Një vështrim rreth botës
Pirja e duhanit kushton miliarda
Ndonëse numri i duhanxhinjve po pakësohet në shumë vende, në Zvicër ai mbetet i pandryshuar, thotë gazeta Berner Oberländer. Rreth një e treta e popullsisë pi duhan. Mbi 8.000 vdekje çdo vit janë të lidhura me pirjen e duhanit, më shumë vdekje sesa shkaktohen nga SIDA, heroina, kokaina, alkooli, zjarret, aksidentet me makinë, vrasjet dhe vetëvrasjet të marra së bashku. Një studim i kryer nga Departamenti Federal i Shëndetit Publik në Zvicër nxori përfundimin se kostoja sociale e konsumimit të duhanit në vitin 1995 ishte dhjetë miliardë franga zvicerane, më shumë se gjashtë miliardë dollarë amerikanë. Studimi përpiqej të përmblidhte koston e ilaçeve dhe të kujdesit spitalor, rënien e prodhimit në punë, rënien e cilësisë në jetën e duhanxhinjve të sëmurë dhe të atyre që varen prej tyre si dhe vuajtjen e familjarëve të të vdekurit.
Mbroni zemrën
«Gjithmonë e kemi ditur se moti i nxehtë e rrit rrezikun e atakut në zemër, por tani dimë se edhe moti i ftohtë ndikon po njëlloj»,—thotë dr. Antoni Graham, kardiolog dhe zëdhënës i Fondacionit Zemra dhe Goditja, në Ontario të Kanadasë. Siç raportohet në gazetën The Globe and Mail, një studim dhjetëvjeçar i bërë me 250.000 burra në Francë tregon se një ndryshim prej dhjetë gradësh në temperaturën mesatare, qoftë në rritje, qoftë në ulje, «e rrit rrezikun e atakut të parë në zemër me 13 përqind». Kur temperatura bie, zemra punon me më shumë vështirësi dhe më shpejt, sepse gjaku zhvendoset nga lëkura më në brendësi të trupit për të ruajtur temperaturën. Rreziku rritet kur njerëzit e stërmundojnë veten dhe kur nuk vishen si duhet. Dr. Graham paralajmëron: «Ju nuk mund të rrini shtrirë për pesë muaj duke parë televizor dhe më pas, papritur të dilni e të pastroni dëborën me lopatë. Duhet të përshtateni gradualisht.»
Muzikë e lartë për t’u shkëputur nga realiteti
Pavarësisht nga paralajmërimet e mjekëve se muzika tepër e lartë «ka një efekt negativ mbi gjithë trupin», një numër në rritje të rinjsh duket se nuk mund të bëjnë pa kasetofonët e tyre personalë, raporton e përjavshmja polake Przyjaciółka. Cila është arsyeja? Disa i përdorin kasetofonët personalë për t’u «shkëputur nga ambienti që i rrethon». «Me kufjet në veshë, një adoleshent nuk ka për t’i dëgjuar më ankesat e prindërve të tij ose nuk ka për t’iu përgjigjur atyre kur, për shembull, i kërkojnë të bëjë diçka»,—thotë gazeta. Duke vërejtur se muzika tepër e lartë mund të shkaktojë, gjithashtu, «lodhje, dhembje koke, dëmtim të aftësisë për t’u përqendruar ose pagjumësi», Przyjaciółka nuk i këshillon prindërit të ndalojnë përdorimin e kasetofonëve personalë, por u sugjeron atyre që t’i mësojnë fëmijët të ushtrojnë përmbajtje. «Kërkojuni fëmijëve të përdorni kasetofonin e tyre me raste,—sugjeron gazeta.—Kjo do t’u japë atyre një periudhë pushimi nga kufjet dhe ju do të njihni botën në të cilën jetojnë ata.»
