Kapitulli pesëmbëdhjetë
«Nuk mund të hesht»
1. Pse nuk heshtën Jeremia dhe profetët e tjerë të Jehovait?
«DËGJONI fjalën e Jehovait!» Këto fjalë jehuan nëpër rrugët dhe sheshet e Jerusalemit duke filluar që nga viti 647 p.e.s. Profeti i Perëndisë nuk e uli ritmin. Edhe kur qyteti u shkatërrua, 40 vjet më vonë, e përsëriti këtë thirrje. (Jer. 2:4; 42:15) Perëndia i Plotfuqishëm dërgoi profetë për t’u siguruar që judenjtë ta dëgjonin këshillën e tij dhe të pendoheshin. Siç u tregua më parë në këtë botim, Jeremia spikaste ndër këta zëdhënës të Perëndisë. Kur e caktoi si profet, Perëndia i tha: «Çohu e u thuaj atyre gjithçka që unë do të të urdhëroj. Mos u tmerro nga ata.» (Jer. 1:17) Vepra e Jeremisë ishte e vështirë. Ai vuajti fizikisht dhe emocionalisht, por, pavarësisht nga këto sprova, u ndie i shtyrë ta përmbushte caktimin e tij. Jeremia tha: «Zemra ime është e trazuar. Nuk mund të hesht.»—Jer. 4:19.
2, 3. (a) Si e imituan Jereminë dishepujt e Jezuit? (b) Pse duhet të ndjekësh shembullin e Jeremisë?
2 Me mënyrën si e përmbushi caktimin e tij si profet, Jeremia la shembullin për shërbëtorët e ardhshëm të Jehovait. (Jak. 5:10) Pak pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., autoritetet judaike arrestuan apostujt Pjetër e Gjon dhe i urdhëruan të mos predikonin më. Me siguri e ke lexuar përgjigjen e tyre. Ata thanë: «Nuk pushojmë dot së foluri për ato që kemi parë e dëgjuar.» (Vep. 4:19, 20) Pasi i kërcënuan se herën tjetër do ta pësonin më keq, autoritetet i liruan Pjetrin dhe Gjonin. Ti e di ç’ndodhi më tej. Këta burra besnikë nuk donin dhe nuk pushuan së predikuari.
3 Arrin ta dallosh si i bëjnë jehonë zellit të Jeremisë fjalët e Pjetrit dhe Gjonit, të dokumentuara te Veprat 4:20? Si shërbëtor i Perëndisë Jehova në këto ditë të fundit vendimtare, me siguri edhe ti je po kaq i vendosur dhe mendon: «Nuk mund të hesht.» Le të shohim si të kemi edhe ne një forcë si ajo që kishte Jeremia, që të vazhdojmë të predikojmë lajmin e mirë, ndonëse kushtet përreth nesh keqësohen gjithnjë e më tepër.
VAZHDO PAVARËSISHT NGA APATIA
4. Cili qëndrim ishte i përhapur në Jerusalemin e lashtë?
4 Patjetër, ti je i sigurt se premtimi i Perëndisë për një të ardhme të mrekullueshme nën sundimin e Birit të tij, është lajmi më i mirë që njerëzit mund të dëgjojnë. Megjithatë, sot shumë veta shprehen siç iu shprehën Jeremisë disa judenj: «Nuk do ta dëgjojmë fjalën që na the në emër të Jehovait.» (Jer. 29:19; 44:16) Jeremia dëgjonte shpesh pikëpamje të tilla. Edhe shërbëtorët e sotëm të Jehovait i dëgjojnë, pasi shumë njerëz thonë: «Nuk më intereson.» Apatia e përhapur gjithandej mund t’ua ftohë zellin lajmëtarëve të Mbretërisë. Ç’mund të bëhet nëse shumë në territorin tënd janë apatikë dhe kjo ua ka ulur zellin disave në kongregacion ose edhe ty vetë?
5. (a) Si reagoi Jeremia ndaj apatisë së njerëzve? (b) Pse janë në rrezik të madh ata që janë apatikë ndaj lajmit të mirë?
