BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 5/11 f. 10-11
  • Milingonat e mjaltit​—Specialiteti i shkretëtirës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Milingonat e mjaltit​—Specialiteti i shkretëtirës
  • Zgjohuni!—2011
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Qypa mjalti të gjallë
  • Mjalti​—Dhuratë nga bletët
    Zgjohuni!—2005
  • Një ushtri në marshim
    Zgjohuni!—2003
  • Aftësia e milingonave për të mos ngecur në trafik
    A është projektuar?
Zgjohuni!—2011
g 5/11 f. 10-11

Milingonat e mjaltit​—Specialiteti i shkretëtirës

JUMINIA, mikja jonë aborigjene, dëshiron të na zbulojë një nga sekretet e shkretëtirës. Ndërsa na heq udhën përmes shkurrnajës së thatë në veri të Alis-Springsit, në Australinë Qendrore, këqyr me vëmendje dheun ranor. Atje, poshtë pemëve të mulgës, një lloj akacieje, i zë syri krijesat e vockla që do të na prijnë drejt një shpërblimi të ëmbël. Janë milingonat e mjaltit.

Juminia gërmon me sa ka fuqi duke ndjekur tunelet e milingonave thellë në rërë. Pas pak gropa bëhet më shumë se 1 metër e thellë dhe aq e gjerë sa të rrish ndenjur. «Mund të gërmosh për milingona mjalti kur të duash gjatë vitit, po më e mira është në dimër, se në verë plas vape»,—na thërret nga gropa. E shohim tek zhbiron tunelet me një sy të stërvitur. «Duhet të dish kë të ndjekësh»,—na shpjegon ajo.

S’kalon shumë dhe e gjen folenë. Brenda ka të paktën 20 milingona mjalti me bark të fryrë sa një kokërr rrushi, plot me lëng ngjyrë qelibari. Insektet e vockla rrinë varur në tavanin prej dheu e s’lëvizin dot ngaqë janë të fryra. Në pak minuta, Juminia mbledh mbi njëqind milingona nga disa dhoma. «Mjalti i këtyre milingonave është ndër ushqimet më të ëmbla të stepës sonë»,—thotë ajo.

Qypa mjalti të gjallë

Në më se 10.000 lloje milingonash që njihen, milingonat e mjaltit janë nga më të veçantat. Ndryshe nga bletët që e ruajnë mjaltin në hoje, ato e ruajnë nektarin brenda trupave të gjallë të disa milingonave punëtore që shërbejnë si depo. Kolonia e milingonave i shfrytëzon këta «qypa mjalti» të gjallë në kohë thatësire.

Për të depozituar ose tërhequr ushqimin, një milingonë troket me antenat e veta mbi antenat e milingonës-depo sipas një kodi të caktuar. Atëherë milingona–depo hap gojën duke shkyçur «qypin e mjaltit». Një valvulë e veçantë në stomak, e përbërë nga katër fletë, kontrollon hyrjen dhe daljen e lëngut. Me sa duket, gjatë gjithë jetës së saj që zgjat disa muaj, kjo milingonë mund të zbrazet e të rimbushet disa herë.

Zakonisht milingonat-depo bëjnë jetë sedentare e pa rreziqe nën tokë, ku janë të mbrojtura nga thatësira, vapa dhe kandrrat e tjera grabitqare. Në këtë botë të nëndheshme të kredhur në errësirë, ato ruhen nga bakteret e kërpudhat duke e lyer trupin me një antibiotik të lëngët që e prodhon një gjëndër e veçantë.

Po «mjalti» nga vjen? Zinxhiri ushqimor zë fill me limfën dhe nektarin e akacieve. Disa insekte të vockla të quajtura morra bimësh, ushqehen me këto lëngje natyrore. Pastaj, milingonat punëtore «mjelin» morrat e bimëve duke u marrë ca lëng sheqeror që e kanë me bollëk ose e mbledhin nektarin direkt nga pemët. Në fund, milingonat punëtore ushqejnë me këtë lëng milingonat-depo. Natyrisht, meqë këta «qypa mjaltit» rrinë pa lëvizur dhe s’kanë ndonjë nevojë të madhe për ushqim, shumica e lëngut sheqeror përfundon në «bankat e mjaltit».

Po morrat e bimëve? A dalin të humbur në këtë mes? Aspak. Së pari, milingonat u lënë boll nektar. Së dyti, i mbrojnë nga parazitët dhe grabitqarët. Pra, të dyja palët kanë leverdi në këtë ortakëri që quhet mutualizëm.

Bibla thotë: «Shko te milingona, . . . shihi udhët e saj dhe bëhu i mençur. Edhe pse nuk ka komandant, të parë a sundimtar, ajo e përgatit ushqimin e vet gjatë verës, i ka mbledhur zahiretë e veta gjatë të korrave.» (Proverbat 6:6-8) Sa të vërteta janë këto fjalë, pasi milingonat janë goxha bashkëpunuese, tepër të organizuara dhe të papërtuara. Mbetemi pa fjalë edhe kur mendojmë se banoret e paepura të shkretëtirës arrijnë ta prodhojnë këtë specialitet të ëmbël në një mjedis kaq jomikpritës.

[Figura në faqen 11]

Barku i fryrë i milingonës së mjaltit është plot nektar të ëmbël

[Burimet e figurave në faqen 11]

Faqet 10, 11, lart: M Gillam/​photographersdirect.com; faqja 11: © Wayne Lynch/​age fotostock

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo