KAPITULLI 13
«Gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë»
SI SHËRBËTORË të kushtuar të Perëndisë, kemi detyrimin të pasqyrojmë lavdinë e Jehovait në gjithçka që themi e që bëjmë. Apostulli Pavël na dha një parim që duhet të na drejtojë: «Nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.» (1 Kor. 10:31) Kjo përfshin të mbajmë standardet e drejta të Jehovait, të cilat pasqyrojnë personalitetin e tij të përsosur. (Kolos. 3:10) Duhet të bëhemi imitues të Perëndisë, si popull i shenjtë.—Efes. 5:1, 2.
2 Duke ua drejtuar vëmendjen të krishterëve te kjo, apostulli Pjetër shkroi: «Si fëmijë të bindur, mjaft u brumosët nga dëshirat e mëparshme kur ishit në padije, por si i Shenjti që ju thirri, bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: ‘Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!’» (1 Pjet. 1:14-16) Ashtu si në Izraelin e lashtë, të gjithëve në kongregacionin e krishterë u kërkohet të jenë gjithnjë të shenjtë. Kjo do të thotë se duhet të mbeten të panjollë, të pastër nga ndotja e mëkatit dhe nga gjërat e botës. Në këtë mënyrë, janë të ndarë për shërbim të shenjtë.—Eks. 20:5.
3 E ruajmë shenjtërinë duke u qëndruar besnikë ligjeve dhe parimeve të Jehovait, të cilat paraqiten qartë në Shkrimet e Shenjta. (2 Tim. 3:16) Falë studimit të Biblës, mësuam për Jehovain e për rrugët e tij dhe jemi tërhequr drejt tij. Studimi na bindi se kemi nevojë të kërkojmë së pari Mbretërinë e Perëndisë e të kemi synim kryesor në jetë të bëjmë vullnetin e tij. (Mat. 6:33; Rom. 12:2) Kjo kërkoi që të vishnim personalitetin e ri.—Efes. 4:22-24.
ADHURIM DHE MORAL I PASTËR
4 Nuk është gjithmonë e lehtë t’u përmbahemi standardeve të drejta të Jehovait. Kundërshtari ynë, Satana Djalli, përpiqet të na largojë nga e vërteta. Ndikimet e liga të botës dhe prirjet tona mëkatare, disa herë na i vështirësojnë gjërat. Që të jetojmë në lartësinë e kushtimit, na duhet të luftojmë. Siç thonë Shkrimet, nuk duhet të na vijë çudi kur hasim kundërshtime ose sprova. Do të na duhet të vuajmë për hir të drejtësisë. (2 Tim. 3:12) Mund të jemi të lumtur ndërsa kalojmë sprova, duke ditur se ato provojnë që po bëjmë vullnetin e Perëndisë.—1 Pjet. 3:14-16; 4:12, 14-16.
5 Edhe pse i përsosur, Jezui mësoi bindjen nga gjërat që vuajti. Në asnjë rast nuk iu dorëzua tundimeve të Satanait dhe nuk zhvilloi ambiciet e botës. (Mat. 4:1-11; Gjoni 6:15) As edhe një herë të vetme nuk e çoi nëpër mend të bënte kompromis. Edhe pse bota e urreu për shkak të besnikërisë, ai iu përmbajt standardeve të drejta të Jehovait. Pak para se të vdiste, Jezui i paralajmëroi dishepujt se bota do t’i urrente edhe ata. Që prej asaj kohe e më tej, dishepujt e Jezuit kanë përjetuar shtrëngime, por kanë marrë zemër duke ditur se Biri i Perëndisë e mundi botën.—Gjoni 15:19; 16:33; 17:16.
6 Që të mos jemi pjesë e botës, kemi nevojë të mbajmë standardet e drejta të Jehovait, siç bëri Zotëria ynë. Jo vetëm të mos përfshihemi në çështjet politike dhe shoqërore të botës, por edhe duhet t’i kundërvihemi ndikimit degjenerues moral të saj. E marrim seriozisht këshillën që gjejmë te Jakovi 1:21: «Flakni tej çdo fëlliqësi dhe gjurmë ligësie, dhe me butësi pranoni që në zemrat tuaja të rrënjoset fjala e Perëndisë, e cila është në gjendje t’ju shpëtojë.» Nëpërmjet studimit dhe pranisë në mbledhje mund të na «rrënjoset fjala» e së vërtetës në mendje e në zemër dhe as do të fillojmë të dëshirojmë atë që na ofron bota. Dishepulli Jakov shkroi: «A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Prandaj, kush dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë.» (Jak. 4:4) Ja pse Bibla na paralajmëron fuqimisht që të mbajmë standardet e drejta të Jehovait e të qëndrojmë të ndarë nga bota.
