NEKOJA
Faraon i Egjiptit dhe bashkëkohës i mbretit judeas, Josisë. Sipas historianit grek Herodotit (II, 158, 159; IV, 42), Nekoja ishte i biri i Psametikut (Psametikosit, Psamtikut I) dhe zuri vendin e të atit si sundimtar i Egjiptit. Ai nisi të hapte një kanal për të lidhur Nilin me Detin e Kuq, por nuk arriti ta përfundonte. Sidoqoftë, dërgoi një flotë fenikase në një udhëtim përreth Afrikës. Ky udhëtim u krye me sukses brenda tre vjetësh.
Aty nga fundi i mbretërimit 31-vjeçar të Josisë (659-629 p.e.s.), faraoni Neko ishte nisur t’u vinte në ndihmë asirianëve në lumin Eufrat. Në këtë kohë, Josia i shpërfilli «fjalët e Nekos që vinin nga goja e Perëndisë» dhe u plagos për vdekje, teksa përpiqej të sprapste forcat egjiptiane në Megido. Rreth tre muaj më vonë, faraoni Neko zuri rob Jehoahazin, që kishte hipur në fron në vend të Josisë, dhe vendosi si vasal të vetin Eliakimin 25-vjeçar, të cilit ia ndryshoi emrin në Jehojakim. Gjithashtu, Nekoja i vuri një haraç të rëndë mbretërisë së Judës. (2Kr 35:20–36:4; 2Mb 23:29-35) Tre a katër vjet më vonë (625 p.e.s.), në Karkemish, forcat e Nekos u mundën nga babilonasit e komanduar nga Nabukodonosori.—Jr 46:2.