BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • si f. 320-327
  • Studimi numër 7​—Bibla në kohët moderne

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Studimi numër 7​—Bibla në kohët moderne
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SHOQATAT BIBLIKE
  • DËSHMITARËT E JEHOVAIT SI BOTUES TË BIBLËS
  • NJË SHOQATË QË SHTYP BIBLA
  • SHKRIMET E SHENJTA—PËRKTHIMI BOTA E RE
  • Një moment historik për ata që e duan fjalën e Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Përkthimi Bota e Re
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
  • Përkthimi Bota e Re vlerësohet nga miliona njerëz në mbarë botën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Një përkthim i gjallë i Fjalës së Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
Shih më tepër
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
si f. 320-327

Studime mbi Shkrimet e frymëzuara dhe informacione në lidhje me to

Studimi numër 7​—Bibla në kohët moderne

Historia e shoqatave biblike; puna e Shoqatës Watch Tower për shtypjen dhe botimin e Biblave; prodhimi i «Përkthimit Bota e Re».

1. (a) Për ç’qëllim u dhanë mesazhet hyjnore dhe pse disa nuk u hodhën me shkrim? (b) Cilat urdhra specifikë u dha Jehovai shumë prej profetëve dhe ç’dobi ka kjo për ne në «ditët e fundit»?

SHKRIMET e Shenjta, pra, 66 librat e frymëzuar që sot i njohim si Bibla, përmbajnë ‘thëniet e Jehovait’ të hedhura me shkrim. (Isa. 66:5) Gjatë shumë shekujve këto ‘thënie’ rrodhën lirisht nga Jehovai për te profetët dhe shërbëtorët e tij në tokë. Këto mesazhe hyjnore plotësuan qëllimin e tyre të drejtpërdrejtë dhe gjithashtu dhanë disa pamje paraprake të ngjarjeve që do të ndodhnin patjetër në të ardhmen e largët. Nga profetët e Perëndisë nuk kërkohej gjithnjë që t’i hidhnin me shkrim ‘thëniet e Jehovait’ që u transmetoheshin atyre. Për shembull, disa nga fjalët e Elijas dhe të Eliseut që iu thanë brezit të kohës së tyre, nuk janë ruajtur në formë të shkruar. Nga ana tjetër, profetët Moisi, Isaia, Jeremia, Habakuk dhe të tjerë, morën urdhra specifikë që ‘të shkruanin në një libër ose në një rrotull’ ‘thëniet e Jehovait’ që iu zbuluan. (Dal. 17:14; Isa. 30:8; Jer. 30:2; Hab. 2:2; Zbul. 1:11) Në këtë mënyrë «fjalët e thëna që më parë nga profetët e shenjtë» u ruajtën bashkë me shkrime të tjera të shenjta, që të zgjonin aftësitë e shërbëtorëve të Jehovait për të menduar më mënyrë të kthjellët dhe sidomos që të siguronin udhëheqje për «ditët e fundit».​—2 Pjet. 3:1-3.

2. Cilat periudha në histori janë shquar për shtim të aktivitetit të kopjimit dhe të përkthimit të Biblës?

2 Shumë kopje të Shkrimeve të frymëzuara Hebraike u bënë që nga koha e Ezdrës e më tej. Duke filluar nga shekulli i parë i erës sonë Bibla u kopjua e u rikopjua nga të krishterët e parë dhe u përdor në dhënien e dëshmisë për qëllimet e Jehovait në lidhje me Krishtin e tij, anembanë botës që njihej në atë kohë. Kur u përhap shtypshkrimi me shkronja të lëvizshme (nga shekulli i 15-të e më tej), iu dha nxitje e mëtejshme shumëfishimit dhe shpërndarjes së kopjeve të Biblës. Në shekullin e 16-të dhe të 17-të u ndërmorën shumë përkthime dhe shtypje të Biblës nga grupe individësh. Tashmë në vitin 1800 Bibla ekzistonte e tëra ose pjesërisht në 71 gjuhë.

SHOQATAT BIBLIKE

3. Cili faktor ka kontribuar shumë në shtimin e shpërndarjes së Biblës që prej fillimit të shekullit të 19-të?

3 Kësaj vepre iu dha nxitje më e madhe në shekullin e 19-të dhe të 20-të, kur shoqatat biblike të sapoformuara filluan të merrnin pjesë në punën kolosale të shpërndarjes së Biblave. Një nga shoqatat më të hershme biblike ishte Shoqata Biblike për në Britani dhe Jashtë, e cila u organizua në Londër në vitin 1804. Organizimi i kësaj shoqate biblike shkaktoi formimin e shumë shoqatave të tjera të tilla.a

4. (a) Cilat statistika tregojnë se fjala e jetës është përhapur vërtet në të gjithë tokën? (b) Cili informacion i dobishëm jepet në tabelën në faqen 322 në lidhje me versionet e ndryshme biblike që janë renditur? Ilustroje këtë duke iu referuar ndonjë versioni specifik të Biblës.

4 Me kaq shumë shoqata biblike që vepronin, vepra e shpërndarjes së Biblës lulëzoi. Në vitin 1900 Bibla kishte dalë e tëra ose pjesërisht në 567 gjuhë dhe në vitin 1928 në 856 gjuhë. Në vitin 1938 u kalua numri një mijë dhe tani Bibla ekziston në më tepër se 2.350 gjuhë. Fjala freskuese e jetës që vjen nga Jehovai është përhapur në të gjithë tokën! Kështu është bërë e mundur që njerëz nga të gjitha kombet t’i përgjigjen thirrjes: «Lëvdoni Jehovain, të gjitha ju kombe! Të gjithë popujt le ta lëvdojnë!» (Rom. 15:11) Në tabelën në faqen 322 me titull «Disa përkthime të rëndësishme në shtatë gjuhë kryesore» jepen informacione të mëtejshme për shpërndarjen e sotme të Biblës.

