Studime mbi Shkrimet e frymëzuara dhe informacione në lidhje me to
Studimi numër 9—Arkeologjia dhe dokumentimi i frymëzuar
Një studim i zbulimeve arkeologjike dhe i dokumentimeve të lashta të historisë shekullare që vërtetojnë dokumentimin biblik.
1. (a) Çfarë është arkeologjia biblike? (b) Cilat gjëra dëshmojnë për jetë dhe aktivitet njerëzor?
ARKEOLOGJIA biblike është studimi i popujve dhe i ngjarjeve të kohëve biblike nëpërmjet shkrimeve, veglave, ndërtesave dhe relikteve të tjera që janë gjetur në tokë. Për kërkimin e relikteve ose të objekteve të lashta të bëra nga njeriu, në vendet e lashta biblike janë bërë shumë eksplorime dhe janë zhvendosur miliona tonelata me dhé. Një objekt i bërë nga dora e njeriut dëshmon për jetë dhe aktivitet njerëzor. Ndër këto objekte mund të përfshihen gjëra të tilla, si: poçerina, rrënoja ndërtesash, pllaka prej balte, mbishkrime, dokumente, monumente dhe kronika të shkruara mbi gur.
2. Ç’vlerë ka arkeologjia biblike?
2 Në fillim të shekullit të 20-të arkeologjia ishte zhvilluar dhe ishte bërë një fushë e saktë studimi. Dërgoheshin ekspedita në vendet biblike dhe ato financoheshin nga universitetet dhe muzetë më të mëdha të Evropës dhe të Amerikës. Si rrjedhim, arkeologët kanë zbuluar një bollëk me informacione që hedhin dritë për botën në kohët biblike. Disa herë gjetjet arkeologjike kanë dëshmuar se Bibla është autentike, duke treguar se është e saktë deri në hollësitë më të vogla.
ARKEOLOGJIA DHE SHKRIMET HEBRAIKE
3. Cilat rrënoja dhe dokumentime të lashta vërtetojnë ekzistencën e ziguratëve në Babiloninë e lashtë?
3 Kulla e Babelit. Sipas Biblës, Kulla e Babelit ishte një projekt ndërtimi madhështor. (Zan. 11:1-9) Është interesante se arkeologët kanë zbuluar brenda dhe përreth rrënojave të Babilonisë së lashtë, vendndodhjet e mjaft ziguratëve ose të kullave-tempuj në formë piramide që ishin me shkallë, duke përfshirë edhe tempullin e rrënuar të Etemenankit, që ishte brenda mureve të Babilonisë. Në dokumentimet e lashta për këta tempuj shpesh ndodhen fjalët: «Maja e tij do të arrijë qiejt.» Thuhet se mbreti Nabukodonosor ka thënë: «Unë e ngrita aq lart majën e Kullës me shkallë të Etemenankit, saqë ajo hahej me qiejt.» Një fragment përshkruan rënien e një zigurati të tillë me këto fjalë: «Ndërtesa e këtij tempulli fyente perënditë. Një natë ata e rrëzuan atë që ishte ndërtuar. Ata i shpërndanë njerëzit larg dhe ua bënë gjuhën të çuditshme. Penguan progresin.»a
4. Cilat zbulime arkeologjike u bënë në Gihon dhe ç’lidhje mund të kenë këto me dokumentimin biblik?
4 Tunelet e ujit pranë burimit të Gihonit. Në vitin 1867, në zonë e Jerusalemit, Çarls Uoreni zbuloi një kanal me ujë që fillonte nga burimi i Gihonit e vazhdonte nën kodër, nga ku një pus të çonte sipër drejt Qytetit të Davidit. Me sa duket kjo ishte udha nga e cila hynë në fillim në qytet njerëzit e Davidit. (2 Sam. 5:6-10) Në vitet 1909-1911 i tërë sistemi me tunele që nisnin nga burimi i Gihonit u zhbllokua. Nëpër shkëmbin e fortë ishte gërmuar një tunel masiv mesatarisht 1.8 metra i lartë dhe 533 metra i gjatë. Nga Gihoni ai të nxirrte në Pellgun e Siloamit në luginën e Tiropeonit (brenda në qytet) dhe duket se është tuneli që ndërtoi Hezekia. Në murin e tunelit të ngushtë u zbulua një mbishkrim në hebraishten e hershme. Pjesërisht në të thuhet: «Ja se si u hap ai: —Ndërsa [ . . . ] (kishte) ende [ . . . ] kazmë(a), secili drejt njëri-tjetrit dhe teksa kishte ende edhe tri kute për t’u hapur, [u dëgjua] zëri i një njeriu që thërriste shokun e tij, sepse kishte mbetur një pjesë e përbashkët në shkëmb djathtas [dhe majtas]. E kur tuneli u shpua, punëtorët gërmuan (shkëmbin), secili drejt njëri-tjetrit, kazmë kundër kazme; dhe uji vërshoi nga burimi drejt rezervuarit për 1.200 kute dhe lartësia e shkëmbit sipër kokës(kokave) të gërmuesve ishte 100 kute.» Çfarë vepre e jashtëzakonshme inxhinierike për atë kohë!b—2 Mbret. 20:20; 2 Kron. 32:30.
5. Cilat dëshmi për pushtimin e Shishakut dhe emrat e vendeve biblike siguron zbulimi arkeologjik në Karnaki?
5 Relievi për fitoren e Shishakut. Shishaku, mbreti i Egjiptit, përmendet shtatë herë në Bibël. Ngaqë mbreti Rehoboam braktisi ligjin e Jehovait, në vitin 993 p.e.s. Jehovai e lejoi Shishakun të pushtonte Judën, por të mos e rrënonte krejtësisht. (1 Mbret. 14:25-28; 2 Kron. 12:1-12) Deri vitet e fundit dukej se ky pushtim përmendej vetëm në Bibël. Por pastaj doli në dritë një dokument i madh i faraonit që Bibla e quan Shishak (Sheshonku I). Ky dokument ishte në formën e një relievi madhështor me hieroglife dhe vizatime mbi murin jugor të tempullit të madh egjiptian në Karnaki (Teba e lashtë). Mbi këtë reliev gjigant është përshkruar perëndia egjiptian Amoni, i cili mban në dorën e djathtë një shpatë në formë drapri. Ai po i sjell faraonit Shishak 156 robër palestinezë të prangosur, që janë lidhur me litarë në dorën e tij të majtë. Çdo rob përfaqëson një qytet ose fshat, emri i të cili tregohet në hieroglifet. Midis tyre mund të lexohen ende dhe të identifikohen Rabiti (Jos. 19:20); Tanaku, Beth-Sheani dhe Megidoja (Jos. 17:11); Shunemi (Jos. 19:18); Rehobi (Jos. 19:28); Hafaraimi (Jos. 19:19); Gibeoni (Jos. 18:25); Beth-Horoni (Jos. 21:22); Ajaloni (Jos. 21:24); Sokohu (Jos. 15:35) dhe Aradi (Jos. 12:14). Në dokument përmendet edhe «Ara e Abrahamit», dhe ky është rasti më i hershëm që përmendet Abrahami në dokumentimet egjiptiane.c
6, 7. Cila është historia e Gurit moabit dhe çfarë informacioni jepet në të në lidhje me luftën që u bë midis Izraelit dhe Moabit?
