Kapitulli tre
«Do t’u thuash atyre këto fjalë»
1. (a) Në ç’aspekt ishin të ngjashëm Jezui dhe Jeremia? (b) Pse duhet ta imitojmë Jereminë në shërbimin tonë?
JEZU KRISHTI është modeli kryesor që ndjekim kur predikojmë lajmin e mirë. Por vlen të përmendet se, në shekullin e parë, disave që e shihnin Jezuin, u kujtonte profetin Jeremia. (Mat. 16:13, 14) Ashtu si Jezui, edhe Jeremia mori urdhër nga Perëndia që të predikonte. Për shembull, në një rast Perëndia i tha: «Do t’u thuash atyre këto fjalë: ‘Kështu thotë Jehovai.’» (Jer. 13:12, 13; Gjoni 12:49) Gjithashtu, gjatë shërbimit Jeremia shfaqi cilësi të ngjashme me ato të Jezuit.
2. Në ç’kuptim nevojat e njerëzve sot janë të ngjashme me ato të judenjve në kohën e Jeremisë?
2 Mirëpo, disa Dëshmitarë mund të thonë: «Vepra jonë e predikimit ndryshon nga ajo e Jeremisë. Ai ishte zëdhënësi i Perëndisë te një komb i kushtuar ndaj Tij, kurse në rastin tonë, shumica e atyre të cilëve u predikojmë, nuk e njohin Jehovain.» Kjo është e vërtetë. Por, tashmë në kohën e Jeremisë, shumica e judenjve ishin bërë ‘të pamend’ dhe ishin larguar nga Perëndia i vërtetë. (Lexo Jereminë 5:20-22.) Ata duhej të ndryshonin, që ta adhuronin Jehovain në mënyrë të pranueshme. Edhe sot, pavarësisht nëse thonë se janë të krishterë ose jo, njerëzit duhet të mësojnë t’i frikësohen Jehovait e të ndjekin adhurimin e vërtetë. Le të shohim si mund t’i shërbejmë Perëndisë së vërtetë dhe t’i ndihmojmë njerëzit duke imituar Jereminë.
‘JEHOVAI MË PREKU BUZËT’
3. Cilin gjest domethënës bëri Perëndia ndaj Jeremisë në fillim të shërbimit të tij dhe si u ndie profeti?
3 Nëse të kujtohet, në fillim të shërbimit si profet, Jeremia dëgjoi këto fjalë: «Do të shkosh te të gjithë ata ku do të të dërgoj, dhe do të thuash gjithçka që do të të urdhëroj. Mos ki frikë prej tyre, sepse unë jam me ty për të të çliruar,—thotë Jehovai.» (Jer. 1:7, 8) Pastaj, Perëndia bëri një gjest që Jeremia s’e priste. Ai na thotë: «Jehovai zgjati dorën dhe më preku buzët. Atëherë Jehovai më tha: ‘Ja, t’i vura fjalët e mia në gojë. Sot të kam caktuar.’» (Jer. 1:9, 10) Që nga ajo kohë, Jeremia e dinte se fliste në emër të Perëndisë së Plotfuqishëm.a Me mbështetjen e Tij të plotë, Jeremisë iu shtua zelli për shërbimin e shenjtë.—Isa. 6:5-8.
4. A mund të tregosh ndonjë shembull të zellit të jashtëzakonshëm në shërbim?
4 Jehovai nuk prek në kuptim të mirëfilltë asnjë nga shërbëtorët e tij sot. Por, me anë të frymës së tij, u jep një dëshirë të fortë që të predikojnë lajmin e mirë. Shumë prej tyre vlojnë nga zelli. Një shembull është Maruha nga Spanja. Ajo ka mbi 40 vjet që është e paralizuar nga këmbët e krahët. E ka të vështirë të predikojë shtëpi më shtëpi, prandaj gjen mënyra të tjera që të jetë aktive në shërbim. Për shembull, shkruan letra. Maruha ia dikton fjalët së bijës, e cila i hedh në letër. Gjatë një muaji, Maruha dhe «sekretarja» e saj bënë një përpjekje të veçantë dhe dërguan mbi 150 letra, duke futur në çdo zarf edhe nga një fletushkë. Falë përpjekjeve të tyre, lajmi i mirë mbërriti në shumicën e shtëpive në një fshat aty afër. Maruha i tha së bijës: «Sikur edhe vetëm një nga letrat t’i bjerë në dorë një njeriu me zemër të sinqertë, Jehovai do të na bekojë me një studim biblik.» Një plak vendës shkruan: «Falënderoj Jehovain për motrat si Maruha, që u mësojnë të tjerëve të vlerësojnë ç’është vërtet e rëndësishme.»
