ARETA
[i virtytshëm; i shkëlqyer].
Emri i disa mbretërve arabë; i fundit mbretëroi në Damask kur guvernatori i këtij qyteti u bashkua me judenjtë në komplotin për të vrarë Pavlin. Apostulli shpëtoi duke zbritur me një kosh nga një dritare në murin e qytetit.—Ve 9:23-25; 2Ko 11:32, 33.
Areta i kishte dhënë të bijën për grua Herod Antipës (shih HERODI nr. 2), i cili më pas u divorcua nga ajo për t’u martuar me Herodiadën, lidhje kurorëshkelëse të cilën Gjon Pagëzori e dënoi. (Mt 14:3, 4) Veç kësaj, i acaruar nga konfliktet për kufijtë, Areta e sulmoi Antipën dhe e theu keqas ushtrinë e tij. Atëherë perandori Tiber urdhëroi guvernatorin e Sirisë, Vitelin, ta zinte Aretën gjallë a vdekur. Viteli mobilizoi ushtrinë, por Tiberi vdiq në vitin 37 të e.s. dhe, meqë ai s’e kishte fort qejf Antipën, fushata kundër Aretës u anulua. Pasuesi i Tiberit, Kaligula, e ndryshoi rrënjësisht politikën e tij të jashtme. Në vend të Antipës ai vuri Herod Agripën I dhe e lejoi Aretën të mbretëronte në Damask. Një monedhë e asaj kohe, e gjetur në Damask, mban një mbishkrim të Aretës.