6 Guri moabit. Në vitin 1868 misionari gjerman F. A. Klajni bëri zbulimin e rëndësishëm të një mbishkrimi të lashtë në Diban (Dibon). Ky është bërë i njohur si Guri moabit. Gjurma e mbishkrimit mbi gur u mor, por guri u thye nga beduinët para se të nxirrej. Megjithatë, shumica e copave shpëtuan dhe tani guri ruhet në Luvër, Paris, ndërsa një kopje e tij ndodhet në Muzeun Britanik në Londër. Guri ishte ngritur në Dibon, në Moab, dhe në të është shkruar versioni i mbretit Mesha në lidhje me rebelimin e tij kundër Izraelit. (2 Mbret. 1:1; 3:4, 5) Në të thuhet pjesërisht: «Unë (jam) Mesha, biri i Kemoshit-[ . . . ], mbreti i Moabit, diboniti. . . . Omri, mbreti i Izraelit, e poshtëroi Moabin për shumë vjet (fjalë për fjalë ditë), sepse Kemoshi [perëndia i Moabit] ishte i zemëruar me vendin e tij. Edhe i biri i shkoi pas dhe tha gjithashtu: ‘Unë do ta poshtëroj Moabin.’ Në kohën time ai tha [kështu], por unë ngadhënjeva mbi të dhe mbi shtëpinë e tij, kurse Izraeli ka marrë fund përgjithmonë! . . . E Kemoshi më tha: ‘Shko merr Nebon nga Izraeli!’ Kështu shkova natën dhe luftova kundër tij që nga agimi e deri në mesditë, dhe e pushtova e i vrava të gjithë. . . . Mora që andej [enët] e Jahvehut dhe i solla para Kemoshit.’d Vër re se si përmendet emri i Perëndisë në fjalinë e fundit. Ai mund të shihet në figurën shoqëruese të Gurit moabit. Është në formën e Tetragramit, në të djathtë të dokumentit, në rreshtin 18.
7 Në Gurin moabit përmenden edhe vendet biblike vijuese: Ataroti e Neboja (Num. 32:34, 38); Arnoni, Aroeri, Medeba e Diboni (Jos. 13:9); Bamot-Baali, Beth-Baal-Meoni, Jahazi e Kiriataimi (Jos. 13:17-19); Bezeri (Jos. 20:8), Horonaimi (Isa. 15:5) dhe Beth-Diblathaimi e Kerioti (Jer. 48:22, 24). Kështu ai vërteton se këto vende janë të vërteta historikisht.
8. Çfarë është dokumentuar në Bibël për Senakeribin dhe çfarë është zbuluar nga gërmimet në pallatin e tij?
8 Prizmi i mbretit Senakerib. Në Bibël është dokumentuar me shumë hollësi pushtimi asirian nën udhëheqjen e mbretit Senakerib, në vitin 732 p.e.s. (2 Mbret. 18:13–19:37; 2 Kron. 32:1-22; Isa. 36:1–37:38) Gjatë viteve 1847-1851 arkeologu anglez O. H. Lajardi gërmoi rrënojat e pallatit të madh të Senakeribit në Ninevi, në territorin e Asirisë së lashtë. U zbulua se pallati kishte rreth 70 dhoma me pothuajse 3.000 metra mur të veshur me basorelieve. Raportet vjetore të ngjarjeve ose analet e Senakeribit ishin shkruar në cilindra ose prizma prej argjile. I fundit prej këtyre analeve, që me sa duket u bë pak kohë para vdekjes së tij, është shkruar tek ai që njihet si Prizmi i Tejlërit. Ai ruhet në Muzeun Britanik, por Instituti Oriental i Universitetit të Çikagos ka një kopje edhe më të mirë të shkruar në një prizëm që u zbulua pranë vendndodhjes së Ninevisë së lashtë, pra, kryeqytetit të perandorisë asiriane.
9. Çfarë përshkruan Senakeribi, në përputhje me atë që thuhet në Bibël, por çfarë nuk përmend ai dhe pse?
9 Në këto anale Senakeribi jep me mburrje versionin e tij për pushtimin e Judës: «Hezekia, judeu, nuk iu nënshtrua zgjedhës sime. Prandaj, rrethova 46 qytete të tij të forta, fortesa të rrethuara me mur dhe fshatra të vogla të panumërta në afërsi të tyre e i pushtova me anë të shkallëve të pjerrëta (prej dheu) të ngjeshura fort dhe të deshëve që solla (në këtë mënyrë) pranë (mureve), (si edhe nëpërmjet) sulmit të ushtarëve këmbësorë, (duke përdorur) kalime të nëndheshme, të çara në mur dhe punime xheniere. Nxora (prej tyre) 200.150 njerëz, të rinj e të moshuar, meshkuj e femra, kuaj, mushka, gomarë, deve, bagëti të trashë e të imët pa numërim dhe (i) konsiderova pre. Vetë [Hezekinë] e mbajta si të burgosur në Jerusalem, në selinë e tij mbretërore, tamam si zogun në kafaz. . . . Qytetet e tij që kisha plaçkitur, ia hoqa vendit të tij dhe ia dhashë Mitintit, mbretit të Ashdodit, Padit, mbretit të Ekronit, dhe Silibelit, mbretit të Gazës. . . . Vetë Hezekia . . . më dërgoi më vonë në Ninevi, në qytetin tim madhështor, bashkë me 30 talentat prej ari, edhe 800 talenta argjendi, gurë të çmuar, antimon, blloqe të mëdha prej guri të kuq, divane (të zbukuruara) me fildish, karrige-nimedu (të zbukuruara) me fildish, lëkurë elefantësh, dru abanozi, dru bushi (e) çdo lloj thesari të çmuar dhe (vetë) vajzat, konkubinat, muzikantët dhe muzikantet e tij. Për të dërguar haraçin dhe për të bërë nderime si skllav ai dërgoi lajmëtarin e vet.»e Në lidhje me haraçin që Senakeribi i vuri Hezekisë, Bibla i vërteton 30 talentat prej ari, por përmend vetëm 300 talenta argjendi. Për më tepër ajo tregon se kjo ndodhi para se Senakeribi ta kërcënonte Jerusalemin duke e rrethuar. Në përshkrimin e shtrembëruar të historisë asiriane që bën Senakeribi, qëllimisht nuk përmend disfatën dërrmuese në Judë, kur në një natë engjëlli i Jehovait vrau 185.000 ushtarë të tij, duke e detyruar mbretin të kthehej me vrap në Ninevi me bisht ndër shalë. Gjithsesi, ky dokumentim i shkruar plot mburrje që gjendet në Prizmin e Senakeribit tregon që para se Jehovai t’i kthente mbrapsht asirianët kur kërcënuan Jerusalemin, Juda ishte pushtuar në shkallë të gjerë.—2 Mbret. 18:14; 19:35, 36.
10, 11. (a) Çfarë janë letrat e Lakishit dhe çfarë pasqyrojnë ato? (b) Si i mbështetin ato shkrimet e Jeremisë?
10 Letrat e Lakishit. Qyteti i famshëm fortesë i Lakishit përmendet më shumë se 20 herë në Bibël. Ai ndodhej 44 kilometra në perëndim dhe në jugperëndim të Jerusalemit. Në rrënojat e tij janë bërë shumë gërmime. Në vitin 1935, në një dhomë rojash, e cila ndodhej pranë portës dyshe të qytetit, u gjendën 18 ostraka ose copa qeramike me mbishkrime (3 të tjera u gjetën në vitin 1938). U zbulua se këto ishin disa letra të shkruara me shkronja të hebraishtes së lashtë. Ky koleksion me 21 letra njihet me emrin Letrat e Lakishit. Lakishi ishte një nga fortesat e fundit të Judës që i rezistoi Nabukodonosorit, por, në periudhën 609-607 p.e.s., u katandis në një pirg rrënojash të shkrumbuara. Letrat pasqyrojnë urgjencën e atyre kohëve. Duket se ato janë letra që i shkruan pararojat e mbetura të trupave judease të Jaoshit, një komandant ushtarak në Lakish. Në njërën prej tyre (letra numër IV) pjesërisht thuhet: «Bëftë JHVH-ja [Tetragrami, «Jehovai»] që zotëria im të dëgjojë që tani lajme të mira! . . . Po shohim për sinjalet e zjarrit të Lakishit, sipas tërë shenjave që jep zotëria im, sepse nuk e shohim Azekahun.» Kjo vërteton në mënyrë të jashtëzakonshme Jereminë 34:7 ku përmendet Lakishi dhe Azekahu si dy qytetet e fundit të fortifikuara që kishin mbetur. Kjo letër tregon me sa duket se tashmë Azekahu kishte rënë. Emri i Perëndisë në formën e Tetragramit shfaqet shpesh te letrat, dhe kjo tregon se judenjtë e asaj kohe e përdornin emrin e Jehovait në të folurin e përditshëm.