5. Ç’gjë është edhe më e rëndësishme se shpërndarja e Biblave, megjithatë për çfarë janë mirënjohës Dëshmitarët e Jehovait?

5 Megjithëse është një vepër e lavdërueshme t’ua bësh të mundur njerëzve në gjithë tokën që të kenë Biblën, një detyrë edhe më e rëndësishme është t’i përdorësh këto Bibla për t’u dhënë atyre kuptueshmëri rreth saj. Në kohën e hebrenjve të lashtë dhe të krishterëve të parë, kur kishte pak Bibla, ishte e rëndësishme përçimi i ‘kuptimit’ të fjalës, dhe kjo është ende gjëja më e rëndësishme. (Mat. 13:23; Neh. 8:8) Megjithatë, kjo vepër e mësimit të Fjalës së Perëndisë njerëzve të të gjithë tokës është përshpejtuar nga shpërndarja e gjerë e Biblës. Ndërsa Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë të çojnë përpara veprën e tyre botërore të arsimimit biblik, ata janë mirënjohës që tani ka miliona Bibla në shumë vende dhe gjuhë.

DËSHMITARËT E JEHOVAIT SI BOTUES TË BIBLËS

6. Cili aktivitet i ka karakterizuar Dëshmitarët e Jehovait sot dhe në kohët e lashta?

6 Dëshmitarët e Jehovait gjithnjë janë angazhuar në riprodhimin e Biblës. Ishte kështu në ditët e Ezdrës. Po kështu ishte në ditët e dishepujve të hershëm të Jezu Krishtit, të cilët e mbushën aq shumë botën e lashtë me kopjet e tyre të Biblës të shkruara me dorë, saqë trashëgimia e tyre e pasur me dorëshkrime që kemi marrë e tejkalon atë të çdo literature tjetër të lashtë. Tani, në këto kohë moderne, Dëshmitarët e Jehovait karakterizohen nga i njëjti zell për veprën e riprodhimit të Biblës.

7. Cilën shoqatë formuan Dëshmitarët e Jehovait dhe kur e formuan? Si filluan ta zhvillonin shërbimin e tyre në atë kohë?

7 Në vitin 1884 Dëshmitarët e Jehovait formuan një shoqatë për të kryer veprën e botimit të Biblës. Shoqata njihet tani me emrin Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Në fillim Biblat bliheshin nga shoqata të tjera biblike që t’i rishpërndanin Dëshmitarët të cilët madje edhe në atë kohë zhvillonin shërbimin e tyre karakteristik shtëpi më shtëpi. Versioni i tyre bazë që përdornin në anglisht për studimin e Biblës ishte King James Version i vitit 1611.

8. (a) Në ç’mënyrë Watch Tower Bible and Tract Society ka vepruar në përputhje me emrin e saj? (b) Si i ka përdorur Shoqata përkthimet e shumta të Biblës dhe për ç’qëllim?

8 Në përputhje me emrin e saj shoqata Watch Tower Bible and Tract Society është angazhuar në shpërndarjen e Biblave, si edhe në botimin e librave, të fletushkave dhe të botimeve të tjera të krishtere. E ka bërë këtë për t’u mësuar njerëzve mësimet e vërteta të Fjalës së Perëndisë. Vepra e saj e arsimimit biblik i ka ndihmuar njerëzit që duan drejtësinë të largohen nga traditat e fesë së rreme dhe nga filozofia botërore e të gjejnë liri tek e vërteta biblike e zbuluar nëpërmjet Jezuit dhe zëdhënësve të tjerë të përkushtuar të Jehovait. (Gjoni 8:31, 32) Që nga koha kur filloi të botohej revista Kulla e Rojës në vitin 1879, në botimet e Shoqatës Watch Tower janë cituar dhe përmendur shumë përkthime të Biblës. Kështu, Shoqata e ka pranuar vlerën e të gjithë atyre dhe ka përdorur gjërat e mira në to për të hequr pështjellimin fetar dhe për të paraqitur mesazhin e Perëndisë.

9. Si hyri Shoqata në fushën e botimit të Biblës?

9 Biblat e Rotherhamit dhe të Holmanit. Që në vitin 1890 Dëshmitarët e Jehovait, nëpërmjet Shoqatës Watch Tower hynë drejtpërdrejt në fushën e botimit dhe të shpërndarjes së Biblës. Në atë kohë kishin siguruar të drejtat e shtypjes nga përkthyesi britanik i Biblës Xhozef B. Rotherhami, për të botuar në Shtetet e Bashkuara botimin e dytë të Besëlidhjes së Re të përkthyer prej tij. Në faqen e parë të këtyre kopjeve të shtypura shfaqej emri Watch Tower Bible and Tract Society, Allegeni, Pensilvani, meqë selia e Shoqatës ndodhej atje në atë kohë. Në vitin 1901 u morën masa për një botim të veçantë të Biblës Holman Linear Bible, në të cilën anash tekstit ndodheshin shënimet shpjeguese të marra nga botimet e Shoqatës të viteve 1895 deri 1901. Teksti i Biblës përmbante Shkrimet Hebraike dhe Greke sipas versioneve King James Version dhe Revised Version. I tërë botimi prej 5.000 kopjesh tashmë ishte shpërndarë në vitin 1903.

