BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 11/01 f. 14-18
  • Kartagjena—Qyteti që për pak sa s’përmbysi Romën

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kartagjena—Qyteti që për pak sa s’përmbysi Romën
  • Zgjohuni!—2001
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Themelimi i qytetit
  • Fillimet e një perandorie
  • Nën ndikimin e Baalit
  • Grindje për të pasur epërsi
  • Luftërat punike
  • «Delenda est Carthago!»
  • «Roma afrikane»
  • Roma
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Tabela kronologjike për pjesën 3
    Ec me Perëndinë plot guxim
  • Perandoria romake
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Si t’i gjesh shkrimet në Biblën tënde
    Tema të tjera
Shih më tepër
Zgjohuni!—2001
g 11/01 f. 14-18

Kartagjena—Qyteti që për pak sa s’përmbysi Romën

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FRANCË

NË BREGUN verior të Afrikës, në periferi të Tunizit, kryeqytet i Tunizisë, shtrihen rrënojat e qytetit të hershëm të Kartagjenës. Turistëve mund t’u falet nëse nuk kanë arritur t’i shohin fare, sepse nuk të zë syri shumë gjëra. Sidoqoftë, në këtë vend gjenden rrënojat e një prej qyteteve më të mëdha të antikitetit—që për pak sa s’përmbysi fuqinë politike të Romës. Sipas historianit romak Livi, «kjo ndeshje midis dy qyteteve më të pasura të botës mbante mbretër dhe popuj në ankth», pasi çështja në fjalë ishte pikërisht për sundimin botëror.

Themelimi i qytetit

Në mijëvjeçarin e dytë p.e.s., fenikasit ishin të kufizuar në një rrip të hollë toke gjatë bregdetit mesdhetar, i cili shtrihej në veri e jug të Libanit të sotëm. Meqë ishin detarë të zotë, e kthyen vëmendjen drejt perëndimit për të kërkuar ar, argjend, hekur, kallaj dhe plumb. Këto i shkëmbenin me dru (si cedri i famshëm i Libanit), me pëlhura të purpurta, parfume, verë, erëza dhe artikuj të tjerë artizanati.a

Ndërsa udhëtuan në perëndim, fenikasit ngritën vendbanime përgjatë brigjeve të Afrikës, Sicilisë, Sardenjës dhe Spanjës jugore—ndoshta Tarshishi i përmendur në Bibël. (1 Mbretërve 10:22; Ezekieli 27:2, 12) Mendohet se Kartagjena u themelua në vitin 814 p.e.s., rreth 60 vjet para rivalit të saj Romës. Një specialist në fushën e antikitetit në Afrikën Veriore, Serzh Lanseli, vëren: «Themelimi i Kartagjenës, rreth fundit të shekullit të nëntë p.e.s., ishte për qindra e qindra vjet një faktor përcaktues në të ardhmen politike e kulturore të shteteve perëndimore të Mesdheut.»

Fillimet e një perandorie

Në një gadishull me formën e një «spirance gjigante të hedhur në det», siç e përshkruan historiani Fransua Dekre, Kartagjena filloi të ngrinte një perandori. Duke ndërtuar mbi themelet e ngritura nga paraardhësit e saj fenikas, Kartagjena e shndërroi rrjetin e vet tregtar—që përfshinte kryesisht importimin e metaleve—në një trust gjigant, duke e forcuar monopolin e vet me anë të flotës së fuqishme dhe trupave mercenare.

Duke mos qenë kurrë të kënaqur për atë që kishin arritur, kartagjenasit ishin vazhdimisht në kërkim të tregjeve të reja. Rreth vitit 480 p.e.s., lundërtari Himilko mendohet se ka zbritur në Kornuoll, në Britani, një vend i pasur me kallaj. Rreth 30 vjet më vonë, Hanoja, anëtar i një prej familjeve të shquara të Kartagjenës, thuhet se ka drejtuar një ekspeditë për të formuar koloni të reja, me 60 anije që mbanin 30.000 burra dhe gra. Duke kaluar përmes Ngushticës së Gjibraltarit dhe duke lundruar gjatë bregut afrikan, Hanoja mund të ketë arritur Gjirin e Guinesë dhe madje brigjet e Kamerunit.

