Viti 2000—A do të ndikojë te ju dështimi i kompjuterave?
ËSHTË thënë se debutimi i kompjuterit në skenën botërore ishte shpikja më e madhe, qysh prej kohës që njeriu filloi të përdorte elektricitetin. Sot, disa dekada më pas, shumë njerëz pyesin veten se si kanë mundur t’ia dalin pa kompjutera. Kjo revistë që po lexoni, u përgatit duke përdorur ata. Kompjuterat mund ta ruajnë informacionin në kujtesën e tyre dhe ta nxjerrin në çast. Eh, kompjuterat e mrekullueshëm! Sa të jashtëzakonshëm që janë! Si do të bënte bota pa ta?
Në rajonet e modernizuara të botës, pothuajse çdo aspekt i jetës së njerëzve ndikohet në njëfarë mënyre nga kompjuterat. Nëse ju mbaheni me të ardhurat e pensionit, nga urdhërpagesat e invaliditetit prej qeverisë, me fondet e taksave dhe siguracioneve, ose nga një sërë pagesash të tjera të tilla, fakti që i merrni ato varet nga kompjuterat. Nëse jeni i punësuar, ka shumë të ngjarë që lista juaj e pagave të jetë e regjistruar në kompjuter. Kompjuterat mbajnë në kujtesë regjistrimin e parave të depozituara në institucionet bankare dhe të interesave të paguara. Në shtëpitë moderne, ata komandojnë pajisje të panumërta, si ato që prodhojnë elektricitet ose pastrojnë ujin. Ata janë një ndihmë e madhe për mjekët, klinikat dhe spitalet në diagnostikimin e problemeve shëndetësore dhe shpëtimin e jetëve. Kompjuterat janë përdorur për të vëzhguar kushtet e motit dhe për t’i ruajtur aeroplanët nga përplasja në ajër.
Sa inteligjentë janë?
Kompjuterat nuk janë aspak më inteligjentë sesa njerëzit që i programojnë ata. Një kompjuter i zgjidh problemet vetëm në mënyrën që është udhëzuar. Ai nuk zotëron mençuri praktike. Kur gabon, ai thjesht pasqyron papërsosmëritë e njerëzve që e programuan ose që e projektuan. Kur është i saktë, merita i përket njeriut. Kompjuteri mund t’i kryejë detyrat më shpejt sesa një njeri, por nuk mund t’u japë përgjigje problemeve, në qoftë se njeriu nuk e ka pajisur me metodën e dhënies së përgjigjeve.
Njeriu, për shembull, ishte vërtet dritëshkurtër kur programoi për herë të parë disa kompjutera në vitet 50 dhe 60. Duke qenë se në atë kohë kujtesa e kompjuterit ishte me kosto të lartë, programuesit kërkuan mënyra për ta kursyer kujtesën. Në kompjuter, çdo germë ose numër zë hapësirë. Kështu, me qëllim që të kursenin hapësirë kur regjistronin datat, programuesit e parë projektuan një kod të shkurtuar që u hiqte datave dy shifrat e para të vitit. Viti 1965 për shembull, u shkurtua në «65», 1985-a në «85», 1999-a në «99» e kështu me radhë. Kur shtypeshin datat, ishte një gjë e thjeshtë t’i shtoje «85»-s një «19» për të përftuar vitin 1985. Gjatë këtyre pak dekadave të fundit, janë shkruar miliona programe që përdorin këtë metodë shkurtimi. Pak programues mendonin se ky shkurtim në dukje i padëmshëm do të kishte pasoja të rënda, ngaqë nuk ua merrte mendja se programet e tyre do të ishin ende në përdorim në fillim të shekullit tjetër. Sidoqoftë, një numër programesh me këtë metodë shkurtimi po përdoren ende dhe do ta regjistrojnë vitin 2000 si «00».
Disa kompjutera do ta interpretojnë vitin 2000 si viti 1900! Merrni tani me mend rrëmujën në programin e kompjuterit, kur ky i fundit të llogarisë që një kredi pesëvjeçare do të fillojë në vitin 1999 dhe të planifikojë që kësti përfundimtar do të shlyhet në vitin 1904! Në raste të tjera, llogaritjet e datave do të bëjnë që programi i kompjuterit të ngecë në një gjendje gabimi dhe në raste të rënda, programi do të dështojë krejtësisht.
