BASHANI
[ndoshta: rrafshinë pjellore (pa gurë)].
Rajon i madh në lindje të detit të Galilesë. Kufijtë e Bashanit ishin pak a shumë këto: në veri mali i Hermonit, në lindje rajoni malor i malit të Hauranit (Jebel-ed-Druzi), në jug Galaadi dhe në perëndim kodrat pranë bregut lindor të detit të Galilesë.—Lp 3:3-14; Js 12:4, 5.
Bashani shtrihej kryesisht në një rrafshnaltë me lartësi mesatare rreth 600 m. Në përgjithësi terreni është i rrafshët, ndonëse me disa kreshta malore, ka origjinë vullkanike, është plot me shkëmbinj të fortë prej bazalti të zi që e mbajnë mirë lagështinë. Toka është një përzierje shtufi e dheu të kuqërremtë. Falë ujit dhe borës së shkrirë që rrjedhin teposhtë malit të Hermonit, mbarë rajoni u shndërrua në një zonë bujqësore të mrekullueshme. Pjelloria e madhe e bëri këtë rrafshinë një hambar drithi dhe një vend me kullota të mira. Kjo ndikoi në krijimin e disa racave të shkëlqyera gjedhësh e dhensh. Demat dhe deshtë e Bashanit përmendeshin në këngë e poezi dhe ishin simbole të bollëkut, të fuqisë e të begatisë.—Lp 32:14; Ezk 39:18; Ps 22:12.
Me sa duket, rrafshinat e Bashanit kryesisht ishin të zhveshura nga pemët, por kreshtat malore mbuloheshin nga pyje me pemë madhështore, ndoshta me lisa (që rriten edhe sot e kësaj dite në këtë zonë). Në profeci, këto pemë përdoren si simbole të lartësimit. (Is 2:13; Za 11:1, 2) Ezekieli 27:5, 6 tregon se ndërtuesit e anijeve fenikase të Tirit përdorën dëllinja Seniri për dërrasat dhe cedra të lartë Libani për direkun, por rremat e fuqishme i bënë nga pemët e forta të Bashanit.
Pa dyshim që pjelloria dhe begatia e Bashanit janë arsyeja pse e lidhin me rajone të tjera të begata si Karmeli e Libani. (Jr 50:19; Is 33:9) Jeremia i përmend lartësitë e Bashanit tok me Libanin si një pikë të lartë prej nga mund të shihej gjëma që do t’i binte vendit të izraelitëve ngaqë kishin braktisur Jehovain. (Jr 22:20) Në Psalmin 68:15, 16, ku Bashani quhet «mali i Perëndisë» dhe mal «me kreshta të larta», mund të bëhet fjalë për rajonin malor të malit të Hauranit (Jebel-ed-Druzi). Zalmoni (i përmendur te Ps 68:14) mund të ketë qenë maja e tij më e lartë.
Me sa duket, rajoni i Bashanit shfaqet për herë të parë në Bibël te Zanafilla 14:5, kur flitet për refaimët (gjigantët) në Ashterot-Karnaim, që u mundën nga mbretërit pushtues të kohës së Abrahamit (para vitit 1933 p.e.s.). Në kohën e pushtimit izraelit (rr. 1473 p.e.s.), Ogu, mbret i Bashanit dhe i fundit gjigant që kishte mbetur në atë zonë, u mund e u vra, dhe vendin e shtiu në dorë Izraeli. (Nu 21:33-35; Lp 3:1-3, 11; Js 13:12) Bashanin e mori si trashëgimi fisi i Manaseut, por një pjesë në jug me sa duket iu caktua fisit të Gadit.—Js 13:29-31; 17:1, 5; 1Kr 5:11, 16, 23.
Qytetet kryesore të Bashanit ishin: Ashtaroti (qytet i Ogut dhe më vonë qytet levit), Edrei (qyteti kufitar ku Izraeli mundi Ogun), Golani (që u bë edhe ai qytet levit dhe një nga tre qytetet e strehimit në lindje të Jordanit) dhe Salekahu. (Lp 4:41-43; Js 9:10; 12:4, 5; 20:8, 9; 1Kr 6:64, 71) Vetëm në viset e Argobit kishte 60 qytete të rrethuara me mure dhe sot anekënd këtij rajoni sheh rrënoja qytetesh të lashta.—Lp 3:3-5; shih ARGOBI nr. 2.
Gjatë mbretërimit të Solomonit, Bashani ishte një nga 12 krahinat administrative nën drejtimin e nëpunësve të caktuar që të siguronin ushqim për tryezën mbretërore.—1Mb 4:7, 13.
Në viset lindore të Jordanit, rruga kryesore veri-jug, që quhej «rruga e mbretit», e përshkonte Bashanin duke kaluar nëpër qytetin e Ashtarotit. Ky fakt, tok me begatinë e madhe dhe afërsinë me Damaskun, e bënë Bashanin shënjestrën e pushtimeve ushtarake. Mbreti i Damaskut, Hazaeli, e shtiu në dorë Bashanin gjatë mbretërimit të Jehut (rr. 904-877 p.e.s.), por duket se izraelitët e morën përsëri gjatë mbretërimit të Jehoasit (2Mb 10:32, 33; 13:25) ose të paktën në kohën e Jeroboamit II (rr. 844-804 p.e.s.). (2Mb 14:25) Kur mbretëronte Pekahu (rr. 778-759 p.e.s.), mbarë rajonin e zaptoi Tiglath-Pileseri III i Asirisë.—2Mb 15:29; 1Kr 5:26.
Pas periudhës së mërgimit, Bashani ra nën sundimin e Greqisë dhe më pas u bë një ndër hambarët kryesorë të grurit në Perandorinë Romake. Ndahej në katër krahina që, me përjashtim të krahinës verilindore të Trakonitidës, ruanin deri diku emra të hershëm të zonës: krahina e Gaulanitit në perëndim e merrte emrin nga Golani, Auraniti në jug nga Haurani dhe krahina qendrore e Bataneas nga Bashani. Përveç një rasti ku përmendet Trakonitida (Lu 3:1), Bashani nuk shfaqet në Shkrimet e Krishtere Greke.—Shih HAURANI.