5 Shqyrto ç’pikëpamje zhvilloi Jeremia për popullin e Judës, që në përgjithësi ishte apatik. Në hapat e parë të Jeremisë si profet, Jehovai i dha një pamje paraprake të gjykimit hyjnor që do të vinte. (Lexo Jereminë 4:23-26.) Kështu, profeti kuptoi se po të dëgjonin fjalët që do të thoshte ai dhe të vepronin sipas tyre, mijëra veta do të shpëtonin. Sot njerëzit janë në një situatë të ngjashme, edhe ata në territorin tënd. Për ‘atë ditë’ të gjykimit të Perëndisë ndaj botës së sotme të ligë, Jezui tha: «Ajo do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në mbarë sipërfaqen e tokës. Rrini zgjuar dhe bëni përgjërime gjithë kohën, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që do të ndodhin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.» (Luka 21:34-36) Nga fjalët e Jezuit, dalim në përfundimin se ata që s’e pranojnë lajmin e mirë, janë në rrezik të madh.
6. Pse duhet të vazhdosh t’u predikosh edhe atyre që nuk tregojnë shumë interes për mesazhin?
6 Megjithatë, ata që çlirohen nga indiferenca dhe dëgjojnë e i përgjigjen fjalës së Jehovait që u përcjellim, do të nxjerrin dobi të pallogaritshme. Perëndia po na hap rrugën që t’i shpëtojmë shkatërrimit dhe të hyjmë në botën e tij të re. Në disa aspekte, e njëjta gjë mund të thuhet për shërbimin e Jeremisë. Banorët e Judës mund të shpëtonin. (Lexo Jereminë 26:2, 3.) Për t’i ndihmuar, Jeremia kaloi dekada duke i nxitur ‘të dëgjonin e të ktheheshin’, t’ia vinin veshin fjalës së Perëndisë së vërtetë. Nuk e dimë sa u penduan dhe ndryshuan jetën falë dëshmisë që dha profeti. Por disa e bënë këtë e po njësoj kanë bërë shumë veta në kohën tonë. Ndërsa vazhdojmë të predikojmë lajmin e mirë, shpesh dëgjojmë për raste kur zemra e disave që më parë s’ishin të interesuar, është zbutur. (Shih kutinë «Apatia mund të kthehet në interes», në faqen 184.) A nuk është kjo një arsye më tepër që të qëndrojmë aktivë në shërbimin jetëshpëtues të lajmit të mirë?
Pse je i vendosur ta predikosh lajmin e mirë pavarësisht nga apatia që ndesh?
KUNDËRSHTARËT S’NA DËMTOJNË DOT PËRGJITHMONË
7. Si u përpoqën armiqtë ta rrënonin veprën profetike të Jeremisë?
7 Diçka që vlen të përmendet nga shërbimi i Jeremisë është sa shpesh u përpoqën kundërshtarët ta rrënonin atë dhe veprën e tij. Profetët e rremë e kundërshtuan në publik. (Jer. 14:13-16) Ndërsa Jeremia ecte nëpër rrugët e Jerusalemit, kalimtarët e shanin dhe e tallnin. (Jer. 15:10) Disa armiq kurdisën mënyra të tjera për ta diskredituar. (Jer. 18:18) Të tjerë çuçuritnin pa pushim, me qëllim që t’i largonin njerëzit me zemër të sinqertë nga të vërtetat hyjnore që predikonte Jeremia. (Vajt. 3:61, 62) A u dorëzua ai? Përkundrazi, vazhdoi të predikonte. Si ia arriti?
8. Si reagoi Jeremia ndaj kundërshtarëve që i shtuan përpjekjet kundër tij?
8 Arma kryesore me të cilën Jeremia luftonte kundërshtimin, ishte besimi te Jehovai. Në fillim të shërbimit të tij, Perëndia i tha se do ta mbështeste e do ta mbronte. (Lexo Jereminë 1:18, 19.) Jeremia pati besim tek ai premtim dhe Jehovai nuk e la në baltë. Ndërsa kundërshtarët i bënin presion dhe provonin metoda më ekstreme, ai bëhej më i guximshëm, më trim e më i qëndrueshëm. Shiko se si e ndihmuan këto cilësi.