10. Botuese e cilit version të Shkrimeve Greke u bë Shoqata në vitin 1902?

10 The Emphatic Diaglott. Në vitin 1902 Shoqata Watch Tower u bë zotëruesja e të drejtave të autorit dhe botuesja e shpërndarësja e vetme e versionit The Emphatic Diaglott. Këtë version të Shkrimeve të Krishtere Greke e përgatiti përkthyesi biblik me origjinë angleze, Benxhamin Uillsoni nga Xheniva, Ilinois. Ai përfundoi në vitin 1864. Në version ishte teksti grek i J. J. Grisbahut bashkë me një përkthim fjalë për fjalë në anglisht, të shkruar midis rreshtave, dhe djathtas ishte vetë versioni i Uillsonit në të cilin ai përdorte shenjat e tij të veçanta të emfazës.

11. Kur e botoi Shoqata Biblën «Botimi i Studentëve të Biblës» dhe çfarë përmbante ajo?

11 Një botim i Studentëve të Biblës. Në vitin 1907 Shoqata Watch Tower botoi Biblën «Botimi i Studentëve të Biblës». Ky vëllim përmbante një version të shtypur pastër të Biblës King James Version, dhe në të përfshiheshin shënime të shkëlqyera anash faqes bashkë me një shtojcë shumë të dobishme të përgatitur nga Dëshmitarët e Jehovait. Shtojca, e cila më vonë u zgjerua dhe kishte mbi 550 faqe, u quajt «Manuali i mësuesve bereas të Biblës» dhe u botua edhe si libër më vete. Ajo përmbante komente të shkurtra për shumë vargje të Biblës, me referime për Kullën e Rojës dhe për libra të tjera të Shoqatës, si edhe një përmbledhje me argumente doktrinale të shoqëruara nga shkrime kyçe për ta bërë më të lehtë prezantimin e tyre njerëzve. Kjo kishte formë të ngjashme me botimin e mëvonshëm të Shoqatës, me titull «Sigurohuni për të gjitha gjërat». Gjithashtu në të përfshihej një tregues i argumenteve të ndryshme, shpjegime të vargjeve të vështira, një listë me vargjet që nuk ishin origjinale, një tregues i Shkrimeve, një kronologji e krahasuar dhe 12 harta. Kjo Bibël e shkëlqyer u shërbeu Dëshmitarëve të Jehovait për dhjetëvjeçarë të tërë në veprën e tyre publike të predikimit.

NJË SHOQATË QË SHTYP BIBLA

12. Kur u përfshi Shoqata në fushën e shtypjes së Biblës?

12 Për 30 vjet Shoqata Watch Tower pajtoi firma të ndryshme që të bënin shtypjen e Biblave të saj. Por në dhjetor 1926 Bibla The Emphatic Diaglott ishte versioni i parë që u shtyp në makinat e shtypit të Shoqatës në Bruklin, Nju-Jork. Shtypja e këtij botimi të Shkrimeve të Krishtere Greke ngjalli shpresën se një ditë në makinat e shtypit të Shoqatës do të shtypej e tërë Bibla.

13. (a) Cila ishte Bibla e parë e plotë e shtypur nga Shoqata dhe kur doli ajo? (b) Cilat materiale ndihmëse përmbante?

13 King James Version. Lufta II Botërore nxori në pah nevojën për të pasur një botim të pavarur të Biblës. Ndërsa konflikti botëror ishte në kulmin e tij, Shoqata arriti të blinte lastrat e versionit të plotë të Biblës King James Version. Më 18 shtator 1942, në Klivlend të Ohajos, që ishte qyteti kyç ku u mbajt Asambleja Teokratike e Botës së Re të Dëshmitarëve të Jehovait, presidenti i Shoqatës foli rreth temës «Paraqitni ‘shpatën e frymës’». Në kulm të këtij fjalimi ai prezantoi Biblën e parë të plotë të shtypur në fabrikën e Shoqatës Watch Tower në Bruklin. Në shtojcën e saj kishte një listë me emra të përveçëm me domethënien e tyre, një «Tregues alfabetik të fjalëve dhe të shprehjeve biblike» të përgatitur në mënyrë të veçantë dhe materiale të tjera ndihmëse. Në krye të çdo faqeje kishte një frazë të përshtatshme. Për shembull, te kapitulli i 11-të i Gjykatësve, fraza «Zotimi i nxituar i Jefteut» u zëvendësua nga fraza «Zotimi i sinqertë i Jefteut» dhe te Gjoni kapitulli i 1-rë ishte fraza «Ekzistenca paranjerëzore dhe lindja si njeri e Fjalës së Perëndisë».

14. Cili përkthim i përmirësuar i Biblës u shtyp nga Shoqata në vitin 1944 dhe çfarë veçorish ka kjo Bibël?

14 American Standard Version. Një përkthim tjetër i rëndësishëm i Biblës është American Standard Version i vitit 1901. Ai ka veçorinë më të lavdërueshme që e përkthen emrin e Perëndisë «Jehova» rreth 7.000 herë në Shkrimet Hebraike. Pas bisedimesh të gjata, Shoqata Watch Tower mundi të blinte në vitin 1944 të drejtën e përdorimit të lastrave të krejt Biblës American Standard Version për ta shtypur në makinat e veta të shtypit. Më 10 gusht 1944 në Bufalo të Nju-Jorkut, që ishte qyteti kyç i 17 asambleve të njëkohshme të Dëshmitarëve të Jehovait që ishin lidhur bashkë me anë të linjave telefonike private, presidenti i Shoqatës e gëzoi auditorin e madh duke prezantuar botimin e Shoqatës Watch Tower të Biblës American Standard Version. Në shtojcë përfshihet një «Tregues alfabetik i fjalëve, emrave dhe shprehjeve biblike» i cili është i zgjeruar dhe shumë i dobishëm. Një format xhepi i këtij versioni të Biblës u botua në vitin 1958.