5. (a) A e ruajti zellin Jeremia përballë apatisë? (b) Si mund ta ruash zellin për të predikuar lajmin e mirë?
5 Në kohën e Jeremisë, shumica dërrmuese e banorëve të Jerusalemit ‘nuk gjenin kënaqësi’ në të vërtetën që vinte nga Perëndia. A pushoi së predikuari profeti, meqë kaq shumë veta ishin apatikë ndaj mesazhit? Përkundrazi! Jeremia tha: «Unë vloj nga tërbimi ashtu si Jehovai. Jam lodhur duke ndenjur në heshtje.» (Jer. 6:10, 11) Si mund të mbash edhe ti një zell të tillë? Një mënyrë është duke medituar për privilegjin e pakrahasueshëm që të përfaqësosh Perëndinë e vërtetë. Ti e di se njerëzit e shquar të kësaj bote kanë sjellë sharje mbi emrin e Perëndisë së vërtetë. Mendo edhe si i kanë mashtruar udhëheqësit fetarë njerëzit në territorin tënd, ashtu siç bënin priftërinjtë në kohën e Jeremisë. (Lexo Jereminë 2:8, 26, 27.) Krejt ndryshe nga kjo, lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë që po shpall ti, është vërtet një shprehje e dashamirësisë së Perëndisë ndaj njerëzimit. (Vajt. 3:31, 32) Pra, duke medituar rreth kësaj të vërtete, mund të ruash zellin për të shpallur lajmin e mirë dhe për të ndihmuar njerëzit që janë si dele.
6. Çfarë sfidash të rënda hasi Jeremia?
6 Ndoshta je dakord se nuk është gjithnjë e lehtë të ruash zellin në shërbimin e krishterë. Edhe Jeremia hasi sfida të rënda ndërsa i shërbente Jehovait, ndër të cilat ishin edhe profetët e rremë. Për njërin rast mund të lexosh në kapitullin e 28-të të Jeremisë. Shumica e njerëzve nuk i kushtuan vëmendje mesazhit të tij dhe disa herë ai u ndie mjaft i vetmuar. (Jer. 6:16, 17; 15:17) Për më tepër, nganjëherë duhej të përballej me armiq që donin t’i merrnin jetën.—Jer. 26:11.
Pse mund të besosh se Jehovai do të të ndihmojë t’i kapërcesh sfidat ndërsa predikon lajmin e mirë?
«TI MË PRISHE MENDJEN, O JEHOVA»
7, 8. Në cilin kuptim ‘ia prishi mendjen’ Perëndia Jeremisë?
7 Gjatë një periudhe kur haste çdo ditë tallje e fyerje, Jeremia ia zbrazi zemrën Perëndisë. Si mendon, në ç’kuptim mund të thuhet se Jehovai ‘ia prishi mendjen’ profetit besnik, siç tregohet te Jeremia 20:7, 8?—Lexoje.
