SI TË PËRBALLOSH RRITJEN E ÇMIMEVE
Ji realist
Kur çmimet rriten pak nga pak, zor se mund ta vëmë re, sidomos nëse njëkohësisht rriten edhe pagat. Megjithatë, kur çmimet rriten menjëherë, dhe pagat mbeten njëlloj, mund të na zërë ankthi ose stresi, kryesisht nëse kemi një familje për të mbajtur.
Edhe pse nuk e kemi në dorë rritjen e kostos së jetesës, kur jemi realistë mund të nxjerrim shumë dobi.
PSE KA RËNDËSI
Kush e pranon që s’e ka në dorë rritjen e çmimeve, e ka më të lehtë . . .
të ruajë qetësinë. Kur jemi të qetë, jemi më të kthjellët dhe marrim vendime më të mira.
të shmangë zakone të këqija. Për shembull, s’do të ishte aspak e mençur të shpërfillnim faturat ose të shpenzonim pa kriter.
të shmangë debatet me familjarët për çështje parash.
të gjejë mënyra për të përballuar situatën. Kjo përfshin të vendosim përparësitë e duhura dhe të mbajmë nën kontroll shpenzimet.
ÇFARË MUND TË BËSH
Ji i gatshëm të përshtatesh. Gjatë periudhave me inflacion të lartë, është e mençur të mos bëjmë shumë shpenzime nëse është e mundur. Disa njerëz mundohen të mbajnë një stil jetese që nuk e përballojnë dot. Kjo është njësoj sikur të përpiqen të notojnë kundër rrymës së një lumi të rrëmbyeshëm. Në fund, thjesht do të sfiliten. Nëse ke një familje, është normale të jesh në merak për t’u siguruar familjarëve gjërat e nevojshme. Megjithatë mos harro se ata kanë nevojë për dashurinë, kohën dhe vëmendjen tënde më shumë se për çdo gjë tjetër.
Kur mundohemi të bëjmë një jetë luksoze, që nuk e përballojmë dot, është sikur të përpiqemi të notojmë kundër rrymës së një lumi të rrëmbyeshëm