Kapitulli 6
Humnera gjigante: A mund t’i kapërcejë evolucioni ato?
1. Çfarë thuhet për humnerat në gjetjet fosile?
FOSILET japin dëshmi konkrete mbi varietetet e jetës që kanë ekzistuar shumë më parë se të vinte njeriu. Por ato nuk i sollën përkrahjen e pritur pikëpamjes evolucioniste mbi mënyrën se si filloi jeta apo se si lindën lloje të reja pas kësaj. Duke komentuar mbi mosekzistencën e fosileve kalimtare, me të cilat do të kapërceheshin humnerat biologjike, Fransis Hiçing vëren: «Është kuriozitet se humnerat fosile ekzistojnë vazhdimisht: fosilet mungojnë në të gjitha vendet e rëndësishme.»1
2. Si i ilustrojnë këto humnera fosilet e peshqve?
2 Vendet e rëndësishme për të cilat flet ai, janë humnerat midis ndarjeve kryesore të botës shtazore. Një shembull i kësaj është peshku, i cili siç mendohet është zhvilluar nga jovertebrorët, krijesa pa shtyllë kurrizore. «Peshku del papritur në dëshmitë fosile,—thotë Hiçing,—me sa duket prej askund: në mënyrë misterioze, befasisht dhe plotësisht i formuar.»2 Zoologu N. J. Beril, e komenton shpjegimin e vet evolucionist mbi shfaqjen e peshkut, duke thënë: «Në njëfarë kuptimi ky tregim është një trillim shkencor.»3
3. Si i rendit teoria e evolucionit ndarjet e mëdha të jetës shtazore?
3 Teoria e evolucionit supozon se peshku u bë amfib, disa amfibë u bënë zvarranikë, nga zvarranikët erdhën gjitarët dhe zogjtë dhe së fundi disa gjitarë u bënë njerëz. Kapitulli i mëparshëm tregoi se dokumentacioni fosil nuk i përkrah këto pohime. Ky kapitull do të përqendrohet në madhësinë e hapave të supozuar kalimtarë. Ndërsa vazhdon leximin mendo se sa mundësi ka që ndryshime të tilla të ndodhin rastësisht dhe të padrejtuara.
Humnera midis peshqve dhe amfibëve
4, 5. Cilat janë disa nga ndryshimet e mëdha që ekzistojnë midis peshqve dhe amfibëve?
4 Është pikërisht shtylla kurrizore që e dallon peshkun nga jovertebrorët. Kjo shtyllë kurrizore duhej të kishte pësuar modifikime të mëdha që peshku të bëhej amfib, një krijesë që mund të jetojë si në ujë ashtu edhe në tokë. Për t’u realizuar ky kalim duhej të shtohej një legen, por asnjë fosil peshku i njohur nuk tregon se si është zhvilluar legeni i amfibëve. Në disa amfibë, si bretkosat dhe zhabat, e tërë shtylla kurrizore duket se ka pësuar aq shumë ndryshime, sa nuk mund të njihet më. Edhe eshtrat e kafkës janë të ndryshme. Për më tepër, për formimin e amfibëve, evolucioni kërkon që fletët e peshkut të bëhen gjymtyrë të lëvizshme me kyçe dhe gishta, të shoqëruara me ndryshime shumë të mëdha në muskuj e nerva. Velëzat duhet të kthehen në mushkëri. Tek peshqit gjaku pompohet nga një zemër me dy barkushe, ndërsa tek amfibët zemra ka tri barkushe.
5 Që të kapërcehej humnera midis peshkut dhe amfibit, shqisa e dëgjimit duhej të pësonte një ndryshim rrënjësor. Përgjithësisht, peshqit i perceptojnë tingujt nëpërmjet trupit të tyre, ndërsa shumica e zhabave dhe bretkosave kanë daulle dëgjimi. Edhe gjuha duhet të ketë ndryshim. Asnjë peshk nuk ka një gjuhë që mund të shtrihet, gjë që ekziston tek amfibët si zhabat. Sytë e amfibëve kanë aftësinë që të mbyllen, mbasi ata kanë një membranë para kokërdhokëve, që i mban ata të pastër.