7 Fjala e Perëndisë na paralajmëron të mos përfshihemi në sjellje të turpshme dhe imorale. Ajo na thotë: «Imoraliteti seksual e çdo lloj ndyrësie a lakmie as të mos përmenden ndër ju, ashtu siç u ka hije të shenjtëve.» (Efes. 5:3) Prandaj, nuk duhet të bluajmë në mendje gjëra të ndyra, të turpshme ose të ulëta dhe patjetër që nuk do t’i lejojmë gjëra të tilla të futen pa u ndier në bisedat tona. Kështu, japim prova se duam të mbajmë standardet e pastra e të drejta të Jehovait për moralin.
FIZIKISHT TË PASTËR
8 Përveç adhurimit dhe moralit të pastër, të krishterët kuptojnë se është e rëndësishme të jenë edhe fizikisht të pastër. Perëndia i shenjtë kërkoi që Izraeli i lashtë ta mbante pastër kampin. Edhe ne duhet të jemi të pastër që Jehovai «të mos shohë asgjë të pahijshme» te ne.—Ligj. 23:14.
9 Në Bibël, shenjtëria dhe pastërtia fizike janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Për shembull, Pavli shkroi: «Të dashur, . . . le të pastrohemi nga çdo gjë që ndot trupin e mendjen, që të arrijmë shenjtëri të përsosur ndërsa nderojmë thellësisht Perëndinë.» (2 Kor. 7:1) Pra, burrat dhe gratë e krishtere duhet të përpiqen fort ta mbajnë të pastër trupin duke u larë rregullisht e duke larë rrobat. Ndonëse kushtet ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, në përgjithësi mund të gjejmë mjaft ujë e sapun për ta mbajtur trupin të pastër dhe të kujdesemi që fëmijët tanë të jenë të pastër.
10 Ngaqë u flasim të tjerëve për lajmin e mirë, zakonisht na njohin mirë në zonën ku jetojmë. Mbajtja pastër dhe në rregull e shtëpisë, brenda dhe jashtë, është në vetvete dëshmi për fqinjët. Për këtë mund të bashkëpunojë e gjithë familja. Vëllezërit duhet të interesohen veçanërisht për shtëpinë dhe për mjedisin përreth, sepse një oborr i rregullt dhe shtëpi e mirëmbajtur lënë përshtypje të mirë. Kur veprojnë kështu dhe kur marrin drejtimin në çështjet që lidhen me adhurimin e Jehovait, kryefamiljarët tregojnë se po e drejtojnë mirë familjen. (1 Tim. 3:4, 12) Edhe motrat kanë përgjegjësinë të kujdesen për punët, sidomos brenda shtëpisë. (Titit 2:4, 5) Fëmijët e stërvitur mirë bëjnë pjesën e tyre për të mbajtur të pastër e të rregullt veten dhe dhomën. Në këtë mënyrë, familja punon së bashku që të zhvillojë zakone të mira në lidhje me pastërtinë, të cilat do t’i duhen edhe në botën e re kur të qeverisë Mbretëria e Perëndisë.
11 Sot, shumë shërbëtorë të Jehovait përdorin makina për në mbledhje. Në disa zona, makina është bërë e domosdoshme për shërbimin. Ajo duhet mbajtur pastër dhe në gjendje të mirë. Shtëpitë dhe makinat duhet të japin dëshmi se jemi pjesë e popullit të pastër e të shenjtë të Jehovait. I njëjti parim vlen edhe për çantën e shërbimit dhe për Biblën.
