KAPITULLI 15
Një mësim se si të jemi të mirë me të tjerët
ÇFARË është paragjykimi, e di? . . . Paragjykimi është të mos e pëlqesh dikë vetëm sepse mund të duket ndryshe nga ti ose sepse flet një gjuhë tjetër. Prandaj, të kesh paragjykim do të thotë të kesh një ndjenjë ose një mendim të keq për dikë, para se ta njohësh me të vërtetë.
A mendon se është e drejtë të mos e pëlqesh dikë, para se ta njohësh vërtet se çfarë njeriu është ose vetëm sepse është i ndryshëm nga ti? . . . Jo, paragjykimi nuk është i drejtë dhe as i mirë. Nuk duhet të sillemi keq me dikë vetëm sepse mund të jetë i ndryshëm nga ne.
Mendo pak për këtë. A njeh ndonjë njeri që e ka ngjyrën e lëkurës ndryshe nga jotja ose që flet një gjuhë të ndryshme nga ajo që flet ti? . . . Ndoshta njeh njerëz që duken ndryshe nga ti sepse janë dëmtuar fizikisht ose sepse kanë ndonjë sëmundje. A tregohesh i mirë dhe i dashur me ata që janë të ndryshëm nga ti? . . .
Si duhet të sillemi me ata që mund të jenë të ndryshëm nga ne?
Po ta dëgjojmë Mësuesin e Madh, Jezu Krishtin, do të jemi të mirë me të gjithë. Për ne s’duhet të ketë rëndësi nga cili vend vjen një njeri ose çfarë ngjyre ka lëkura e tij. Duhet të jemi të mirë me të. Edhe pse jo të gjithë njerëzit mendojnë kështu, ky është një mësim që Jezui u mësoi të tjerëve. Le të flasim pak për këtë.
Një jude që kishte paragjykime ndaj të tjerëve erdhi te Jezui dhe i bëri pyetjen: ‘Çfarë duhet të bëj që të jetoj përgjithmonë?’ Jezui e dinte se ai njeri me sa duket donte që Jezui të thoshte se duhet të jemi të mirë vetëm me njerëzit që janë nga raca jonë ose nga kombi ynë. Prandaj, në vend që t’i përgjigjej vetë pyetjes, Jezui e pyeti njeriun: ‘Çfarë thotë Ligji i Perëndisë se duhet të bëjmë?’
Njeriu u përgjigj: ‘Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde dhe duhet ta duash të afërmin si veten tënde.’ Jezui i tha: ‘U përgjigje drejt. Vazhdo ta bësh këtë dhe do të marrësh jetën e përhershme.’
Por ai njeri nuk donte të ishte i mirë ose i dashur me njerëzit që ishin ndryshe nga ai. Prandaj u përpoq të gjente një justifikim. E pyeti Jezuin: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Ndoshta ai donte që Jezui t’i thoshte: «Të afërmit e tu janë shokët që ke» ose «Janë njerëzit që duken njësoj si ti». Për t’iu përgjigjur pyetjes, Jezui tregoi një histori për një jude dhe një samaritan. Ja si ishte historia.
Një njeri po zbriste rrugës nga qyteti i Jerusalemit për në Jeriko. Ky njeri ishte jude. Ndërsa ecte, e grabitën disa hajdutë. Ata i gjuajtën me grushta derisa e rrëzuan përtokë dhe i morën paratë e rrobat. Hajdutët e rrahën keq dhe e lanë gati të vdekur anës rrugës.
Pak kohë më vonë, nëpër atë rrugë kaloi një prift. Ai e pa njeriun që ishte i plagosur rëndë. Çfarë do të kishe bërë ti? . . . E pra, prifti vazhdoi rrugën nga ana tjetër. As nuk ndaloi për ta parë. Nuk bëri asgjë për ta ndihmuar atë njeri.
Pastaj nëpër atë rrugë kaloi një njeri tjetër shumë fetar. Ai ishte levit dhe shërbente në tempull në Jerusalem. A ndaloi për ta ndihmuar? . . . Jo. Ai veproi njësoj si prifti.