6. Cilat krijesa janë konsideruar si lidhëse ndërmjet peshqve dhe amfibëve dhe pse ato nuk janë të tilla?
6 Për të lidhur amfibët me ndonjë paraardhës peshk, janë bërë përpjekje të mundimshme, por pa sukses. Peshku me mushkëri ka qenë një kandidat i preferuar, meqë përveç velëzave ai kishte edhe një fshikëz notimi, që mund të përdorej për frymëmarrje kur ndodhej përkohësisht jashtë ujit. Libri Peshqit (The Fishes) thotë: «Është tundues mendimi se ai mund të ketë disa lidhje direkte me amfibët, të cilët çojnë në vertebrorët tokësorë. Por ata nuk kanë lidhje të tilla; ata janë tërësisht një grup i veçantë.»4 David Atenborouf i skualifikon si peshqit me fshikëza, ashtu edhe koelakanët «sepse eshtrat e kafkës së tyre janë kaq të ndryshme prej atyre të fosilit të parë amfib, saqë ky i fundit nuk mund të rrjedhë nga të parët».5
Humnera midis amfibëve dhe zvarranikëve
7. Cili është problemi më i vështirë për t’u shpjeguar në kalimin nga amfibët tek zvarranikët?
7 Duke kërkuar kalimin nga amfibët tek zvarranikët dalin probleme të tjera serioze. Një nga më të vështirët është ai i origjinës së vezëve me guaskë. Krijesat para zvarranikëve i lëshonin vezët e tyre të buta xhelatinoze në ujë, ku ato pllenoheshin nga jashtë. Zvarranikët janë kryesisht tokësorë dhe i vendosin vezët e tyre në tokë, por embrioni brenda tyre duhet të jetë akoma në një ambient ujor. Një kërkesë të tillë e plotësojnë vezët me lëvozhgë. Por kjo kërkon edhe një ndryshim thelbësor në procesin e fekondimit: ajo kërkon fekondim të brendshëm, para se veza të mbështillet nga lëvozhga. Që të realizohet kjo, duhet të zhvillohen organe të reja seksuale, procedura të reja të ngrohjes (shtrimit) dhe instikte të reja—dhe të gjitha këto përbëjnë një humnerë të pakapërcyeshme midis amfibëve dhe zvarranikëve.
8, 9. Çfarë vetish të tjera duhet të zhvillohen bashkë me vezën me lëvozhgë?
8 Mbyllja e vezës në një lëvozhgë do të bënte të nevojshme ndryshime të tjera të rëndësishme për të bërë të mundshëm zhvillimin e zvarranikëve dhe më në fund, çlirimin e tyre nga lëvozhga. Për shembull, brenda lëvozhgës ka nevojë për membrana të ndryshme si dhe qese, siç është amnioni. Kjo mban lëngun në të cilin rritet embrioni. Libri Zvarranikët (The Reptiles) paraqet një membranë tjetër të quajtur alantoidi: «Alantoidi mban dhe ruan qeskën embrionale, duke shërbyer si një lloj fshikëze. Ai ka edhe enë gjaku që marrin oksigjenin që kalon përmes lëvozhgës dhe ia përcjellin atë embrionit.»6
9 Evolucioni nuk mund të shpjegojë as ndryshimet e tjera të ndërlikuara. Embrioni tek peshqit dhe amfibët i çliron jashtëqitjet e tij në ujërat rrethuese në formën e uresë së tretshme. Por, kjo ure brenda vezëve me lëvozhgë të zvarranikëve do ta vriste embrionin. Kështu, në vezët me lëvozhgë ka ndodhur një ndryshim kimik i rëndësishëm: jashtëqitjet, acid urik i patretshëm, depozitohen brenda membranës alantoide. Gjithashtu mbaj parasysh: e verdha e vezës është ushqim për rritjen e embrionit të zvarranikut, duke i dhënë këtij mundësinë që të zhvillohet plotësisht para se të çajë lëvozhgën—ndryshe nga amfibët të cilët nuk çelin në formë të pjekur. Që të dalë nga lëvozhga, embrioni shquhet se disponon një dhëmb, i cili e ndihmon atë që të çlirohet nga burgu i tij.
