Kapitulli 9
Universi ynë marramendës
1, 2. (a) Si mund të përshkruhen qiejt fizikë? (b) Çfarë pyetjesh bëjnë njerëzit që mendojnë dhe për çfarë përcaktimi mund të ndihmojnë përgjigjet?
ME MIJËRA vjet njerëzit janë habitur nga qielli plot yje. Gjatë netëve të kthjellëta, yjet e bukura si diamantet e ndritshme qëndrojnë në errësirën e universit. Drita e hënës natën e lan tokën me një bukuri që s’e ka shoqen.
2 Ata që mendojnë për ato që shikojnë shpeshherë pyesin veten: «Me të vërtetë, ç’ka në hapësirë? Si është organizuar ajo? A mund të zbulojmë se si ka filluar e gjithë kjo?» Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të ndihmonin, padyshim, për të përcaktuar më saktë se përse është krijuar Toka me njerëzit e saj dhe format e tjera jetësore dhe çfarë fsheh e ardhmja.
3. Cili është një rezultat i rritjes së njohurisë mbi universin?
3 Shumë shekuj më parë mendohej se universi përbëhej prej disa mijëra yjesh që mund të shiheshin me sy të lirë. Por tani, me instrumentet që vrojtojnë hapësirën, shkencëtarët e dinë se ka shumë e shumë më tepër. Në fakt, ajo që është vrojtuar e tejkalon shumë edhe atë që mendonte imagjinata. Mendja njerëzore habitet nga pafundësia dhe kompleksiteti i universit. Siç komenton revista National Geographic, ajo që po mëson tani njeriu mbi universin «e ka lënë të habitur».1
Madhësi marramendëse
4. Ç’është zbuluar në vitet ’20?
4 Në shekujt e fundit, astronomët që vrojtuan hapësirën me teleskopët ekzistues, vërejtën disa formacione të mjegullta në formë reje. Supozuan se këto duhej të ishin re gazesh. Por, në vitet ’20, me përdorimin e teleskopëve më të mëdhenj dhe më të fuqishëm, u zbulua se këto «gaze» ishin shumë më të pafundme e më të rëndësishme: galaktika.
5. (a) Ç’është një galaktikë? (b) Çfarë përfshin galaktika jonë Udha e Qumështit?
5 Galaktika është një grup i pafund yjesh, gazesh dhe materialesh të tjera, që rrotullohen rreth një bërthame qendrore. Galaktikat janë quajtur ishuj të universit, sepse secila prej tyre është në vetvete si një univers. Të shikojmë, për shembull, galaktikën ku jetojmë ne, e cila quhet Udha e Qumështit. Sistemi ynë diellor, pra, Dielli, Toka dhe planetet e tjera me hënat e tyre, është një pjesë e kësaj galaktike. Por, kjo është vetëm një pjesë shumë shumë e vogël, sepse galaktika jonë Udha e Qumështit përmban mbi 100 miliardë yje! Disa shkencëtarë e vlerësojnë së paku 200 deri 400 miliardë. Ndërsa një redaktor shkencor deklaroi: «Në galaktikën Udha e Qumështit mund të ketë pesë deri dhjetë trilionë yje.»2
6. Sa është diametri i galaktikës sonë?
6 Diametri i galaktikës sonë përfshin një distancë kaq të madhe, sa po të udhëtonim me shpejtësinë e dritës (299.792 kilometra në sekondë), do të na duheshin 100.000 vjet që të kalonim nga njëra anë në tjetrën! Sa kilometra janë këto? Meqë drita udhëton rreth nëntë mijë e gjashtëqind miliardë (9.600.000.000.000) kilometra në vit, le të shumëzojmë këtë me 100.000 dhe fitojmë përgjigjen: diametri i galaktikës sonë Udha e Qumështit është rreth 960 mijë miliardë (960.000.000.000.000.000) kilometra! Llogaritet se distanca mesatare në mes të yjeve brenda galaktikës është rreth gjashtë vjet dritë, apo rreth 58 mijë miliardë kilometra.
7. Çfarë vlerësimesh janë bërë për numrin e galaktikave të universit?
7 Është pothuaj e pamundur për mendjen njerëzore që të përfshijë përmasa e largësi të tilla. E megjithatë, galaktika jonë është vetëm fillimi i asaj që gjendet në hapësirë! Ekziston diçka që të huton edhe më tepër: Tani janë zbuluar aq shumë galaktika, saqë është thënë se ato «janë aq të zakonshme sa edhe fijet e barit në livadh».3 Në universin e vrojtuar deri më tani ka rreth dhjetë miliardë galaktika! Por, ka shumë më tepër që akoma nuk mund të vrojtohen nga teleskopët e sotëm. Disa astronomë e vlerësojnë numrin e galaktikave të universit në rreth 100 miliardë galaktika! Dhe secila prej tyre mund të përmbajë qindra miliardë yje!