11 Një letër tjetër (letra numër III) nis kështu: «Bëftë JHVH-ja [domethënë, Jehovai] që zotëria im të dëgjojë lajme të mira! . . . Shërbëtorit tënd i janë raportuar këto fjalë: ‘Komandanti i ushtrisë, Koniahu, biri i Elnatanit, ka zbritur që të shkojë në Egjipt e te Hodaviahu, biri i Ahijahut, dhe i ka dërguar njerëzit që të sjellin prej tij [furnizime].’» Kjo letër duket se vërteton që Juda iu drejtua Egjiptit për ndihmë, duke shkelur urdhrin e Jehovait e duke pësuar kështu shkatërrimin. (Isa. 31:1; Jer. 46:25, 26) Emrat Elnatan dhe Hoshajah, që shfaqen në tekstin e plotë të kësaj letre gjenden gjithashtu te Jeremia 36:12 dhe Jeremia 42:1. Tre emra të tjerë që përmenden te letrat gjenden po ashtu te libri biblik i Jeremisë. Ata janë: Gemariahu, Nerjahu dhe Jaazaniahu.—Jer. 32:12; 35:3; 36:10.f
12, 13. Çfarë përshkruan Kronika e Nabonidit dhe pse ka vlerë të veçantë?
12 Kronika e Nabonidit. Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, nga gërmimet pranë Bagdadit u gjetën shumë pllaka dhe cilindra argjile që hodhën mjaft dritë mbi historinë e Babilonisë së lashtë. Një prej këtyre ishte dokumenti shumë i çmuar i njohur si Kronika e Nabonidit, i cili tani gjendet në Muzeun Britanik. Mbreti i Babilonisë, Nabonidi, ishte babai i bashkësunduesit të tij, Belshazarit. Ai jetoi më shumë se i biri, të cilin e vranë natën kur trupat e persit Kir morën Babiloninë më 5 tetor 539 p.e.s. (Dan. 5:30, 31) Kronika e Nabonidit, një dokumentim që përmban një datim të përpiktë të rënies së Babilonisë, na ndihmon të përcaktojmë se në cilën ditë ndodhi kjo ngjarje. Më pas vijon përkthimi i një pjese të vogël të Kronikës së Nabonidit: «Në muajin e tashritut [tishrit (shtator-tetor), kur Kiri sulmoi ushtrinë e Akadit në Opis pranë Tigrit . . . ditën e 14-të, Sipari u mor pa luftë. Nabonidi iku. Ditën e 16-të [11 tetor 539 p.e.s. sipas kalendarit julian ose 5 tetor sipas kalendarit gregorian] Gobrjasi (Ugbaru), guvernatori i Gutiumit dhe ushtria e Kirit hynë në Babiloni pa luftë. Më pas Nabonidin e kapën në Babiloni kur u kthye (atje). . . . Në muajin e arahshamnut [markesvanit (tetor-nëntor)], ditën e 3-të [28 tetor, sipas kalendarit julian], Kiri hyri në Babiloni dhe para tij shtruan degëza të gjelbërta—në qytet u vendos gjendja e ‘Paqes’ (sulmu). Kiri dërgoi përshëndetje në mbarë Babiloninë. Gobrjasi, guvernatori i tij, caktoi (nën-)guvernatorë në Babiloni.»g
13 Mund të vërehet se në këtë kronikë nuk përmendet medi Dar dhe deri tani nuk është gjetur asnjë rast ku të përmendet ky Dar në ndonjë mbishkrim jobiblik dhe as përmendet ai në ndonjë dokument historik shekullar para kohës së Jozefit (historian jude i shekullit të parë të e.s.). Prandaj disa hedhin idenë se ai mund të jetë Gobrjasi i përmendur në përshkrimin e mësipërm. Edhe pse informacioni për Gobrjasin duket se ngjan me atë për Darin, ky identifikim nuk mund të konsiderohet përfundimtar.h Sido që të jetë, historia shekullare tregon qartë se Kiri ishte një figurë kyçe në pushtimin e Babilonisë dhe se ai më pas sundoi atje si mbret.
14. Çfarë është dokumentuar te Cilindri i Kirit?
14 Cilindri i Kirit. Pasi Kiri filloi të sundonte si mbret i fuqisë botërore perse, pushtimi i Babilonisë prej tij në vitin 539 p.e.s. u dokumentua në një cilindër argjile. Edhe ky dokument i jashtëzakonshëm ruhet në Muzeun Britanik. Një pjesë e tekstit të përkthyer thotë: «Unë jam Kiri, mbreti i botës, mbreti i madh, mbreti i ligjshëm, mbreti i Babilonisë, mbreti i Sumerit dhe i Akadit, mbreti i katër skajeve (të tokës). . . . Unë u riktheva [disave të përmendura më parë] qyteteve të shenjta në anën tjetër të Tigrit, shenjtëroret e të cilave kishin qenë rrënoja prej një kohe të gjatë, shëmbëlltyrat që ishin (zakonisht) atje dhe vendosa për to shenjtërore të qëndrueshme. (Gjithashtu) i mblodha tërë banorët e tyre (të dikurshëm) dhe (u) riktheva banesat.»i
15. Çfarë zbulon Cilindri i Kirit për të dhe si përputhet kjo me Biblën?
15 Kështu, Cilindri i Kirit tregon për politikën e mbretit për t’i kthyer popujt e robëruar në vendet e tyre të dikurshme. Në përputhje me këtë, Kiri nxori dekretin që judenjtë të ktheheshin në Jerusalem e të rindërtonin atje shtëpinë e Jehovait. Është interesante se 200 vjet përpara Jehovai kishte përmendur me emër në mënyrë profetike Kirin si ai që do të pushtonte Babiloninë dhe do të shkaktonte rivendosjen e popullit të Jehovait.—Isa. 44:28; 45:1; 2 Kron. 36:23.
ARKEOLOGJIA DHE SHKRIMET E KRISHTERE GREKE
16. Çfarë ka sjellë në dritë arkeologjia për sa u përket Shkrimeve Greke?
16 Ashtu si në rastin e Shkrimeve Hebraike, arkeologjia ka sjellë në dritë shumë objekte interesante të bëra nga njeriu, të cilat vërtetojnë dokumentimin e frymëzuar që përmbajnë Shkrimet e Krishtere Greke.