10. Si u ankua një evolucionist?
10 Akoma më i thellë është hendeku që ndan amfibët nga zvarranikët, por këta shembuj tregojnë se rasti i paorientuar nuk mund të sqarojë të gjitha këto ndryshime të ndërlikuara që kërkohen për të mbushur këtë hendek. Nuk duhet të çuditemi kur evolucionisti Arçi Kerr ankohet: «Një nga aspektet zhgënjyese të dokumentacionit fosil mbi historinë e kurrizorëve, është se tregon shumë pak mbi evolucionin e zvarranikëve në periudhën e tyre më të hershme kur u zhvillua veza me lëvozhgë.»7
Humnera midis zvarranikëve dhe zogjve
11, 12. Cili është ndryshimi kryesor midis zvarranikëve dhe zogjve dhe si përpiqen disa ta zgjidhin këtë enigmë?
11 Zvarranikët janë kafshë me gjak të ftohtë, d.m.th. që temperatura e tyre e brendshme ngrihet ose ulet në varësi të temperaturës së jashtme. Zogjtë, nga ana tjetër, kanë gjak të ngrohtë; trupi i tyre mban një temperaturë të brendshme relativisht konstante, pavarësisht nga temperatura e jashtme. Për të zgjidhur enigmën se si erdhën zogjtë me gjak të ngrohtë nga zvarranikët me gjak të ftohtë, disa evolucionistë thonë tani se disa nga dinosaurët (që ishin zvarranikë) ishin me gjak të ngrohtë. Por, megjithatë, tabloja e përgjithshme mbetet akoma siç e përshkruante Robert Xhestrou: «Dinosaurët, si të gjithë zvarranikët, kanë qenë kafshë me gjak të ftohtë.»8
12 Evolucionisti francez Lëkomt dy Noyi thotë kështu rreth besimit se zogjtë me gjak të ngrohtë rrodhën prej zvarranikëve me gjak të ftohtë: «Kjo qëndron sot si një nga enigmat më të mëdha për evolucionin.» Ai, gjithashtu, pranon se zogjtë kanë «të gjitha karakteristikat e pakëndshme të një krijimi absolut»;9 të pakëndshme, pra, për teorinë e evolucionit.
13. Çfarë bëjnë zogjtë për të ngrohur vezët e tyre?
13 Edhe pse është e vërtetë se si zvarranikët ashtu edhe zogjtë bëjnë vezë, vetëm zogjtë duhet t’i ngrohin ato. Dhe ata janë bërë të tillë që të mund ta realizojnë këtë. Shumë zogj kanë një vend ngrohjeje në kraharorin e tyre, një zonë që nuk ka fare pendë dhe që përmban një rrjetë enësh gjaku për t’i dhënë ngrohtësinë vezëve. Disa zogj nuk kanë zonë ngrohjeje, por i shkulin pendët nga gjoksi i tyre. Në mënyrë që zogjtë të mund të ngrohin vezët e veta, evolucionit do t’i duhej që t’u siguronte atyre instikte të reja—për të ndërtuar folenë, për të ngrohur vezët dhe për të ushqyer zogjtë e vegjël—pra, instikte shumë altruiste e vetëmohuese; ata duhet të punojnë shumë dhe të ekspozohen para shumë rreziqeve që të mund të çelin zogjtë e vegjël. E gjithë kjo paraqet një hendek të madh ndërmjet zvarranikëve dhe zogjve. Por, ka edhe më.
14. Cilat ndërlikime të pendëve e bëjnë të pabesueshëm mendimin se ato duhet të jenë zhvilluar nga luspat e zvarranikëve?
14 Pendët u përkasin vetëm zogjve. Të supozojmë se luspat e zvarranikëve u bënë vërtet struktura të tilla të habitshme. Nga boshti i një pende dalin rreshta degësh. Secila degë ka shumë degëza dhe secila degëz ka qindra degëzime dhe fijezime. Pas një vrojtimi mikroskopik të një pende pëllumbi, u zbulua se ajo kishte «disa qindra mijëra degëza dhe miliona degëzime e fijezime».10 Këto fijeza bashkojnë në një të gjitha pjesët e një pende, duke formuar kështu krahun me sipërfaqe të sheshtë. Asgjë s’i afrohet pendës si profil aerodinamik dhe pak substanca barazohen me të për nga vetitë izoluese. Një zog me madhësinë e mjellmës ka rreth 25.000 pendë.
