Kapitulli pesë
Çfarë miqsh do të zgjedhësh?
1, 2. (a) Çfarë sfidash hasin të krishterët lidhur me shoqëritë? (b) Pse duhet të na interesojë si i zgjodhi Jeremia miqtë e tij?
Ç’DO të bëje sikur disa kolegë, fqinj ose shokë shkolle të të ftonin në një festë për Krishtlindjet? Po sikur punëdhënësi të të kërkonte të gënjeje ose të bëje ndonjë gjë të paligjshme? Ose sikur autoritetet qeveritare të të kërkonin të merrje pjesë në aktivitete që cenojnë asnjanësinë e krishterë? Me siguri ndërgjegjja do të të thoshte të mos bëje asnjë nga këto gjëra, edhe sikur për shkak të kësaj të të tallnin ose të të keqtrajtonin.
2 Siç do të shohim, shpesh Jeremia u gjend para sfidave të ngjashme. Patjetër që mund të nxjerrësh dobi duke menduar për disa individë e grupe njerëzish me të cilët Jeremia pati të bënte gjatë viteve të shërbimit. Disa prej tyre u përpoqën ta pengonin të kryente caktimin e tij. Jeremisë i duhej të kishte ca lidhje me ta, por patjetër që nuk i kishte zgjedhur si miq. Megjithatë, mund të nxjerrësh dobi duke parë çfarë miqsh zgjodhi Jeremia, që e mbështetnin dhe e nxitnin të ishte i vendosur të qëndronte besnik. Mund të mësojmë shumë nga vendimet që mori Jeremia në lidhje me miqësitë.
ÇFARË MIQËSISH LIDH TI?
3. Çfarë kërkonte Zedekia nga Jeremia, dhe si u përgjigj ky?
3 Mbreti Zedekia u konsultua disa herë me Jereminë para shkatërrimit të Jerusalemit. Përse? Shpresonte të merrte përgjigje qetësuese për pyetjet e tij lidhur me të ardhmen e mbretërisë. Donte që Jeremia të shpallte se Perëndia do të ndërhynte për ta shpëtuar Judën nga armiqtë. Me anë të të dërguarve të tij, Zedekia iu lut Jeremisë: «Të lutemi, pyete Jehovain për ne, sepse Nabukodrezari, mbreti i Babilonisë, po lufton kundër nesh. Ndoshta Jehovai do të bëjë për ne një nga veprat e tij të mrekullueshme, dhe [Nabukodrezari] do të tërhiqet nga ne.» (Jer. 21:2) Mbreti nuk donte ta ndiqte drejtimin e Perëndisë e t’i dorëzohej Babilonisë. Një studiues e krahasoi Zedekinë me «një pacient i cili shkon herë pas here te mjeku që të heqë merakun, e megjithatë nuk i merr ilaçet që i jep ai». Ç’të themi për Jereminë? Me siguri, po t’i thoshte Zedekisë çka donte të dëgjonte, do të kishte fituar miratimin e tij. Atëherë, pse nuk e ndryshoi mesazhin dhe ta bënte më të lehtë jetën e vet? Nuk pranoi, sepse Jehovai i kishte thënë të shpallte se Jerusalemi do të binte.—Lexo Jereminë 32:1-5.
4. Ç’vendime duhet të marrim për miqësitë që mund të lidhim, për shembull në vendin e punës?
4 Në disa aspekte, situata jote është si ajo e Jeremisë. Pa dyshim, ke të bësh me fqinj, kolegë pune ose shokë shkolle që në njëfarë kuptimi janë shoqëri. Por, a do ta çosh lidhjen një hap më tej, duke zënë miqësi me ta, edhe pse kanë treguar se nuk u intereson të dëgjojnë ose të ndjekin drejtimin e Perëndisë? Jeremia s’e shmangte dot plotësisht Zedekinë. Ai vazhdonte të ishte mbreti, ndonëse nuk pranonte të ndiqte këshillën e Perëndisë. Megjithatë, Jeremia nuk ishte i detyruar të pranonte mendimet e shtrembëra të mbretit ose të përpiqej të fitonte miratimin e tij. Natyrisht, nëse do t’ia kishte plotësuar dëshirat mbretit Zedekia, ky do ta kishte mbuluar me dhurata e të mira të tjera. Por, Jeremia nuk pranoi t’i dorëzohej presionit ose tundimit për t’u miqësuar me Zedekinë. Pse jo? Sepse s’kishte ndër mend të ndryshonte qëndrimin që Jehovai i kishte thënë të mbante. Shembulli i Jeremisë duhet të na shtyjë të shqyrtojmë nëse ata që zgjedhim si miq, na nxitin t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë. Nuk mund të shmangësh çdo kontakt me njerëzit që nuk i shërbejnë Perëndisë, të cilët mund t’i kesh në punë, në shkollë ose në lagje. (1 Kor. 5:9, 10) Megjithatë, e kupton se po të zgjedhësh ata si miq, ka shumë të ngjarë të vësh në rrezik miqësinë që ke me Perëndinë.
A DUHET TË ZGJEDHËSH SI MIQ NJERËZ SKEPTIKË?
5, 6. Çfarë bënë disa për t’i mbyllur gojën Jeremisë?
5 Zedekia nuk ishte i vetmi që u përpoq të ndikonte negativisht te Jeremia. Një prift me emrin Pashkur «e goditi» Jereminë, ndoshta duke urdhëruar ta rrihnin me 39 të goditura. (Jer. 20:2; Ligj. 25:3) Edhe disa princa të Judës vepruan njësoj dhe e futën «në burg» Jereminë. Profetin e futën në një birucë me kushte kaq të këqija, sa pas shumë ditësh pati frikë se do të vdiste atje. (Lexo Jereminë 37:3, 15, 16.) Pastaj, pasi ishte lënë i lirë për pak kohë, princa të tjerë e nxitën Zedekinë ta vriste Jereminë. Sipas tyre, ai po demoralizonte trupat ushtarake të Judës. Si pasojë, profetin e hodhën në një sternë plot llucë, që të vdiste atje. (Jer. 38:1-4) Siç e ke lexuar, Jereminë e shpëtuan nga ajo vdekje e tmerrshme. Megjithatë, këto ngjarje ilustrojnë se, ndonëse nuk kishin asnjë justifikim për sjelljen e tyre, ata njerëz u bënë skeptikë ndaj asaj që kishte për të thënë profeti i Perëndisë dhe u kthyen kundër tij.
6 Jeremia nuk kishte armiq vetëm midis njerëzve me autoritet. Në një rast tjetër, disa burra nga vendlindja e tij, nga Anatothi, pra fqinjët e tij, e kërcënuan se do ta vritnin po të vazhdonte të profetizonte. (Jer. 11:21) Nuk u pëlqeu ajo që dëgjuan prej tij dhe e kërcënuan. Por Jeremia zgjodhi si mik Jehovain, jo fqinjët e vet. Bashkëkohës të tjerë të tij nuk u mjaftuan vetëm me fjalë. Kur Jeremia përdori një zgjedhë si ilustrim të gjallë që t’i nxiste judenjtë të viheshin nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë dhe të jetonin, Hananiahu ia hoqi nga qafa zgjedhën prej druri dhe e theu. Sipas atij profeti të rremë, Jehovai kishte thënë: «Unë do ta thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë.» Hananiahu vdiq po atë vit, dhe ti e di se cili profet doli i besueshëm. (Jer. 28:1-11, 17) Pasi Jerusalemi u shkatërrua siç kishte paralajmëruar Jeremia, Johanani dhe krerët e tjerë të ushtrisë nuk pranuan t’i bindeshin urdhrit të Perëndisë që të rrinin në vendin e Judës. I thanë Jeremisë: «Po thua një gënjeshtër. Jehovai, Perëndia ynë, nuk të ka dërguar për të na thënë: ‘Mos hyni në Egjipt për të banuar si të huaj.’» E sfiduan edhe më tej Jehovain duke marrë me vete në Egjipt edhe Jereminë e Barukun.—Jer. 42:1–43:7.
Me ç’lloj njerëzish duhej të përballej Jeremia? Ç’mëson nga shembulli i tij?
7. Çfarë sfide has ti kur bëhet fjalë për besnikërinë ndaj Jehovait?
7 Për vite me radhë, Jereminë e rrethonin njerëz skeptikë e kundërshtarë. Mendo pak për jetën e tij. Fare lehtë mund të ishte dorëzuar e të pranonte miqësinë me njerëz që s’kishin respekt për Perëndinë e për Fjalën e Tij. I kishte kudo rreth vetes. Ç’të themi për situatën tënde? Ndoshta ke pasur të bësh me njerëz si ata që kishte përreth Jeremia. Qoftë kur të kundërshtojnë ashpër ty dhe Perëndinë tënd, qoftë kur duken mjaft të këndshëm, a do t’i zgjedhësh si miq? A do të ishte e mençur të shoqëroheshe me njerëz që nuk i marrin seriozisht profecitë e Perëndisë? Po të ishte Jeremia në vendin tënd, a do të zgjidhte si miq njerëz që me mënyrën e jetesës e mohojnë të vërtetën e Fjalës së Perëndisë ose kanë besim te njerëzit? (2 Kron. 19:2) Perëndia nuk i la asnjë dyshim Jeremisë se cilat do të ishin pasojat po të kishte besim te njerëzit e jo tek Ai. (Lexo Jereminë 17:5, 6.) Ç’mendon për këtë?
8. Shpjego disa nga sfidat që mund të hasin të krishterët në zonën tënde.
8 Disa të krishterë kanë menduar se mund të çojnë përpara biznesin ose karrierën e tyre duke zgjedhur të kalojnë kohë me klientë nga bota e t’i sajdisin. Por, a nuk do t’i ekspozonte kjo gjë këta të krishterë ndaj shoqërive të korruptuara dhe rreziqeve, si të folurit e ndyrë ose teprimi në të pirë? Mund ta kuptosh pse shumë të krishterë që janë përballë këtij vendimi, kanë vendosur të shmangin shoqëritë e këqija, edhe nëse kjo nënkupton të heqin dorë nga përfitimet e mundshme ose nga ecja përpara në botë. Po kështu, një punëdhënës ose punonjësit e tjerë ndoshta s’e kanë për gjë të sillen pandershmërisht me klientët. Por të krishterët e vërtetë nuk ndikohen nga ata që i rrethojnë. Nganjëherë mund të mos jetë e lehtë të marrësh vendime për gjëra të tilla. Jemi mirënjohës për shembuj si Jeremia, i cili mbajti një sjellje që e ndihmoi të kishte ndërgjegje të qetë dhe, ç’është më e rëndësishmja, një marrëdhënie të mirë me Perëndinë.
9. Ç’rrezik ka të duash të jesh i pëlqyer?
9 Jeremia u bë objekt talljesh nga disa judenj për shkak të qëndrimit dhe bindjeve të tij. (Jer. 18:18) Megjithatë, ishte gati të dallohej si i ndryshëm nga bashkëkohësit e tij, që ecnin «në udhën që ndjek shumica». (Jer. 8:5, 6) Madje, Jeremia ishte gati që nganjëherë të rrinte edhe fillikat, ‘të ulej i vetëm’. Parapëlqente më shumë këtë, sesa shoqërinë me njerëz që do të kishin ndikuar negativisht tek ai. (Lexo Jereminë 9:4, 5; 15:17.) Po ti? Sot, ashtu si në kohën e Jeremisë, shumica ndjek udhën e jobesnikërisë ndaj Perëndisë. Prej shumë kohësh, shërbëtorëve të Jehovait u është dashur të tregojnë kujdes kur zgjedhin miqtë. Kjo s’do të thotë se Jeremia s’kishte fare miq. Disa njerëz e mbrojtën dhe e mbështetën. Cilët ishin këta? Përgjigjja e kësaj pyetjeje do të të ndihmojë shumë.
ÇFARË MIQSH ZGJODHI JEREMIA?
10, 11. (a) Nga cilat parime udhëhiqej Jeremia për të zgjedhur miqtë? (b) Cilët ishin miqtë e Jeremisë dhe ç’pyetje lindin për ta?
10 Me kë do të lidhte miqësi Jeremia? Sipas udhëzimeve të Jehovait, ai i dënoi disa herë me radhë ata që ishin të ligj, mashtrues, të padrejtë, të dhunshëm, të pandjeshëm dhe imoralë, ata që braktisnin adhurimin e pastër për idhujtarinë, duke kryer kurvëri frymore. Jeremia i nxiti judenjtë e tjerë: «Le të kthehet, pra, secili nga udha e vet e ligë dhe ndreqini udhët e veprimet tuaja.» (Jer. 18:11) Edhe pasi u shkatërrua Jerusalemi, ai lartësoi ‘veprat e dashamirësisë’ së Perëndisë, ‘mëshirën’ dhe ‘besnikërinë’ e Tij. (Vajt. 3:22-24) Jeremia donte të kishte miq vetëm shërbëtorët besnikë të Jehovait.—Lexo Jereminë 17:7.
11 Kemi disa të dhëna për ata që Jeremia i zgjodhi si miq ose shokë të ngushtë. Disa burra treguan qartë se e mbështetnin—Ebed-Meleku, Baruku, Serajahu dhe djemtë e Shafanit. Mund të pyesim: «Ç’burra ishin këta? Çfarë shoqërie kishin me Jereminë? Në ç’kuptim ishin miq të mirë? Dhe si e ndihmuan Jereminë të mbante integritetin?» Le ta shohim, duke mbajtur në mend situatën tonë.
12. (a) Ç’kishin të përbashkët Jeremia dhe Baruku, të paraqitur në faqen 58? (b) Kush ishte Serajahu dhe ç’dimë për të?
12 Miku më i ngushtë i profetit duket se ka qenë Baruku, biri i Nerjahut. Me besim, Jeremia i dha atij përgjegjësinë që të hidhte me shkrim shpalljet e Jehovait ndërsa ia diktonte vetë, dhe pastaj ta lexonte rrotullën së pari para popullit e më pas para princave të Judës. (Jer. 36:4-8, 14, 15) Baruku kishte të njëjtin besim si Jeremia dhe bindjen se ajo që kishte parathënë Perëndia, do të ndodhte. Të dy burrat patën përvoja të ngjashme gjatë 18 viteve të fundit të stuhishme të Judës. Punuan bashkë për shumë kohë në një caktim të përbashkët frymor. Të dy patën vështirësi dhe iu desh të fshiheshin nga armiqtë. Të dy morën inkurajim personal nga Jehovai. Me sa duket, Baruku i përkiste një familjeje të shquar skribësh në Judë. Në Shkrime, ai quhet ‘sekretari’ dhe i vëllai, Serajahu, ishte një funksionar i lartë shtetëror. Ashtu si Baruku, edhe Serajahu më vonë bashkëpunoi me Jereminë për të njoftuar shpalljet profetike të Jehovait. (Jer. 36:32; 51:59-64) Gatishmëria e këtyre dy bijve të Nerjahut për të punuar përkrah Jeremisë në ato kohë të vështira, duhet ta ketë forcuar dhe inkurajuar profetin. Edhe ti mund të marrësh forcë e inkurajim nga ata që punojnë besnikërisht përkrah teje në shërbim të Jehovait.
Ç’mund të mësosh nga mënyra si i zgjodhi miqtë Jeremia?
13. Si tregoi Ebed-Meleku se ishte mik i mirë i Jeremisë, siç paraqitet në faqen 63?
13 Një përkrahës tjetër i fortë i Jeremisë ishte Ebed-Meleku. Kur princat e tërbuar e hodhën Jereminë në një sternë pa ujë, që të vdiste, ai që guxoi ta mbronte ishte një i huaj, etiopasi Ebed-Melek. Ai ishte eunuk, domethënë një zyrtar në shtëpinë e mbretit. Ebed-Meleku iu afrua në publik Zedekisë, i cili ishte ulur te Porta e Beniaminit. Me guxim, i kërkoi leje ta nxirrte Jereminë nga sterna plot llucë. Mori me vete 30 burra për këtë punë, dhe kjo tregon se ndoshta priste që armiqtë e Jeremisë ta kundërshtonin fizikisht. (Jer. 38:7-13) Nuk e dimë sa shoqëri kishte Ebed-Meleku me Jereminë. Po të bazohemi në miqësinë që kishin me Jehovain, është logjike të mendojmë se ishin miq të mirë. Ebed-Meleku e dinte se Jeremia ishte profet i Jehovait. I quajti ‘të këqija’ veprimet e princave dhe ishte gati të rrezikonte pozitën për të bërë atë që ishte e drejtë. Po, Ebed-Meleku ishte njeri i mirë. Këtë e kuptojmë ngaqë vetë Jehovai e siguroi: «Unë do të të çliroj [në ditën e gjëmës së Jerusalemit] . . . se pate besim tek unë.» (Lexo Jereminë 39:15-18.) Çfarë rekomandimi! A nuk është ky lloji i miqve që do?
14. Ç’dimë për familjen e Shafanit dhe lidhjen e tyre me Jereminë?
14 Ndër miqtë e tjerë të Jeremisë, ishin tre djem dhe një nip i Shafanit. Ata i përkitnin një familjeje të rangut të lartë, pasi më parë Shafani kishte shërbyer si sekretari i mbretit Josia. Herën e parë që armiqtë e Jeremisë donin ta vritnin, profetin «e mbrojti dora e Ahikamit, birit të Shafanit, që të mos e dorëzonin në duart e popullit për ta vrarë». (Jer. 26:24) Ahikami kishte një vëlla që quhej Gemariah. Kur Baruku i lexoi para popullit gjykimet e Perëndisë, i biri i Gemariahut, Mikajahu, e dëgjoi dhe njoftoi babanë e tij dhe princat e tjerë. Të merakosur për reagimin e Jehojakimit, ata i këshilluan Jereminë dhe Barukun të fshiheshin. Pastaj, kur mbreti e hodhi poshtë mesazhin e Perëndisë, Gemariahu ishte ndër ata që iu lutën të mos e digjte rrotullën. (Jer. 36:9-25) Një biri tjetër të Shafanit, Elasahut, Jeremia i besoi një letër profetike për judenjtë e mërguar në Babiloni. (Jer. 29:1-3) Pra, vetëm nga familja e Shafanit, tre djem e një nip e mbështetën profetin e Perëndisë. Mendo sa duhet t’i ketë vlerësuar Jeremia ata! Nuk ishin miq ngaqë kishin të njëjtat shije për ushqimin e pijet ose ngaqë u pëlqenin të njëjtat zbavitje. Miqësia e tyre kishte baza shumë më të forta.
ZGJIDHI ME MENÇURI MIQTË
15. Çfarë shembulli të mirë la Jeremia për zgjedhjen e miqve?
15 Mund të mësosh shumë nga marrëdhëniet që vendosi Jeremia me bashkëkohësit e tij, të mirë e të këqij. Mbreti, shumë nga princat, profetët e rremë dhe krerët ushtarakë i bënë presion ta ndryshonte mesazhin. Megjithatë, Jeremia nuk bëri kurrë kompromis. Qëndrimi që mbajti nuk e afroi me ta, por Jeremia nuk kërkonte miqësinë e tyre. Gjatë gjithë kohës, miku i tij më i mirë ishte Jehovai. Nëse çmimi që duhej të paguante për t’i qëndruar besnik Perëndisë ishte armiqësia e disave, Jeremia ishte gati ta paguante atë çmim. (Lexo Vajtimet 3:52-59.) Gjithsesi, siç e kemi parë, ai nuk ishte i vetmi që ishte i vendosur t’i shërbente Jehovait.