12 Mënyra si vishemi dhe paraqitja e jashtme duhet të jetë në përputhje me parimet e Perëndisë. As që do ta mendonim të dilnim përpara ndonjë zyrtari të lartë të veshur në mënyrë të çrregullt ose tepër të shkujdesur! Aq më shumë duhet të interesohemi për këtë, kur përfaqësojmë Jehovain në shërbim ose në podium! Stili i veshjes dhe i paraqitjes së jashtme mund të ndikojë në pikëpamjen e të tjerëve për adhurimin e Jehovait. Sigurisht që do të ishte e papërshtatshme të tregonim mungesë modestie ose konsiderate për të tjerët. (Mik. 6:8; 1 Kor. 10:31-33; 1 Tim. 2:9, 10) Prandaj, kur përgatitemi për të dalë në shërbim ose për të vajtur në mbledhjet e kongregacionit, në asamble dhe në kongrese, duhet të mbajmë ndër mend ç’thonë Shkrimet për pastërtinë fizike dhe për paraqitjen modeste. Duam ta nderojmë e t’i japim lavdi Jehovait gjithmonë.
Si shërbëtorë të kushtuar të Perëndisë, kemi detyrimin të pasqyrojmë lavdinë e Jehovait në gjithçka që themi e që bëjmë
13 E njëjta gjë vlen edhe kur vizitojmë selinë botërore ose ndonjë zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Mos harro se emri Bethel do të thotë «Shtëpi e Perëndisë». Ndaj, duhet të vishemi dhe të sillemi siç do të bënim në mbledhje, në Sallën e Mbretërisë.
14 Edhe kur zbavitemi, duam t’i kushtojmë vëmendje mënyrës si vishemi dhe paraqitjes së jashtme. Mund të pyesim veten: «A do të ndihem në siklet për shkak të veshjes nëse jap dëshmi joformale?»
ÇLODHJA DHE ZBAVITJA E SHËNDETSHME
15 Është e nevojshme të çlodhemi dhe të zbavitemi që të jemi të ekuilibruar e të shëndetshëm. Një herë, Jezui i ftoi dishepujt që të shkonin në një vend të veçuar e ‘të pushonin pak’. (Mar. 6:31) Kur pushojmë, çlodhemi ose zbavitemi në mënyrë të shëndetshme, dalim nga rutina e përditshme. Ndihemi të përtërirë për të vazhduar përpara me punën.
16 Meqë sot ka shumë lloje zbavitjesh, të krishterët duhet të jenë përzgjedhës duke shfaqur mençuri hyjnore në gjërat që bëjnë. Edhe pse zbavitja ka vendin e vet, nuk është gjëja kryesore në jetë. Bibla na paralajmëron se në «ditët e fundit», njerëzit do të duan «kënaqësitë dhe jo Perëndinë». (2 Tim. 3:1, 4) Shumë lloje argëtimesh dhe zbavitjesh janë fare të papranueshme për ata që duan t’u përmbahen standardeve të drejta të Jehovait.
17 Të krishterëve të hershëm iu desh t’i rezistonin mjedisit të degjeneruar të botës së asaj kohe, që jepej pas kënaqësive. Në arenat romake, spektatorët zbaviteshin duke parë vuajtjet e të tjerëve. Dhuna, gjakderdhja dhe imoraliteti seksual shfaqeshin që të argëtohej popullata, por të krishterët e hershëm qëndruan larg këtyre gjërave. Sot në botë, një pjesë e madhe e zbavitjes karakterizohet nga elemente të ngjashme dhe plotëson dëshirat e degjeneruara njerëzore. Duhet ‘të bëjmë shumë kujdes’ për mënyrën si ecim, duke u larguar nga zbavitjet degraduese. (Efes. 5:15, 16; Psal. 11:5) Madje, edhe nëse ndonjë lloj zbavitjeje në vetvete mund të mos jetë e gabuar, atmosfera e përgjithshme mund të jetë e papranueshme.—1 Pjet. 4:1-4.
18 Gjithsesi, ka edhe zbavitje të shëndetshme me të cilat të krishterët mund të kënaqen. Shumë kanë nxjerrë dobi duke ndjekur këshillat e Biblës dhe sugjerimet e ekuilibruara që gjenden në botimet tona.