15. Si kujdesen zogjtë për pendët e tyre?
15 Nëse ndahen degët e këtyre pendëve, zogu i kreh ato me sqep. Në këtë proces sqepi ushtron presion mbi degët dhe fijezimet lidhen me njëra-tjetrën si dhëmbët e një zinxhiri. Shumica e zogjve kanë një gjëndër yndyre poshtë bishtit nga ku marrin dhjamin për vajosjen e çdo pende. Disa zogj nuk e kanë këtë gjëndër, por në vend të saj ata kanë disa pendë speciale që duke u ngrënë në majat e tyre prodhojnë një pluhur të imët të ngjashëm me talkun, me të cilin zogjtë lubrifikojnë pendët e trupit. Dhe pendët zakonisht përtërihen duke rënë një herë në vit.
16. Ç’ka thënë një evolucionist mbi origjinën e pendëve?
16 Duke ditur gjithë këto mbi pendën, konsidero këtë përpjekje të çuditshme për shpjegimin e zhvillimit të saj: «Si evoluoi kjo strukturë e mrekullueshme? Nuk duhet përpjekje e madhe e imagjinatës që të përfytyrohet një pendë si një luspë e modifikuar zvarraniku—një luspë paksa e zgjatur e shkriftuar, skajet e jashtme të së cilës u fijezuan e u zgjatën derisa ajo rezultoi në strukturën kaq të ndërlikuar që paraqitet sot.»11 Por, a e pranon ti këtë argumentim me të vërtetë si shkencor? Apo të tingëllon më shumë si një tregim fantastiko-shkencor?
17. Si ndryshojnë kockat e zogjve nga ato të zvarranikëve?
17 Le të shikojmë më tej konstruktin e zogjve në lidhje me fluturimin. Kockat e zogjve janë të holla dhe të zgavërta, ndryshe nga ato të zvarranikëve që janë të plota. Megjithatë, për të fluturuar duhet fortësi, prandaj në brendësi të kockave të zogjve ka pajandra si përforcimet e një krahu aeroplani. Ky ndërtim i kockave ka edhe një qëllim tjetër: ndihmon të shpjegohet një tjetër mrekulli që u përket vetëm zogjve—sistemi i tyre i frymëmarrjes.
18. Çfarë strukture i ndihmon zogjtë që të freskohen gjatë udhëtimeve të largëta?
18 Megjithëse duke fluturuar për orë apo edhe për ditë të tëra duke rrahur krahët e duke çliruar kështu nga muskujt mjaft nxehtësi, edhe pse pa gjëndra djerse për ftohje, zogjtë e përballojnë këtë problem—ata kanë një «makinë» ajërftohëse. Një sistem qeskash ajri është vendosur pothuaj në çdo pjesë të rëndësishme të trupit, madje edhe në kockat e zgavërta dhe kështu nxehtësia e trupit largohet me anë të këtij qarkullimi të brendshëm të ajrit. Gjithashtu, me anë të këtyre qeskave ajrore, zogjtë marrin nga ajri oksigjenin në mënyrë më të efektshme se çdo vertebror tjetër. Si është bërë e gjithë kjo?
19. Ç’gjë u mundëson zogjve të thithin ajrin e rrallë të lartësive?
19 Në zvarranikët dhe në gjitarët, mushkëritë thithin dhe nxjerrin ajrin, si gjyryk që mbushet e zbrazet. Por, tek zogjtë ka një rrymë konstante ajri të freskët që futet në mushkëri, si në frymëmarrje ashtu edhe në frymënxjerrje. Me pak fjalë, sistemi punon kështu: kur zogu merr frymë, ajri shkon në disa qese ajri; këto shërbejnë si kacekë që e fusin ajrin në mushkëri. Nga mushkëritë ai shkon në qeska të tjera ajri dhe këto përfundimisht e nxjerrin atë. Kjo do të thotë se një rrymë e freskët ajri qarkullon nëpër mushkëri në një drejtim në mënyrë konstante, si një rrymë uji që rrjedh përmes një sfungjeri. Në kapilarët e mushkërive gjaku qarkullon në drejtim të kundërt. Në këtë shkëmbim të ajrit me gjakun qëndron e veçanta e sistemit të frymëmarrjes së zogjve. Në saje të tij, zogjtë mund të marrin frymë në ajrin e rrallë të lartësive të mëdha, duke fluturuar në më se 6 km lartësi për ditë të tëra, ndërsa emigrojnë për mijëra kilometra larg.