Grumbuj galaktikash
8. Si janë të radhitura galaktikat?
8 Por, ka edhe më. Këto galaktika marramendëse nuk janë të shpërndara kuturu në univers. Zakonisht janë të radhitura në grupe të caktuara, të quajtura grumbuj galaktikash, si kokrrat e rrushit në një vile. Deri tani me mijëra prej tyre janë vrojtuar dhe fotografuar.
9. Ç’përfshin akoma grumbulli ynë galaktik?
9 Disa grumbuj përmbajnë relativisht pak galaktika. Për shembull, galaktika jonë Udha e Qumështit është pjesë e një grumbulli prej rreth njëzet galaktikash. Brenda këtij grumbulli gjendet një galaktikë «fqinje», e cila gjatë netëve të kthjellëta mund të shihet pa teleskop. Kjo është galaktika Andromeda, në formë spirale, e ngjashme me galaktikën tonë.
10. (a) Sa galaktika mund të përmbajë një grumbull galaktik? (b) Sa është largësia midis galaktikave dhe midis grumbujve të galaktikave?
10 Grumbuj të tjerë galaktikash janë të përbërë prej disa dhjetëra, ndoshta edhe qindra apo edhe mijëra galaktika. Supozohet se vetëm një grumbull i tillë përmban 10.000 galaktika! Largësia mesatare midis galaktikave brenda një grumbulli mund të jetë rreth një milion vjet dritë. Megjithatë, largësia midis dy grumbujve galaktikash mund të jetë edhe njëqind herë më e madhe. Ekzistojnë dëshmitë se edhe vetë grumbujt e galaktikave janë radhitur në «super-grumbuj», si vilet e rrushit në hardhi. Ç’përmasa kolosale dhe ç’organizim i mrekullueshëm!
Organizim i njëjtë
11. Ç’organizim të ngjashëm gjejmë në sistemin tonë diellor?
11 Duke u kthyer përsëri në sistemin tonë diellor, gjejmë një rregull tjetër të mrekullueshëm. Dielli, yll i madhësisë mesatare, është «bërthama» rreth së cilës rrotullohet Toka dhe planetet e tjera, me hënat e tyre nëpër orbita të sakta. Vit pas viti, ato rrotullohen me një saktësi të tillë matematikore, saqë astronomët mund të llogaritin saktë se ku do të jenë ato në çfarëdo kohe në ardhmëri.
12. Si janë organizuar atomet?
12 Duke shikuar në gjërat pambarimisht të vogla—atomet—zbulon një saktësi të njëjtë. Atomi është një mrekulli e rregullit, që i ngjan rregullit të sistemit diellor. Ai përmban një bërthamë, që përbëhet nga grimca të quajtura protone dhe neutrone, rreth së cilës vërtiten në orbita të caktuara elektrone të vogla. E gjithë materia është ndërtuar nga këto tulla. Ajo çfarë e bën një substancë të ndryshojë nga një tjetër është numri i protoneve dhe neutroneve në bërthamë, si dhe numri dhe radhitja e elektroneve që rrotullohen rreth saj. Kjo ndjek një rregull të shkëlqyer, sepse të gjitha elementet që ndërtojnë materien mund të radhiten në një vazhdimësi të caktuar, sipas numrit të këtyre tullave që përmbajnë.
Çfarë qëndron prapa këtij organizimi?
13. Cila karakteristikë shihet në të gjithë universin?
13 Siç kemi vërejtur, madhësia e universit është vërtet marramendëse. Po kështu është edhe organizimi i tij i mrekullueshëm. Prej gjërave pafundësisht të mëdha deri tek pafundësisht të voglat, prej grumbujve të galaktikave e deri tek atomet, universi karakterizohet nga një organizim madhështor. Revista Discover pohon: «Ne e vërenim këtë rregull të çuditur dhe kozmologët e fizikanët tanë vazhdojnë të gjejnë aspekte të reja të mahnitshme të këtij rregulli. . . . Ne e kemi bërë zakon ta quajmë atë një mrekulli dhe akoma i lejojmë vetes ta quajmë gjithë universin një mrekulli.»4 Kjo strukturë e rregullt pranohet edhe nga vetë fjala «kozmos», e cila përdoret zakonisht në astronomi për të përshkruar universin. Në një fjalor kjo fjalë përcaktohet si «një univers sistematikisht i rregulluar, i harmonizuar».5
14. Çfarë komenti bëri një ish-astronaut?
14 Astronauti i dikurshëm, Xhon Glen, vërejti «rregullin e të gjithë universit që na rrethon» dhe se galaktikat «udhëtojnë të gjitha në orbita të paracaktuara në lidhje me njëra-tjetrën». Prandaj ai pyeti: «A mund të ketë ndodhur kjo rastësisht? A ishte diçka e rastit që një tufë mbeturinash pluskuese, filluan t’i bënin këto orbita me iniciativën e tyre?» Ai përfundoi: «Nuk mund ta besoj. . . . Një Fuqi e ka vendosur të gjithë këtë në orbitë dhe e mban atje.»6
15. Çfarë tregojnë detajet e sakta dhe organizimi i universit?
15 Vërtet, universi është i organizuar në mënyrë kaq të saktë, saqë njeriu mund t’i përdorë trupat qiellorë si bazë për kohëmatjen e tij. Por çdo orë e konstruktuar mirë është produkt i një mendjeje të rregullt që ka aftësinë për të krijuar. Mendje të rregullt që projekton mund të ketë vetëm një person inteligjent. Pra, ç’mund të themi për projektin shumë më të ndërlikuar dhe ndërvarësinë që ekziston në gjithë universin? A nuk tregon edhe kjo një projektues, një krijues, një mendje—inteligjencë? A ka ndonjë arsye të besosh se inteligjenca mund të ekzistojë e ndarë prej personalitetit?
16. Në ç’konkluzion duhet të arrijmë në lidhje me universin?
16 Nuk mund t’i vijmë rrotull: Organizimi madhështor kërkon një organizator madhështor. Asgjë nga përvoja jonë nuk tregon që diçka e organizuar ndodh rastësisht. Përkundrazi, e tërë përvoja jonë në jetë tregon që çdo gjë e organizuar duhet të ketë një organizator. Çdo makinë, kompjuter, ndërtesë, madje edhe lapsi e letra, kanë një krijues, një organizator. Prandaj, është logjike që edhe organizimi shumë më i ndërlikuar dhe marramendës në univers duhet gjithashtu të ketë një organizator.
Ligji kërkon ligjvënësin
17. Si është përfshirë ligji në univers?
17 Përveç kësaj, i gjithë universi, nga atomet e deri te galaktikat, drejtohet nga ligje të qarta fizike. Ekzistojnë ligje për nxehtësinë, dritën, zërin dhe gravitetin. Fizikani Stefan W. Houking tha: «Sa më tepër që shqyrtojmë universin, aq më shumë zbulojmë se ai nuk është arbitrar, por u bindet ligjeve të caktuara që veprojnë në fusha të ndryshme. Duket plotësisht e arsyeshme të supozohet se ndoshta ekzistojnë disa parime të unifikuara, në atë mënyrë që të gjitha ligjet të jenë pjesë të një ligji më të madh.»7
18. Ç’përfundim nxori një ekspert raketash?
18 Eksperti i raketave Uërner fon Braun bëri një hap përpara, duke thënë: «Ligjet natyrore të universit janë kaq të sakta, saqë nuk kemi asnjë vështirësi të ndërtojmë një anije kozmike për të fluturuar në Hënë dhe mund të llogaritim kohën e fluturimit të saj me saktësinë e një pjese të sekondës. Këto ligje duhet të jenë vendosur nga dikush.»8 Shkencëtarët që dëshirojnë të lëshojnë në orbitë raketa në Hënë apo në Tokë, nëse duan të kenë sukses, duhet të punojnë në përputhje me këto ligje universale.
19. Ç’kërkon ekzistenca e ligjeve?
19 Kur mendojmë mbi ligjet, duhet të pranojmë se ato rrjedhin prej një ligjvënësi. Prapa shenjës së trafikut «Stop» duhet të qëndrojë një person apo një grup personash që e nxorrën atë ligj. Por, ç’duhet thënë atëherë për ligjet shumë më të gjera që drejtojnë universin material? Këto ligje të konceptuara për mrekulli, sigurisht dëshmojnë për një ligjvënës me inteligjencë supreme.
Organizatori dhe ligjvënësi
20. Cila vërejtje u bë në revistën Science News?
20 Pasi komentoi të gjitha kushtet speciale të rregullit dhe të ligjit, që janë kaq të dukshme në univers, revista Science News vërejti: «Soditja e këtyre gjërave i shqetëson kozmologët, sepse siç duket kushte të tilla kaq të veçanta e të sakta nuk mund të kenë lindur rastësisht. Një mënyrë për të zgjidhur problemin është që të thuhet se gjithçka u shpik dhe u bë nga Providenca Hyjnore.»9
21. Çfarë janë të gatshëm të pranojnë disa?
21 Shumë njerëz, duke përfshirë edhe shumë shkencëtarë, nuk janë të gatshëm ta pranojnë këtë. Por, të tjerët janë të gatshëm të pranojnë atë që dëshmitë vërtetojnë me këmbëngulje—ekzistencën e një inteligjence. Ata pranojnë se një madhësi e tillë kolosale, saktësia dhe ligjet që ekzistojnë në gjithë universin, kurrë s’do të mund të ndodhnin rastësisht. Të gjitha këto gjëra duhet të jenë vepër e një mendjeje superiore.
22. Si e identifikon një shkrimtar biblik Krijuesin e universit?
22 Ky është përfundimi i shprehur nga një shkrimtar biblik në lidhje me qiejt fizikë: «Ngrini sytë lart e shikoni. Kush i ka krijuar këto gjëra? Është Ai që nxjerr ushtrinë e tyre edhe me numër, madje që i thërret të gjitha edhe me emër.» Ky «Ai» identifikohet si «Krijuesi i qiejve dhe i Madhi që i shtrin ato».—Isaia 40:26; 42:5.
Burim energjie
23, 24. Si mund të krijohet materia?
23 Ligjet universale qeverisin materien ekzistuese. Por, prej nga erdhi e gjithë materia? Në librin e tij Kozmosi, Karl Sagan thotë: «Në fillim të këtij universi nuk kishte asnjë galaktikë, yje apo planete, as jetë apo civilizim.» Duke folur mbi ndryshimin nga ajo gjendje në universin ekzistues, ai e përshkruan si «transformimin më të mrekullueshëm të materies dhe energjisë që kemi pasur privilegjin të shikojmë ndonjëherë».10
24 Ky është çelësi për të kuptuar se si universi ka filluar të ekzistojë: Ai duhet të ketë përfshirë një transformim të energjisë e të materies. Kjo lidhje u vërtetua nga formula e famshme e Ajnshtajnit, E=mc2 (energjia baraz me masën që shumëzon shpejtësinë e dritës në katror). Një konkluzion që rrjedh nga kjo formulë është se energjia mund të prodhojë materien dhe se energjia e madhe mund të lindë nga materia. Këtë të fundit e dëshmoi bomba atomike. Prandaj, astrofizikani Josip Kleczek pohoi: «Shumica, dhe ndoshta të gjitha grimcat elementare, mund të jenë krijuar nga materializimi i energjisë.»11
25. Kush është burim i energjisë së jashtëzakonshme që nevojitej për krijimin e universit?
25 Prandaj, ekziston një dëshmi shkencore se burimi i pashtershëm i energjisë duhej ta kishte lëndën e parë për të krijuar substancën e universit. Shkrimtari biblik i cituar edhe më parë, ka vërejtur se ky burim i energjisë është një person i gjallë dhe inteligjent, duke thënë: «Falë bollëkut të energjisë dinamike, pasi ai është i fortë edhe në fuqi, nuk mungon asnjë prej tyre [trupave qiellorë].» Nga pikëpamja biblike, ky burim i energjisë së pakufishme ishte prapa asaj që përshkruan Zanafilla 1:1: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»
Fillim jokaotik
26. Çfarë pranojnë përgjithësisht shkencëtarët sot?
26 Sot, shkencëtarët në përgjithësi pranojnë se universi ka pasur një fillim. Një teori e njohur që përpiqet të përshkruajë këtë fillim, është e njohur si teoria «Big-Beng» (shpërthimi i madh). «Pothuaj të gjitha diskutimet e fundit mbi origjinën e universit janë bazuar në teorinë e Big-Bengut»,—vëren Fransis Krik.12 Xhestrou e përshkruan këtë «shpërthim» kozmik si «momenti i vërtetë i krijimit».13 Por, siç pranon astrofizikani Xhon Gribin në revistën New Scientist, edhe pse shkencëtarët «deklarojnë në përgjithësi se janë të aftë të përshkruajnë në detaje të imëta» se ç’ka ndodhur pas atij «momenti», ajo që çoi deri tek «momenti i krijimit mbetet mister». Duke menduar, autori shton: «Në fund të fundit, ndoshta Perëndia e bëri atë [kozmosin].»14