15. Cilin përkthim prodhoi Shoqata në vitin 1972?

15 The Bible in Living English. Në vitin 1972 Shoqata Watch Tower prodhoi versionin The Bible in Living English, të të ndjerit Stiven T. Bajingtoni. Ky version e përkthen në mënyrë koherente emrin e Perëndisë «Jehova».

16. Në cilën vepër të dyfishtë janë përfshirë Dëshmitarët e Jehovait?

16 Pra, Dëshmitarët e Jehovait jo vetëm që predikojnë në më shumë se 200 vende dhe ishuj anembanë tokës lajmin e mirë për Mbretërinë e vendosur të Perëndisë, por kanë shtypur dhe botuar në një shkallë të madhe Librin e vyer që përmban mesazhin e Mbretërisë, pra, Shkrimet e Shenjta të frymëzuara nga Perëndia Jehova.

SHKRIMET E SHENJTA—PËRKTHIMI BOTA E RE

17. (a) Si kanë qenë të dobishme versionet e shumta të Biblës, por çfarë të metash kanë ato? (b) Çfarë ishte përpjekur të siguronte presidenti i Shoqatës Watch Tower që prej vitit 1946?

17 Dëshmitarët e Jehovait janë mirënjohës për tërë versionet e shumta biblike që kanë përdorur për të studiuar të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Sidoqoftë, gjithë këto përkthime, madje edhe më i riu fare, kanë të meta. Në to ka mospërputhje ose është bërë një përkthim i mangët i vargjeve, pasi ato janë infektuar nga traditat sektare ose filozofitë botërore, prandaj nuk janë plotësisht në përputhje me të vërtetat e shenjta që Jehovai ka dokumentuar në Fjalën e tij. Sidomos që prej vitit 1946, presidenti i Watch Tower Bible and Tract Society ishte përpjekur të siguronte një përkthim të besueshëm të Shkrimeve nga gjuhët origjinale—një përkthim po kaq të kuptueshëm për lexuesit e sotëm sa ishin edhe shkrimet origjinale për njerëzit e thjeshtë e të mençur të vetë epokës kur u shkrua Bibla.

18. Si arriti Shoqata të botonte dhe të shtypte Përkthimin Bota e Re?

18 Më 3 shtator 1949, në selinë e Shoqatës në Bruklin, presidenti i saj e njoftoi Këshillin e Drejtuesve se Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re kishte përfunduar një përkthim modern të Shkrimeve të Krishtere Greke. U lexua dokumenti i komitetit me anë të cilit komiteti ia kalonte Shoqatës zotërimin, kontrollin dhe botimin e dorëshkrimit të përkthimit, në shenjë mirënjohjeje për veprën jo sektare të Shoqatës për të përhapur arsimimin biblik anembanë tokës. U lexuan edhe pjesë të dorëshkrimit, për të ilustruar natyrën dhe cilësinë e përkthimit. Drejtuesit e pranuan njëzëri dhuratën e përkthimit dhe u morën masa për shtypjen e tij të menjëhershme. Faqosja nisi më 29 shtator 1949 dhe në fillim të verës së vitit 1950 përfunduan dhjetëra mijë kopje në formë të lidhur.

19. (a) Si doli në pjesë Përkthimi Bota e Re? (b) Çfarë përpjekjeje ishte bërë për përgatitjen e këtyre vëllimeve?

19 Botimi në pjesë i Përkthimit Bota e Re. Të mërkurën më 2 gusht 1950, në ditën e katërt të asamblesë ndërkombëtare në Stadiumin Jenki të Nju-Jorkut, një auditor me 82.075 Dëshmitarë të Jehovait, krejtësisht i befasuar, pranoi me gjithë zemër botimin Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. I inkurajuar nga entuziazmi me të cilin u prit në fillim ky botim, si edhe nga shprehjet e mëvonshme të çmueshmërisë për cilësinë e përkthimit, Komiteti ndërmori më pas veprën tejet të madhe të përkthimit të Shkrimeve Hebraike. Ajo doli në pesë vëllime të cilat u botuan njëri pas tjetrit nga viti 1953 deri në vitin 1960. Të gjitha vëllimet formonin një bibliotekë të krejt Biblës në anglishten moderne. Çdo vëllim përmbante edhe materiale ndihmëse për studimin e Biblës. Në këtë mënyrë studiuesi i ditëve moderne i Biblës kishte një depo të madhe me informacione nga Shkrimet. Ishin bërë përpjekje të zellshme për të përdorur çdo burim të besueshëm të informacioneve për tekstin, në mënyrë që Përkthimi Bota e Re të shprehte qartë dhe saktë mesazhin e fuqishëm të Shkrimeve të frymëzuara origjinale.

20. (a) Cilat materiale ndihmëse të vlefshme përmbante botimi i parë i Përkthimit Bota e Re te shënimet dhe te referimet në mes të faqeve? (b) Çfarë informacioni tjetër të dobishëm përmbante ky botim?

20 Midis materialeve ndihmëse për studimin e Biblës që përmbante botimi i parë me gjashtë pjesë i Përkthimit Bota e Re ndodhej koleksioni i çmuar me shënime për tekstin, i cili jepte informacione për përkthimin. Në këto shënime kishte argumente të fuqishme në mbrojtje të Shkrimeve. Ishte përfshirë edhe një sistem-zinxhir për referimet. Këta zinxhirë me fjalë të rëndësishme doktrinale ishin përgatitur për ta drejtuar studiuesin te një sërë shkrimesh kyçe në lidhje me këto tema. Në mes të faqeve kishte shumë referime. Këto e drejtonin lexuesin te (a) fjalët e ngjashme, (b) mendimet, idetë dhe ngjarjet paralele, (c) të dhënat biografike, (ç) të dhënat gjeografike, (d) plotësimi i profecive dhe (dh) citimet e drejtpërdrejta në ose nga pjesë të tjera të Biblës. Te vëllimet kishte gjithashtu parathënie të rëndësishme, figura të disa dorëshkrimeve të lashta, shtojca e tregues të dobishëm dhe harta të vendeve biblike. Botimi i parë i Përkthimit Bota e Re ishte një minierë ari për studimin personal të Biblës dhe që Dëshmitarët e Jehovait të mësonin në mënyrë dobiprurëse njerëzit me zemër të ndershme. Më vonë, më 30 qershor 1963, në fillim të asamblesë së Dëshmitarëve të Jehovait me temë «Lajmi i mirë i përhershëm», që u zhvillua në Miluoki, Uiskonsin, në SHBA, doli Bibla në një vëllim të vetëm, në 150.000 kopje. Ky ishte një botim i veçantë, posaçërisht për studim.

21. (a) Në cilin rast doli botimi i rishikuar i Përkthimit Bota e Re? (b) Cilat ishin disa veçori të tij?

21 Botimi në një vëllim të vetëm i rishikuar. Në verën e vitit 1961, në një seri asamblesh të Dëshmitarëve të Jehovait që u mbajtën në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë doli për t’u shpërndarë një botim i rishikuar i krejt Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re, i cili ishte në një vëllim që mund të përdorej më lehtë. Ai u pranua me gëzim nga qindra mijë veta që morën pjesë në këto asamble. Botimi ishte me kapak të gjelbër dhe përmbante 1.472 faqe, si edhe kishte një tregues alfabetik të shkëlqyer, një shtojcë me tema biblike dhe disa harta.

22, 23. Cilat botime të tjera kanë dalë dhe cilat janë disa nga veçoritë e tyre?

22 Botime të tjera. Në vitin 1969 doli The Kingdom Interlinear Translation of the Greek Scriptures dhe botimi i dytë i tij doli në vitin 1985. Ai përmban një përkthim fjalë për fjalë në anglisht të tekstit grek të botuar nga Uestkoti dhe Horti, si edhe versionin në anglishten e sotme të botimit të vitit 1984 të Përkthimit Bota e Re. Në këtë mënyrë i krijon mundësi atij që e studion seriozisht Biblën të shohë se çfarë thotë në thelb ose fjalë për fjalë teksti grek origjinal.

23 Një rishikim i dytë i Përkthimit Bota e Re doli në vitin 1970 dhe në vitin 1971 doli një rishikim i tretë me shënime. Në kongreset krahinore të Dëshmitarëve të Jehovait me temë «Rritje e Mbretërisë», që u mbajtën në vitin 1984, doli në anglisht një botim me referime i rishikuar. Ai përfshin një përditësim dhe rishikim të plotë të referimeve në mes të faqeve që ishin paraqitur fillimisht në anglisht nga viti 1950 deri në vitin 1960. Botimi, i cili është përgatitur për ata që e studiojnë seriozisht Biblën, përmban mbi 125.000 referime, më tepër se 11.000 shënime, një tregues të madh alfabetik, harta dhe 43 shtojca. Gjithashtu, në vitin 1984 doli një botim me madhësi normale i rishikimit të vitit 1984, i cili ka referime, por jo shënime.

24. (a) Cilat janë disa epërsi edhe të botimit normal, edhe të atij me referime? (b) Ilustro përdorimin e frazave në krye të faqeve.

24 Disa epërsi. Për ta ndihmuar lexuesin që të gjejë shpejt ndonjë material që dëshiron, edhe botimi normal, edhe ai me referime, përmbajnë në krye të çdo faqe një frazë të zgjedhur me kujdes. Këto fraza përshkruajnë materialin që ndodhet poshtë tyre dhe janë bërë në veçanti për të ndihmuar lajmëtarin e Mbretërisë që të gjejë shpejt vargjet për t’iu përgjigjur pyetjeve që mund t’i bëjnë. Për shembull, ai mund të jetë duke u përpjekur që të gjejë këshilla për stërvitjen e fëmijëve. Duke hapur në faqen 878 (botimi normal në shqip) te Proverbat, ai sheh frazën «Emër i mirë». Meqë është fraza e parë në krye të faqes, ajo tregon se kjo temë do të jetë trajtuar e para në atë faqe, dhe ja ku e gjen te Proverbat 22:1. Shkrimin që identifikohet nga fraza e dytë në krye të asaj faqe «Stërvite djalin», ai e gjen po në atë faqe në vargun 6. Fraza e dytë në krye të faqes 879 është «Shkopi i disiplinës». Ky material gjendet në atë faqe te Proverbat 23:13. Këto fraza në krye të faqeve mund të jenë një ndihmë e madhe për lajmëtarin e Mbretërisë i cili e di vendndodhjen e përgjithshme të vargjeve që po kërkon. Ato bëjnë të mundur që ta përdorim Biblën në mënyrë të zhdërvjellët.

