AFEKU
[shtrat lumi].
1. Qytet që, me sa duket, ndodhej në veri të Sidonit. Ishte ndër vendet që Jehovai i tha Josiut se mbeteshin ende për t’u pushtuar. (Js 13:4) Tani për tani e lidhin me Afakën (Afkën e sotme), afro 39 km në lindje-verilindje të Bejrutit. Ndodhet pranë burimit të Nahr-Ibrahimit, që në lashtësi njihej si lumi i Adonisit, i cili derdhet në Mesdhe pranë Biblosit.
2. Qytet brenda territorit të Asherit, të cilin ky fis nuk e mori dot. (Js 19:24, 30) Te Gjykatësit 1:31 quhet Afik. Mendohet se vendndodhja është Tell-Kurdanehu (Tel-Afeku), rreth 8 km në jug-juglindje të Akos.
3. Qytet që, duke u bazuar te qytetet e përmendura bashkë me të, duhej të ndodhej në rrafshinën e Sharonit. Mbreti i tij ishte ndër ata që vrau Josiu. (Js 12:18) Shekuj më vonë, por përpara mbretërimit të Saulit, filistinët fushuan atje para se të mposhtnin Izraelin, i cili ishte rreshtuar për betejë në Ebenezerin fqinj. (1Sa 4:1) Mendohet se vendndodhja është Ras-el-ʽAini (Tel-Afeku; jo nr. 2 lart) ku buron lumi Jarkon. Afeku përmendet në dokumente egjiptiane dhe asiriane. Mendohet se qyteti i Antipatridës, i përmendur te Veprat 23:31, ishte ndërtuar te vendndodhja e Afekut të lashtë. Historiani Jozef përmend «një kullë që quhet Afeku» kur flet për Antipatridën. (Lufta judaike, II, 513 [xix, 1]) Shilohu, nga ku izraelitët morën arkën e besëlidhjes, është rreth 35 km në lindje.
4. Qytet që, me sa duket, ndodhej në rrafshinën e Jezreelit, mes qyteteve të Shunemit dhe të Jezreelit. Në betejën mes filistinëve dhe izraelitëve, ku gjeti vdekjen mbreti Saul, fillimisht filistinët fushuan në Shunem, kurse izraelitët zunë pozicion në malin e Gilboas. (1Sa 28:4) Pastaj, nga tregimi biblik kuptohet se filistinët përparuan deri në Afek, ndërsa Izraeli zbriti te burimi në Jezreel. Në Afek, sundimtarët e aleancës filistine i kaluan në revistë trupat e tyre të bashkuara dhe zbuluan se Davidi e luftëtarët e tij shoqëronin Akishin në prapavijë. Forcat e Davidit morën urdhër të largoheshin të nesërmen në mëngjes, e pastaj filistinët përparuan për në sheshin e betejës në Jezreel. (1Sa 29:1-11) Prej këtu i prapësuan izraelitët e mundur lart në malin e Gilboas, ku përfundoi masakra dhe vdiqën Sauli e tre bij të tij.—1Sa 31:1-8.
Disa studiues hedhin idenë se ngjarjet që çuan te kjo betejë nuk janë shkruar sipas radhës kronologjike, prandaj mendojnë se ky Afek është ai që ndodhej në rrafshinën e Sharonit. (Shih AFEKU nr. 3.) Johanan Aharoni e mbështet këtë ide duke thënë: «Historia e kësaj lufte është cunguar deri diku, ngaqë në të është futur tregimi për Davidin. Prapëseprapë, linja e përgjithshme mund të ndiqet. Sundimtarët filistinë i mblodhën forcat e tyre ushtarake në Afek, te burimet e Jarkonit (1 Sam. 29.1), teksa përgatiteshin të marshonin drejt Jezreelit (vrg. 11). Trupat e Saulit ‘kishin fushuar pranë burimit që gjendej në Jezreel’ (vrg. 1); në prag të betejës u radhitën në malin e Gilboas. Filistinët fushuan përballë tyre në Shunem (1 Sam. 28.4). Lufta mbaroi me fitoren e filistinëve, kurse Sauli dhe tre bij të tij vdiqën kur po zmbrapseshin në Gilboa.»—The Land of the Bible, versioni i A. Reinit, 1979, f. 290, 291.
5. Qytet i përmendur te 1 Mbretërve 20:26 si vendi ku u mposht mbreti sirian Ben-Hadadi II. Sirianët u zmbrapsën dhe ia mbathën për në qytet, por muret e tij ranë mbi 27.000 prej tyre. (1Mb 20:29, 30) Duket se ky është edhe vendi që profeti Elise, kur ishte buzë vdekjes, e përmendi në mesazhin profetik që i dha mbretit Jehoas. Sipas profecisë së tij, në këtë vend sirianët do të pësonin disfata të tjera para izraelitëve. (2Mb 13:17-19, 25) Disa studiues mendojnë se Afeku i përmendur në këto shkrime ndodhej afro 5 km në lindje të detit të Galilesë, aty ku gjendet fshati i sotëm Afiq ose Fiq. Megjithatë, deri tani atje nuk janë gjetur rrënoja më të vjetra se shekulli i 4-t p.e.s. Por aty pranë, në ʽEn-Gev, në bregun e detit të Galilesë, janë zbuluar rrënojat e një qyteti të madh të fortifikuar që i përket shekujve të 10-të deri të 8-të p.e.s.