20. Cilat veti të tjera e thellojnë humnerën mes zogjve dhe zvarranikëve?
20 Edhe veti të tjera thellojnë humnerën midis zogjve dhe zvarranikëve. Një nga ato është shikimi. Të gjithë zogjtë, duke filluar nga shqiponja e deri tek harabeli, kanë sy të ngjashëm me teleskopin dhe lupën zmadhuese. Zogjtë kanë më shumë qeliza të ndjeshme në sy nga çdo qenie tjetër e gjallë. Edhe këmbët e zogjve ndryshojnë nga ato të zvarranikëve. Kur ata ulen në fole, gishtat e këmbëve shtrëngohen automatikisht rreth degës. Ato kanë vetëm katër gishta në vend të pesë që kanë zvarranikët. Më tutje, ata nuk kanë korda zanore, por një tub nga i cili dalin këngët melodioze, si ato të bilbilave apo të zogjve imitues. Vërej gjithashtu, se zvarranikët kanë zemër me tri barkushe, ndërsa një zemër zogu ka katër barkushe. Edhe sqepi i ndan zvarranikët nga zogjtë: sqepa që shërbejnë si mjet copëtimi, sqepa që filtrojnë ushqimin në ujin e papastër, sqepa që hapin vrima në pemë, sqepa që hapin boçet e pishës—pra, një shumëllojshmëri e pafund. Dhe sqepi, në këtë formë kaq të specializuar, thuhet se është zhvilluar rastësisht nga hunda e një zvarraniku! A mund të besohet ky shpjegim?
21. Çfarë e përjashton arkeopteriksin si një hallkë lidhëse në mes të zvarranikëve dhe zogjve?
21 Dikur, evolucionistët besonin se arkeopteriksi, që do të thotë «fluturuesi i lashtë» apo «zogu i lashtë», ishte një hallkë lidhëse midis zvarranikut dhe zogut. Por, tani shumë prej tyre nuk besojnë më. Fosilet e tyre tregojnë pendë të formuara përsosmërisht për qëllim aerodinamik, siç janë krahët e aftë për të fluturuar. Kockat e krahëve e të këmbëve të tyre janë të holla e të zgavërta. Tek zogjtë e sotëm janë gjetur veti të tilla të supozuara si veti të reptilëve. Por, arkeopteriksi nuk u parapriu zogjve, sepse fosile të së njëjtës periudhë me të janë gjetur në shkëmbinjtë fosilë të zogjve të tjerë.12
Humnera midis zvarranikëve e gjitarëve
22. Cilin ndryshim në mes të zvarranikëve dhe gjitarëve tregon vetë emri «gjitar»?
22 Ndryshime të shumta hapin një humnerë të madhe midis zvarranikëve dhe gjitarëve. Vetë emri «gjitarë» tregon një diferencë të madhe: ekzistencën e gjëndrave që prodhojnë qumësht për të vegjlit që lindin të gjallë. Teodozius Dobzhanski sugjeronte se këto gjëndra qumështi «mund të jenë gjëndra djerse të modifikuara».13 Por, zvarranikët nuk kanë as gjëndra djerse. Për më tepër, gjëndrat e djersës prodhojnë produkte jashtëqitjeje, jo ushqimi. Dhe ndryshe nga të vegjlit e zvarranikëve, të vegjlit e gjitarëve janë të pajisur si me instinktet ashtu edhe me muskujt për të thithur qumështin nga nënat e tyre.
23, 24. Çfarë cilësish të tjera, të pranishme tek gjitarët, mungojnë tek zvarranikët?
23 Gjitarët kanë edhe veti të tjera që nuk gjenden tek zvarranikët. Nënat e gjitarëve kanë placenta shumë të ndërlikuara, në të cilat rrisin dhe ushqejnë të vegjlit e tyre që nuk kanë lindur akoma. Këtë zvarranikët nuk e kanë. Zvarranikët nuk kanë diafragmë, ndërsa gjitarët e kanë një të tillë që ndan toraksin nga abdomeni. Organi i Kortit në veshët e gjitarëve nuk gjendet në veshët e zvarranikëve. Ky organ i vogël, por i ndërlikuar, ka 20.000 shufra dhe 30.000 mbaresa nervash. Gjitarët kanë një temperaturë trupi konstante, ndërsa zvarranikët jo.
