BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it “Trupi”
  • Trupi

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Trupi
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Kthimi i Krishtit: A është i dukshëm?
    Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë
  • Mishi
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Njeriu
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it “Trupi”

TRUPI

Struktura fizike e njeriut ose e kafshës. Fjala hebraike gevijáh i referohet trupit, qoftë të gjallë (Zn 47:18), qoftë të vdekur. (1Sa 31:10; Ps 110:6) Folja navél (‘thahet’ te Ps 1:3) është rrënja e fjalës hebraike neveláh, e cila është përkthyer ‘trup i ngordhur’ dhe ‘kufomë’. (Le 5:2; Lp 14:8; Is 26:19) Basár, fjala hebraike për mish, mund të paraqitë gjithë trupin. (Krahaso Ps 16:9, Dio; shih MISHI.) Fjala e zakonshme greke për «trup» është soma (Mt 5:29), mirëpo te Veprat 19:12 (Dio) edhe khros, fjalë për fjalë «lëkurë», është përkthyer «trup». Termi grek ptóma, që vjen nga folja pípto (bie) i referohet trupit që ka rënë në vdekje ose ‘kufomës’. (Mt 14:12) Lloje të ndryshme trupash fizikë përbëhen nga lloje të ndryshme mishi, bashkë me forcën e jetës.​—1Ko 15:39; Jk 2:26; Zn 7:22; shih SHPIRTI.

Trupa frymorë. Sikurse ka trupa fizikë, të dukshëm e të prekshëm, ka edhe trupa frymorë, të padukshëm për sytë e njeriut dhe tërësisht të pakapshëm për shqisat njerëzore. (1Ko 15:44) Trupat e personave frymorë (Perëndisë, Krishtit, engjëjve) janë të lavdishëm. «Askush nuk e ka parë Perëndinë kurrë.» (1Gjo 4:12) Njeriu nuk mund ta shohë Perëndinë e të jetojë. (Da 33:20) Kur apostulli Pavël pa veçse vetëtimthi Jezu Krishtin pas ringjalljes, ra përtokë dhe u verbua nga ndriçimi; u desh një mrekulli që t’i rikthehej shikimi. (Ve 9:3-5, 17, 18; 26:13, 14) Po ashtu, edhe engjëjt janë shumë më të fuqishëm se njerëzit. (2Pj 2:11) Janë të lavdishëm e të shndritshëm, dhe kështu janë shfaqur edhe kur janë bërë të dukshëm fizikisht. (Mt 28:2-4; Lu 2:9) Këta bij frymorë të Perëndisë kanë një shikim mjaft të fortë, sa të shohin e të përballojnë shkëlqimin e Perëndisë së Plotfuqishëm.—Lu 1:19.

Meqë nuk mund ta shohim Perëndinë me sytë fizikë, ai ka përdorur disa shprehje antropomorfe që të na ndihmojë të kuptojmë e të vlerësojmë ca gjëra për të. Bibla i referohet Perëndisë sikur të ketë sy (Ps 34:15; He 4:13); krahë (Jb 40:9; Gjo 12:38); këmbë (Ps 18:9; Za 14:4); zemër (Zn 8:21, shën.; Pr 27:11); duar (Da 3:20; Ro 10:21); gishta (Da 31:18; Lu 11:20); hundë, vrima të hundës (Ezk 8:17; Da 15:8) dhe veshë (2Kr 6:40; Ps 10:17). Nuk duhet të mendojmë se ai i ka këto organe në kuptimin e mirëfilltë ashtu siç i njohim ne. Apostulli Gjon, i cili kishte shpresën e jetës qiellore, u tha atyre që do të trashëgonin jetën qiellore bashkë me të: «Të dashur, tani ne jemi fëmijë të Perëndisë, por, se çfarë do të jemi, ende nuk është shfaqur. Dimë se, kurdo që ai të shfaqet, ne do të jemi si ai, sepse do ta shohim ashtu si është.» (1Gjo 3:2) Trupi i tyre do të jetë si «trupi . . . i lavdishëm» i Jezu Krishtit (Fi 3:21), i cili është «shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm», «pasqyrimi i lavdisë së Perëndisë dhe paraqitja e saktë e vetë qenies së tij». (Kl 1:15; He 1:3) Prandaj, ata do të marrin trupa të paprishshëm, që kanë pavdekësinë, në dallim nga engjëjt në përgjithësi dhe njerëzit që janë të vdekshëm.​—1Ko 15:53; 1Ti 1:17; 6:16; Mr 1:23, 24; He 2:14.