16, 17. (a) Ç’ndihmë mund të marrë një shërbëtor i Jehovait nga një mik i mirë? (b) Ku mund t’i gjesh miqtë më të mirë, në çfarëdo vendi të jetosh?
16 Ebed-Meleku ishte mik i mirë ngaqë kishte besim të fortë te Jehovai. Ai pati guximin të vepronte me vendosmëri e t’i shpëtonte jetën Jeremisë. Baruku me gatishmëri kaloi një pjesë të madhe të kohës me Jereminë dhe e ndihmoi të shpallte mesazhet e Jehovait. Miqtë e mirë në kongregacionin e krishterë sot, mund të jenë po kaq të çmuar sa ç’ishin ata burra. Kameroni, një pioniere e rregullt 20-vjeçare, e çmon shumë ndikimin e mirë që pati tek ajo një pioniere tjetër, Keri. Kameroni thotë: «Me shembullin dhe me fjalët e saj, Keri më nxiti ta mbaja Jehovain në vend të parë në jetë.» Dy motrat jetonin paksa larg njëra-tjetrës, e megjithatë Keri e merrte gjithnjë në telefon Kameronin ose i shkruante, që të sigurohej se shoqja e saj ishte mirë dhe që të inkurajonin njëra-tjetrën. Kameroni kujton: «Ajo i dinte të gjitha rrethanat e familjes sime. E dinte ç’po ndodhte me motrën time dhe sa të vështirë e pata kur ajo u rebelua dhe e la të vërtetën. Më ndenji pranë gjatë gjithë asaj periudhe. Nuk e di ç’do të kisha bërë pa ndihmën dhe ndikimin e saj të mirë. Ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për mua.»
17 Në kongregacionin e krishterë mund të gjesh miq të mirë, qofshin moshatarë me ty ose jo. Vëllezërit e motrat kanë të njëjtin besim si ty, të njëjtat vlera, të njëjtën dashuri për Jehovain, të njëjtat shpresa e ndoshta edhe disa nga sprovat që po kalon ti. Mund të punosh përkrah tyre në shërbimin e krishterë. Do të të inkurajojnë kur të kalosh vështirësi, e të njëjtën gjë do të bësh edhe ti. Do të gëzojnë me ty kur të kalosh kohë të bukura në shërbim të Jehovait. Për më tepër, këto miqësi mund të zgjatin deri në pafundësi.—Prov. 17:17; 18:24; 27:9.
18. Çfarë mëson nga mënyra si i zgjodhi miqtë Jeremia?
18 Mësimi që nxjerrim nga mënyra si i zgjodhi miqtë Jeremia, duhet të jetë i qartë. Mos harro këtë të vërtetë të pamohueshme: nuk mund të kërkosh shoqërinë e njerëzve, bindjet e të cilëve janë në kundërshtim me mësimet e Biblës, dhe prapëseprapë t’u qëndrosh besnik bindjeve të tua. Sot, ashtu si në kohën e Jeremisë, është e rëndësishme të veprosh në përputhje me këtë të vërtetë. Që ta kryente me sukses caktimin dhe të kishte bekimin e Jehovait, Jeremia ishte gati të dallohej si i ndryshëm nga shumica e bashkëkohësve të tij. A nuk është e vërtetë kjo edhe për ty? Jeremia zgjodhi miq që kishin besim si ai dhe që e mbështetën ndërsa kryente caktimin e tij. Po, çdo i krishterë besnik sot mund të mësojë nga Jeremia se si t’i zgjedhë me mençuri miqtë.—Prov. 13:20; 22:17.
Si ta ndjekësh shembullin e Jeremisë ndërsa zgjedh kë do të kesh mik e kë jo?