Si pasojë e një fryme të tillë iniciative dhe mendjemprehtësie prej tregtari, me sa dihet Kartagjena u bë qyteti më i pasur në botën e lashtë. «Në fillim të shekullit të tretë [p.e.s.], aftësia teknike, tregtia dhe flota e saj . . . e vendosën qytetin në vend të parë»,—thotë libri Carthage. Rreth kartagjenasve, historiani grek Apiani deklaroi: «Në fuqi barazoheshin me grekët, në pasuri me persët.»

Nën ndikimin e Baalit

Fenikasit, edhe pse të shpërndarë kudo në Mesdheun perëndimor, i bashkonin bindjet e tyre fetare. Kartagjenasit trashëguan fenë e kananitëve nga paraardhësit e tyre fenikas. Çdo vit, për shekuj me radhë, Kartagjena dërgonte një delegacion në Tir për të bërë flijime në tempullin e Melkartit. Në Kartagjenë perënditë kryesore ishin çifti i perëndive Baal-Hamon, që do të thotë «Zotëri i Brazierit» dhe Taniti, i identifikuar me Astartin.

Karakteristika më famëkeqe e fesë kartagjenase ishte flijimi i fëmijëve. Diodorus Sikulusi raporton se në vitin 310 p.e.s., gjatë një sulmi kundër qytetit, kartagjenasit flijuan më shumë se 200 fëmijë me prejardhje aristokrate për të kënaqur Baal-Hamonin. The Encyclopedia of Religion thotë: «Ofrimi i një fëmije të pafajshëm si viktimë që e pëson për hir të të tjerëve, ishte një veprim i jashtëzakonshëm pajtimi, ndoshta me qëllimin për të siguruar mirëqenien e familjes e po ashtu edhe të komunitetit.»

Në vitin 1921, arkeologët zbuluan atë që më vonë do të quhej Tofet, sipas shprehjes biblike të përdorur në 2 Mbretërve 23:10 dhe në Jereminë 7:31. Gërmimet zbuluan shumë shtresa ku gjendeshin urna me eshtra kafshësh të djegura (përdorur si flijime zëvendësuese) dhe fëmijësh të vegjël, të varrosur nën pllaka varri në të cilat gjendeshin mbishkrime. Është llogaritur që Tofeti përmban eshtrat e më tepër se 20.000 fëmijëve të flijuar vetëm gjatë një periudhe 200-vjeçare. Sot, disa analistë pohojnë se Tofeti ishte thjesht një vend ku varroseshin fëmijët që kishin lindur të vdekur ose që vdisnin shumë të vegjël për t’u vendosur në varreza. Sidoqoftë, siç pohon Lanseli i përmendur më parë, «realiteti i flijimeve njerëzore kartagjenase nuk mund të mohohet krejtësisht».

Grindje për të pasur epërsi

Me rënien e Tirit, në shekullin e gjashtë p.e.s., Kartagjena mori drejtimin mes fenikasve të perëndimit. Por fitimi i epërsisë nga Kartagjena nuk u bë pa kundërshtim. Që në fillim tregtarët kartagjenas e grekë haheshin për të fituar kontrollin në dete dhe, rreth vitit 550 p.e.s., shpërtheu lufta. Në vitin 535 p.e.s., kartagjenasit të ndihmuar nga aleatët e tyre etruskë i larguan grekët nga ishulli i Korsikës dhe morën në kontroll Sardenjën.b Si rrjedhim, konflikti midis Kartagjenës dhe Greqisë për të marrë Sicilinë—një ishull me rëndësi strategjike—u bë edhe më i ashpër.

