KAPITULLI 6
Fëmija i premtuar
JEZUIN E RRETHPRESIN DHE MË VONË E ÇOJNË NË TEMPULL
Në vend që të kthehen në Nazaret, Jozefi dhe Maria qëndrojnë në Betlehem. Siç e kërkon ligji që Perëndia i dha Izraelit, Jezuin e rrethpresin kur është tetëditësh. (Levitiku 12:2, 3) Gjithashtu, është zakon që atë ditë fëmijës mashkull t’i vihet emri. Ata e quajnë djalin Jezu, tamam siç i udhëzoi engjëlli Gabriel.
Kalon më shumë se një muaj, dhe tani Jezui është 40-ditësh. Prindërit e çojnë në tempull, në Jerusalem, që është vetëm pak kilometra larg nga vendi ku po qëndrojnë. Në Ligj thuhet se, 40 ditë pasi lind një djalë, nëna duhet të paraqesë në tempull një blatim për t’u pastruar.—Levitiku 12:4-8.
Maria bën pikërisht kështu dhe çon si blatim dy zogj. Kjo na jep një ide të gjendjes ekonomike të Jozefit dhe Marisë. Sipas Ligjit duhej të ofrohej një qengj dhe një zog. Por, nëse nëna nuk kishte mundësi ekonomike të sillte një qengj, atëherë do të mjaftonin dy turtuj ose dy pëllumba. Ja pse Maria ofron dy zogj.
Në tempull, Jozefit dhe Marisë i afrohet një burrë i moshuar me emrin Simeon. Jehovai i ka zbuluar se, para se të vdesë, ai do të shohë Krishtin, ose Mesinë e premtuar. Këtë ditë, i drejtuar nga fryma e shenjtë, Simeoni shkon në tempull dhe takon aty Jozefin dhe Marinë bashkë me djalin.
Simeoni e merr në krahë Jezuin dhe falënderon Perëndinë me fjalët: “Tani, o Zotëri Sovran, lëre skllavin tënd të prehet në paqe, ashtu si the, sepse sytë e mi e panë mjetin nëpërmjet të cilit do të sjellësh shpëtimin, dhe tani të gjithë popujt mund ta shohin atë që ti ke siguruar. Ai është drita që do t’u heqë velin kombeve, po, lavdia e popullit tënd, Izraelit.»—Luka 2:29-32.
Jozefi dhe Maria mrekullohen kur dëgjojnë këto fjalë. Simeoni i bekon, dhe i thotë Marisë se «për shkak të këtij fëmije, shumë veta në Izrael ose do të bien poshtë, ose do të ngrihen lart» dhe se dhimbja do t’ia shpojë shpirtin si një shpatë e mprehtë.—Luka 2:34.
Këtë ditë aty ndodhet edhe dikush tjetër. Është Ana, një profeteshë 84-vjeçare, që s’mungon kurrë në tempull. Ajo i afrohet Jozefit, Marisë dhe Jezuit të vogël e nis të falënderojë Perëndinë dhe t’u flasë për Jezuin të gjithëve që janë aty.
Mund ta imagjinosh sa lumturohen Jozefi dhe Maria nga gjërat që ndodhën në tempull. S’ka dyshim se gjithçka vërteton se djali i tyre është Mesia i premtuar nga Perëndia.