MËSIMI 20
Paraqitja e efektshme e shkrimeve
SHKRIMET përbëjnë bazën e udhëzimeve që jepen në mbledhjet e kongregacionit. Shkrimet biblike qëndrojnë po ashtu në themel të asaj që themi në shërbimin në fushë. Megjithatë, masa në të cilën ndikojnë në atë që po trajtojmë varet pjesërisht nga sa me efektshmëri i paraqesim.
Nevojitet më shumë sesa thjesht të përmendësh një shkrim dhe të ftosh dikë që ta lexoni bashkë. Kur paraqet një shkrim, përpiqu të arrish dy pikësynime: (1) Ngjall kureshtjen dhe (2) përqendroje vëmendjen tek arsyeja për të cilën po e përdor shkrimin. Këto pikësynime mund të arrihen në disa mënyra.
Bëj një pyetje. Kjo është shumë e efektshme nëse auditori nuk e di tashmë përgjigjen. Përpiqu ta formulosh pyetjen në mënyrë që t’i bëjë njerëzit të mendojnë. Jezui veproi kështu. Kur farisenjtë iu afruan në tempull dhe e vunë në provë para të gjithëve lidhur me kuptueshmërinë e tij për Shkrimet, Jezui i pyeti: «Ç’mendoni për Krishtin? Bir i kujt është?» Ata iu përgjigjën: «I Davidit.» Më pas Jezui i pyeti: «Atëherë, si vallë Davidi nën frymëzim e quan ‘Zotëri’?» Dhe pasi tha këtë citoi Psalmin 110:1. Farisenjtë heshtën. Por turma e dëgjoi Jezuin me kënaqësi.—Mat. 22:41-46.
Në shërbimin në fushë, mund të përdorësh për të paraqitur shkrimet pyetje si këto: «Ti dhe unë e kemi një emër. Po Perëndia, a ka emër personal? Përgjigjen mund ta gjejmë te Psalmi 83:18.» «A do të ketë ndonjëherë një qeveri të vetme për gjithë njerëzimin? Shiko se si i përgjigjet kësaj pyetjeje Danieli 2:44.» «A flet me të vërtetë Bibla për kushtet që ekzistojnë në ditët tona? Krahasoje atë që thuhet te 2 Timoteut 3:1-5 me kushtet që je mësuar të shohësh.» «A do të marrin ndonjëherë fund vuajtjet dhe vdekja? Përgjigjen e Biblës mund ta gjejmë te Zbulesa 21:4, 5.»
Gjatë një fjalimi, zgjedhja e kujdesshme e pyetjeve për të paraqitur shkrimet mund ta motivojë auditorin t’i lexojë me interes të ripërtërirë shkrimet, madje edhe ato që i njeh mirë. Por, a do ta bëjnë këtë? Kjo mund të varet nga fakti nëse pyetjet që bën ti u interesojnë apo jo me të vërtetë. Edhe kur argumenti është me interes për auditorin, mendja e tyre mund të shpërqendrohet kur ti lexon shkrime që i kanë dëgjuar shumë herë. Për ta parandaluar një gjë të tillë, duhet ta mendosh mirë këtë dhe ta bësh tërheqëse paraqitjen e shkrimit.
Përmend një problem. Mund të përmendësh një problem dhe pastaj ta drejtosh vëmendjen te ndonjë shkrim që ka të bëjë me zgjidhjen e atij problemi. Mos e përgatit auditorin të presë më shumë nga ç’do të marrë. Shpesh, një shkrim tregon vetëm një pjesë të zgjidhjes. Megjithatë, mund të kërkosh që kur ti lexon shkrimin auditori të mendojë se çfarë udhëheqjeje siguron ai për përballimin e situatës.
Në mënyrë të ngjashme, mund të përmendësh një parim të sjelljes së perëndishme dhe pastaj të përdorësh një tregim biblik për të ilustruar se sa e mençur është ta ndjekim atë. Në rast se një shkrim përmban dy (ose ndoshta më shumë) pika specifike që kanë lidhje me atë që po trajtohet, disa oratorë e ftojnë auditorin t’i kërkojë ato. Po qe se një problem duket tepër i vështirë për një auditor të veçantë, mund të nxitësh të menduarit duke paraqitur disa mundësi dhe pastaj duke lënë që shkrimi dhe zbatimi i tij të japin përgjigjen.
Përmend Biblën si autoritet. Nëse tashmë e ke ngjallur interesin për argumentin tënd dhe ke pohuar një ose më shumë pikëpamje për ndonjë aspekt të tij, mund ta paraqesësh një shkrim thjesht duke thënë: «Shiko se çfarë thotë Fjala e Perëndisë për këtë pikë.» Kjo tregon se përse materiali që do të lexosh ka autoritet.
Jehovai përdori njerëz si Gjoni, Luka, Pavli dhe Pjetri për të shkruar disa pjesë të Biblës. Por ata ishin vetëm shkrimtarë; Autori është Jehovai. Sidomos kur flet me njerëz që nuk janë studiues të Shkrimeve të Shenjta, ta paraqesësh një shkrim duke thënë «Pjetri shkroi» ose «Pavli tha» mund të mos ketë të njëjtën forcë sa një paraqitje që e identifikon shkrimin si fjalën e Perëndisë. Vlen të përmendet që në disa raste Jehovai e udhëzoi Jereminë që t’i paraqiste shpalljet e tij me fjalët: «Dëgjoni fjalën e Jehovait.» (Jer. 7:2; 17:20; 19:3; 22:2) Pavarësisht nëse e përdorim apo jo emrin e Jehovait kur paraqesim shkrimet, para se të përfundojmë trajtimin, duhet të përpiqemi të theksojmë se ajo që shkruhet në Bibël është fjala e tij.
Merr parasysh kontekstin. Kur vendos se si ta paraqesësh një shkrim duhet të kesh parasysh kontekstin e tij. Në disa raste do të përmendësh drejtpërdrejt kontekstin. Megjithatë, konteksti mund të ndikojë edhe në mënyra të tjera mbi atë që thua. Për shembull, a do t’i paraqitje fjalët e Jobit me frikë Perëndie në të njëjtën mënyrë si do të paraqitje fjalët e njërit prej ngushëlluesve të tij të rremë? Librin e Veprave e shkroi Luka, por ai citon, ndër të tjerë, Jakovin, Pjetrin, Pavlin, Filipin, Stefanin dhe engjëjt, si edhe Gamalielin e judenj të tjerë që nuk ishin të krishterë. Kujt do t’ia japësh autorësinë e shkrimit që po citon? Mbaj parasysh, për shembull, që jo të gjitha psalmet i kompozoi Davidi dhe jo të gjithë librin e Proverbave e shkroi Solomoni. Është, gjithashtu, e dobishme të dish se kujt po i drejtohej shkrimtari biblik dhe cili ishte argumenti i përgjithshëm që po trajtohej.
Përdor të dhëna sqaruese. Kjo është e efektshme veçanërisht në qoftë se mund të tregosh se rrethanat që ekzistonin në kohën e tregimit biblik ishin të ngjashme me ato që po merr në shqyrtim. Në raste të tjera, të dhënat sqaruese janë të nevojshme për të kuptuar një shkrim të caktuar. Për shembull, në rast se do të përdorje Hebrenjve 9:12, 24 në një fjalim për shpërblesën, mund ta shihje të nevojshme ta paraprije leximin e shkrimit me një shpjegim të shkurtër të dhomës më të brendshme të tabernakullit, e cila, siç tregon shkrimi, paraqet vendin ku hyri Jezui kur u ngjit në qiell. Por mos përfshi kaq shumë material sqarues, sa ta errësojë shkrimin që po paraqet.
Për të përmirësuar mënyrën se si i paraqet shkrimet, analizo atë që bëjnë oratorët me përvojë. Vër re metodat e ndryshme që përdorin. Analizo efektshmërinë e këtyre metodave. Gjatë përgatitjes së fjalimeve, përcakto shkrimet kyçe dhe kushtoji vëmendje të veçantë asaj që duhet të arrish me anë të secilit shkrim. Mendoje me kujdes si do ta paraqesësh secilin prej tyre që të përdoret në mënyrën më të efektshme. Më pas, bëje këtë me të gjitha shkrimet që do të përdorësh. Ndërsa përmirësohesh në këtë drejtim, do t’ua përqendrosh më shumë vëmendjen të tjerëve te Fjala e Perëndisë.