«Nuk kushtuan vëmendje»
T’I SHPËRFILLËSH paralajmërimet pa u menduar dy herë mund të jetë me pasoja katastrofike.
Në 1974-n Darvini, një qytet në Australi, ishte në mes të përgatitjeve për festat e fund vitit, kur sirenat paralajmëruan se po afrohej një ciklon. Por kishte nja 30 vjet që Darvinin s’e kishin dëmtuar ciklonet. E pse duhej të ndodhte diçka tani? Shumica e banorëve nuk e morën seriozisht rrezikun, derisa erëra të tërbuara filluan të shkulnin çatitë dhe të shembnin muret e shtëpive ku qëndronin strukur njerëzit. Mëngjesin vijues, qyteti ishte kthyer në gërmadhë.
Në nëntor të vitit 1985 në Kolumbi shpërtheu një vullkan. Bora dhe akulli i shkrirë formuan një ortek balte që zuri brenda më shumë se 20.000 banorë në qytetin e Armeros. Mos nuk ishte dhënë asnjë paralajmërim? Mali kishte muaj të tërë që lëkundej, por ngaqë ishin mësuar të jetonin pranë një vullkani, shumë banorë të Armeros nuk u shqetësuan. Zyrtarët u njoftuan se së shpejti do të kishte një katastrofë, por nuk e paralajmëruan fare popullsinë. Madje u bënë njoftime në radio për të qetësuar banorët. Altoparlanti i kishës u përdor për t’i nxitur njerëzit që të ruanin qetësinë. Në mbrëmje pati dy shpërthime mjaft të forta. A do t’i kishit lënë pas gjërat tuaja e të iknit me vrap? E pra, pak veta u përpoqën të bënin diçka, por ishte shumë vonë.
Shpesh gjeologët parashikojnë me mjaft saktësi se ku do të ndodhin tërmete. Por rrallëherë arrijnë të parashikojnë me saktësi se kur do të ndodhin. Në vitin 1999, në mbarë botën rreth 20.000 veta vdiqën nga tërmetet. Shumë nga ata që vdiqën kishin menduar se kjo gjë s’do t’u ndodhte kurrë atyre.
Si reagon ndaj paralajmërimeve që vijnë nga vetë Perëndia?
Bibla i përshkroi me hollësi shumë kohë më parë ngjarjet që karakterizojnë ditët e fundit. Në lidhje me këtë, ajo na nxit të kemi parasysh ‘ditët e Noesë’. «Në ato ditë përpara përmbytjes» njerëzit ishin të zënë me gjërat e zakonshme të jetës, ndonëse pa dyshim i shqetësonte dhuna që ishte shumë e përhapur. Sa për paralajmërimin që dha Perëndia nëpërmjet Noesë, shërbëtorit të vet, «nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë». (Mateu 24:37-39) Po ti, a do t’ia kishe vënë veshin paralajmërimit? A po e bën këtë tani?
Ç’do të bëje po të jetoje në Sodomë, pranë Detit të Vdekur, në kohën kur atje jetonte Loti, nipi i Abrahamit? Peizazhi përreth ishte si parajsë. Qyteti ishte i begatë. Njerëzit kishin rënë në rehati. Në ditët e Lotit, ata «hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin, ndërtonin». Nga ana tjetër, shoqëria në të cilën jetonin ishte shumë imorale. A do ta kishe dëgjuar paralajmërimin kur Loti dënoi praktikat e këqija? A do të kishe dëgjuar kur ai të të thoshte se Perëndia kishte vendosur ta shkatërronte Sodomën? Apo do ta kishe marrë si shaka, siç bënë dhëndurët e Lotit? Mos do të kishe filluar të ikje, por pastaj do të ishe kthyer prapa, siç bëri gruaja e Lotit? Edhe pse të tjerët nuk e morën seriozisht paralajmërimin, ditën që Loti doli nga Sodoma, «nga qielli ra shi zjarri dhe squfuri e i shkatërroi të gjithë».—Luka 17:28, 29.
Shumica e njerëzve sot nuk kushtojnë vëmendje. Por shembujt e mësipërm janë ruajtur në Fjalën e Perëndisë si një paralajmërim për ne, që të na nxitin TË QËNDROJMË VIGJILENTË!
[Kutia dhe figura në faqen 22]
A ka ndodhur vërtet një Përmbytje globale?
Shumë kritikë thonë jo. Por Bibla thotë po.
Jezu Krishti foli për të. Kur ndodhi përmbytja, ai ishte gjallë dhe e pa që nga qielli.
[Kutia dhe figura në faqen 23]
A u shkatërruan vërtet Sodoma dhe Gomorra?
Arkeologjia jep prova se po.
Përmendet si ngjarje në histori.
Jezu Krishti e verifikoi si ngjarje; ajo që ndodhi përmendet në 14 libra të Biblës.