Programi për t’u aftësuar si orator dhe mësues
QOFSH i ri ose i moshuar, mashkull ose femër, kjo shkollë mund të të ndihmojë të shprehesh me efektshmëri dhe të kualifikohesh më shumë si mësues i Fjalës së Perëndisë.
Atyre që janë të regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik pjesët do t’ua caktojë mbikëqyrësi i shkollës. Në tri faqet vijuese do të gjesh fletën tënde personale të këshillave. Numrat që ndodhen para pikave përkojnë me mësimet në faqet që vijojnë. Në këto mësime do të gjesh shpjegimin se çfarë duhet bërë për të përvetësuar ato veçori të të folurit dhe të mësuarit, dhe pse se cila nga këto veçori është e rëndësishme. Do të gjesh, gjithashtu, udhëzime të dobishme se si ta arrish atë që sugjerohet aty.
Kolonat me ngjyra në fletën e këshillave tregojnë se cilat pika zbatohen për caktimet që përfshijnë (1) leximin para një auditori, (2) demonstrim me dy a më shumë njerëz ose (3) fjalim para kongregacionit. Mbikëqyrësi i shkollës do të caktojë pikën në të cilën duhet të punosh. Parapëlqehet që të punohet vetëm me një pikë çdo herë. Do të nxjerrësh dobi duke bërë ushtrimet e sugjeruara në fund të mësimit që të është caktuar. Nëse jep prova se i ke zbatuar me sukses këshillat në mësimin që të është caktuar, këshilluesi do të të caktojë një pikë tjetër.
Nëse pjesa që ke duhet zhvilluar në formë demonstrimi, do të të duhet një rrethanë. Në faqen 82 gjendet një listë rrethanash, por nuk është se duhet të kufizohesh vetëm me këtë listë. Këshilluesi mund të të sugjerojë që të provosh një rrethanë të caktuar, me qëllim që të fitosh përvojë ose mund të të lërë ty të zgjedhësh.
Do të ndihmohesh shumë që të bësh përparim po ta lexosh këtë libër dhe t’i bësh ushtrimet, edhe kur nuk je duke përgatitur ndonjë pjesë në shkollë. Ndoshta mund të shqyrtosh një kapitull në javë a diçka të tillë.
Pavarësisht se sa kohë ke që je regjistruar në shkollë ose që merr pjesë në shërbimin në fushë, ende mund të përmirësosh. Bëj çmos që të nxjerrësh dobi plotësisht nga arsimimi i siguruar me anë të Shkollës së Shërbimit Teokratik.