8 Është e sigurt se Jehovai nuk e gënjeu ose mashtroi Jereminë duke përdorur ndonjë intrigë tinëzare kundër tij. Ai ‘ia prishi mendjen’ profetit në kuptimin e mirë të fjalës, për dobinë e tij. Jeremia mendonte se kundërshtimi ishte tepër i madh dhe se nuk e përmbushte dot më caktimin që i kishte dhënë Perëndia. Por ja që e përmbushi, me ndihmën dhe mbështetjen e të Plotfuqishmit. Pra, mund të thuhet se Jehovai ngadhënjeu mbi Jereminë, duke dalë më i fortë se ai dhe prirjet e tij njerëzore. Kur ky njeri i Perëndisë mendoi se kishte arritur aty ku s’mbante më dhe nuk mund të vazhdonte më tej, Jehovai i dha forcë, kështu që Jeremisë, si të thuash, iu prish mendja. Perëndia doli më i fortë se dobësitë e profetit. Edhe përballë apatisë, refuzimit e dhunës, Jeremia vazhdoi të predikonte.
9. Pse mund të marrësh guxim nga fjalët e Jeremisë 20:11?
9 Jehovai ishte përkrah Jeremisë «si një i fuqishëm dhe i tmerrshëm», duke e mbështetur. (Jer. 20:11) Ai mund të të forcojë edhe ty, që të ruash zellin për adhurimin e vërtetë e të vazhdosh pavarësisht nga problemet e mëdha. Ose mendoje edhe siç është shprehur ideja në një përkthim tjetër, pra që Jehovai do të jetë «një hero i fuqishëm» që e ke përkrah.—Diodati i Ri.
10. Çfarë je i vendosur të bësh kur has kundërshtim?
10 Apostulli Pavël e theksoi këtë pikë kur po u jepte zemër të krishterëve që po hasnin kundërshtim. Ai shkroi: «Silluni në mënyrë të denjë për lajmin e mirë rreth Krishtit, që . . . të dëgjoj për ju se po qëndroni të patundur në një mendje, duke u përpjekur krah për krah me një shpirt për besimin e lajmit të mirë dhe se nuk trembeni në asgjë nga kundërshtarët tuaj.» (Filip. 1:27, 28) Ashtu si Jeremia e si të krishterët e shekullit të parë, ti mund dhe duhet të mbështetesh te Perëndia i Plotfuqishëm ndërsa kryen shërbimin. Nëse disa tallen me ty ose të sulmojnë, mos harro se ke përkrah Jehovain, i cili mund të të mbushë me fuqi. Ai veproi kështu me Jereminë dhe ka vepruar kështu me shumë nga vëllezërit e tu, prandaj mund të bëjë të njëjtën gjë për ty. Përgjëroju për ndihmë dhe ki besim se do t’i përgjigjet lutjes sate. Ndoshta do të zbulosh edhe ti se Perëndia ‘të ka prishur mendjen’, ndërsa të jep forcë që t’i përballosh me sukses pengesat, me guxim e jo me frikë. Po, mund të bësh shumë më tepër se ç’kishe menduar ndonjëherë.—Lexo Veprat 4:29-31.
11, 12. (a) Çfarë ndryshimesh mund të bësh që të flasësh me më shumë njerëz në shërbim? (b) Cilat mundësi mund të shfrytëzosh në vendin tënd, siç sugjeron fotografia në faqen 39?
11 Ajo që lexojmë për shërbimin e Jeremisë mund të na ndihmojë në mënyra të ndryshme që të jemi shërbëtorë më të efektshëm të lajmit të mirë. Pasi kishte shërbyer për më tepër se 20 vjet si profet i Jehovait, ai mund të thoshte: «Unë ju kam folur duke u çuar herët, por ju nuk më keni dëgjuar.» (Jer. 25:3) Pra, Jeremia e fillonte ditën shpejt. A mund të mësojmë diçka praktike nga shembulli i tij? Në shumë kongregacione, disa lajmëtarë ngrihen herët në mëngjes që të flasin me njerëzit në stacionet e autobusëve dhe të trenave. Në zonat rurale, shumë Dëshmitarë i përdorin orët e para të ditës për të vizituar bujqit dhe të tjerët që janë ngritur e po punojnë në atë kohë. A mund të mendosh për mënyra të tjera si ta zbatosh këtë mësim që nxjerr nga shërbimi besnik i Jeremisë? Për shembull, a mund të ngrihesh aq herët sa të jesh i pranishëm që në fillim të mbledhjes së programuar për shërbim?