9, 10. Cilat ngjarje të jetës së Jeremisë duhet të të nxitin të jesh i guximshëm?
9 Në një rast, priftërinjtë dhe profetët rebelë e çuan Jereminë para princave të Judës që ta dënonin me vdekje. A e frikësuan Jereminë kërcënimet e tyre aq sa të sprapsej? Jo. Përgjigjja e tij i rrëzoi me kaq mjeshtëri akuzat e atyre apostatëve, saqë iu kursye jeta.—Lexo Jereminë 26:11-16; Luka 21:12-15.
10 Sill ndër mend se, pasi e dëgjoi mesazhin e fuqishëm të profetit, një zyrtar i tempullit me emrin Pashkur e vuri në fallaka. Pashkuri duhet të ketë menduar se kjo do t’i jepte një mësim Jeremisë, që ta mbyllte gojën. Prandaj, të nesërmen, e la të lirë. Por, edhe pse kishte shumë dhembje nga tortura që sapo kishte kaluar, Jeremia i foli drejtpërdrejt Pashkurit dhe i shpalli gjykimin e Jehovait kundër tij. As torturat nuk ia mbyllnin dot gojën Jeremisë! (Jer. 20:1-6) Përse jo? Vetë Jeremia na thotë: «Jehovai ishte me mua si një i fuqishëm dhe i tmerrshëm. Ja pse ata që më përndjekin, do të pengohen dhe nuk do të ngadhënjejnë.» (Jer. 20:11) Jeremia nuk u step as para kundërshtarëve të egër. Besimi i tij te Jehovai ishte i rrënjosur fort, e po njësoj mund të jetë edhe i yti.
11, 12. (a) Si tregoi gjykim të shëndoshë Jeremia kur e kundërshtoi Hananiahu? (b) Ç’dobi mund të nxjerrësh ‘duke e frenuar veten kur je nën të ligën’?
11 Është mirë të mbajmë në mend se Jeremia nuk ishte fanatik. Ai përdorte gjykim të shëndoshë kur përballej me kundërshtarët. Dinte kur të tërhiqej. Për shembull, shqyrto përvojën që pati me Hananiahun. Pasi ky profet i rremë kundërshtoi në publik fjalën profetike të Jehovait, Jeremia e korrigjoi dhe shpjegoi nga se dallohej një profet i vërtetë. Jeremia kishte pasur në qafë një zgjedhë druri për të shpjeguar se duhej të hynin nën zgjedhën e Babilonisë. Hananiahu u bë i dhunshëm dhe e theu zgjedhën. Kushedi ç’do të bënte më tej?! Prandaj, çfarë bëri Jeremia? Lexojmë: «Profeti Jeremia iku.» Po, u largua nga ajo situatë. Më vonë, sipas drejtimit hyjnor, u kthye dhe i tha Hananiahut ç’do të sillte Jehovai: për judenjtë skllavërinë ndaj mbretit të Babilonisë dhe për Hananiahun vdekjen.—Jer. 28:1-17.
12 Nga ky tregim i frymëzuar del qartë se kur predikojmë, duhet ta ekuilibrojmë guximin me gjykimin e shëndoshë. Nëse dikush në një derë nuk e pranon arsyetimin biblik dhe i hipën zemërimi, madje duket se do të bëhet i dhunshëm, me mirësjellje largohemi dhe vazhdojmë te një derë tjetër. S’është nevoja të bëjmë debate të zjarrta me askënd për lajmin e mirë për Mbretërinë. Nëse ‘e frenojmë veten kur jemi nën të ligën’, do ta lëmë të hapur rrugën për ta ndihmuar të zotin e shtëpisë në ndonjë kohë më të favorshme.—Lexo 2 Timoteut 2:23-25; Prov. 17:14.
Pse është kaq i rëndësishëm besimi te Jehovai kur predikojmë lajmin e mirë? Pse duhet ta ekuilibrojmë guximin me gjykimin e shëndoshë?
«MOS KI FRIKË!»
13. Pse Jehovai i tha Jeremisë «mos ki frikë» dhe pse duhet ta shqyrtojmë këtë?
13 Adhuruesit e vërtetë nuk ishin të imunizuar nga kushtet e tmerrshme që mbizotëronin para se të shkatërrohej Jerusalemi në vitin 607 p.e.s. Prandaj, mund ta kuptosh pse Jehovai i tha Jeremisë: «Mos ki frikë!» (Jer. 1:8; Vajt. 3:57) Madje, e nxiti t’u thoshte të njëjtat fjalë inkurajuese edhe shërbëtorëve të Tij të tjerë. (Lexo Jereminë 46:27.) Çfarë kuptojmë nga kjo? Në këtë kohë të fundit të rrezikshme, mund të na ndodhë ndonjëherë të kemi frikë. A do ta dëgjojmë Jehovain në këto raste tek na thotë: «Mos ki frikë!» Më parë në këtë botim, shqyrtuam si e mbështeti Perëndia Jereminë gjatë asaj kohe vërtet të frikshme. Le të rishikojmë shkurtimisht çfarë ndodhi, që të kuptojmë ç’mësim mund të nxjerrim.
14, 15. (a) Në ç’situatë të rrezikshme u gjend Jeremia? (b) Si e përmbushi Jehovai premtimin se do ta mbronte Jereminë?
14 Ndërsa babilonasit e ngushtonin rrethimin e Jerusalemit, banorët e tij i mbërtheu uria. S’kaloi shumë dhe mbetën pa ushqim. (Jer. 37:21) Sikur të mos mjaftonte zia e bukës, Jereminë e kishin ngujuar në një vend që mund të bëhej varri i tij. Princat e Judës i kishin bërë presion mbretit Zedekia, një njeri me karakter të dobët, të pranonte që Jeremia të vritej. Pastaj e kishin hedhur Jereminë në një sternë të thellë, në të cilën nuk kishte ujë, por vetëm llucë. Ndërsa zhytej në llucë, Jeremia e ndiente se nga pikëpamja njerëzore s’kishte rrugëdalje. Po të ishe ti në atë situatë, a s’do të ndiheshe i frikësuar?—Jer. 38:4-6.
15 Ndonëse ishte vdekatar si ne, Jeremia kishte besim te fjala e Jehovait se nuk do ta braktiste kurrë. (Lexo Jereminë 15:20, 21.) A ia shpërbleu Jehovai këtë besim? Nga historia e dimë se po. Perëndia nxiti Ebed-Melekun të sfidonte princat dhe ta shpëtonte Jereminë. Me lejen e mbretit, Ebed-Meleku e nxori profetin nga sterna dhe e shpëtoi nga vdekja në atë gropë plot llucë.—Jer. 38:7-13.
16. Nga cilat rreziqe i shpëtoi Jehovai shërbëtorët e tij besnikë?
16 Edhe kur u gjend sërish në tokë të thatë, Jeremia nuk ishte ende jashtë rrezikut. Ebed-Meleku kishte ndërmjetësuar për Jereminë te mbreti dhe i kishte thënë: «Ai do të vdesë atje nga uria, sepse nuk ka më bukë në qytet.» (Jer. 38:9) Në Jerusalem kishte një mungesë ushqimi të atillë, sa njerëzit po ktheheshin në kanibalë. Megjithatë, Jehovai sërish ndërhyri dhe e shpëtoi profetin. Nga ana e tij, edhe Jeremia i dha garanci Ebed-Melekut se Jehovai do ta mbronte. (Jer. 39:16-18) Jeremia nuk e kishte harruar premtimin e Perëndisë: «Unë jam me ty për të të çliruar.» (Jer. 1:8) Duke qenë se Perëndia i Plotfuqishëm i mbronte, as armiqtë njerëzorë e as uria nuk do t’i mposhtnin këta dy burra besnikë. Ata i shpëtuan vdekjes në atë qytet të dënuar. Cili është thelbi? Jehovai premtoi se do t’i mbronte dhe e mbajti fjalën.—Jer. 40:1-4.
17. Pse duhet t’i besosh premtimit të Jehovait se do t’i mbrojë shërbëtorët e tij?
17 Plotësimi i profecisë së Jezuit për përfundimin e sistemit, po ecën në mënyrë të pandalshme drejt kulmit të vet. Në të ardhmen e afërt, do të ketë «shenja në diell, në hënë dhe në yje, kurse në tokë kombet do të jenë në ankth, sepse nuk do të dinë nga t’ia mbajnë. . . . Ndërkohë njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja e gjërave që do të ndodhin në tokën e banuar». (Luka 21:25, 26) Duhet të presim e të shohim ç’formë do të marrin këto shenja dhe ç’tmerr do të shkaktojnë te shumë veta. Por, pavarësisht çfarë ndodh, s’duhet të dyshosh kurrë tek aftësia dhe dëshira e Jehovait për ta shpëtuar popullin e tij. Kurse fundi i atyre që nuk kanë miratimin e tij do të jetë shumë i ndryshëm. (Lexo Jereminë 8:20; 14:9.) Jehovai mund t’i shpëtojë shërbëtorët e tij edhe sikur të duket se janë në një gjendje të pashpresë, si fundi plot llucë dhe i errët i një sterne. Fjalët që i tha Ebed-Melekut do të zbatohen për popullin e Tij: «Do të të siguroj shpëtim dhe nuk do të biesh nga shpata, por do të kesh si plaçkë shpirtin tënd, sepse pate besim tek unë,—thotë Jehovai.»—Jer. 39:18.
FJALË TË SHKRUARA PËR TY
18. (a) Cilat fjalë ia ndryshuan jetën Jeremisë? (b) Ç’domethënie ka për ty urdhri i Perëndisë te Jeremia 1:7?
18 «Do të shkosh te të gjithë ata ku do të të dërgoj, dhe do të thuash gjithçka që do të të urdhëroj.» (Jer. 1:7) Që nga çasti kur dëgjoi këtë urdhër të Perëndisë, jeta e Jeremisë ndryshoi përgjithmonë. Nga ajo kohë e më tej, meraku i tij kryesor ishte të shpallte ‘fjalën e Jehovait’. Kjo shprehje del herë pas here në librin e Jeremisë. Në kapitullin e fundit, ai tregon për pushtimin e Jerusalemit dhe mërgimin e mbretit të fundit, Zedekisë. Pra, Jeremia vazhdoi t’i mësonte banorët e Judës e t’u bënte thirrje t’i bindeshin Jehovait, derisa ngjarjet e bënë të qartë se vepra e tij kishte mbaruar.
19, 20. (a) Pse shërbimi i Jeremisë është një model për ty? (b) Si lidhet vepra e predikimit me gëzimin dhe ngazëllimin? (c) Si ka ndikuar te ti shqyrtimi i librave të Jeremisë dhe të Vajtimeve?
19 Ka shumë ngjashmëri mes caktimit të Jeremisë dhe shërbimit publik që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait sot. Ashtu si ai, ti po i shërben Perëndisë së vërtetë në një kohë gjykimi. Ke edhe përgjegjësi të tjera që të marrin njëfarë kohe dhe energjie, por predikimi i lajmit të mirë është patjetër vepra më domethënëse që mund të bësh në këtë sistem. Nëpërmjet saj lartëson emrin e madh të Perëndisë dhe pranon të drejtën dhe autoritetin e tij absolut si Sovrani Universal. (Lexo Vajtimet 5:19.) Gjithashtu, shfaq dashuri të madhe për të afërmin duke i ndihmuar të tjerët të njohin Perëndinë e vërtetë dhe kërkesat e tij për jetën.—Jer. 25:3-6.
20 Jeremia u shpreh kështu për veprën që i caktoi Jehovai: «Fjala jote është ngazëllimi dhe gëzimi i zemrës sime, sepse thirrem me emrin tënd, o Jehova, Perëndi i ushtrive.» (Jer. 15:16) Këtë gëzim e ngazëllim mund ta kenë sot të gjithë ata që zemra i shtyn të flasin për Perëndinë e vërtetë. Prandaj, ke arsye të fortë që të vazhdosh të shpallësh mesazhin e Jehovait, siç bëri Jeremia.
Si të ndihmojnë shembujt e Jeremisë dhe të Ebed-Melekut që të kesh guxim? Cilën cilësi të Jeremisë dëshiron të imitosh ndërsa predikon?