rob banorët e tij. Kjo u dha mundësi amonitëve ta shtinin në dorë këtë territor.​—2Mb 15:29; 1Kr 5:26; Jr 49:1.

Në vegimin profetik të Ezekielit për ndarjen e vendit, pjesa që iu caktua Gadit ishte në skajin jugor. (Ezk 48:27, 28) Në listën e fiseve të Izraelit te kapitulli 7 i Zbulesës, Gadi përmendet i treti.

3. Profet dhe vegimtar. Kur Davidi banonte «në vendin e paarritshëm» në shpellën e Adulamit, ngaqë i fshihej Saulit, Gadi e këshilloi të kthehej në Judë. (1Sa 22:1-5) Më pas, gjatë fundit të mbretërimit të tij, Davidi numëroi popullin me kokën e vet dhe, nëpërmjet Gadit, Jehovai i dha mundësinë të zgjidhte një nga tri ndëshkimet. Më vonë, Gadi e këshilloi Davidin të ndërtonte një altar për Jehovain në lëmin e Araunahut (Ornanit). (2Sa 24:10-19; 1Kr 21:9-19) Gadi kontribuoi në organizimin e muzikantëve për shenjtëroren. (2Kr 29:25) Natanit dhe Gadit i atribuohet në përgjithësi përfundimi i Librit të Parë të Samuelit dhe shkrimi i gjithë Librit të Dytë të Samuelit.​—1Kr 29:29.

4. [Nga rrënja e fjalës që do të thotë «mbarësi».] I ati i Menahemit, mbretit të Izraelit. ​—2Mb 15:14, 17.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo