Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë
A MUND të thuhet në mënyrë të pakundërshtueshme për dikë, se është njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë? Si e përcaktoni ju madhështinë e një njeriu? Në bazë të gjenisë së tij ushtarake? Forcës së tij fizike? Aftësive të tij të jashtëzakonshme mendore?
Historiani H. G. Wells ka thënë se madhështia e një njeriu mund të përcaktohet nga ‘ajo që ka lënë pas për t’u zhvilluar dhe nëse i ka shtyrë të tjerët të mendojnë duke ndjekur linja të reja mendimi me një forcë të tillë që ka vazhduar edhe pas tij’. Edhe pse nuk po pohonte se ishte një i krishterë, Wells pranoi: «Për sa i përket kësaj, Jezui është i pari.»
Aleksandri i Madh, Karli i Madh (i quajtur «i Madh» qysh gjatë jetës së tij) dhe Napoleon Bonaparti kanë qenë sovranë të fuqishëm. Me anë të paraqitjes së tyre madhështore ata kanë ushtruar një ndikim shumë të madh mbi njerëzit që kishin nën urdhërat e tyre. E megjithatë, thuhet që Napoleoni të ketë pohuar: «Jezu Krishti ka ndikuar dhe ka ushtruar autoritet mbi nënshtetasit e tij pa praninë e tij të dukshme fizike.»
Me anë të mësimeve të fuqishme dhe me anë të mënyrës në të cilën jetoi në përputhje me to, Jezui ka ndikuar fuqimisht mbi jetën e njerëzve për gati dy mijë vjet. Ashtu siç u shpreh me vend një shkrimtar: «Të gjitha ushtritë që kanë marshuar ndonjëherë, të gjitha flotat detare që janë krijuar ndonjëherë, të gjitha parlamentet që janë mbledhur ndonjëherë, të gjithë mbretërit që kanë mbretëruar ndonjëherë të marra së bashku, nuk kanë ndikuar mbi jetën e njeriut në tokë në mënyrë aq të fuqishme.»
Një person historik
E megjithatë, çuditërisht, disa thonë se Jezui nuk ka ekzistuar kurrë dhe se faktikisht ai është një sajim i disa burrave të shekullit të parë. Duke iu përgjigjur këtyre personave skeptikë, historiani i respektuar Will Durant argumentoi: «Që disa njerëz të thjeshtë të kenë sajuar brenda një brezi një personalitet kaq të fuqishëm dhe tërheqës, një etikë kaq të lartë dhe një vizion kaq frymëzues të vëllazërisë njerëzore, do të ishte një mrekulli shumë më tepër e pabesueshme nga të gjitha ato të regjistruara nëpër Ungjij.»
Pyetni veten: A mund të ndikojë mbi historinë njerëzore në mënyrë kaq të jashtëzakoshme një person që nuk ka ekzistuar kurrë? Një vepër referimi (The Historians’ History of the World) vëren: «Efektet historike të aktivitetit [të Jezuit] edhe të para nga një këndvështrim plotësisht jofetar, ishin më të rëndësishme, sesa veprat e çdo personazhi tjetër historik. Një epokë e re e njohur nga qytetërimet më të mëdha të botës, e ka pikënisjen nga lindja e tij.»
Vërtet, mendoni pak. Sot, edhe kalendarët bazohen mbi vitin në të cilin mendohet të ketë lindur Jezui. «Datat para atij viti shënohen P.K. apo para Krishtit,— shpjegon një enciklopedi (The World Book Encyclopædia).—Datat pas atij viti shënohen A.D. apo anno Domini (në vitin e Zotërisë sonë).»
Megjithatë, kritikët nxjerrin në dukje faktin se gjithçka që faktikisht dimë për Jezuin gjendet vetëm në Bibël. Ata thonë se nuk ekziston asnjë shkrim tjetër i asaj kohe që flet për të. Madje edhe H. G. Wells shkroi: «Historianët e vjetër romakë nuk e morën fare parasysh Jezuin; ai nuk la gjurmë në shkrimet historike të kohës së tij.» Por a është vërtet kështu?
Edhe pse të pakta, referimet për Jezuin nga ana e historianëve të hershëm botërorë ekzistojnë. Historiani i respektuar romak i shekullit të parë, Kornel Taciti ka shkruar: «Emri [i krishterë] rrjedh nga Krishti, i cili u ekzekutua nga prokurori Ponc Pilati gjatë mbretërimit të Tiberit.» Edhe shkrimtarë të tjerë të asaj kohe si Suetoni dhe Plini i Ri, e kanë përmendur Krishtin. Përveç kësaj, Jozef Flavio, një historian jude i shekullit të parë, shkroi lidhur me Jakovin, të cilin e identifikoi si «vëllai i Jezuit, i quajtur Krisht».
Për këtë arsye një enciklopedi (The New Encyclopædia Britannica) përfundon duke thënë: «Këto tregime të pavarura provojnë se në të kaluarën madje as kundërshtarët e krishterimit nuk e kanë vënë kurrë në dyshim ekzistencën historike të Jezuit, për të cilën u debatua për herë të parë dhe mbi baza të pamjaftueshme në fund të shekullit të 18-të, gjatë shekullit të 19-të dhe në fillim të atij të 20-të.»
Megjithatë, në thelb, gjithçka që dihet për Jezuin është regjistruar nga ithtarët e tij të shekullit të parë. Tregimet e tyre janë ruajtur në libra të Biblës të quajtur Ungjij, të shkruar nga Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Çfarë thonë këto tregime lidhur me identitetin e Jezuit?
Kush ishte ai në të vërtetë?
Ithtarët e Jezuit në shekullin e parë ia bënë vetes për këtë pyetje. Kur e panë Jezuin tek qetësonte në mënyrë të mrekullueshme detin e egërsuar nga era vetëm me anë të një qortimi, në çudinë e tyre ata pyetën: «Vallë kush është ky?» Më vonë, në një rast tjetër, Jezui i pyeti apostujt e tij: «Po ju, kush thoni se jam unë?»—Marku 4:41; Mateu 16:15.
Nëse ajo pyetje do t’ju bëhej juve si do të përgjigjeshit? A ishte Jezui në të vërtetë Perëndia? Sot shumë njerëz thonë se po. E megjithatë, ithtarët e tij nuk menduan asnjëherë se ai ishte Perëndia. Apostulli Pjetër iu përgjigj kështu pyetjes së Jezuit: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.»—Mateu 16:16
Jezui nuk pretendoi kurrë se ishte Perëndia, por ai pranoi se ishte Mesia i premtuar apo Krishti. Gjithashtu, ai tha se ishte «Biri i Perëndisë» dhe jo Perëndia. (Gjoni 4:25, 26; 10:36) Por nga ana tjetër, Bibla nuk thotë se Jezui ishte një njeri si gjithë të tjerët. Ai ishte një person shumë i veçantë, sepse ishte krijuar nga Perëndia para të gjitha gjërave të tjera. (Kolosianëve 1:15) Për miliardavjeçarë të panumërt, madje para se të krijohej universi fizik, Jezui kishte jetuar si një person frymor në qiell dhe kishte pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë me Atin e tij, Perëndinë Jehova, Krijuesin e Madh.—Proverbat 8:22, 27-31.
Më pas, afërsisht dy mijë vjet më parë, Perëndia e transferoi jetën e Birit të tij në mitrën e një gruaje dhe kështu Jezui u bë një bir njerëzor i Perëndisë, i lindur normalisht nga një grua. (Galatasve 4:4) Ndërsa zhvillohej në mitrën e nënës dhe më vonë ndërsa rritej gjatë djalërisë së tij, Jezui varej nga ata që Perëndia i kishte zgjedhur si prindërit e tij tokësorë. Kur më në fund arriti moshën madhore, atij iu dha mundësia për të kujtuar çdo gjë lidhur me marrëdhënien e tij të mëparshme me Perëndinë në qiell.—Gjoni 8:23; 17:5.
Ajo që e bëri atë njeriun më të madh
Jezui ishte njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë sepse e imitoi Atin e tij qiellor me kujdes. Si Bir i besueshëm, ai e kopjoi Atin e tij në mënyrë kaq të përsosur, saqë mundi t’u thoshte ithtarëve të tij: «Kush më ka parë mua, ka parë Atin.» (Gjoni 14:9, 10) Në çdo situatë këtu në tokë, ai veproi pikërisht ashtu siç do të kishte vepruar Ati i tij, Perëndia i Plotfuqishëm. Unë «nuk bëj asgjë prej vetvetes,—shpjegoi Jezui,—por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar». (Gjoni 8:28) Prandaj, duke studiuar jetën e Jezu Krishtit, ne në fakt fitojmë një ide të qartë mbi vetë Perëndinë.
Për këtë arsye apostulli Gjon, edhe pse e pranoi që «askush se pa Perëndinë kurrë», mundi të shkruante ende se «Perëndia është dashuri». (Gjoni 1:18; 1. Gjonit 4:8) Gjoni mundi ta thoshte një gjë të tillë, sepse ai e kishte njohur dashurinë e Perëndisë përmes asaj që kishte parë te Jezui, i cili ishte një pasqyrim i përsosur i Atit të tij. Jezui ishte i dhembshur, i dashur, i përulur dhe i afrueshëm. Të dobëtit dhe të shtypurit ndiheshin rehat pranë tij dhe po kështu njerëzit e të gjitha llojeve: burra, gra, fëmijë, të pasur, të varfër, njerëz me pushtet e madje edhe mëkatarët e mëdhenj. Vetëm ata që e kishin zemrën të ligë nuk e pëlqenin atë.
Në të vërtetë, në vend se thjesht t’i mësonte ithtarët e tij që të kishin dashuri për njëri-tjetrin, Jezui u tregoi atyre se si ta bënin këtë. «Sikurse unë ju kam dashur,—shpjegoi Jezui,—ashtu edhe ju [duhet] ta doni njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34) Njohja e ‘dashurisë së Krishtit,—shpjegoi një nga apostujt e tij,—tejkalon njohurinë’. (Efesianëve 3:19, BR) Po, dashuria që tregoi Krishti ngrihet mbi njohurinë më të lartë akademike dhe i «shtrëngon» të tjerët të përgjigjen në mënyrë të favorshme. (2. Korintasve 5:14) Prandaj, ajo që në veçanti e bëri Jezuin njeriun më të madh që ka jetuar ndonjëherë ishte shembulli i tij i pashoq i dashurisë. Dashuria e tij ka prekur zemrat e miliona njerëzve përgjatë shekujve dhe ka ndikuar për mirë në jetën e tyre.
Por akoma disa mund të kundërshtojnë duke thënë: «Shiko sa krime janë kryer në emër të Krishtit: kryqëzatat, inkuizicioni dhe luftërat, në të cilat, miliona njerëz të cilët pohonin se ishin të krishterë, janë parë duke vrarë njëri-tjetrin në frontet kundërshtare.» Por e vërteta është se këta njerëz në këtë mënyrë e kanë përgënjeshtruar pohimin e tyre se janë ithtarë të Krishtit. Mësimet e tij dhe mënyra në të cilën jetoi i dënojnë veprimet e tyre. Madje edhe një anëtar i fesë hinduiste, Mohandas Gandi, u ndie i nxitur për të thënë: «Unë e dua Krishtin, por i përçmoj të krishterët, sepse ata nuk jetojnë ashtu si jetoi Jezui.»
Nxirrni dobi duke mësuar për të
Mund të themi me siguri se asnjë studim tjetër nuk mund të jetë më i rëndësishëm sesa studimi i jetës dhe i shërbimit të Jezu Krishtit. «Shikoni me kujdes nga . . . Jezui»,—nxiti apostulli Pavël. «Në të vërtetë, shqyrto[je]ni nga afër.» Vetë Perëndia dha këtë urdhër lidhur me Birin e tij: «Dëgjojeni!» Ky libër me titull Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë do t’ju ndihmojë të bëni pikërisht këtë gjë.—Hebrenjve 12:2, 3, BR; Mateu 17:5.
Janë bërë përpjekje për të paraqitur çdo ngjarje të jetës tokësore të Jezuit që gjendet në katër Ungjijtë, duke përfshirë edhe fjalimet, ilustrimet dhe mrekullitë e tij. Brenda mundësive, çdo gjë është paraqitur sipas radhës në të cilën ka ndodhur. Në fund të çdo kapitulli gjendet një listë me shkrime nga Bibla, mbi të cilat ai është bazuar. Ju inkurajojmë t’i lexoni këto shkrime dhe t’u përgjigjeni pyetjeve për përsëritje që janë përgatitur.
Një profesor i universitetit të Çikagos kohët e fundit bëri këtë pohim: «Gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit është shkruar për Jezuin më shumë nga ç’është shkruar gjatë dy mijë vjetëve që kanë kaluar.» Megjithatë, është jetësore që tregimet e Ungjijve të shqyrtohen personalisht, sepse ashtu siç pohon një enciklopedi (The Encyclopædia Britannica): «Shumë studiues të sotëm janë zhytur kaq thellë në teoritë kontradiktore mbi Jezuin dhe Ungjijtë, saqë kanë lënë pas dore studimin e vetë burimeve themelore.»
Pas një shqyrtimi të kujdesshëm e pa paragjykime të tregimeve të Ungjijve, besojmë se do të jeni dakord që më e madhja e të gjitha ngjarjeve të historisë njerëzore ishte ajo që ndodhi gjatë mbretërimit të Cezar Augustit të Romës, kur Jezui i Nazaretit erdhi në tokë për të dhënë jetën e tij për ne.