AMOSI
[të jesh ngarkesë; të mbash një ngarkesë].
1. Profet i Jehovait dhe shkrimtar i librit që mban emrin e tij; jetoi në shekullin e nëntë p.e.s. (Shih LIBRI I AMOSIT.) Megjithatë, ai nuk lindi si bir profeti dhe as ishte një nga «bijtë e profetëve».—1Mb 20:35; 2Mb 2:3; 4:1; Am 7:14.
Amosi jetonte në Tekoa, që ishte rreth 16 km në jug të Jerusalemit dhe në një lartësi rreth 820 m nga niveli i detit. Në lindje, duke zbritur drejt Detit të Vdekur, rreth 1.200 m më poshtë, shtrihej shkretëtira e ashpër e Judës, ku në vitet e hershme të jetës së tij profeti punoi si bari i thjeshtë delesh. (Am 1:1) Fjala hebraike nokedhím, që këtu përkthehet ‘bari delesh’, del vetëm një herë tjetër në Bibël (2Mb 3:4) dhe lidhet me fjalën nakkad, fjalë në arabisht për një racë të veçantë delesh që nuk çmohet për bukurinë, por për leshin që jep. Në këtë vend të ashpër, Amosi u mor edhe me një punë sezonale të rëndomtë si kultivues i fiqve të Egjiptit, një varietet me të cilin ushqeheshin vetëm të varfrit. Pickimi ose shpimi i fiqve bëhej për të shpejtuar pjekjen dhe për të rritur përmasat dhe ëmbëlsinë e frutit.—Am 7:14; shih FIKU I EGJIPTIT.
Njësoj si Davidin, një bari tjetër të cilit Perëndia i besoi një shërbim publik, ‘Jehovai e mori Amosin nga kopeja’ dhe e bëri profet.—Am 7:15.
Jehovai e mori Amosin nga vetmia në shkretëtirën e jugut dhe e dërgoi në veri, në mbretërinë idhujtare dhjetëfisëshe me kryeqytet Samarinë.
Ai e nisi karrierën si profet dy vjet para tërmetit të madh që ra gjatë mbretërimit të Uziahut, mbretit të Judës. Në atë kohë, mbret i Izraelit ishte Jeroboami II, biri i Joashit. (Am 1:1) Pra, Amosi profetizoi nga viti 829 deri rreth vitit 804 p.e.s., domethënë për një periudhë 26-vjeçare gjatë së cilës këta dy monarkë për njëfarë kohe mbretëruan njëkohësisht. Tërmeti që ra dy vjet pasi Amosi mori detyrën e profetit ishte aq i fortë, sa Zakaria e përmendi rreth 300 vjet më vonë.—Za 14:5.
Nuk dihet me siguri për sa kohë Amosi shërbeu si profet në mbretërinë veriore. Amaziahu, prifti i lig i kultit të viçit (feja e shtetit me qendër në Bethel), u përpoq ta dëbonte nga vendi me pretekstin se ai ishte një kërcënim për sigurinë e kombit. (Am 7:10-13) Nuk e dimë nëse Amaziahu ia arriti. Sidoqoftë, kur Amosi e përfundoi misionin e tij profetik në Izrael, ka shumë të ngjarë të jetë kthyer në vendlindjen e tij, në territorin e Judës. Sipas Jeronimit dhe Eusebit, në kohën e tyre varri i profetit gjendej në Tekoa. Gjithashtu, me sa duket pasi u kthye në Judë, Amosi shkroi profecinë që fillimisht kishte shpallur gojarisht. Ai quhet shpesh një nga 12 profetët «e vegjël» (libri i tij renditet i treti në listën e 12 profetëve), megjithatë mesazhi i tij nuk është aspak me një rëndësi të vogël.
2. Një nga paraardhësit e Jezuit; bënte pjesë në brezin e tetë para Marisë.—Lu 3:25.