PYETJET PËR ATA QË DUAN TË PAGËZOHEN
Bisedë përmbyllëse me kandidatët për pagëzim
Zakonisht, pagëzimet bëhen në asambletë dhe në kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait. Në fund të fjalimit të pagëzimit, oratori do t’u kërkojë kandidatëve për pagëzim të ngrihen në këmbë dhe t’u përgjigjen dy pyetjeve vijuese me zë të lartë:
1. A je penduar për mëkatet e tua, a i je kushtuar Jehovait dhe a e ke pranuar se ai na shpëton nëpërmjet Jezu Krishtit?
2. A e kupton se kur pagëzohesh identifikohesh si Dëshmitar i Jehovait dhe bëhesh pjesë e organizatës së Jehovait?
Duke u dhënë përgjigje pohuese këtyre pyetjeve, kandidatët për pagëzim ‘shpallin publikisht’ se kanë treguar besim te shpërblesa dhe i janë kushtuar pa rezerva Jehovait. (Rom. 10:9, 10) Do të ishte mirë që kandidatët për pagëzim të mendojnë e të luten që më përpara për këto pyetje, që të përgjigjen në përputhje me bindjet e tyre.
A i je kushtuar Jehovait nëpërmjet një lutjeje, duke i premtuar se do të adhurosh vetëm atë dhe se gjëja kryesore në jetën tënde do të jetë të bësh vullnetin e tij?
A je plotësisht i bindur se duhet të pagëzohesh sa më parë?
Cila është veshja e përshtatshme për pagëzimin? (1 Tim. 2:9, 10; Gjoni 15:19; Filip. 1:10)
Duhet të vishemi «me modesti e mendje të shëndoshë» që të tregojmë se jemi ‘të përkushtuar ndaj Perëndisë’. Pra, ata që pagëzohen, nuk veshin një kostum banje që zbulon tepër pjesët e trupit, ose rroba që kanë diçka të shkruar. Veshja e tyre duhet të jetë e rregullt, e pastër, dinjitoze dhe e përshtatshme për rastin.
Si duhet të sillet dikush kur pagëzohet? (Luka 3:21, 22)
Me pagëzimin e tij, Jezui la një shembull për pagëzimet e të krishterëve sot. Ai e kuptonte se pagëzimi është një hap serioz, dhe kjo u pasqyrua në qëndrimin dhe në veprimet e tij. Kështu, vendi i pagëzimit nuk është vend për të bërë shaka të papërshtatshme, për të luajtur, për të notuar ose për ndonjë sjellje tjetër që do t’ia ulte seriozitetin këtij rasti. Veç kësaj, i krishteri i sapopagëzuar s’duhet të sillet sikur të ketë arritur ndonjë fitore të madhe. Edhe pse pagëzimi është rast i gëzueshëm, ky gëzim duhet shprehur në mënyrë dinjitoze.
Si do të të ndihmojnë pjesëmarrja e rregullt në mbledhje dhe shoqërimi me kongregacionin që të mbash betimin e kushtimit ndaj Jehovait?
Pse është e rëndësishme që, pas pagëzimit, të mbash një program të mirë për studimin personal dhe të dalësh rregullisht në shërbim?
UDHËZIME PËR PLEQTË E KONGREGACIONIT
Kur një lajmëtar i papagëzuar shpreh dëshirën që të pagëzohet, ai duhet nxitur të shqyrtojë me kujdes «Pyetjet për ata që duan të pagëzohen», në faqet 185-207 të këtij libri. Lajmëtarit i duhet drejtuar vëmendja te pjesa «Një mesazh për lajmëtarin e papagëzuar», që fillon në faqen 182, ku shpjegohet se si të përgatitet për bisedat me pleqtë. Siç thuhet atje, kandidati për t’u pagëzuar mund të përdorë shënimet e tij dhe mund ta mbajë librin të hapur gjatë bisedave. Por nuk ka nevojë që, para se të takohet me pleqtë, dikush tjetër t’i rishikojë paraprakisht pyetjet me të.
Kushdo që dëshiron të pagëzohet, duhet të informojë koordinatorin e trupit të pleqve. Pasi t’i jetë lënë kohë për të lexuar «Pyetjet për ata që duan të pagëzohen», koordinatori i trupit të pleqve do ta pyesë nëse ia ka kushtuar jetën Jehovait nëpërmjet një lutjeje. Nëse e ka bërë lutjen e kushtimit, koordinatori i trupit të pleqve do të marrë masa që dy pleq të shqyrtojnë me të «Pyetjet për ata që duan të pagëzohen». Për secilën nga dy pjesët duhen caktuar pleq të ndryshëm. Për të bërë këto biseda, nuk duhet pritur medoemos derisa të njoftohet një asamble ose kongres.
Zakonisht, të dyja pjesët mund të trajtohen në dy sesione që zgjatin rreth një orë secili, ndonëse nuk ka problem të zgjatin më shumë, nëse është e nevojshme. Çdo sesion duhet të fillojë e të mbarojë me lutje. As kandidati, as pleqtë, nuk duhet t’i shqyrtojnë pyetjet nxitimthi. Pleqtë e caktuar do t’i japin përparësi në programin e tyre shqyrtimit të këtyre pyetjeve.
Më e mira është që pyetjet të shqyrtohen me çdo kandidat më vete, jo me një grup kandidatësh. Ndërkohë që kandidati komenton për çdo pyetje, pleqtë do të kuptojnë më qartë sa mirë e kupton të vërtetën e Biblës dhe nuk do të kenë dyshime nëse është gati të pagëzohet. Gjithashtu, ai që ka kërkuar të pagëzohet, mund të shprehet më lirshëm në rrethana të tilla. Në qoftë se kandidatët janë burrë e grua, mund të shqyrtohen pyetjet me të dy bashkë.
Kur kandidati për pagëzim është motër, bisedat duhen bërë në mënyrë të tillë që të tjerët mund t’i shohin, por jo t’i dëgjojnë. Nëse nevojitet të jetë i pranishëm edhe dikush tjetër, ai duhet të jetë plak ose shërbëtor kongregacioni, në varësi të pjesës që do të shqyrtohet, siç tregon paragrafi tjetër.
Në kongregacionet ku ka shumë pak pleq, mund të përdoren shërbëtorë kongregacioni që kanë treguar gjykim të mirë dhe aftësi dalluese për të trajtuar pyetjet për pagëzim që gjenden te «Pjesa 1: Bindjet e krishtere». «Pjesa 2: Jeta e krishterë» duhet trajtuar vetëm nga pleqtë. Nëse kongregacioni nuk ka mjaft vëllezër të kualifikuar, mund të kontaktohet mbikëqyrësi qarkor për të parë nëse mund të ndihmojë ndonjë kongregacion i afërt.
Kur kandidati për pagëzim është i mitur, prindërit (ose prindi) Dëshmitarë duhet të jenë të pranishëm gjatë sesioneve. Nëse nuk mund të jenë të pranishëm, atëherë në çdo sesion duhet të jenë dy pleq (ose një plak dhe një shërbëtor kongregacioni, në varësi të pjesës që shqyrtohet).
Pleqtë do të sigurohen që personi që dëshiron të pagëzohet, t’i kuptojë në një masë të arsyeshme mësimet bazë të Biblës. Veç kësaj, ata do të sigurohen që e vlerëson thellë të vërtetën dhe tregon respektin e duhur për organizatën e Jehovait. Nëse ai nuk i kupton mësimet bazë të Biblës, pleqtë do të marrin masa që t’i jepet ndihmë personalisht për t’u kualifikuar për pagëzim më vonë. Të tjerë mund të kenë nevojë për më shumë kohë që të tregojnë se e kuptojnë rëndësinë e shërbimit dhe se u nënshtrohen masave organizative. Është përgjegjësia e pleqve për ta ndarë me maturi kohën prej rreth një ore që përdorin në çdo sesion, që të dallojnë plotësisht nëse personi është gati të pagëzohet. Edhe pse për disa pyetje mund të harxhohet më tepër kohë e për disa të tjera më pak, duhen shqyrtuar të gjitha pyetjet.
Pleqtë e caktuar për të trajtuar pyetjet, do të mblidhen pas sesionit të dytë që të vendosin nëse personi do të miratohet të pagëzohet. Ata do të marrin parasysh formimin, aftësitë dhe rrethanat e tjera për secilin person. Atyre u intereson të dinë nëse kandidati për pagëzim ka zhvilluar miqësi me Jehovain dhe i kupton të vërtetat themelore të Biblës. Me ndihmën tuaj të dashur, ata që pagëzohen do të jenë të përgatitur siç duhet për të kryer caktimin e rëndësishëm si shërbëtorë të lajmit të mirë.
Më pas, një ose të dy pleqtë e caktuar duhet të takohen me individin dhe ta informojnë nëse kualifikohet apo jo për pagëzim. Nëse kualifikohet, pleqtë duhet të shqyrtojnë me të pjesën «Bisedë përmbyllëse me kandidatët për pagëzim», në faqet 206-207. Nëse kandidati nuk e ka përfunduar ende studimin me librin Gëzoje jetën përgjithmonë, pleqtë do ta nxitin t’i përfundojë pas pagëzimit. Kandidati duhet informuar që data e tij e pagëzimit do të shkruhet te Raporti i lajmëtarit të kongregacionit që mban emrin e tij. I duhet kujtuar se pleqtë i mbledhin këto të dhëna personale me qëllim që organizata të vazhdojë të kujdeset për aktivitetet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën dhe që ai të marrë pjesë në aktivitete teokratike e të ketë mbështetjen e pleqve. Veç kësaj, pleqtë mund t’u kujtojnë lajmëtarëve të rinj se çdo e dhënë personale administrohet sipas Politikës globale për mbrojtjen e të dhënave e Dëshmitarëve të Jehovait, që gjendet në jw.org. Në përgjithësi, kjo bisedë nuk duhet të zgjatë më shumë se dhjetë minuta.
Një vit pas pagëzimit, dy pleq duhet të takohen me lajmëtarin për t’i dhënë inkurajim dhe sugjerime të dobishme. Njëri nga pleqtë duhet të jetë mbikëqyrësi i grupit të tij. Nëse lajmëtari është i mitur, duhet të jenë të pranishëm prindërit (ose prindi) Dëshmitarë. Ky takim duhet të jetë shumë i përzemërt dhe inkurajues. Pleqtë do të flasin për përparimin e tij dhe do t’i japin sugjerime praktike se si të vazhdojë të ketë një program të mirë për studimin personal dhe leximin e përditshëm të Biblës, adhurimin e përjavshëm familjar, ndjekjen dhe pjesëmarrjen e rregullt në mbledhje, si edhe për shërbimin çdo javë. (Efes. 5:15, 16) Nëse ai nuk e ka mbaruar studimin e librit Gëzoje jetën përgjithmonë, pleqtë duhet të marrin masa që dikush të studiojë me të. Pleqtë duhet të japin me bujari lavdërime të dashura. Zakonisht mjaftojnë këshilla dhe sugjerime për një ose dy pika.