12 Natyrisht, në shumë vende shpesh sjell rezultate të shkëlqyera predikimi shtëpi më shtëpi pasdite dhe në mbrëmje. Madje disa lajmëtarë predikojnë edhe natën, duke vizituar punonjësit e pikave të karburantit, restoranteve dhe bizneseve të tjera që janë hapur 24 orë. A mund ta përshtatësh programin, që të predikosh në oraret kur ka më shumë mundësi t’i gjesh njerëzit në shtëpi a gjetiu?
Pse ndihesh i sigurt se Jehovai po të mbështet ndërsa shpall mesazhin e tij?
13, 14. (a) Si lidhet shembulli i Jeremisë me bërjen e rivizitave? (b) Si ilustrohet nevoja për të qenë të besueshëm në lidhje me rivizitat?
13 Nganjëherë, Jehovai e urdhëronte Jereminë të shpallte mesazhe profetike te portat e tempullit ose të Jerusalemit. (Jer. 7:2; 17:19, 20) Duke i bërë këto shpallje te portat, Jeremia ua përcillte fjalën e Jehovait një numri të madh njerëzish. Gjithashtu, meqë shumë veta, si njerëzit e shquar të qytetit, tregtarët dhe biznesmenët e kishin zakon të përdornin po ato porta, ai mund të ketë folur me disa prej tyre shumë herë me radhë, për t’i ndihmuar të kuptonin atë që kishin dëgjuar më parë. Ç’mund të mësojmë nga kjo për sa i përket bërjes së rivizitave tek ata që kanë treguar interes?
14 Jeremia e dinte se jeta e njerëzve varej nga shërbimi i tij si profet i Perëndisë. Një herë, kur profeti nuk kishte mundësi t’i zbatonte udhëzimet hyjnore për të folur me njerëzit, dërgoi në vend të tij mikun e vet, Barukun. (Lexo Jereminë 36:5-8.) Si mund ta imitojmë Jereminë në këtë drejtim? Kur i themi dikujt në territor se do të kthehemi, a e mbajmë fjalën? Nëse nuk vemi dot në një takim për një rivizitë ose një studim biblik, a marrim masa që të na zëvendësojë dikush tjetër? Jezui tha: «Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’.» (Mat. 5:37) Është thelbësore ta mbajmë fjalën, sepse përfaqësojmë Perëndinë e së vërtetës dhe të rregullit.—1 Kor. 14:33, 40.
A i ke përshtatur programin dhe metodat e predikimit që t’u predikosh më shumë njerëzve?
15, 16. (a) Si e kanë ndjekur shumë veta shembullin e Jeremisë për të zgjeruar shërbimin? (b) Ç’mësim nxjerr ti nga përvoja në Kili, e paraqitur në faqen 40?
15 Jeremia u dha zemër judenjve në Babiloni duke u shkruar një letër për ‘fjalën e mirë’ të Jehovait lidhur me rivendosjen e tyre. (Jer. 29:1-4, 10) Sot, ‘fjala e mirë’ për atë që do të bëjë së shpejti Jehovai, mund të shpërndahet me efektshmëri edhe me letra ose me telefon. A mund t’i përdorësh këto metoda për të ndihmuar të afërmit e tu ose të tjerë që janë larg a që nuk i kontakton dot?
16 Duke ndjekur shembullin e Jeremisë që e kreu plotësisht shërbimin e tij, lajmëtarët e Mbretërisë kanë shpesh rezultate pozitive. Në Kili, një Dëshmitare iu afrua një gruaje që po dilte nga metroja. Gruaja u kënaq shumë kur dëgjoi mesazhin e Biblës dhe pranoi të bënte një bisedë biblike në shtëpinë e vet. Mirëpo, Dëshmitarja nuk ia mbajti shënim adresën. Më pas, duke kuptuar sa e rëndësishme ishte të kultivonte interesin që kishte treguar ajo grua për të vërtetën, motra iu lut Jehovait për ndihmë. Të nesërmen, shkoi prapë te stacioni i metrosë, në të njëjtën orë dhe e takoi sërish gruan. Kësaj here, ia mbajti shënim adresën dhe më vonë e vizitoi në shtëpi për ta ndihmuar të kuptonte Shkrimet. Së shpejti, mbi këtë botë të Satanait do të vijnë gjykimet e Perëndisë. Por, për ata që pendohen dhe e besojnë lajmin e mirë, ka shpresë. (Lexo Vajtimet 3:31-33.) Prandaj, le ta pasqyrojmë këtë të vërtetë, duke e punuar me kujdes territorin.