25. Cili renditës alfabetik është siguruar dhe për cilat raste praktike mund të përdoret?

25 Në fund të botimit normal dhe të atij me referime të kësaj Bible, ka një pjesë që quhet «Renditja e fjalëve biblike». Këtu gjenden mijëra fjalë biblike të rëndësishme të shoqëruara nga një rresht që përmban kontekstin e vargut përkatës. Ajo është në fakt një tregues alfabetik që përfshin edhe një gamë të gjerë me fjalë të reja përshkruese që janë përdorur në tekst. Treguesi i fjalëve bën të mundur të gjenden vargje biblike që lidhen me tema doktrinale, si për shembull, «shpirt» ose «shpërblesë», dhe të cilat ndihmojnë të bëhet një studim i hollësishëm drejtpërdrejt nga Bibla. Një lajmëtar i Mbretërisë që duhet të predikojë për cilëndo nga këto tema kryesore, mund të përdorë menjëherë pjesët e shkurtra të kontekstit që jepen në këtë renditës alfabetik. Gjithashtu, janë renditur citime kryesore për emra të përveçëm të rëndësishëm, përfshirë edhe vende gjeografike dhe personazhe të shquara biblike. Në këtë mënyrë u jepet një ndihmë tejet e çmuar të gjithë atyre që studiojnë Biblën nëpërmjet këtij përkthimi.

26. Ilustro një mënyrë se si ndihmojnë shtojcat e Përkthimit Bota e Re.

26 Shtojcat me informacione studimore sigurojnë të dhëna të sakta që janë të dobishme për mësimdhënien. Shtojcat janë renditur në atë mënyrë që mund të përdoren si mjete ndihmëse për të shpjeguar doktrinat biblike kryesore dhe temat e lidhura me to. Për shembull, në shtojcën që trajton argumentin e «shpirtit», nën tetë nëntituj janë renditur vargjet biblike që tregojnë mënyrat e ndryshme në të cilat është përdorur fjala «shpirt» (hebraisht néfesh). Po ashtu shtojcat përmbajnë edhe diagrame e harta. Bibla me referime, në anglisht, përmban një shtojcë më të zgjeruar, si edhe shënime të dobishme që japin informacione tekstuale në një mënyrë të thjeshtë. Pra, Përkthimi Bota e Re shquhet për materialet ndihmëse që i ndihmojnë lexuesit të marrin lehtësisht njohurinë e saktë.

27. A është Përkthimi Bota e Re thjesht një rishikim i përkthimeve të mëparshme dhe cilat veçori të tij e mbështetin përgjigjen tënde?

27 Një përkthim i gjallë. Përkthimi Bota e Re është një përkthim i gjallë nga gjuhët origjinale biblike hebraisht, aramaisht dhe greqisht. Ai nuk është aspak rishikim i ndonjë përkthimi tjetër në anglisht, as kopjon ndonjë version tjetër për sa i përket stilit, fjalorit apo ritmit. Për pjesën hebraiko-aramaike u përdor Biblia Hebraica e Rudolf Kitelit, botimi i 7-të, i 8-të dhe i 9-të (1951-1955). Teksti i këtij botimi është i përpunuar mirë dhe i pranuar nga të gjithë. Një botim i ri i tekstit hebraik, i njohur si Biblia Hebraica Stuttgartensia, e vitit 1977, u përdor për të përditësuar informacionet e paraqitura te shënimet e Përkthimit Bota e Re—Me referime, anglisht. Pjesa greke u përkthye kryesisht nga teksti bazë grek i përgatitur nga Uestkoti dhe Horti, botuar në vitin 1881. Megjithatë, Komiteti i Përkthimit Bota e Re konsultoi edhe tekste të tjera greke, përfshirë tekstin grek të Nestlesë (1948). Përshkrime të këtyre teksteve bazë të shkëlqyera paraqiten në Studimet 5 dhe 6 të këtij libri. Komiteti i përkthimit ka bërë një përkthim energjik e të saktë të Biblës, dhe kjo ka sjellë si rezultat një tekst të qartë dhe të gjallë, i cili krijon mundësinë për një kuptueshmëri më të thellë e më të kënaqshme të Fjalës së Perëndisë.

28. Cili është vlerësimi i një kritiku për këtë përkthim?

28 Vër re vlerësimin e një kritiku për këtë përkthim: «Ekzistojnë shumë pak versione të Shkrimeve Hebraike të përkthyera nga gjuhët origjinale në gjuhën angleze. Prandaj jemi shumë të lumtur të mirëpresim botimin e pjesës së parë të Përkthimit Bota e Re [të Shkrimeve Hebraike], nga Zanafilla deri te Rutha. . . . Për këtë version duket qartë se janë bërë përpjekje të veçanta që të jetë krejtësisht i lexueshëm. Askush nuk mund të thotë se i mungon gjallëria dhe origjinaliteti. Terminologjia e tij nuk bazohet aspak te versionet e mëparshme.»b

29. Si e vlerësoi një studiues i hebraishtes Përkthimin Bota e Re?

29 Studiuesi i hebraishtes, profesor dr. Benxhamin Kedari nga Izraeli, në një intervistë me një përfaqësues të Shoqatës Watch Tower dha këtë vlerësim për Përkthimin Bota e Re: «Në kërkimet e mia gjuhësore në lidhje me Biblën Hebraike dhe përkthimet, shpesh i referohem botimit në anglisht që njihet si Përkthimi Bota e Re. Çdo herë vërtetoj se kjo vepër pasqyron një përpjekje të ndershme për të arritur një kuptueshmëri të tekstit që të jetë sa më e saktë. Kjo vepër e cila dëshmon për një zotërim të mirë të gjuhës origjinale, i përkthen fjalët origjinale në një gjuhë të dytë në mënyrë të kuptueshme pa u shmangur pa qenë nevoja nga struktura specifike e hebraishtes. . . . Çdo shprehje gjuhësore lë vend për një farë hapësire në interpretim ose në përkthim. Prandaj zgjidhja gjuhësore për çdo rast të caktuar mund të jetë objekt debatesh. Por unë nuk kam zbuluar kurrë në Përkthimin Bota e Re ndonjë përkthim të qëllimshëm të bazuar në paragjykime që nga teksti të kuptohet diçka që ai nuk e përmban.»c

