Më e madhja dhe më e vogla
«Mos vrit as fluturën e as fluturën e natës.»—UILIAM BLEIK (1757-1827).
A KENI vërejtur ndonjëherë një flutur që rreh krahët pranë jush? Kush do të ishte aq i pandjeshëm, sa të mos ndalej për të admiruar bukurinë dhe brishtësinë e këtij insekti të hirshëm? Ato gjenden në mbarë botën, në një shumëllojshmëri të tillë madhësish dhe disenjosh, saqë thuhet se ekzistojnë nga 15.000 deri në 20.000 lloje!
Cila është flutura më e madhe që keni parë ndonjëherë? Nëse jetoni në Papua Guinea e Re, atëherë mund të keni parë më të madhen në botë, flatra-zogun e mbretëreshës Aleksandra, gjatësia e krahëve të hapura të së cilës arrin deri në 28 centimetra. Nëse banoni në Amerikën e Veriut ose në Amerikën Qendrore, mund të keni pasur privilegjin të shihni një bishtdallëndyshe Homerus, me gjatësi të krahëve të hapura deri në 15 centimetra. Flutura më e madhe në Afrikë është bishtdallëndyshja gjigande afrikane, gjatësia e krahëve të hapura të së cilës shkon deri në 23 centimetra.
Po fluturat më të vogla? Ku gjenden ato? Në botimin The Illustrated Encyclopedia of Butterflies, nga dr. Xhon Feltuell, thuhet se «xhuxhja e kaltër e Amerikës së Veriut . . . është ndoshta flutura më e vogël në botë, me një gjatësi krahësh të shtrira prej 1/2-3/4in (15-19mm)». Flutura më e vogël në Britani është e vogla e kaltër, me një gjatësi të krahëve të hapura prej njëzet e katër milimetrash.
Në shumë pjesë të botës ka shtëpi fluturash, në të cilat mund të shëtitni, ndërsa këto bukuroshe me krahë ndalojnë për t’u çlodhur mbi ju. Mund të mësoni shumë rreth kësaj krijese magjepsëse dhe ciklit të saj të jetës, rreth metamorfozave të saj nga një vezë e vockël, në larvë, në pupë e deri në flutur plotësisht të rritur. Kështu, herën tjetër që do të shihni një flutur të rrahë krahët pranë jush, ndaluni, soditeni me ëndje dhe kënaquni të mahnitur me të. Do të jeni duke vështruar një mrekulli, qoftë e madhe ose e vogël!
[Figurat në faqet 24, 25]
Flutura më e madhe dhe ajo më e vogël, flatra-zogu i mbretëreshës Aleksandra dhe xhuxhja e kaltër (të dyja në madhësinë reale)
[Burimet]
Flutura: Allyn Museum of Entomology, Florida Museum of Natural History