MËSIMI 18
Shkurrja e përfshirë nga flakët
Moisiu jetoi 40 vjet në Midian, ku u martua dhe u bë me fëmijë. Një ditë, ndërsa po kujdesej për delet e tij afër malit Sinai, pa diçka të mrekullueshme. Një shkurre kishte marrë flakë, por nuk po digjej! Kur Moisiu u afrua të kuptonte çfarë po ndodhte, dëgjoi një zë nga brenda shkurres që tha: ‘Moisi! Mos u afro më shumë. Hiqi sandalet, sepse po qëndron në tokë të shenjtë.’ Ishte Jehovai që po i fliste nëpërmjet një engjëlli.
Moisiu u frikësua, prandaj mbuloi fytyrën. Zëri i tha: ‘I kam parë vuajtjet e izraelitëve. Unë do t’i shpëtoj nga egjiptianët dhe do t’i çoj në një vend shumë të mirë. Ti je ai që do ta nxjerrësh popullin tim nga Egjipti.’ A nuk mendon edhe ti se kjo duhet ta ketë habitur Moisiun?
Moisiu e pyeti: ‘Çfarë t’i them popullit kur të më pyesë se kush më dërgoi?’ Perëndia iu përgjigj: ‘Thuaji se të ka dërguar Jehovai, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.’ Pastaj Moisiu tha: ‘Po sikur të mos më dëgjojnë?’ Për ta siguruar Moisiun se do ta ndihmonte, Jehovai i dha një provë. I tha ta hidhte shkopin në tokë. Shkopi u kthye në gjarpër dhe, kur Moisiu e kapi gjarprin nga bishti, ai u kthye sërish në shkop. Jehovai i tha: ‘Kjo shenjë do t’u tregojë se të kam dërguar unë.’
Moisiu i tha: ‘Unë nuk di të flas mirë.’ Jehovai i premtoi: ‘Unë do të të tregoj çfarë të thuash dhe do të caktoj vëllanë tënd Aronin të të ndihmojë.’ Duke ditur se Jehovai ishte me të, Moisiu mori gruan e djemtë dhe u kthye në Egjipt.
«Mos jini në ankth si do të flitni ose ç’do të thoni, pasi fjalët që do të thoni, do t’ju tregohen në atë çast.»—Mateu 10:19