19 Nganjëherë mund të ftohen disa familje në një shtëpi për të gëzuar shoqërinë e krishterë. Ose vëllezërit e motrat mund të ftohen për një dasmë a rast të ngjashëm. (Gjoni 2:2) Organizatorët duhet të ndihen përgjegjës për atë që ndodh. Kuptohet, kur grupet janë të mëdha, është e nevojshme të tregohet kujdes. Atmosfera e çlirët që ekziston në këto grumbullime, i ka bërë disa të shkojnë përtej kufijve të sjelljes së duhur të krishterë, duke ngrënë e duke pirë me tepri, e madje duke u përfshirë në keqbërje të rënda të tjera. Duke pasur parasysh këtë, të krishterët me aftësi dalluese e kanë parë të udhës të kufizojnë madhësinë dhe kohëzgjatjen e këtyre grumbullimeve. Nëse shërbehen pije alkoolike, duhen përdorur me maturi. (Filip. 4:5) Nëse bëhen të gjitha këto përpjekje për t’u siguruar që grumbullimet të jenë të shëndetshme dhe të na përtërijnë besimin, ushqimi dhe pija nuk do të jenë gjërat më të rëndësishme.
20 Mikpritja është një gjë e shkëlqyer. (1 Pjet. 4:9) Kur ftojmë të krishterë të tjerë në shtëpi për të ngrënë, për t’u argëtuar, për t’u çlodhur e për të ndenjur bashkë, duam të mbajmë në mendje ata që kanë rrethana të vështira. (Luka 14:12-14) Në qoftë se jemi të ftuar në raste të tilla, sjellja jonë duhet të jetë në përputhje me këshillën e Markut 12:31. Është gjithnjë e përshtatshme të tregojmë vlerësim për mirësinë e të tjerëve.
21 Të krishterët kënaqen shumë me dhuratat që Perëndia u ka dhënë me bujari. Gjithashtu gëzojnë kur dinë se mund ‘të hanë, të pinë e të kënaqen për gjithë mundin e tyre’. (Ekl. 3:12, 13) Nëse bëjmë «gjithçka . . . për lavdi të Perëndisë», qofshim organizatorë ose të ftuar, do të kënaqemi kur të kujtojmë se, grumbullimet shoqërore na kanë përtërirë për të vazhduar në shërbim të Jehovait.
AKTIVITETET SHKOLLORE
22 Fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait nxjerrin dobi nga arsimimi bazë. Ndërsa ndjekin shkollën, synojnë të mësojnë mirë lexim dhe shkrim. Edhe lëndët e tjera që mësohen në shkollë mund të jenë të vlefshme për të rinjtë, ndërkohë që ndjekin synime teokratike. Gjatë viteve të shkollës do të bëjnë përpjekje të zellshme ‘për të kujtuar Krijuesin e tyre të Madh’, duke vënë në vend të parë Mbretërinë.—Ekl. 12:1.
23 Nëse je i ri i krishterë dhe je në shkollë, bëj kujdes që të mos shoqërohesh me të rinjtë e botës pa qenë nevoja. (2 Tim. 3:1, 2) Meqë Jehovai ka siguruar mbrojtjen e nevojshme, ka shumë gjëra që mund të bësh për të sprapsur ndikimet e botës. (Psal. 23:4; 91:1, 2) Që të mbrohesh, përfito nga masat që ka siguruar Jehovai.—Psal. 23:5.
24 Për të qëndruar të ndarë nga bota ndërsa ndjekin shkollën, shumë të rinj Dëshmitarë zgjedhin të mos marrin pjesë në aktivitetet jashtëshkollore. Shokët e klasës dhe mësuesit mund të mos e kuptojnë këtë. Por ajo që ka rëndësi është t’i pëlqesh Perëndisë. Kjo do të thotë se do ta përdorësh ndërgjegjen tënde të stërvitur nga Bibla dhe do të jesh i vendosur për të mos marrë pjesë në veprimtari nacionaliste ose që nxitin frymën e konkurrencës të kësaj bote. (Gal. 5:19, 26) Duke ndjekur këshillat nga Shkrimet që të japin prindërit e krishterë dhe duke përfituar nga shoqëria e mirë në kongregacion, ju të rinj mund t’i mbani standardet e drejta të Jehovait.
PUNA DHE KOLEGËT
25 Sipas Shkrimeve, kryefamiljarët kanë detyrimin të sigurojnë gjërat e nevojshme për familjen. (1 Tim. 5:8) Gjithsesi, si shërbëtorë të Perëndisë, e dinë se puna është dytësore në krahasim me interesat e Mbretërisë. (Mat. 6:33; Rom. 11:13) Duke vënë në praktikë përkushtimin ndaj Perëndisë dhe duke u kënaqur me ushqimin dhe veshjen, shmangin ankthet dhe kurthet e jetës materialiste.—1 Tim. 6:6-10.