17. Si i mbështet arkeologjia fjalët e Jezuit në lidhje me çështjen e taksave?
17 Një denar me mbishkrimin e Tiberit. Në Bibël thuhet qartë se Jezui e kreu shërbimin e tij gjatë sundimit të Tiberit Cezar. Disa kundërshtarë të Jezuit u orvatën ta vinin në grackë duke e pyetur në lidhje me çështjen e pagimit të taksave individuale për Cezarin. Tregimi thotë: «Meqë e pikasi hipokrizinë e tyre, ai u tha: ‘Përse më vini në provë? Pa më sillni një denar që ta shikoj.’ Ata i çuan një denar dhe ai i pyeti: ‘Të kujt janë kjo shëmbëlltyrë dhe ky mbishkrim?’ Ata iu përgjigjën: ‘Të Cezarit.’ Atëherë Jezui u tha: ‘Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.’ Dhe ata filluan të mrekulloheshin me të.» (Mar. 12:15-17) Arkeologët kanë gjetur një denar prej argjendi që kishte si mbishkrim kokën e Tiberit Cezar! Ai u vu në qarkullim rreth vitit 15 të e.s. Kjo përputhet me periudhën e sundimit të Tiberit si perandor, e cila nisi në vitin 14 të e.s., dhe monedha përbën një dëshmi tjetër për dokumentimin biblik që thotë se shërbimi i Gjon Pagëzorit filloi në vitin e 15-të të Tiberit ose në pranverën e vitit 29 të e.s.—Luka 3:1, 2.
18. Çfarë zbulimi është bërë në lidhje me Ponc Pilatin?
18 Mbishkrimi i Ponc Pilatit. Ishte viti 1961 kur u bë zbulimi i parë arkeologjik që lidhej me Ponc Pilatin. Ky ishte një pllakë guri që u gjend në Cezare, në të cilën ishte shkruar në latinisht emri i Ponc Pilatit.
19. Çfarë ekziston ende në Athinë, duke vërtetuar përshkrimin që bëhet në Veprat 17:16-34?
19 Areopagu. Pavli mbajti një nga fjalimet e tij më të famshme të dokumentuara, në Athinë të Greqisë, në vitin 50 të e.s. (Vep. 17:16-34) Kjo ndodhi në kohën kur disa athinas e kapën Pavlin dhe e çuan në Areopag. Areopagu ose Kodra e Aresit (Kodra e Marsit), është emri i një kodre shkëmbore të zhveshur, rreth 113 metra të lartë, që ndodhet ngjitur në veriperëndim të Akropolit të Athinës. Shkallë të hapura në shkëmb çojnë në majë, ku mund të shihen ende stola të vrazhdë të gërmuar në shkëmb që formojnë tri brinjët e një katrori. Areopagu ekziston ende, duke vërtetuar përshkrimin që bën Bibla për ambientin ku Pavli mbajti fjalimin e tij historik.
20. Për ç’gjë vazhdon të dëshmojë Harku i Titit dhe si?
20 Harku i Titit. Jerusalemin dhe tempullin e tij i shkatërruan romakët e udhëhequr nga Titi, në vitin 70 të e.s. Vitin vijues, Titi bashkë me të atin, perandorin Vespasian, festuan në Romë triumfin e tij. Në procesionin triumfal bënë që të marshonin shtatëqind të burgosur judenj të zgjedhur. Gjithashtu në paradë u paraqitën sasi të mëdha me plaçka lufte, përfshirë edhe thesaret e tempullit. Vetë Titi u bë perandor dhe shërbeu si i tillë nga viti 79 deri në vitin 81 të e.s. dhe pas vdekjes së tij u përfundua një monument i madh, Harku i Titit, i cili iu kushtua divo Titos (Titit të hyjnizuar). Procesioni i tij triumfues është paraqitur në basoreliev, i skalitur në secilën anë të kalimit përmes harkut. Në njërën anë përshkruhen ushtarët romakë që mbajnë heshta pa kokë e me kurora dafine mbi krye dhe që mbajnë pajisjet e shenjta të tempullit të Jerusalemit. Ndër to janë shandani me shtatë krahë dhe tryeza e bukëve të paraqitjes, sipër së cilës qëndrojnë trumbetat e shenjta. Në relievin në anën tjetër të kalimit tregohet Titi triumfues që qëndron në këmbë në një karrocë të tërhequr nga katër kuaj dhe të cilën e nget një grua që paraqet qytetin e Romës.j Çdo vit mijëra vizitorë shohin këtë Hark triumfues të Titit, i cili qëndron ende në Romë si një dëshmi e heshtur e plotësimit të profecisë së Jezuit dhe e ekzekutimit të tmerrshëm të gjykimit të Jehovait kundër Jerusalemit rebel.—Mat. 23:37–24:2; Luka 19:43, 44; 21:20-24.
21. (a) Në ç’mënyrë kemi përfituar qoftë nga arkeologjia, qoftë nga zbulimi i dorëshkrimeve? (b) Cili është qëndrimi i duhur që duhet të kemi në lidhje me arkeologjinë?
21 Ashtu si zbulimi i dorëshkrimeve të lashta ka ndihmuar në ripërtëritjen e tekstit origjinal dhe të pastër të Biblës, po kështu zbulimi i shumë objekteve të lashta të bëra nga njeriu ka treguar shpesh se gjërat që thuhen në Bibël janë nga ana historike, kronologjike dhe gjeografike të besueshme deri në hollësitë më të vogla. Megjithatë do të ishte gabim të nxirrnim përfundimin se arkeologjia përputhet me Biblën në çdo rast. Duhet të kujtojmë se arkeologjia nuk është një fushë studimi e pagabueshme. Gjetjet arkeologjike janë objekt i interpretimeve njerëzore dhe disa prej këtyre interpretimeve kanë ndryshuar herë pas here. Ndonjëherë arkeologjia ka siguruar prova jo të domosdoshme që mbështetin vërtetësinë e Fjalës së Perëndisë. Për më tepër, siç e tha sër Frederik Kenioni, prej shumë vitesh drejtor dhe kryebibliotekar në Muzeun Britanik, arkeologjia e ka bërë Biblën «më të kuptueshme nëpërmjet një njohurie më të plotë për sfondin dhe ambientin e saj».k Por besimi duhet të bazohet te Bibla, e jo tek arkeologjia.—Rom. 10:9; Hebr. 11:6.
22. Cilat dëshmi do të shqyrtohen në studimin vijues?
22 Bibla përmban brenda saj dëshmi të pakundërshtueshme se është vërtet ‘fjala [autentike] e Perëndisë së gjallë e të përjetshëm’, siç do ta shohim në studimin vijues.—1 Pjet. 1:23.
[Shënimet]
a Bible and Spade, 1938, nga S. L. Kajger, faqja 29.
b Ancient Near Eastern Texts, 1974, nga Xh. B. Priçard, faqja 321; Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 941, 942, 1104, anglisht.
c Light From the Ancient Past, 1959, nga Xh. Finegan, faqet 91, 126.
d Ancient Near Eastern Texts, faqja 320.
e Ancient Near Eastern Texts, faqja 288.
f Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 151, 152, anglisht; Light From the Ancient Past, faqet 192-195.
g Ancient Near Eastern Texts, faqja 306.
h Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 581-583, anglisht.
i Ancient Near Eastern Texts, faqja 316.
j Light From the Ancient Past, faqja 329.
k The Bible and Archaeology, 1940, faqja 279.
[Figurat në faqen 333]
Guri moabit
Një zmadhim i Tetragramit, i cili është shkruar me germa të lashta dhe ndodhet në rreshtin e 18-të, djathtas
[Figura në faqen 334]
Prizmi i mbretit Senakerib
[Figura në faqen 335]
Kronika e Nabonidit
[Figura në faqen 336]
Denar me mbishkrimin e Tiberit
[Figura në faqen 337]
Harku i Titit
[Burimet e figurës në faqen 337]
Burimet e figurës për Studimin 9:
faqja 333: Muzeu i Luvrit, Paris;
faqja 334: Me mirësjelljen e Institutit Oriental të Universitetit të Çikagos;
faqja 335: Fotografi e bërë me mirësjelljen e Muzeut Britanik; faqja 336: E drejta e autorit Muzeu Britanik;
faqja 337: Soprintendenza Archeologica di Roma.