Trupi fizik i Krishtit. Kur themeloi Darkën e Zotërisë, Jezui u dha bukë të ndorme 11 apostujve besnikë dhe u tha: «Kjo përfaqëson trupin tim, që do të jepet për ju.» (Lu 22:19) Më vonë, apostulli Pjetër tha: «Ai [Jezui] vetë mbarti mëkatet tona në trupin e tij në shtyllë.»​—1Pj 2:24; He 10:10; shih DARKA E ZOTËRISË.

Që Jezui të ishte «Adami i fundit» (1Ko 15:45) dhe «një shpërblesë përkatëse për të gjithë [njerëzimin]», trupi i tij fizik duhej të ishte një trup i vërtetë njerëzor dhe jo thjesht trupëzim. (1Ti 2:5, 6; Mt 20:28) Duhej të ishte i përsosur, sepse do të flijohej që të paraqiste para Perëndisë Jehova çmimin e blerjes. (1Pj 1:18, 19; He 9:14) Asnjë njeri i papërsosur s’mund të siguronte çmimin e nevojshëm. (Ps 49:7-9) Për këtë arsye, kur u paraqit për pagëzimin, pikënisjen e jetës së tij flijuese, Jezui i tha Atit të tij: «Më përgatite një trup.»—He 10:5.

Trupi fizik i Jezu Krishtit nuk u lejua të prishej e të kthehej në pluhur, sikurse ndodhi me trupat e Moisiut e Davidit, njerëz që paraqitën simbolikisht Krishtin. (Lp 34:5, 6; Ve 13:35, 36; 2:27, 31) Ditën e parë të javës, kur dishepujt vajtën herët te varri i Jezuit, trupi i tij ishte zhdukur, kurse fashat me të cilat ishte mbështjellë i gjetën në varr; pa dyshim, trupi ishte shpërbërë pa kaluar procesin e prishjes.​—Gjo 20:2-9; Lu 24:3-6.

Pas ringjalljes, Jezui u shfaq me trupa të ndryshëm. Maria e ngatërroi me kopshtarin. (Gjo 20:14, 15) Ai u shfaq përsëri, teksa hyri në një dhomë me dyer të kyçura, me një trup që kishte shenjat e plagëve. (Gjo 20:24-29) U shfaq disa herë dhe të tjerët nuk e njohën nga pamja, por nga fjalët dhe veprimet. (Lu 24:15, 16, 30, 31, 36-45; Mt 28:16-18) Në një rast, nën drejtimin e tij ndodhi një mrekulli, dhe kjo u hapi sytë dishepujve që ta njihnin. (Gjo 21:4-7, 12) Meqë ishte ngjallur në frymë (1Pj 3:18), Jezui mund të materializohej e të merrte një trup për çdo rast, sikurse kishin bërë engjëjt në të shkuarën kur shfaqeshin si lajmëtarë. (Zn 18:2; 19:1, 12; Js 5:13, 14; Gjy 13:3, 6; He 13:2) Në kohën para Përmbytjes, engjëjt që «nuk e mbajtën vendin e tyre fillestar, por e braktisën vendbanimin e tyre të duhur», u trupëzuan dhe u martuan me gra njerëzore. Këta bij engjëllorë të Perëndisë nuk ishin vërtet njerëz, por kishin trupa të materializuar, dhe kjo u kuptua ngaqë Përmbytja nuk i shkatërroi këta engjëj, por u çmaterializuan dhe u kthyen në sferën qiellore.—Jd 6; Zn 6:4; 1Pj 3:19, 20; 2Pj 2:4.

Përdorimi simbolik. Për Jezu Krishtin thuhet se është Kreu i «kongregacionit, që është trupi i tij». (Ef 1:22, 23; Kl 1:18) Ky trup të krishterësh nuk ka ndarje raciale, kombëtare a të tjetër lloji, por ka përfaqësues të judenjve e të njerëzve nga të gjitha kombet. (Ga 3:28; Ef 2:16; 4:4) Të gjithë janë pagëzuar nga fryma e shenjtë në Krishtin dhe në vdekjen e tij. Prandaj, të gjithë ata janë pagëzuar në një trup të vetëm. (1Ko 12:13) Kështu, tërë trupi ndjek kreun, duke pësuar një lloj vdekjeje si e tij dhe duke marrë një lloj ringjalljeje si e tij.​—Ro 6:3-5; shih PAGËZIMI (Pagëzim në Krishtin Jezu, në vdekjen e tij).