Zhdukja e gjuhëve
«Disa herë e qortoj ashpër veten që nuk ua kam mësuar gjuhën fëmijëve të mi»,—thotë kryetarja Maria Smith Xhons, e fundit në kulturën e saj që flet gjuhën e ajekëve të Alaskës. Prirjet tregojnë se nga 6.000 gjuhët që përllogariten se fliten në mbarë botën, 40 deri në 50 përqind e tyre mund të zhduken brenda shekullit të ardhshëm. Australia që dikur kishte 250 gjuhë, tashmë është katandisur me 20 gjuhë. Përse po ndodh kjo? Revista Newsweek sugjeron se gjuhët po «lihen në harresë» për shkak të përhapjes së anglishtes dhe ‘gjuhëve të tjera të mëdha’. Profesori Stiven Vurm, autor i Atlasit të Gjuhëve të Botës në Rrezik për t’u Zhdukur, botuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, shton: «Është i përhapur mendimi se gjuhët e ‘vogla’, gjuhët e minoriteteve duhen harruar, sepse nuk kanë vlerë.»
Flitni me foshnjën tuaj
Daily Telegraph e Londrës raporton se bisedimi me foshnjat të paktën 30 minuta në ditë mund të rritë në mënyrë të konsiderueshme inteligjencën dhe aftësinë e tyre për të folur. Kërkuesit studiuan 140 foshnja nëntë muajshe. Prindërve të gjysmës së tyre iu dhanë këshilla në lidhje me mënyrën më të mirë për t’u folur foshnjave të tyre, ndërsa atyre të gjysmës tjetër nuk iu dha asnjë sugjerim në këtë drejtim. Pas shtatë vjetësh, siç pohon raporti, «inteligjenca mesatare e grupit [të cilit i ishte folur] ishte një vit e tre muaj përpara grupit tjetër» dhe aftësitë e tyre të të folurit ishin «në një masë shumë të konsiderueshme më të larta». Kërkuesja dr. Seli Ward beson se sot prindërit flasin më pak me foshnjat e tyre në krahasim me të kaluarën, për shkak të ndryshimeve të mëdha në shoqëri. Për shembull, më shumë nëna shkojnë në punë dhe në shumë shtëpi vendin e bashkëbisedimit e kanë zënë videokasetat.
Të shmangim tërbimin e shoferëve
«Shoferët tepër agresivë nuk duhen marrë lehtë»,—këshillon një veteran i garave me makina, i cituar në revistën Fleet Maintenance & Safety Report. Ruajtja e gjakftohtësisë dhe shmangia e situatave të këqija mund të ndihmojë në reduktimin e rreziqeve të tërbimit të shoferëve në rrugë. Mbrojtësit e sigurisë rekomandojnë si vijon:
◼ Jepini makinës me mirësjellje në çdo kohë.
◼ Shmangni shoferët agresivë nëse mund ta bëni këtë pa u dëmtuar.
◼ Mos e sfidoni kurrë një shofer, duke iu afruar tepër makinës së tij nga pas ose duke shtuar shpejtësinë.
◼ Mos iu përgjigjni gjesteve kërcënuese dhe shmangni bërjen e gjesteve që mund të keqkuptohen.
◼ Shmangeni shikimin në sy të një shoferi të tërbuar.
◼ Mos ndaloni në anë të rrugës për t’u ballafaquar me një shofer tjetër.
Dëmtimet dhe vdekjet e shkaktuara nga aborti
Çdo vit në Meksikë kryhen afërsisht 500.000 aborte, sipas Fransisko Havier Serna Alvarado, president i Komisionit për Shëndetin dhe për Shërbimet Sociale në qytetin e Meksikos. Siç raportohet në gazetën El Universal, një përqindje e madhe e këtyre aborteve sjell humbjen e jetës së nënës dhe shumë të tjera rezultojnë në komplikacione serioze që kërkojnë trajtim me ilaçe ose edhe shtrim në spital. Aborti ilegal është shkaku i tretë më i madh i vdekjes së nënave në Meksikë. Në disa raste, përdoren teknika aspak profesionale aborti, si për shembull, përdorimi i objekteve me majë të mprehtë, marrja e ilaçeve ose çajrave me barishte për të abortuar e madje edhe rrëzimi nga shkallët. Shpesh, siç vëren raporti, pasojat përfshijnë «hemorragji të rënda, shpim të mitrës, shterpësi, infeksione dhe humbje të mitrës».
Bëjeni mesazhin tuaj të pranueshëm
‘Pavarësisht se sa i rëndësishëm është mesazhi juaj, shumica e njerëzve nuk do të duan t’ju dëgjojnë, nëse nuk e pëlqejnë mënyrën se si flitni’,—thotë ekspertja vokale dr. Liljana Glas. Siç raportohet në gazetën The Citizen të Afrikës së Jugut, murmuritja, gramatika e dobët, toni monoton i zërit, i foluri tepër i shpejtë, gjuha e papastër dhe monopolizimi i bisedës i shkurajojnë dëgjuesit. Nga ana tjetër, zakonisht njerëzit do t’ju dëgjojnë, nëse buzëqeshni për t’i bërë të ndihen rehat, nëse flitni qartë dhe ngadalë, nëse i shikoni në sy dhe nëse pa i ndërprerë e dëgjoni me kujdes pikëpamjen e tyre. «Mendoni përpara se të flitni,—shton artikulli,—dhe do të shpreheni me më shumë siguri.»
Ngrënia e tepërt rrit rrezikun e helmimit nga ushqimi
Rreziku për t’u sëmurur nga ngrënia e ushqimeve të infektuara është më i madh kur një person ha tepër, sipas dr. Adolfo Shaves, i Salvador Zubiran National Institute of Nutrition, në Meksiko. Ai thotë se sasia e vogël e baktereve në ushqimet që hamë, normalisht shkatërrohet nga lëngjet gastrike të stomakut. Por pas një ngrënieje të ekzagjeruar, vëllimi i tepërt i ushqimit në stomak e neutralizon aciditetin gastrik, duke e pakësuar aftësinë e stomakut për të vrarë bakteret. Dr. Shaves tha për Zgjohuni!: «Nëse një person ha 15 pite me mish dhe vetëm njëra prej tyre është e infektuar, ka të ngjarë që personi të infektohet për shkak të sasisë së ngrënë. Nëse personi ha vetëm një pite të infektuar, mund të mos ketë asnjë problem.»
Mungesë qeshjesh
Sipas dëshmive të paraqitura kohët e fundit në Kongresin Ndërkombëtar të Humorit të mbajtur në Zvicër, gjatë viteve 50 të karakterizuara nga probleme ekonomike, njerëzit qeshnin mesatarisht 18 minuta në ditë në krahasim me 6 minuta gjatë viteve të begata 90. Përse kjo rënie? «Ekspertët fajësojnë për këtë prirje përpjekjet për pasuri materiale, për karrierë dhe për sukses, duke mbështetur thënien e vjetër se lumturia nuk mund të blihet me para»,—shpjegon Sunday Times e Londrës. Për këtë arsye, autori Majkëll Arxhil përfundon: «Ata që e vlerësojnë më shumë paranë janë më pak të kënaqur dhe në një gjendje të keqe shëndeti mendor. Mund të jetë kështu sepse paraja siguron vetëm lloje sipërfaqësore kënaqësish.»
Mbrohet e drejta për trajtim mjekësor
Gjykata Supreme e drejtësisë e El Salvadorit kohët e fundit e shpalli të paligjshëm rregullin e një Spitali të Asistencës Sociale, i cili u kërkonte pacientëve të dhuronin gjak si kusht për marrjen e trajtimit mjekësor. Më parë, politika e spitalit kërkonte që të gjithë pacientët të jepnin dy njësi gjaku përpara një ndërhyrjeje kirurgjike. Tani, ata që duan të marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Asistencës Sociale kanë të drejtë me ligj që të zgjedhin të mos japin gjak.