KARKEMISHI
Qendër e rëndësishme tregtare në bregun perëndimor të Eufratit të Sipërm, pranë një vau kryesor të atij lumi. Një rrugë e rëndësishme tregtare ngjitej nga Ninevia drejt Haranit (vetëm rreth 88 km në lindje të Karkemishit), pastaj kalonte Eufratin në Karkemish dhe vazhdonte drejt luginës së Orontesit në Liban. Prej andej, rrugë të tjera të çonin në Mesdhe ose në jug të Palestinës dhe në Egjipt. Me sa duket qyteti u bë mjaft i kamur falë taksave që u vilte karvanëve.
Për shkak të pozitës strategjike, si nga ana tregtare, edhe nga ajo ushtarake, qysh në lashtësi disa mbretëri agresore u orvatën ta shtinin në dorë Karkemishin. Faraoni Tutmesi III (mesi i mijëvjeçarit të 2-të p.e.s.) e plaçkiti qytetin, dhe thuhet se edhe Ramsesi III e sulmoi. Ashurnasirpali II (shekulli i 9-të p.e.s.) rrëfen se e kaloi Eufratin me lundra që pluskonin në ujë, ngaqë kishin lëkurë dhie të fryra, dhe pretendon se i mori mbretit të Karkemishit një haraç që përfshinte 20 talenta argjend, 100 talenta bakër e 250 talenta hekur, si edhe sende ari, orendi të zbukuruara me fildish, rroba liri e leshi dhe plaçkë.
Karkemishi përmendet në Bibël tek Isaia 10:9-11, ku Jehovai paratha sulmin e Asirisë kundër Izraelit dhe Judës. Shkrimi tregon se sundimtari mburravec asirian e renditi Karkemishin mes mbretërive që nuk i kishin bërë dot ballë fuqisë së tij. Pa dyshim që këtu bëhej fjalë për pushtimin e mbretërisë së pavarur të Karkemishit nga sundimtari asirian Sargoni II, bashkëkohës i mbretit Hezekia. Që nga ajo kohë, në Karkemish sundonte një qeveritar asirian.
Më vonë, pasi ra Ninevia, kryeqyteti i Asirisë, faraoni Neko i priu drejt veriut ushtrisë së vet që t’u shkonte në ndihmë asirianëve. Mbreti Josia i Judës u tregua i pamend dhe u orvat ta zmbrapste ushtrinë egjiptiane në Megido, e kështu gjeti vdekjen në atë përpjekje (rr. 629 p.e.s.). (2Kr 35:20-24) Në vitin 625 p.e.s., në Karkemish u zhvillua një betejë vendimtare mes ushtrisë egjiptiane dhe asaj babilonase. Nën komandën e Nabukodonosorit, babilonasit korrën një fitore të bujshme kundër ushtrisë së faraonit Neko dhe pushtuan Sirinë e Kanaanin. Ajo betejë shënoi fundin e epërsisë së Egjiptit në ato rajone. Tregimi biblik te Jeremia 46:2 ngjason me atë që thonë Kronikat Babilonase (Muzeu Britanik 21946), pasi të dyja përshkruajnë disfatën e ushtrisë egjiptiane.
Në vendndodhjen e Karkemishit—një pirg madhështor në juglindje të qytezës së vogël turke të Karkamishit (dikur Cerablusi ose Baraku)—janë bërë gërmime. Ngjitur këtij pirgu me sipërfaqe 93 ha, fill matanë kufirit turk, ndodhet qyteza siriane e Jerablusit. Nga gërmimet u gjet një numër i madh dokumentesh në një gjuhë që sot quhet «hititja me hieroglife» dhe mendohet se nga fundi i mijëvjeçarit të 2-të p.e.s., Karkemishi ishte për afro dy shekuj nën sundimin e perandorisë me kryeqytet Hatushashin. (Megjithatë, shih HITITËT.) Atje u gjetën edhe relieve ku paraqiten, ndër të tjera, shëmbëlltyra e një sfinksi, si edhe simboli i kryqit me dorezë ose kryqit egjiptian, që flasin për një ndikim të fortë egjiptian.