Apostulli Pavël e përdori mënyrën si funksionon trupi i njeriut si një ilustrim për të treguar si vepron kongregacioni i krishterë, dhe i krahasoi pjesëtarët që jetojnë këtu në tokë në çfarëdolloj kohe me një trup, kreu i padukshëm i të cilit është Krishti. (Ro 12:4, 5; 1Ko 12) Ai theksoi rëndësinë e vendit që ka secila gjymtyrë, varësinë nga njëra-tjetra, dashurinë dhe kujdesin reciprok, si dhe punën që kryhet. Perëndia e ka vendosur secilën në vendin e vet në trup dhe falë veprimeve të ndryshme të frymës së shenjtë, trupi kryen çdo gjë që është e nevojshme. Kreu, Jezu Krishti, i cili është gjymtyra lidhëse, u jep gjymtyrëve të trupit atë që është e nevojshme me anë të «nyjave dhe dejve», mjeteve dhe masave përmes të cilave siguron ushqim frymor, si dhe kujdeset që të ketë komunikim e koordinim, në mënyrë që «trupi» të jetë i ushqyer mirë frymësisht dhe secila pjesë të dijë se ç’punë ka për të kryer.—Kl 2:19; Ef 4:16.

Përdorimi i përshtatshëm i trupit. I krishteri duhet ta vlerësojë trupin që i ka dhënë Perëndia dhe ta dojë veten aq sa të kujdeset siç duhet për trupin, që të jetë në gjendje ta paraqitë atë për të bërë një shërbim të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë. (Ro 12:1) Për këtë duhet të përdorë arsyen, ta ushqejë trupin, t’i sigurojë gjëra të tjera të nevojshme dhe të kujdeset për pastërtinë fizike. Sidoqoftë, disa lloje të tjera kujdesi janë edhe më të rëndësishme. Këto përfshijnë: të kujdeset për karakterin frymor, të kërkojë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij, si dhe të praktikojë drejtësinë morale. (Mt 6:25, 31-33; Kl 2:20-23; 3:5) Apostulli këshillon: «Stërvitja e trupit është e dobishme për pak gjë, kurse përkushtimi hyjnor është i dobishëm për çdo gjë, sepse mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.»—1Ti 4:8.

Kur një pjesëtar i mirosur i kongregacionit të krishterë, trupit të Krishtit, kryen kurvëri, po i merr një gjymtyrë Krishtit dhe po e bën gjymtyrë të një prostitute. Ky i krishterë që kryen kurvëri, po sjell ndotje morale dhe po «mëkaton kundër trupit të vet». Po rrezikon të hiqet nga trupi i Krishtit, nga organizata që i ngjan tempullit, si dhe rrezikon të marrë sëmundje që të ngjallin krupë. (1Ko 6:13, 15-20; Pr 7:1-27) Madje, kongregacioni mund ‘t’ia dorëzojë Satanait, që t’i shkatërrohet mishi’.—1Ko 5:5.

Kushdo që është gjymtyrë e trupit të Krishtit, si dhe personat e tjerë të kushtuar që shoqërohen me këta pjesëtarë të trupit të lindur nga fryma, duhet të shmangin jo vetëm kurvërinë e mirëfilltë, por edhe kurvërinë frymore. Shkrimet e quajnë ‘kurorëshkelës’ një person që ka miqësi me botën. (Jk 4:4) Jezui tha për dishepujt e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjo 17:16) Prandaj, Jezui bën kujdes që pjesëtarët e trupit të tij të jenë të pastër moralisht dhe frymësisht. (Ef 5:26, 27) Për ta thuhet se ‘trupat i kanë larë me ujë të pastër’. (He 10:22) Kur po fliste për burrat, apostulli Pavël tha: «Në këtë mënyrë burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten, sepse, asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të, ashtu siç bën Krishti për kongregacionin, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij. ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e tij, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm.’ Ky sekret i shenjtë është i madh. Tani po flas për Krishtin dhe për kongregacionin.»—Ef 5:28-32.

Shih pjesët e trupit sipas emrave përkatës.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo