KAPITULLI 16
Çfarë është vërtet e rëndësishme?
Çfarë problemi kishte ky njeri?
NJË ditë, një njeri shkoi të takonte Jezuin. Ai e dinte se Jezui ishte shumë i mençur, prandaj i tha: ‘Mësues, thuaji vëllait tim të më japë disa nga gjërat e tij.’ Ky njeri mendonte se duhej t’i merrte ai disa gjëra të vëllait të vet.
Po të kishe qenë ti Jezui, çfarë do t’i kishe thënë? . . . Jezui e pa se ai njeri kishte një problem. Por problemi nuk ishte se atij i duheshin gjërat që kishte i vëllai. Problemi i tij ishte se nuk e dinte çfarë ishte vërtet e rëndësishme në jetë.
Të mendojmë pak për këtë. Çfarë duhet të jetë gjëja më e rëndësishme për ne? A duhet të jetë që të kemi lodra të bukura, rroba të reja ose gjëra si këto? . . . Jo, ka diçka që është shumë më e rëndësishme. Ky ishte mësimi që donte t’u mësonte Jezui të tjerëve. Prandaj, u tregoi një histori për një njeri që e kishte harruar Perëndinë. A dëshiron ta dëgjosh? . . .
Ky njeri ishte shumë i pasur. Ai kishte toka dhe depo. Nga gruri që mbolli në tokat e tij mori shumë prodhim. Por në depo ai nuk kishte më vend për ta vënë gjithë këtë grurë. Pra, çfarë do të bënte? Ai tha me vete: ‘Do t’i shemb depot e mia dhe do të ndërtoj depo më të mëdha. Në këto depo të reja do të vë gjithë grurin dhe gjërat e mira që kam.’
Njeriu i pasur mendonte se kjo që donte të bënte ishte një gjë e mençur. Ai mendonte se po tregohej vërtet i zgjuar duke mbledhur shumë gjëra. Thoshte me vete: ‘Kam grumbulluar shumë gjëra të mira. Këto do të më mjaftojnë për shumë vjet. Tani mund të çlodhem. Do të ha, do të pi dhe do të zbavitem.’ Por kjo mënyrë si mendonte njeriu i pasur kishte diçka të gabuar. Çfarë ishte, e di? . . . Ai po mendonte vetëm për veten e tij dhe për t’u kënaqur. E kishte harruar Perëndinë.
Për çfarë po mendon ky njeri i pasur?
Prandaj, Perëndia i foli këtij njeriu të pasur. Ai i tha: ‘Ti, njeri i pamend. Sot do të vdesësh. Kush do t’i ketë tani gjërat që ke grumbulluar?’ A mund t’i përdorte ai njeri i pasur ato gjëra pasi të vdiste? . . . Jo, do t’i merrte dikush tjetër. Jezui tha: «Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesar për vete, por nuk është i pasur kundrejt Perëndisë.»—Luka 12:13-21.
Ti nuk dëshiron të jesh si ai njeri i pasur, apo jo? . . . Qëllimi i tij kryesor në jetë ishte të grumbullonte gjëra materiale. Kjo ishte e gabuar. Ai donte të kishte gjithnjë e më shumë. Por nuk ishte «i pasur kundrejt Perëndisë».
Shumë njerëz janë si ai njeri i pasur. Duan të kenë gjithnjë e më shumë. Por kjo mund të sjellë probleme të mëdha. Për shembull, ti ke lodra, apo jo? . . . Më trego disa lodra që ke. . . . Po sikur ndonjë shoku yt të ketë një top, një kukull ose ndonjë lodër tjetër që ti nuk e ke? A do të ishte e drejtë t’i nxitje prindërit e tu që të të blinin edhe ty një të tillë? . . .
Nganjëherë mund të të duket sikur një lodër ka shumë rëndësi. Por, çfarë ndodh me të pas ca kohësh? . . . Bëhet e vjetër. Ndoshta prishet, dhe pastaj ti nuk e do më. Por, në të vërtetë, ti ke diçka që është shumë më e çmuar se lodrat. Çfarë është kjo? . . .
Cila gjë është për ty më e çmuar se lodrat?
Është jeta jote. Jeta jote është shumë e rëndësishme, sepse pa jetën s’mund të bësh asgjë. Por, që të kemi jetën duhet të bëjmë gjërat që i pëlqejnë Perëndisë, a s’është kështu? . . . Prandaj, le të mos jemi si ai njeri i pasur i pamend, që e harroi Perëndinë.
Nuk janë vetëm fëmijët që mund të bëjnë gjëra jo të mençura si ai njeri i pasur. Ka edhe shumë të rritur që veprojnë po njësoj. Disa prej tyre duan gjithnjë më tepër se ajo që kanë. Mund të kenë ushqim për të ngrënë, rroba për të veshur dhe një vend për të jetuar. Por duan më tepër. Duan të kenë shumë rroba. Duan të kenë shtëpi më të madhe. Këto gjëra kërkojnë para, kështu që ata punojnë shumë për të fituar paratë. Pastaj, sa më shumë para që të fitojnë, aq më shumë duan të kenë.
Disa të rritur janë kaq shumë të zënë me përpjekjet për të fituar para, saqë nuk kanë kohë për të ndenjur me familjen. Nuk kanë kohë as për Perëndinë. A mund t’i ndihmojnë paratë e tyre që të mos vdesin? . . . Jo, nuk munden. A mund t’i përdorin ata paratë pasi të vdesin? . . . Jo, sepse të vdekurit nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë.—Eklisiastiu 9:5, 10.
A do të thotë kjo se është e gabuar të kemi para? . . . Jo. Me para mund të blejmë ushqim dhe rroba. Bibla thotë se paraja është një mbrojtje. (Eklisiastiu 7:12) Por, po të kemi dashuri për paratë, atëherë do të kemi probleme të mëdha. Do të jemi si njeriu i pasur i pamend, i cili grumbulloi thesare për vete, por nuk ishte i pasur kundrejt Perëndisë.
Çfarë do të thotë të jemi të pasur kundrejt Perëndisë? . . . Do të thotë që Perëndia të zërë vendin e parë në jetën tonë. Disa njerëz thonë se besojnë te Perëndia. Mendojnë se nuk kërkohet gjë tjetër veçse të besojnë. Por, a janë ata vërtet të pasur kundrejt Perëndisë? . . . Jo, ata janë si njeriu i pasur, i cili e harroi Perëndinë.
Jezui nuk e harroi asnjëherë Atin e tij që është në qiell. Ai nuk u përpoq të fitonte shumë para. Nuk kishte shumë gjëra materiale. Jezui e dinte se çfarë ishte vërtet e rëndësishme në jetë. Çfarë ishte, a e di? . . . Të jesh i pasur kundrejt Perëndisë.
Çfarë gjëje vërtet të rëndësishme po bën kjo vajzë?
Më thuaj, si mund të jemi të pasur kundrejt Perëndisë? . . . Mund të jemi të pasur kundrejt Perëndisë duke bërë gjërat që i pëlqejnë atij. Jezui tha: ‘Unë bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë Perëndisë.’ (Gjoni 8:29) Perëndisë i pëlqen kur bëjmë gjërat që ai dëshiron të bëjmë. Më thuaj pak, çfarë mund të bësh ti për t’i pëlqyer Perëndisë? . . . Po, të lexosh Biblën, të shkosh në mbledhjet e krishtere, t’i lutesh Perëndisë dhe të ndihmosh të tjerët që të mësojnë për të. Këto janë vërtet gjërat më të rëndësishme në jetë.
Duke qenë se Jezui ishte i pasur kundrejt Perëndisë, Jehovai u kujdes për të. I dha Jezuit si shpërblim jetën e përhershme. Nëse jemi si Jezui, Jehovai do të na dojë dhe do të kujdeset edhe për ne. Prandaj, le të jemi si Jezui dhe të mos jemi kurrë si njeriu i pasur që e harroi Perëndinë.
Ja edhe disa shkrime biblike që tregojnë si të kemi pikëpamjen e duhur për gjërat materiale: Proverbat 23:4; 28:20; 1 Timoteut 6:6-10 dhe Hebrenjve 13:5.