«Ndonëse mikroqarku na ka sjellë një revolucion industrial që krahasohet me shpikjen e elektricitetit,—shkruante gazeta Toronto Star,—ai na ka bërë, gjithashtu, më të dobët nga ç’mund ta kenë marrë ndonjëherë me mend shpikësit e tij.» Kjo gazetë thoshte, gjithashtu: «Në mbarë botën ka sisteme kompjuteri dhe mikroqarqe që nuk mund të dallojnë ndërmjet vitit 1900 dhe vitit 2000. Në qoftë se këto sisteme nuk identifikohen dhe ndryshohen, mund të ndodhë një kaos botëror.»
Ajo që parashikojnë disa ekspertë
«Çdokush, përfshirë edhe mua, po përpiqet ta imagjinojë sa e rëndë do të jetë kjo gjë,—tha senatori amerikan i shtetit Utah, Robert Benet.—Dhe asnjë nuk do ta zbulojë, deri ditën e parë të vitit të ri 2000, apo një ose dy javë më pas.» «Në fakt, ka baza për të thënë se . . . do të rezultojnë probleme jashtëzakonisht të vështira për ekonominë dhe jashtëzakonisht të vështira për njerëzit»,—tha një ndihmës i presidentit të Shteteve të Bashkuara.
«Ne jemi të shqetësuar për ndërprerjen e mundshme të rrjeteve elektrike, telekomunikacioneve dhe shërbimeve bankare»,—tha një zëdhënëse e Agjencisë Qendrore të Informacionit të SHBA-së. Sipas raporteve nga mbarë bota, disa kompjutera kanë pasur tashmë probleme kur datat në kompjuter arrinin deri në vitin 2000 ose pas tij.
«Ekpertët po parashikojnë më shumë vështirësi në sferën e shëndetësisë,—thoshte U.S.News & World Report,—duke qenë se faturat e pagesave dhe regjistrimet e sigurimit të pacientit në spitale ose në organizata për kujdesin shëndetësor janë të prirura për t’u dëmtuar. Disa lloj pajisjesh biomjekësore, duke përfshirë aparatet për kontrollimin e pacientëve, rrezikojnë, gjithashtu, të mos jenë funksionale. Duke qenë se shumë shërbime elektrike e kanë filluar me vonesë rregullimin e problemit, ndërprerjet lokale të energjisë elektrike përbëjnë një kërcënim.» Edhe një gazetë kanadeze shpreh po këtë shqetësim: «Të gjitha spitalet dhe teknologjitë tona mjekësore janë të varura nga mikroqarku i përhapur gjithandej. Si pasojë, dështimi i sistemit kompjuterik mund të vrasë njerëz.» «Për shkak të llojit të aktivitetit tonë,—qahej një administrator spitali,—kjo gjë ndikon më rëndë mbi ne. Fushat e tjera mund të mos gjenden në rrethana për jetë a vdekje.»
Profesionistët më pesimistë të kompjuterit po parashikojnë rënie në bursa, dështime në bizneset e vogla dhe një presion mbi institucionet bankare nga depozituesit e trembur. Në Shtetet e Bashkuara, zëvendës-sekretari i mbrojtjes e quajti avarinë mbarëbotërore të kompjuterave, ekuivalentin elektronik të kushteve të motit të shkaktuara nga El Nino dhe tha: «Unë do të jem i pari që do të them se nuk do të mbetemi pa disa surpriza të pakëndshme.»
«Nëse kompjuterat nuk do të jenë riparuar përpara 1 janarit të vitit 2000, efekti mbi aktivitetet tregare në Rusi do të jetë katastrofik»,—tha presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë. Agjencia e lajmeve Rojters raporton: «Firmat gjermane po ecin si të përhumbura drejt rrënimit shpërthyes të kompjuterave në fillim të mijëvjeçarit dhe ky aksident do të bëjë që mbarë Evropa të kanoset nga kaosi.» Një drejtues kërkimesh tha se «të njëjtat vërejtje paralajmëruese mund t’ia drejtoni Austrisë, Francës, Italisë, Spanjës, Zvicrës».
Gazeta Bangkok Post tërheq vëmendjen edhe mbi problemin e kompjuterave të Tailandës: «Zyrat kombëtare të statistikës në këtë rajon, do të hasin një sfidë të dyfishtë në fillim të mijëvjeçarit: parandalimin e problemit të vitit 2000 (Y2K) në sistemet e tyre kompjuterike dhe përgatitjen për të përpunuar një rutinë të re të regjistrimit të popullsisë, sipas Shërbimit të Informacionit të Kombeve të Bashkuara.» Anglia, Australia, Hong Kongu, Irlanda, Japonia, Kina dhe Zelanda e Re do të ndeshin të gjitha të njëjtat probleme. Vërtet, ky është një problem mbarëbotëror që kërkon një zgjidhje.
Shpenzime që të lënë pa mend
Disa ekspertë kanë dhënë për riparimin e problemeve të kompjuterit një shumë marramendëse. Ministria e Administrimit dhe Buxhetit e SHBA-së llogarit, për shembull, se do të duhen 4,7 miliardë dollarë vetëm për të bërë funksionalë kompjuterat e qeverisë federale. Një grup ekspertësh thotë se një llogaritje më realiste për riparimin e kompjuterave të federatës do të ishte 30 miliardë dollarë. Cila është kostoja e llogaritur në shkallë botërore? Një shumë e pabesueshme prej «600 miliardë dollarësh për të rregulluar programet dhe 1.000 miliardë për proceset e pashmangshme gjyqësore kur,—thoshte gazeta New York Post,—disa rregullime të mos kenë sukses». Një grup tjetër ekspertësh ka llogaritur se «shpenzimet e riparimeve, çështjeve gjyqësore dhe bizneseve të rrënuara do të arrijnë shumën 4.000 mijë miliardë dollarë». «Problemi i vitit 2000,—shkruante New York Post,—po del në skenë si më i kushtueshmi në historinë njerëzore.» Një raport tjetër e përshkruante atë si «projekti ndoshta më i madh, me rrezikshmëri më të lartë dhe më i kushtueshëm që ka përballuar ndonjëherë njerëzimi».
Opinionet janë të ndryshme
Si do të ndikojë kjo gjë te ju? Në varësi nga vendi ku jetoni dhe nga përpjekjet që bëjnë institucionet me të cilat keni të bëni, kjo mund të shkallëzohet kudo nga mospasja e asnjë pasoje në diçka paksa irrituese e deri në pasoja shumë të rënda, veçanërisht në javët e para pas 1 janarit të vitit 2000. Nëse ka fusha që ju interesojnë, të tilla si pajisjet e specializuara që i përdorni për kujdesin shëndetësor, kontaktoni me firmën ose institucionin që siguron shërbimin dhe pyeteni çfarë pasoje mund të ketë viti 2000 mbi pajisjen ose shërbimin.
Gjatë pak viteve të fundit është folur shumë rreth problemit të vitit 2000. Disa thonë se problemi është jashtëzakonisht serioz; të tjerë kundërshtojnë duke thënë se situata zmadhohet. Ka nga ata që akuzojnë se bankat do të falimentojnë, ndërkohë që ekspertët bankarë thonë se rreth vitit 2000, shumica e problemeve të tyre do të jenë zgjidhur. «Askush nuk mendon se rrjeti telefonik po shkon drejt një avarie katastrofike»,—tha kryetari i Komisionit Federal të Komunikacioneve të SHBA-së. Ai pranoi, megjithatë, se në përfundim të shekullit do të ketë probleme telefonike, por tha se ato do të jenë të mërzitshme, jo shkatërrimtare. Tashmë, shumë organizata po bëjnë prova të simuluara për datat në kushte laboratorike. Kjo mund të parandalojë shumë probleme. Sidoqoftë, njerëzimit do t’i duhet të presë për të parë se sa serioz do të jetë problemi i vitit 2000.