30. Deri në ç’masë është përkthyer fjalë për fjalë Përkthimi Bota e Re në anglisht dhe ç’dobi ka sjellë kjo?

30 Një përkthim fjalë për fjalë. Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re bëri përpjekje ta përkthente fjalë për fjalë tekstin biblik. Atje ku e lejonin idiomat e anglishtes së sotme ata u përpoqën të ndiqnin një përkthim fjalë për fjalë në anglisht të teksteve që ishin në hebraisht dhe greqisht. Për më tepër, iu kushtua vëmendje rendit të fjalëve të tekstit hebraik ose grek, duke ruajtur kështu emfazën e shkrimeve origjinale. Nëpërmjet përkthimit fjalë për fjalë, shija, ngjyra dhe ritmi i shkrimeve origjinale iu përcollën saktësisht lexuesit të gjuhës angleze dhe përkthimi u bë baza për ta përkthyer edhe në gjuhë të tjera.

31. Si sinjalizohet lexuesi për rastet kur ndonjëherë nuk është ndjekur teksti fjalë për fjalë?

31 Në disa raste përkthyesit e botimit në anglisht nuk e kanë përkthyer tekstin fjalë për fjalë, që të përcillnin me terma të kuptueshëm idiomat e vështira hebraike ose greke. Megjithatë, në botimin me referime të Përkthimit Bota e Re, për shumë prej këtyre rasteve lexuesi sinjalizohet nëpërmjet shënimeve, ku jepet një përkthim fjalë për fjalë.

32. (a) Ç’pasojë vjen duke hequr dorë nga përkthimi fjalë për fjalë? (b) Ilustroje.

32 Shumë përkthyes biblikë kanë hequr dorë nga përkthimi fjalë për fjalë, jo vetëm për hir të saktësisë dhe të qartësisë, por për atë që ata e konsiderojnë elegancë gjuhe dhe forme. Ata thonë se përkthimet fjalë për fjalë janë pa jetë, të ngurta dhe kufizuese. Sidoqoftë, heqja dorë nga përkthimi fjalë për fjalë dhe futja e parafrazimeve dhe e interpretimeve, ka sjellë si pasojë shumë herë largime nga thëniet e sakta origjinale të së vërtetës. Faktikisht ato ua kanë pakësuar forcën mendimeve të Perëndisë. Për shembull, ish-rektori i një universiteti të madh amerikan, një herë i akuzoi Dëshmitarët e Jehovait se kishin prishur bukurinë dhe elegancën e Biblës. Me fjalën Bibël ai i referohej përkthimit King James Version, i cili për një kohë të gjatë ishte respektuar si standardi i një anglishteje të bukur. Ai tha: ‘Shihni se çfarë i keni bërë Psalmit 23. I keni prishur ritmin dhe bukurinë duke e përkthyer: «Je/ho/vah is/ my/ shep/herd. [Jehovai është bariu im].» Shtatë rrokje në vend se gjashtë. Është tronditëse. Nuk ka ekuilibër. S’ka ritëm. Versioni King James ka përkthimin e saktë me gjashtë rrokjet e ekuilibruara: «The/ Lord/ is/ my/ shep/herd. [Zotëria është bariu im].» Iu argumentua profesorit se ishte më e rëndësishme që të përkthehej ashtu si e kishte shprehur Davidi, shkrimtari biblik. A përdori Davidi termin e përgjithshëm «Zotëri» apo përdori emrin e Perëndisë? Profesori e pranoi se Davidi përdori emrin e Perëndisë, megjithatë, ai kundërshtoi se për hir të bukurisë dhe të elegancës, fjala «Zotëri» do të ishte përligjur. Çfarë justifikimi i kotë për të hequr emrin e ndritur të Jehovait nga psalmi që është thurur për t’i dhënë lavdi!

33. Për çfarë mund ta falënderojmë Perëndinë dhe cila është dëshira e lutja jonë?

33 Mijëra vargje janë sakrifikuar në këtë mënyrë në altarin e konceptit njerëzor për bukurinë e gjuhës, dhe kjo ka sjellë si pasojë pasaktësi në shumë versione biblike. Falënderojmë Perëndinë që ka siguruar Përkthimin Bota e Re, me tekstin e tij të saktë e të qartë të Biblës! U shenjtëroftë emri i tij i madh, Jehova, në zemrat e të gjithë njerëzve që e lexojnë!

[Shënimet]

a Midis shoqatave biblike të shumta që u formuan që prej vitit 1804 janë: Shoqata Biblike Amerikane (1816), e cila u formua nga shoqatat lokale ekzistuese, si edhe Shoqata Biblike e Edinburgut (1809) dhe Shoqata Biblike e Glasgout (1812), të cilat më vonë u bashkuan që të dyja (në vitin 1861) dhe formuan Shoqatën Biblike Kombëtare të Skocisë. Tashmë në vitin 1820 ishin formuar shoqata biblike edhe në Zvicër, Irlandë, Francë, Finlandë, Suedi, Danimarkë, Norvegji, Holandë, Islandë, Rusi dhe Gjermani.

b The Differentiator, nga Aleksandër Tomson, qershor 1954, faqja 131.

c 12 qershor 1989.