27. Pse është shumë e kufizuar teoria e Big-Bengut?
27 Megjithatë, shumica e shkencëtarëve nuk janë të gatshëm t’ia atribuojnë atë «moment» Perëndisë. Prandaj, zakonisht thuhet se shpërthimi ka qenë kaotik, i ngjashëm me shpërthimin e bombës atomike. Por, a rezulton ky lloj shpërthimi në një organizim më të mirë? A ndërtojnë ndërtesa të projektuara me përsosmëri, rrugë dhe tabela trafiku, bombat që bien mbi qytetet në kohën e luftës? Përkundrazi, shpërthime të tilla shkaktojnë rrënoja, çrregullime, kaos dhe shkatërrim. Dhe kur mjeti i shpërthimit është bërthamor, çrregullimi është total, siç e përjetuan qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945.
28. Ç’përfundim duhet të nxjerrim mbi forcat e fuqishme që vepruan në krijimin e universit?
28 Jo, një «shpërthim» i thjeshtë nuk mund të krijonte universin tonë madhështor me rregullin e tij të përsosur, me pamjen dhe ligjet që ka. Vetëm një organizator dhe ligjvënës i fuqishëm do të mund të drejtonte forcat e fuqishme në veprim, në mënyrë që të rezultonin në një organizim dhe ligjshmëri kaq të përsosur. Prandaj, dëshmitë shkencore dhe arsyeja sigurojnë një mbështetje të fortë për deklaratën biblike: «Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.»—Psalmi 19:1, Dio.
29. Ç’vërtetojnë vrojtimet shkencore si dhe ato që bëjmë vetë ne?
29 Kështu, Bibla përballon çështje që teoria e evolucionit nuk i ka shpjeguar qartë. Në vend se të na lërë në errësirë në lidhje me pyetjen se kush i krijoi të gjitha gjërat, Bibla na përgjigjet në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme. Ajo vërteton vrojtimet e shkencës, si edhe tonat, se asgjë nuk mund të lindë nga vetvetja. Edhe pse nuk kemi qenë personalisht kur u krijua universi, është e qartë se ai duhet të ketë pasur një Kryemjeshtër, siç pohon Bibla: «Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush. Por ai që ndërtoi gjithçka është Perëndia.»—Hebrenjve 3:4, ECM.
[Diçitura në faqen 115]
Ajo që po mëson tani njeriu mbi universin «e ka lënë të habitur»
[Diçitura në faqen 117]
Galaktika jonë Udha e Qumështit përmban mbi 100 miliardë yje
[Diçitura në faqen 118]
Galaktikat janë të radhitura në grupe, si kokrrat e rrushit në një vile
[Diçitura në faqen 122]
Shkencëtarët «vazhdojnë të gjejnë aspekte të reja të mahnitshme të këtij rregulli»
[Diçitura në faqen 123]
Organizimi madhështor kërkon një organizator madhështor
[Diçitura në faqen 123]
Universi «u bindet ligjeve të caktuara»
[Diçitura në faqen 125]
«Siç duket kushte të tilla kaq të veçanta e të sakta nuk mund të kenë lindur rastësisht»
[Figura që zë gjithë faqen 114]
[Figura në faqen 116]
Një galaktikë tipike spirale
[Figura në faqet 116, 117]
Sistemi ynë diellor brenda katrorit sipër, duket i vogël në krahasim me galaktikën tonë Udha e Qumështit
[Figura në faqen 119]
Galaktika Andromeda, e ngjashme me galaktikën tonë Udha e Qumështit, është vetëm një pjesë e vogël e universit madhështor, i cili sipas disave përmban rreth 100 miliardë galaktika
[Figurat në faqet 120, 121]
Planetet e sistemit tonë diellor rrotullohen rreth Diellit me saktësi të madhe
Rregulli i një atomi ngjan me atë të sistemit diellor
[Figura në faqen 122]
Një orë e saktë është prodhim i një projektuesi inteligjent. A nuk është saktësia shumë më e madhe e universit prodhim i një projektuesi më të madh dhe më inteligjent?
[Figura në faqen 124]
Fluturimi i raketës në orbitë kërkon mbajtjen e ligjeve të lëvizjes dhe gravitet. Ligje të tilla kërkojnë një ligjvënës
[Figura në faqen 125]
Ligjet e trafikut janë prodhim i mendjes
[Figurat në faqen 126]
Bomba atomike tregoi se materia dhe energjia janë të lidhura
A e përmirëson, vallë, shpërthimi i një bombe organizimin e një ndërtese?
[Figura në faqen 127]
«Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush. Por ai që ndërtoi gjithçka është Perëndia.»—Hebrenjve 3:4