26 Të gjithë të krishterët e kushtuar që punojnë në botë, duhet të mbajnë në mendje parimet e Biblës. T’i sigurojmë me ndershmëri gjërat e nevojshme do të thotë se nuk pranojmë të përfshihemi në praktika që shkelin ligjin e Perëndisë ose të vendit ku jetojmë. (Rom. 13: 1, 2; 1 Kor. 6:9, 10) Mbajmë parasysh rreziqet e shoqërive të këqija. Si ushtarë të Krishtit nuk përzihemi me sipërmarrje tregtare që shkelin standardet e Perëndisë, nuk bëjmë kompromis me asnjanësinë tonë të krishterë dhe as vëmë në rrezik marrëdhënien tonë me Jehovain. (Isa. 2:4; 2 Tim. 2:4) Dhe nuk kemi lidhje me armiken fetare të Perëndisë, ‘Babiloninë e Madhe’.—Zbul. 18:2, 4; 2 Kor. 6:14-17.
27 Po t’u përmbahemi standardeve të drejta të Perëndisë nuk do të përdorim rastet teokratike për interesa tregtare ose interesa të tjera personale. Në mbledhjet e krishtere, në asamble dhe në kongrese shoqërohemi me të tjerët vetëm për të adhuruar Jehovain. Po ushqehemi në tryezën e tij dhe po ‘inkurajojmë njëri-tjetrin’. (Rom. 1:11, 12; Hebr. 10:24, 25) Në këto raste duhet të përqendrohemi në adhurimin e Perëndisë.
TË JETOJMË NË UNITET ME TË KRISHTERËT E TJERË
28 Standardet e drejta të Jehovait kërkojnë edhe që populli i tij të ruajë «njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes». (Efes. 4:1-3) Në vend që të kërkojë të kënaqë veten, secili kërkon të bëjë atë që është e mirë ndaj të tjerëve. (1 Sel. 5:15) Pa dyshim, kjo është fryma që ke gjetur në kongregacionin tënd. Pavarësisht prejardhjes raciale, kombëtare, shoqërore, ekonomike ose arsimore, të gjithë drejtohemi nga të njëjtat standarde të drejta. Edhe ata që nuk janë Dëshmitarë, e kanë vërejtur këtë karakteristikë të jashtëzakonshme të popullit të Jehovait.—1 Pjet. 2:12.
29 Duke theksuar më tej bazën për unitet, Pavli shkroi: «Ka një trup të vetëm dhe një frymë të vetme, ashtu siç ka një shpresë të vetme në të cilën u thirrët. Ka një Zotëri të vetëm, një besim të vetëm, një pagëzim të vetëm dhe një Perëndi e Atë të vetëm të të gjithëve, i cili është mbi të gjithë, për të gjithë dhe në të gjithë.» (Efes. 4:4-6) Kjo nxit të jemi në unitet në doktrinat themelore të Biblës, si dhe në mësimet më të thella të saj, duke treguar se e pranojmë sovranitetin e Jehovait. Vërtet, Jehovai u ka dhënë shërbëtorëve të tij gjuhën e kulluar të së vërtetës, falë së cilës shërbejnë së bashku krah për krah.—Sof. 3:9.
30 Uniteti dhe paqja e kongregacionit të krishterë janë burim freskimi për të gjithë adhuruesit e Jehovait. Kemi përjetuar përmbushjen e premtimit të Jehovait: «Do t’i mbledh në unitet, si delet në vathë.» (Mik. 2:12) Duam ta ruajmë këtë unitet ku mbizotëron paqja, duke mbajtur gjithmonë standardet e drejta të Jehovait.
31 Sa të lumtur janë ata që Jehovai i ka pranuar në kongregacionin e tij të pastër! Ia vlen çdo lloj sakrifice, që të thirremi me emrin e Jehovait. Ndërsa forcojmë marrëdhënien tonë të çmuar me Jehovain, do të përpiqemi me zell t’u përmbahemi standardeve të tij të drejta dhe t’ua rekomandojmë të tjerëve.—2 Kor. 3:18.