[Tabela në faqen 322]

DISA PËRKTHIME TË RËNDËSISHME TË BIBLËS NË SHTATË GJUHË KRYESORE

Emri i Botuar Teksti Emri i Teksti

versionit për herë bazë për Perëndisë bazë për

në të parë më Shkrimet është bërë Shkrimet

Hebraike Greke

ANGLISHT

Rheims-Douay* 1582-1610 Vulgata Lord Vulgata

(ADONAI, dy herë)

King James Version* 1611 M LORD (Jehovah, Teksti i

disa herë) pranuar

Young 1862-1898 M Jehovah Teksti i

pranuar

English Revised* 1881-1895 M LORD Uestkot

(Jehovah, dhe Hort

disa herë)

Emphasised 1878-1902 M Yahweh Uestkot

Bible (Ginsburg) dhe Hort,

Tregelles

American 1901 M Jehovah Uestkot

Standard dhe Hort

An American 1923-1939 M LORD Uestkot

Translation (Yahweh, dhe Hort

(Smith-Goodspeed)* disa herë)

Revised 1946-1952 M LORD Uestkot

Standard* dhe Hort,

Nestle

New English 1961-1970 M (BHK) LORD Teksti

Bible* (Jehovah, i ri

disa herë) eklektik

Today’s 1966-1976 M (BHK) LORD SHBB

English

Version

New King 1979-1982 M (BHS) LORD Teksti i

James Bible/ (YAH, disa herë) pranuar

Revised Authorised

Version

New Jerusalem 1985 M Yahweh Greke

Bible*

SPANJISHT

Valera 1602 M Jehová Teksti i

pranuar

Moderna 1893 M Jehová Skrivner

Nácar-Colunga* 1944 M Yavé Greke

Evaristo 1964 M Yavé Greke

Martín Nieto*

Serafín de 1965 M (BHK) Yahvéh, Nestle-

Ausejo* Señor Aland

Biblia de 1967 M Yahveh Greke

Jerusalén*

Cantera- 1975 M (BHK) Yahveh Greke

Iglesias*

Nueva Biblia 1975 M Señor Greke

Española*

PORTUGALISHT

Almeida 1681, 1750 M Jehovah Teksti i

pranuar

Figueiredo* 1778-1790 Vulgata Senhor Vulgata

Matos Soares* 1927-1930 Vulgata Senhor Vulgata

Pontifício 1967 M Javé Merk

Instituto

Bíblico*

Jerusalém* 1976, 1981 M Iahweh Greke

GJERMANISHT

Luther* 1522, 1534 M HErr Erasmi

Zürcher 1531 M Herr, Jahwe Greke

Elberfelder 1855, 1871 M Jehova Teksti i

pranuar

Menge 1926 M HErr Greke

Luther 1964, 1984 M HERR Greke

(revised)*

Bibel in 1967 M (BHS) Herr Nestle-

heutigem Deutsch Aland, SHBB

(Gute Nachricht)*

Einheitsübersetzung* 1972, 1974 M Herr, Jahwe Greke

Revidierte 1975, 1985 M HERR, Jahwe Greke

Elberfelder

FRËNGJISHT

Darby 1859, 1885 M Eternel Greke

Crampon* 1894-1904 M Jéhovah Merk

Jérusalem* 1948-1954 Vulgata, Yahvé Vulgata,

Hebrew Greke

TOB Ecumenical 1971-1975 M (BHS) Seigneur Nestle,

Bible* SHBB

Osty* 1973 M Yahvé Greke

Segond Revised 1978 M (BHS) Eternel Nestle-

Aland,

Blek,

Metsgër,

Uikgren

Français 1982 M (BHS) Seigneur Nestle,

courant SHBB

HOLANDISHT

Statenvertaling 1637 M HEERE Teksti i

pranuar

Leidse 1899-1912 M Jahwe Nestle

Vertaling

Petrus- 1929-1939 M Jahweh Nestle

Canisiusvertaling*

NBG-vertaling 1939-1951 M HERE Nestle

Willibrordvertaling* 1961-1975 M Jahwe Nestle

Groot Nieuws 1972-1983 M Heer Nestle

Bijbel*

ITALISHT

Diodati 1607, 1641 M Signore Greke

Riveduta 1925 M Eterno Greke

(Luzzi)

Nardoni* 1960 M Signore, Jahweh Greke

Pontificio 1923-1958 M Signore, Jahve Merk

Istituto Biblico*

Garofalo* 1960 M Jahve, Signore Greke

Concordata* 1968 M (BHK) Signore, Iavè Nestle,

Merk

CEI* 1971 M Signore Greke

Parola del 1976-85 M (BHS) Signore SHBB

Signore*

* Yllthi tregon se u përfshinë edhe shkrimet apokrife, por që mund të mos gjenden në të gjitha botimet.

Simboli «M» do të thotë teksti masoretik. Kur është vetëm ai simbol, nuk specifikohet asnjë botim i veçantë i tekstit masoretik.

Shkurtimi «BHK» do të thotë Biblia Hebraica e Kitelit.

Shkurtimi «SHBB» i referohet versionit The Greek New Testament, nga Shoqatat e Bashkuara Biblike.

Shkurtimi «BHS» do të thotë Biblia Hebraica Stuttgartensia.

Termi «Greke» tregon se përkthimi është bërë nga gjuha greke, por nuk tregohet ndonjë tekst i veçantë.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo