Si ta përmirësosh aftësinë për të biseduar?
A E KE në përgjithësi të lehtë të bisedosh me të tjerët? Shumë njerëzve u shkakton ankth edhe vetëm mendimi që të hyjnë në bisedë, sidomos me dikë që nuk e njohin. Këta mund të jenë të ndrojtur nga natyra. Ndoshta pyesin veten: ‘Për çfarë të flas? Si ta filloj bisedën? Si ta vazhdoj?’ Nga ana tjetër, njerëzit që janë të sigurt e të hedhur mund të kenë prirjen të mbizotërojnë në një bisedë. Për ta sfida mund të jetë që t’i lënë të tjerët të flasin dhe që të mësojnë të dëgjojnë atë që thuhet. Kështu, të gjithë ne, qofshim të ndrojtur ose të hedhur nga natyra, kemi nevojë të vazhdojmë të kultivojmë artin për të biseduar.
Fillo në shtëpi
Pse të mos fillosh që në shtëpi të përmirësosh aftësinë për të biseduar? Bisedat ndërtuese mund ta shtojnë shumë lumturinë në familje.
Çelësi kryesor për biseda të tilla është të interesohemi thellësisht për njëri-tjetrin. (Ligj. 6:6, 7; Prov. 4:1-4) Kur interesohemi për dikë komunikojmë me të dhe e dëgjojmë kur dëshiron të thotë diçka. Një faktor tjetër i rëndësishëm është të kemi diçka me vlerë për të thënë. Nëse kemi një program të rregullt për të lexuar e për të studiuar Biblën, do të kemi shumë gjëra për t’u thënë të tjerëve. Përdorimi i mençur i broshurës Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë mund të shërbejë si pikënisje për një bisedë. Gjatë ditës mund të kemi pasur ndonjë përvojë të këndshme në shërbimin në fushë. Mund të kemi lexuar diçka që është informative ose humoristike. Duhet të na bëhet zakon të flasim për këto gjëra gjatë bisedave të shëndetshme familjare. Kështu do ta kemi më të lehtë të bisedojmë edhe me njerëz jashtë rrethit familjar.
Të bisedosh me një të panjohur
Shumë njerëz ngurrojnë të fillojnë biseda me dikë që nuk e njohin. Por, për shkak të dashurisë për Perëndinë dhe për të afërmin, Dëshmitarët e Jehovait bëjnë përpjekje të zellshme për të mësuar si të bisedojnë me të tjerët, me qëllim që t’u thonë të vërtetat biblike. Çfarë mund të të ndihmojë të përmirësohesh në këtë aspekt?
Parimi që shprehet te Filipianëve 2:4 është i vlefshëm. Ky shkrim na nxit të shikojmë «me interes personal jo vetëm çështjet [tona], por me interes personal edhe ato të të tjerëve». Mendo këtë: në qoftë se nuk e ke takuar kurrë më parë dikë, për të ti je një i panjohur. Ç’mund të bësh që ai të mos ndihet në siklet? Një buzëqeshje e ngrohtë dhe një përshëndetje miqësore do të të ndihmojë. Megjithatë, nuk mjafton vetëm kaq.
Ti mund t’i kesh ndërprerë mendimet atij. A do të reagojë pozitivisht po qe se përpiqesh ta bësh të flasë për atë që ti ke në mendje, pa pyetur fare për atë që ai ka në mendje? Çfarë bëri Jezui kur takoi një grua pranë një pusi në Samari? Ajo e kishte mendjen të mbushte ujë. Jezui e filloi bisedën me të mbi këtë bazë dhe shpejt e ktheu në një diskutim të gjallë frymor.—Gjoni 4:7-26.
Nëse je vëzhgues, edhe ti mund ta kuptosh se për çfarë mund të jenë duke menduar njerëzit. A duket i lumtur apo i trishtuar personi? A është i moshuar e ndoshta invalid? A sheh ndonjë shenjë që tregon se në shtëpi ka fëmijë? Nga sa duket, a është mirë nga gjendja ekonomike apo po lufton për të siguruar gjërat e nevojshme të jetës? A tregojnë zbukurimet e shtëpisë apo bizhuteritë personale ndonjë ndikim të fesë? Nëse merr parasysh këto gjëra kur e përshëndet, tjetri mund të të shikojë si një njeri me të cilin ka gjëra të përbashkëta.
Po sikur të mos e takosh ballë për ballë të zotin e shtëpisë, por ndoshta vetëm t’i dëgjosh zërin pas një dere të mbyllur, në ç’përfundim mund të arrish? Ndoshta ai jeton me frikë. A mund ta përdorësh këtë informacion për të filluar një bisedë me derën mbyllur?
Në disa vende është e mundur që ta përfshish dikë në bisedë duke i treguar diçka për veten—për prejardhjen, pse ke ardhur në derën e tij, pse beson te Perëndia, pse ke filluar ta studiosh Biblën dhe si të ka ndihmuar Bibla. (Vep. 26:4-23) Natyrisht, një gjë e tillë duhet bërë me maturi dhe me një synim të qartë në mendje. Kjo, nga ana e vet, mund ta nxitë tjetrin të të tregojë diçka për veten e tij dhe për mënyrën si i shikon gjërat.
Në disa kultura është zakon t’u tregohet mikpritje të panjohurve. Njerëzit mund të të ftojnë menjëherë të hysh në shtëpi e të ulesh. Pasi të jesh ulur, pyete me mirësjellje se si është familja dhe dëgjoje vërtet përgjigjen, kështu që i zoti i shtëpisë mund të jetë po aq i vëmendshëm ndaj asaj që ke për t’i thënë. Popuj të tjerë mund të tregojnë edhe më shumë interes ndaj vizitorëve, prandaj përshëndetjet e fillimit mund të zgjatin më shumë. Në këto rrethana, ata mund të mësojnë se kanë gjëra të përbashkëta me ty e më pas mund të vijojë një bisedë e dobishme frymore.
Po sikur në zonën tënde të ketë shumë njerëz që flasin gjuhë të ndryshme nga jotja? Si mund të flasësh me këta njerëz? Në qoftë se mëson edhe përshëndetje të thjeshta në disa nga këto gjuhë, njerëzit do ta kuptojnë që je i interesuar për ta. Kjo mund t’i hapë rrugën komunikimit të mëtejshëm.
Si të vazhdosh një bisedë?
Që ta mbash të gjallë një bisedë, trego interes për mendimet e tjetrit. Nxite të shprehet, në rast se dëshiron ta bëjë një gjë të tillë. Pyetjet e zgjedhura mirë mund të jenë një ndihmë. Pyetjet për të ditur pikëpamjen e tjetrit janë më të mira, sepse zakonisht kërkojnë më shumë sesa një përgjigje po ose jo. Për shembull, pasi të përmendësh një problem shqetësues për zonën, mund të pyesësh: «Si mendoni, çfarë e ka shkaktuar këtë gjendje?» ose «Cila është zgjidhja sipas jush?»
Kur bën një pyetje dëgjo me kujdes përgjigjen. Tregoje interesin tënd të sinqertë me një fjalë, me një lëvizje të kokës ose me një gjest. Mos e ndërprit tjetrin. Analizoje me mendje të hapur atë që po të thotë. Ji «i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur». (Jak. 1:19) Kur t’i përgjigjesh, trego se po e dëgjoje me të vërtetë atë që po thoshte.
Megjithatë, dije se jo të gjithë do t’u përgjigjen pyetjeve të tua. Disa njerëz mund të përgjigjen thjesht duke ngritur vetullat ose me një buzëqeshje. Të tjerë mund të thonë vetëm po ose jo, por ti mos u shkurajo. Tregohu i duruar. Mos u përpiq ta detyrosh tjetrin të flasë. Në qoftë se ai është i gatshëm të dëgjojë, përdore këtë mundësi për t’i lexuar mendime ndërtuese nga Shkrimet. Me kalimin e kohës, mund të të shikojë si një mik. Atëherë mbase do të jetë i gatshëm për t’i shprehur më lirshëm mendimet e tij.
Ndërsa flet me njerëzit, përgatit terrenin për të ardhmen. Kur dikush ngre shumë pyetje, përgjigjju disave prej tyre, por lër një ose dy për herën tjetër kur të flitni bashkë. Thuaji që do të bësh kërkime dhe pastaj do t’i tregosh se çfarë ke gjetur. Nëse ai nuk ka pyetje, mund ta përfundosh ti bisedën me një pyetje që mendon se do t’i interesojë. Propozoji të flitni rreth saj gjatë vizitës tjetër që do t’i bësh. Mund të gjesh ide me bollëk në librin Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve, në broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? dhe në numrat e fundit të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni!
Kur je me bashkëbesimtarët
Kur takon një tjetër Dëshmitar të Jehovait për herë të parë, a e bën ti hapin i pari për t’u njohur me të? Apo rri i veçuar pa folur? Dashuria për vëllezërit duhet të na shtyjë që të dëshirojmë t’i njohim. (Gjoni 13:35) Si mund të fillosh? Thjesht mund t’i thuash emrin tënd dhe pastaj ta pyesësh për emrin e tij. Duke e pyetur se si e ka mësuar të vërtetën zakonisht do t’i hapet rruga një bisede interesante, e cila do t’ju ndihmojë të njihni njëri-tjetrin. Edhe në rast se duket që fjalët nuk të dalin rrjedhshëm, përpjekja jote i tregon tjetrit se interesohesh për të, dhe kjo është ajo që ka vërtet rëndësi.
Çfarë mund të të ndihmojë të bësh biseda domethënëse me ndonjë pjesëtar tjetër të kongregacionit? Trego interes të sinqertë për atë vetë dhe për familjen e tij. Ndoshta sapo ka mbaruar mbledhja? Komento rreth atyre mendimeve që t’u dukën të dobishme. Kështu mund të nxirrni dobi të dy. Mund të përmendësh një pikë interesante nga një numër i fundit i Kullës së Rojës ose Zgjohuni! Kjo nuk duhet bërë për t’u dukur ose për të vënë në provë njohurinë, por për t’i treguar diçka që të ka sjellë kënaqësi në veçanti. Mund të flitni rreth një caktimi që njëri prej jush ka në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe të shkëmbeni ide rreth mënyrës si mund të zhvillohet. Mund të tregoni, gjithashtu, përvoja nga shërbimi në fushë.
Sigurisht, interesi ynë për njerëzit çon shpesh në biseda rreth individëve, rreth gjërave që bëjnë dhe që thonë. Edhe humori mund të jetë pjesë e bisedave tona. A do të jetë ndërtuese ajo që themi? Në qoftë se i marrim seriozisht këshillat e Fjalës së Perëndisë dhe motivohemi nga dashuria hyjnore, të folurit tonë do të jetë me siguri ndërtues.—Prov. 16:27, 28; Efes. 4:25, 29; 5:3, 4; Jak. 1:26.
Para se të shkojmë në shërbim, ne përgatitemi. Pse të mos përgatitim diçka interesante për t’ua treguar miqve tanë? Kur lexon ose dëgjon gjëra interesante, mbaj mend pikat që dëshiron t’ua tregosh të tjerëve. Me kalimin e kohës do të kesh material me bollëk nga i cili mund të zgjedhësh. Kjo do të të ndihmojë që të mos flasësh vetëm për gjërat e përditshme të jetës. Mbi të gjitha, me anë të të folurit jep dëshmi se sa e çmuar është për ty Fjala e Perëndisë.—Psal. 139:17.