MËSIMI 86
Jezui ringjall Lazarin
Jezui kishte tre miq shumë të ngushtë që jetonin në Betani. Ata ishin Lazari dhe dy motrat e tij, Maria e Marta. Një ditë, ndërsa Jezui ishte në anën tjetër të lumit Jordan, Maria dhe Marta i dërguan një mesazh urgjent: ‘Lazari është shumë sëmurë. Të lutemi, hajde sa më shpejt!’ Jezui nuk u nis menjëherë, por priti edhe dy ditë, dhe pastaj u tha dishepujve: ‘Hajde shkojmë në Betani. Lazari është duke fjetur dhe po shkoj ta zgjoj.’ Apostujt i thanë: ‘Nëse Lazari po fle, gjumi do ta ndihmojë të bëhet më mirë.’ Atëherë Jezui u tha hapur: «Lazari ka vdekur.»
Kur Jezui mbërriti në Betani, kishin kaluar katër ditë që Lazarin e kishin varrosur. Për të ngushëlluar Martën dhe Marinë, kishin vajtur shumë njerëz. Kur Marta dëgjoi se Jezui kishte ardhur, nxitoi për ta takuar. Ajo tha: ‘Zotëri, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të vdiste.’ Jezui i tha: ‘Vëllai yt do të jetojë përsëri. A e beson këtë, Martë?’ Ajo iu përgjigj: ‘Kam besim se do të ringjallet.’ Jezui shtoi: «Unë jam ringjallja dhe jeta.»
Marta shkoi te Maria dhe i tha: ‘Jezui është këtu.’ Maria vrapoi për te Jezui dhe turma e ndoqi. Ajo u ul në gjunjë te këmbët e tij dhe s’pushonte dot së qari. I tha: ‘Zotëri, po të ishe këtu, vëllai ynë do të ishte ende gjallë.’ Jezui e pa sa shumë po vuante e filloi të qante edhe ai. Kur njerëzit panë lotët e Jezuit, thanë: ‘Sa e paska dashur Lazarin!’ Por disa pyesnin veten: ‘Pse nuk e shpëtoi mikun e tij?’ Çfarë do të bënte Jezui më tej?
Jezui shkoi te varri ku një gur i madh bllokonte hyrjen. Ai urdhëroi: ‘Rrokulliseni gurin!’ Marta tha: ‘Por kanë kaluar katër ditë! Me siguri trupi i tij mban erë.’ Sidoqoftë, ata e rrokullisën gurin, dhe Jezui u lut: ‘Të falënderoj, o Atë, që më dëgjon. E di se më dëgjon gjithmonë, por flas që këta njerëz ta dinë se ti më dërgove.’ Pastaj ai thërriti me zë të lartë: «Lazar, eja jashtë!» Diçka e mrekullueshme ndodhi: Lazari doli nga varri, i mbështjellë me fasha liri. Jezui tha: «Zgjidheni dhe lëreni të lirë.»
Shumë veta që e panë këtë, besuan te Jezui. Por disa shkuan e u treguan farisenjve. Që atëherë, farisenjtë donin të vrisnin edhe Lazarin, edhe Jezuin. Një nga 12 apostujt, Judë Iskarioti, shkoi fshehurazi te farisenjtë dhe i pyeti: ‘Sa do të më paguani nëse ju ndihmoj të gjeni Jezuin?’ Ata ranë dakord t’i jepnin 30 monedha argjendi, dhe Juda filloi të kërkonte ndonjë mundësi që t’ua dorëzonte Jezuin farisenjve.
«Perëndia i vërtetë është për ne Perëndi që sjell shpëtim; Jehovai, Zotëria Sovran, na çliron nga kthetrat e vdekjes.»—Psalmi 68:20