24 Gjithashtu gjitarët kanë tri kocka në veshët e tyre, ndërsa zvarranikët kanë vetëm një. Nga erdhën këto dy «të tepërta»? Teoria e evolucionit përpiqet ta shpjegojë këtë kështu: Zvarranikët kanë të paktën katër kocka në nofullën e poshtme, ndërsa gjitarët kanë vetëm një; kështu, kur zvarranikët u bënë gjitarë, tri supozohet të jenë riformuar e disa nga kockat e nofullës së poshtme të zvarranikëve u zhvendosën në veshin e mesëm të gjitarëve, duke lënë vetëm një për nofullën e poshtme. Sidoqoftë, problemi që lind nga ky arsyetim është se nuk ka asnjë dëshmi fosile deri më sot që e përkrah këtë. Kjo është vetëm hamendje e dëshirueshme.
25. Çfarë ndryshimesh të tjera ekzistojnë në mes të zvarranikëve dhe gjitarëve?
25 Një problem tjetër janë kockat: Këmbët e zvarranikëve janë të kapura në anët e trupit, kështu që barku është shumë afër tokës apo në tokë. Por, tek gjitarët këmbët janë nën trup dhe e mbajnë atë mbi tokë. Në lidhje me këtë ndryshim, Dobzhanski komenton: «Ky ndryshim, sado i vogël që mund të duket, ka bërë të nevojshme ndryshime të tjera më të mëdha të skeletit dhe muskulaturës.» Kështu, ai pranon një ndryshim tjetër të madh midis zvarranikëve dhe gjitarëve: «Gjitarët kanë dhëmbë të punuar me shumë kujdes. Në vend të dhëmbëve të thjeshtë si kunja të zvarranikëve, tek gjitarët ekziston një shumëllojshmëri e madhe dhëmbësh për kafshimin, kapjen, copëtimin, prerjen, përtypjen dhe bluarjen e ushqimit.»14
26. Ç’kthim prapa duhej të kishte bërë evolucioni me jashtëqitjet?
26 Një ndryshim i fundit: kur amfibët na u bënë zvarranikë, jashtëqitja duhej të kishte ndryshuar nga ure në acid urik. Por, kur zvarranikët u bënë gjitarë, ndodhi e kundërta. Gjitarët u kthyen prapa tek amfibët, me jashtëqitjen në formë ureje. Në të vërtetë, evolucioni eci së prapthi—gjë që teorikisht nuk duhej ta bënte.
Humnera më e madhe
27. Cili do të ishte një «gabim tragjik» sipas një evolucionisti?
27 Fizikisht, njeriu plotëson përcaktimin e përgjithshëm si një gjitar. Por, një evolucionist thotë: «Nuk mund të bëhet gabim më tragjik, sesa të konsiderohet njeriu ‘thjesht një kafshë’. Njeriu është unik; ai dallohet prej të gjitha kafshëve të tjera nga shumë veti, si të folurit, tradita, kultura dhe nga periudha jashtëzakonisht e gjatë e rritjes dhe e kujdesit prindëror.»15
28. Si e veçon njeriun nga kafshët truri i tij?
28 Ajo që e ndan njeriun nga të gjitha krijesat e tjera mbi tokë është truri i tij. Informacioni i magazinuar në rreth 100 miliardë neuronet e trurit të njeriut, do të mbushte pothuaj 20 milionë volume! Aftësia e të menduarit abstrakt dhe e të folurit e veçon njeriun prej çdo kafshe, ndërsa aftësia për të kujtuar njohuritë e akumuluara është një nga karakteristikat më të spikatura të tij. Përdorimi i këtyre dijeve e ka bërë atë të aftë që t’i tejkalojë të gjitha krijesat e tjera të gjalla në Tokë—madje deri aty sa të shkojë në Hënë e të kthehet prapë. Me të vërtetë, siç ka thënë një shkencëtar, truri i njeriut është «i ndryshëm dhe pafundësisht më i ndërlikuar se çdo gjë tjetër në universin që njohim».16
29. Cilat fakte e bëjnë edhe më të thellë humnerën midis njeriut dhe kafshëve?
29 Një tjetër karakteristikë që e bën humnerën midis njeriut dhe kafshës më të madhe nga të gjitha, është morali njerëzor dhe vlerat shpirtërore, të cilat dallohen nga cilësi të tilla si dashuria, drejtësia, mençuria, pushteti, mëshira. Kjo është përmendur në Zanafillë, e cila thotë se njeriu është bërë «sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë». Humnera midis njeriut dhe kafshës është hendeku më i madh.—Zanafilla 1:26.
30. Ç’thotë në të vërtetë dokumentacioni fosil?
30 Kështu, pra, ekzistojnë ndryshime të mëdha midis ndarjeve kryesore të jetës. Shumë struktura të reja, instinkte të programuara dhe cilësi, i ndajnë ato. A është e arsyeshme të mendohet se ato kanë lindur me anë të ngjarjeve të papritura të rastit? Siç kemi parë, dëshmitë fosile nuk e përkrahin këtë pikëpamje. Asnjë fosil nuk mund të gjendet për të mbushur humnerën ndarëse. Siç thonë Hoili dhe Uikremasinge: «Format ndërmjetëse mungojnë në dokumentacionin fosil. Tani ne e kuptojmë përse, kryesisht sepse nuk ekzistojnë forma ndërmjetëse.»17 Për ata që kanë veshë të dëgjojnë, dokumentacioni fosil thotë: «Krijim i veçantë.»
[Diçitura në faqen 72]
Asnjë fosil peshku i njohur nuk tregon se si është zhvilluar legeni i amfibëve
[Diçitura në faqen 81]
«Nuk mund të bëhet gabim më tragjik, sesa të konsiderohet njeriu ‘thjesht një kafshë’»
[Kutia dhe figurat në faqen 73]
Nuk ka asnjë lidhje midis ndarjeve më të mëdha të jetës. Një shkencëtar tha: «Fosilet mungojnë në të gjitha vendet e rëndësishme»
[Figurat]
Secili riprodhohet «sipas llojit të tyre»
Peshk
Amfib
Reptil
Zog
Gjitar
Njeri
[Kutia dhe figurat në faqen 76]
Evolucionistët pohojnë: «Nuk duhet përpjekje e madhe e imagjinatës që të përfytyrohet një pendë si një luspë e modifikuar [zvarraniku].» Faktet flasin ndryshe
[Figurat]
Papagalliparrot
Zogu i parajsësbird of paradise
Palloipeacock
[Diagrami]
Boshti i pendësshaft
Degëbarbs
Degëzimebarbicels
Fijezimebarbules
[Figura në faqen 71]
«Peshku del papritur në dëshmitë fosile, me sa duket prej askund»
[Figurat në faqen 72]
Shtylla kurrizore e peshkut është shumë e ndryshme nga ajo e bretkosës
[Figura në faqen 75]
Zogjtë kanë «të gjitha karakteristikat e pakëndshme të një krijimi absolut»
[Figura në faqen 78]
Syri i shqiponjës funksionon si një teleskop dhe syri i harabelit si një lente zmadhuese
[Figura në faqen 79]
Arkeopteriksi nuk përbën një lidhje midis reptilëve dhe zogjve
[Figura në faqen 80]
Të vegjlit e gjitarëve lindin të gjallë dhe ushqehen me qumësht nga nënat e tyre
[Figurat në faqen 82]
«Format ndërmjetëse mungojnë në dokumentacionin fosil . . . sepse nuk ekzistojnë forma ndërmjetëse»
Peshk
Amfib
Reptil
Zog
Gjitar
Njeri
[Diagrami dhe figurat në faqen 74]
Vezët xhelatinoze të amfibëve nuk kanë lëvozhgë
Vezët e reptilëve kanë lëvozhgë mbrojtëse
[Diagrami]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Prerje e tërthortë e vezës me lëvozhgë
lëvozhga
albumina
korioni
e verdha
amnioni
alantoidi
embrioni
dhomë ajri
membrana e vezës