Të persekutuar për hir të drejtësisë
Mund të kesh dëgjuar prej miqve apo të afërmve se Dëshmitarët e Jehovait nuk e kanë mirë me ligjin, se disa qeveri i kanë dëbuar ose që në përgjithësi janë njerëz të këqinj. Po përse këto vlerësime negative mbi ta?
Jo sepse Dëshmitarët e përbuzin ligjin, por sepse ndjekin gjurmët e Jezuit. Jezui u tha dishepujve të tij se njerëzit do t’i shanin dhe persekutonin dhe se duke gënjyer do të thoshin për ta lloj-lloj gjërash të liga. Kjo ndodh sepse kundërshtari kryesor i Perëndisë, Satanai, është perëndia i kësaj bote dhe do të donte t’i shkëpuste njerëzit nga shërbimi ndaj Perëndisë.—Mateu 5:10-12; 10:16-22; 34-39; 24:9, 10; Gjoni 15:17–16:3; 2. Timoteut 3:12; 1. Pjetrit 5:8; Zbulesa 12:17.
Kur apostujt u arrestuan dhe u nxorrën në gjyq, nuk ishte se qenë kriminelë, të dhunshëm apo rebelë. Por sepse predikonin lajmin e mirë. Kur apostulli Pavël u apelua në gjykata më të larta, e bëri për të mbrojtur dhe vendosur në mënyrë legale të drejtën e të krishterëve për të predikuar lajmin e mirë.—Veprat 4:18-20; 5:28-32; Filipianëve 1:7.
Dëshmitarët e Jehovait janë të krishterë që u binden ligjeve, paguajnë taksat dhe i respektojnë autoritetet. I japin Çesarit çka i takon Çesarit dhe Perëndisë çka i takon Perëndisë. Nëse janë në kundërshtim me ndonjë autoritet qeveritar, ndodh sepse ky i fundit nuk e lejon veprën e predikimit apo për shkak të qëndrimit asnjanës të Dëshmitarëve në çështjet mes kombeve. Por nën këtë aspekt Dëshmitarët e Jehovait duhet të mbajnë të njëjtin qëndrim që mbajtën apostujt, të cilët thanë: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si qeveritar më parë sesa njerëzve.»—Veprat 5:29; Marku 12:17; Gjoni 18:36; Titi 3:1, 2.
Dëshmitarët e Jehovait nuk dëshirojnë të jenë të persekutuar. Do të preferonin një jetë të qetë e të shtruar. Megjithatë, nëse persekutohen sepse ndjekin ligjin e Perëndisë dhe shembullin e Jezu Krishtit, janë të lumtur që të durojnë.—Mateu 5:10-12; Veprat 5:40, 41; 1. Korintasve 4:12; 1. Timoteut 2:2; 1. Pjetrit 3:14, 15; 4:12-16.
• Përse shërbëtorët e Jehovait shahen dhe persekutohen?
• Përse ndonjëherë Dëshmitarët e Jehovait, si edhe apostujt e Jezuit, gjenden në kundërshtim me autoritetet qeveritare?
• Ç’mendojnë shërbëtorët e Jehovait mbi persekutimin?
[Figurat në faqen 29]
Jezui u dërgua përpara Pilatit dhe apostulli Pavël u burgos sepse predikonte Mbretërinë e Perëndisë