ANA
[nga heb., që do të thotë «miratim; hir»].
Profeteshë, bijë e Fanuelit nga fisi i Asherit. Ana është forma në greqisht e emrit Hana.
Ana kishte mbetur vejushë vetëm shtatë vjet pas martesës dhe ishte 84 vjeçe kur Jezuin foshnjë e çuan në tempull. Megjithëse kaq e moshuar, ajo ishte gjithmonë në tempull, me siguri që nga blatimi i mëngjesit deri në blatimin e mbrëmjes, prandaj pati privilegjin të shihte Jezuin foshnjë dhe të dëshmonte për të. ‘Agjërimet dhe përgjërimet’ e saj tregonin se ishte e brengosur dhe dëshironte me zjarr një ndryshim. Zgjedha shumëshekullore e pushtuesve mbi hebrenjtë, si dhe çoroditja fetare që kish arritur deri te tempulli dhe priftërinjtë e shpjegojnë mirë këtë qëndrim të saj. Sidoqoftë, megjithëse nuk shpresonte të ishte gjallë kur Jezui të rritej, ajo dëshmoi me gëzim për çlirimin që do të sillte ardhja e tij si Mesia.—Lu 2:36-38.