Në fund, aty kaloi një samaritan. A e sheh që po del nga kthesa e rrugës? . . . Ai e pa judeun që gjendej atje i shtrirë dhe i plagosur rëndë. Duhet ta dish se shumica e samaritanëve dhe judenjve nuk e pëlqenin fare njëri-tjetrin. (Gjoni 4:9) Prandaj, a do të largohej ky samaritan pa e ndihmuar atë njeri? A do të thoshte ai me vete: ‘E pse duhet ta ndihmoj këtë jude? Po të isha vrarë unë, ai s’do të më kishte ndihmuar.’
Pse samaritani ishte i afërmi i mirë?
Samaritani e pa njeriun që gjendej i shtrirë anës rrugës dhe i erdhi keq për të. Nuk e linte dot atje që të vdiste. Prandaj zbriti nga kafsha e vet, shkoi te njeriu dhe filloi t’ia mjekonte plagët. I hodhi te plagët vaj dhe verë, se këto do të ndihmonin për t’i shëruar. Pastaj ia lidhi plagët me një copë.
Samaritani e hipi me kujdes njeriun e plagosur mbi kafshën e vet. Pastaj zbritën dalëngadalë nëpër rrugë derisa arritën te një han ose hotel i vogël. Atje samaritani zuri një dhomë ku të qëndronte njeriu i plagosur dhe u kujdes për të.
Tani Jezui e pyeti njeriun me të cilin po fliste: ‘Si mendon, cili nga këta tre burra ishte i afërmi i mirë?’ Ti çfarë do të thoshe? Ishte prifti, leviti apo samaritani? . . .
Njeriu u përgjigj: ‘I afërmi i mirë ishte ai që ndaloi dhe u kujdes për të plagosurin.’ Jezui i tha: ‘Ke të drejtë. Shko e bëj njëlloj edhe ti.’—Luka 10:25-37.
A nuk ishte një histori tërheqëse? Këtu tregohet qartë se cilët janë të afërmit tanë. Nuk janë vetëm shokët tanë të ngushtë. E nuk janë vetëm njerëzit që kanë të njëjtën ngjyrë të lëkurës si ne ose që flasin të njëjtën gjuhë si ne. Jezui na mësoi të jemi të mirë me njerëzit pavarësisht se nga janë, ç’pamje kanë ose ç’gjuhë flasin.
Kështu është Perëndia Jehova. Ai nuk ka paragjykime. ‘Ati juaj që është në qiell e bën diellin e tij të lindë mbi njerëzit e mirë dhe të këqij,—tha Jezui.—Dhe e bën shiun të bjerë mbi njerëz të mirë dhe mbi ata që nuk janë të mirë.’ Pra, ne duhet të jemi të mirë me të gjithë, ashtu siç është Perëndia.—Mateu 5:44-48.
Si mund të jesh ti një i afërm i mirë?
Prandaj, nëse shikon dikë që është vrarë me diçka, çfarë do të bësh? . . . Po sikur ai njeri të jetë nga një vend tjetër ose ta ketë ngjyrën e lëkurës ndryshe nga e jotja? Ai është prapëseprapë i afërmi yt dhe duhet ta ndihmosh. Në qoftë se e kupton që je tepër i vogël për ta ndihmuar, mund të thërrasësh një njeri më të rritur për ndihmë. Ose mund të thërrasësh policin a mësuesin. Kjo do të thotë të jesh i mirë me të tjerët, ashtu si samaritani.
Mësuesi i Madh dëshiron që ne të jemi të mirë. Dëshiron që t’i ndihmojmë të tjerët, kushdo që të jenë. Ja përse e tregoi historinë për samaritanin e mirë.
Lidhur me këtë mësim, pra që të jemi të mirë me njerëzit, pavarësisht se çfarë race ose kombi janë, lexo Proverbat 19:22; Veprat 10:34, 35 dhe 17:26.