A bën përpjekjet e nevojshme që të ndjekësh gjithë interesin që ke gjetur?
«NDOSHTA DO TË DËGJOJNË, E SECILI DO TË KTHEHET»
17. Si mund të imitosh pikëpamjen e Jeremisë në territorin tënd?
17 Jehovai nuk donte që njerëzit të humbnin jetën. Rreth dhjetë vjet para shkatërrimit të Jerusalemit, ai e përdori Jereminë që të shpjegonte se ç’shpresë kishte për ata që do të çoheshin në mërgim në Babiloni. Lexojmë: «Unë do t’i drejtoj sytë nga ata për mirë dhe do të bëj që të kthehen në këtë vend. Do t’i ndërtoj, e nuk do t’i shemb; do t’i mbjell, e nuk do t’i shkul.» Jeremia mund t’u thoshte atyre: «Ka një shpresë për të ardhmen [tuaj].» (Jer. 24:6; 26:3; 31:17) Ai përvetësoi pikëpamjen që kishte Perëndia për njerëzit. E kreu shërbimin me interes të sinqertë, duke përcjellë thirrjet e Jehovait: «Kthehuni, ju lutem, secili nga udha e vet e ligë dhe ndreqini veprimet tuaja.» (Jer. 35:15) A mund të mendosh për mënyra të mëtejshme se si të tregosh interes të thellë për njerëzit në territorin tënd?
18, 19. (a) Cilën pikëpamje nuk duhet të përvetësojmë ndërsa predikojmë lajmin e mirë? (b) Cilin qëndrim që shfaqi Jeremia, duhet të bëjmë tonin?
18 Dashuria e thellë që kishte Jeremia për njerëzit, nuk u ftoh kurrë. Kur u shkatërrua Jerusalemi, ai vazhdoi të ndiente dhembshuri për ta. (Lexo Vajtimet 2:11.) Judenjtë e kishin fajin vetë për këtë gjëmë. Megjithatë, Jeremia nuk tha: «Ju thashë unë!» Përkundrazi, ndjeu trishtim të thellë për atë që u kishte ndodhur. Edhe ne nuk duhet ta bëjmë mekanikisht shërbimin, thjesht nga detyra. Përpjekjet tona për të dhënë dëshmi duhet të tregojnë sa shumë i duam Perëndinë tonë të mrekullueshëm dhe njerëzit, që janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij.
A u tregon njerëzve se interesohesh për mirëqenien e tyre?
19 Asnjë privilegj ose pozitë në këtë botë nuk mund të krahasohet me dhënien e dëshmisë në emër të Perëndisë së vërtetë. Kështu u ndie Jeremia, i cili shkroi: «Kur më erdhën fjalët e tua, i përpiva. Fjala jote është ngazëllimi dhe gëzimi i zemrës sime, sepse thirrem me emrin tënd, o Jehova.» (Jer. 15:16) Ndërsa predikojmë lajmin e mirë, shumë njerëz të tjerë arrijnë të njohin e të duan Atë të cilit ia detyrojnë jetën. Duke shërbyer me zell e dashuri, siç na la shembullin Jeremia, do të japim ndihmesën tonë në këtë drejtim.
Sipas shembullit të Jeremisë, ç’metoda të tjera mund të provosh në të ardhmen për të përhapur ‘fjalën e mirë’ të Jehovait?
a Ashtu si në këtë rast, shpesh Jehovai bënte që lajmëtarët engjëllorë të paraqiteshin sikur të fliste Ai vetë.—Gjyk. 13:15, 22; Gal. 3:19.