Në të njëjtën kohë, Roma po fillonte të nxirrte në pah fuqinë e vet. Traktatet midis Kartagjenës dhe Romës i siguruan Kartagjenës të drejtën për të bërë tregti dhe i hoqën Romës çdo të drejtë mbi Sicilinë. Por, ndërsa Roma nënshtronte gadishullin italian, ndikimi në rritje i Kartagjenës kaq afër Italisë u pa si një kërcënim. Historiani grek i shekullit të dytë p.e.s., Polibiusi komentoi: «Romakët panë . . . se kartagjenasit kishin marrë në zotërim jo vetëm Afrikën,c por edhe pjesë të mëdha të Spanjës dhe ishin zotër të të gjitha ishujve në detin e Sardenjës dhe në detin Tirren. Nëse kartagjenasit do të fitonin kontroll mbi Sicilinë do të bëheshin fqinj shumë të fuqishëm dhe të rrezikshëm, sepse do ta rrethonin Italinë nga çdo anë e do të kërcënonin të gjitha pjesët e vendit.» Në Senatin e Romës, disa fraksione të shtyra nga interesa tregtare, po nxitnin ndërhyrjen në Sicili.

Luftërat punike

Në vitin 264 p.e.s., një krizë në Sicili u dha romakëve një pretekst për të ndërhyrë. Duke dhunuar një traktat, Roma dërgoi një pjesë të trupave ushtarake, duke ndezur atë që quhet Lufta e Parë Punike. Ky konflikt, i karakterizuar nga disa prej betejave detare më të mëdha të antikitetit, zgjati për më shumë se 20 vjet. Më në fund, në vitin 241 p.e.s., kartagjenasit u mundën dhe u detyruan të braktisnin Sicilinë. Roma shkëputi, gjithashtu, Korsikën dhe Sardenjën nga zotërimi i tyre.

Për të kompensuar këto humbje, Hamilkar Barka, një gjeneral kartagjenas, ia nisi punës për t’i rikthyer fuqinë Kartagjenës, duke ndërtuar një perandori në Spanjë. Një «Kartagjenë e re» u themelua në bregun juglindor të Spanjës dhe brenda pak viteve, pasuritë minerale të Spanjës kishin mbushur sërish arkat e Kartagjenës. Pa dyshim, ky zgjerim çoi në konflikt me Romën dhe, në vitin 218 p.e.s., shpërtheu përsëri lufta.

Në krye të ushtrisë kartagjenase ishte një nga djemtë e Hamilkarit, Hanibali, emër që do të thotë «i favorizuar nga Baali». Duke u larguar nga Kartagjena në maj të vitit 218 p.e.s., ai nisi një marshim të gjatë e të famshëm mespërmes Spanjës dhe Galisë, duke kaluar Alpet me ushtrinë e tij me afrikanë dhe spanjollë së bashku dhe me afërsisht 40 elefantë. Të kapur në befasi, romakët pësuan disa disfata të rënda. Në 2 gusht të vitit 216 p.e.s., në betejën e Kanas—«një nga shkatërrimet më të tmerrshme që provoi ndonjëherë ushtria romake»—ushtria e Hanibalit shkatërroi një fuqi romake sa dyfishi i vet, duke vrarë rreth 70.000 trupa armike e duke humbur vetëm 6.000 njerëz.

Pothuajse Roma ishte në duart e tyre! Por, duke mos pranuar të dorëzoheshin, romakët i bënë trupat e Hanibalit të gjendeshin në një luftë të mundimshme për 13 vjetët pasues. Kur Roma dërgoi një ushtri në Afrikë, Kartagjena ishte e braktisur nga aleatët e saj dhe u mund në Spanjë dhe në Sicili. Kështu, Kartagjena u detyrua të thërriste prapë Hanibalin. Një vit më vonë, më 202 p.e.s., gjenerali romak Skipio Emiliani, mundi ushtrinë e Hanibalit në Zama, në jugperëndim të Kartagjenës. Qytetit kartagjenas, i detyruar të dorëzonte flotën e vet, iu mohua pavarësia ushtarake dhe u dënua me një dëmshpërblim të madh që do ta paguante për një periudhë prej 50 vjetësh. Sa për Hanibalin, më vonë u largua nga vendi dhe, rreth vitit 183 p.e.s., vrau veten.

«Delenda est Carthago!»

Paqja i riktheu begatinë Kartagjenës, deri në atë pikë saqë propozoi që ta paguante dëmshpërblimin vetëm brenda dhjetë vjetëve. Një zhvillim i tillë, si dhe reformat politike, shihej tepër i rrezikshëm nga armiqtë e egër të Kartagjenës. Për rreth dy vjet, deri në vdekjen e tij, Katoja, një burrë shteti romak i moshuar, përfundonte çdo fjalim të tij para Senatit me sloganin «Delenda est Carthago!» që do të thotë: «Kartagjena duhet të shkatërrohet!»

Më në fund, në vitin 150 p.e.s., një e ashtuquajtur shkelje e traktatit u dha romakëve pretekstin që kërkonin. U shpall një luftë e përshkruar si «lufta e shfarosjes». Për tre vjet romakët rrethuan murin e fortifikuar të qytetit, që ishte 30 kilometra i gjatë e disa pjesë të së cilit ishin më tepër se 12 metra të lartë. Më në fund, në vitin 146 p.e.s., u hap një e çarë. Trupat romake, duke përparuar mes rrugëve të ngushta nën breshërinë e gurëve, u përfshinë në një luftim të ashpër trup më trup. Si një vërtetim tronditës të dokumenteve të hershme, arkeologët kanë gjetur kocka njerëzish poshtë blloqeve të shpërndara të gurëve.

Pas gjashtë ditëve të tmerrshme, rreth 50.000 qytetarë të uritur të cilët kishin mbetur të ngujuar në Birsa—kalaja e fortifikuar në majë të kodrës—u dorëzuan. Të tjerët që s’pranuan ekzekutimin me vdekje ose skllavërinë u mbyllën në tempullin e Eshmunit dhe i vunë zjarrin. Romakët dogjën çdo gjë që kishte mbetur nga qyteti, Kartagjena u rrafshua dhe u mallkua me ceremoni e të gjithë banorët u dëbuan.

Kështu, brenda 120 vjetëve Roma i shkatërroi qëllimet për pushtet të Kartagjenës. Historiani Arnold Toinbi tha: «Çështja e vërtetë e luftës së Hanibalit ishte nëse fuqia botërore e ardhshme helenike do të merrte formën e një perandorie kartagjenase ose të një perandorie romake.» «Nëse do të kishte fituar Hanibali,—komenton Encyclopædia Universalis,—me siguri do të kishte themeluar një perandori botërore të ngjashme me atë të Aleksandrit.» Në të vërtetë, luftërat punike shënuan fillimin e zgjerimit të kufijve të Romës, të cilat së fundi e bënë atë sundimtare të botës.

«Roma afrikane»

U duk sikur Kartagjena mori fund njëherë e përgjithmonë. Por vetëm një shekull më vonë Jul Cezari vendosi të themelonte atje një koloni. Në nder të tij u quajt Kolonia Julia Kartago. Inxhinierët romakë, duke hequr ndoshta 100.000 metër kub dhé, niveluan majën e Birsas për të formuar një platformë të madhe e për të fshirë të gjitha gjurmët e së shkuarës. U ngritën në të tempuj dhe ndërtesa publike me zbukurime. Ndërsa koha kalonte, Kartagjena u bë ‘një nga qytetet më të begata të botës romake’, qyteti i dytë më i madh në perëndim pas Romës. Për të kënaqur kërkesat e 300.000 banorëve të saj, u ndërtua një teatër, një amfiteatër, banja të mëdha termale, një ujësjellës 132 kilometra i gjatë dhe një cirk në gjendje për të mbajtur 60.000 spektatorë.

Krishtërimi hyri në Kartagjenë rreth mesit të shekullit të dytë të e.s. dhe pati atje një rritje të shpejtë. Tertuliani, apologjeti dhe teologu i njohur i kishës, lindi në Kartagjenë rreth vitit 155 të e.s. Si pasojë e shkrimeve të tij, latinishtja u bë gjuha zyrtare e kishës perëndimore. Cipriani, peshkopi i Kartagjenës gjatë shekullit të tretë, i cili krijoi një sistem hierarkik klerik shtatë shkallësh, u martirizua në Kartagjenë në vitin 258 të e.s. Agustini (354-430 të e.s.), një tjetër nga Afrika e Veriut, i quajtur mendimtari më i madh i antikitetit të krishterë, ndihmoi në shkrirjen e doktrinës kishtare me filozofinë greke. Ndikimi i kësaj kishe ishte i tillë sa një klerik deklaroi: «Je ti, o Afrikë, që bën të përparojë kauza e besimit tonë me vrullin më të madh! Çfarë vendos ti miratohet nga Roma dhe ndiqet nga sunduesit e tokës.»

Sidoqoftë, ditët e Kartagjenës qenë të numëruara. Edhe njëherë e ardhmja e saj lidhej në mënyrë të pazgjidhshme me atë të Romës. Sapo shkoi drejt rënies Perandoria Romake, mori fund dhe Kartagjena. Në vitin 439 të e.s., qyteti u pushtua dhe u plaçkit nga vandalët. Pushtimi bizantin i qytetit një shekull më vonë e shtyu edhe për pak kohë shkatërrimin. Por Kartagjena nuk ishte në gjendje t’u bënte ballë arabëve që po turreshin në Afrikën Veriore. Në vitin 698 të e.s., qyteti u pushtua dhe pas kësaj gurët e tij u përdorën për të ndërtuar qytetin e Tunizit. Në shekujt e mëvonshëm mermeri dhe graniti, që më parë zbukuronin qytetin romak, u grabitën, u eksportuan dhe u përdorën për të ndërtuar katedralet e Gjenevës e të Pizës në Itali dhe ka mundësi edhe atë të Kanterbërit në Angli. Nga një ndër qytetet më të pasura e më të fuqishme në antikitet, nga një perandori që për pak sundoi botën, Kartagjena u katandis në fund në një grumbull gërmadhash që nuk njihet më.

[Shënimet]

a Emri fenikas vjen nga fjala greke Phoinix që do të thotë «e purpurt» dhe gjithashtu «pemë palme». Nga kjo rrodhi fjala latine Poenus, duke na dhënë mbiemrin «punik» që do të thotë «kartagjenas».

b Marrëdhëniet e ngushta midis kartagjenasve dhe etruskëve, që zgjatën disa shekuj, e bënë Aristotelin të komentonte që të dyja kombet dukej se formonin një shtet të vetëm. Për më shumë informacione rreth etruskëve, shih revistën Zgjohuni!, 8 nëntor 1997, faqet 24-27, anglisht.

c «Kartagjenasit i vunë emrin Afrika territorit që rrethonte Kartagjenën. Më vonë ky emër përdorej për të gjitha rajonet e njohura të kontinentit. Romakët e mbajtën këtë emër kur e kthyen këtë territor në provincë romake.»—Dictionnaire de l’Antiquité—Mythologie, littérature, civilisation.

[Harta në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ROMA

DETI MESDHE

KARTAGJENA (rrënoja)

[Figura në faqen 14]

Rrënojat e banjave termale romake

[Figura në faqen 15]

Transporti i cedrave të Libanit nga anijet fenikase

[Burimi]

Musée du Louvre, Paris

[Figura në faqen 15]

Varëset prej xhami mbaheshin si hajmali fatndjellëse

[Burimi]

Musée du Louvre, Paris

[Figura në faqen 16]

Kartagjenasit vendosnin maska varrimi në varre për të larguar frymërat e liga

[Burimi]

Musée du Louvre, Paris

[Figura në faqen 16]

Vrasjet e fëmijëve ishin pjesë e adhurimit të kananitëve që më pas u trashëgua nga kartagjenasit. Ky është një gur varri i një fëmije të flijuar

[Figura në faqen 17]

Gërmadha të qytetit kartagjenas, i rrënuar nga romakët në vitin 146 p.e.s.

[Figura në faqen 17]

Hanibali mbahet si një nga strategët ushtarakë më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë

[Burimi]

Alinari/Art Resource, NY

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo