Lloji i rrobave që veshim—A ka me të vërtetë rëndësi?
«NUK di ç’të vesh!» A ju tingëllon familjare kjo thirrje për ndihmë? Sallonet e sotme të modës sigurisht që janë gjithmonë të paduruara për t’ju ndihmuar ose për t’ju ngatërruar edhe më shumë, me ofertat e tyre më të fundit.
Si për ta bërë edhe më të vështirë marrjen e vendimeve, në këtë kohë mund të jesh i inkurajuar për t’u veshur jo sa më mirë, por në një mënyrë sa më të çrregullt. Në lidhje me këtë prirje të kundërt të viteve 90, një kryeartikull mbi modën thotë: «Mund të jetë inkurajuese të mësosh se jo vetëm që është e pranueshme të dukesh disi antik, i plakur, i veshur me gjëra të vjetëruara dhe në përgjithësi të dala boje, por është edhe e dëshirueshme.»
Vërtet, vitet e fundit, reklamat e fuqishme, personazhet televizivë që merren si shembuj, bashkëmoshatarët, nxjerrja në pah e vetvetes, si edhe dëshira e madhe për të qenë i veçantë, kanë ndikuar si me magji në veshjet e njerëzve, veçanërisht të të rinjve. Disa prej tyre madje vjedhin për të qenë në modë.
Shumë stile të përhapura veshjeje të viteve 90, e kanë origjinën në kultura të tilla ekstremiste të së kaluarës së afërt, si lëvizja e hipive në shoqërinë perëndimore të viteve 60. Mjekra, flokët e gjatë të pakrehur dhe rrobat e rrudhosura dhe të çrregullta shpallnin një refuzim të vlerave tradicionale. Por veshja e rebelimit ndezi edhe një konformizëm të ri, një lloj i ri presioni nga bashkëmoshatarët.
Veshja është bërë një nga mjetet më të përdorura dhe më shprehëse të identitetit. Rrobat, veçanërisht bluzat, janë bërë stenda afishimi ku reklamohen pa zhurmë sportet e përhapura dhe yjet e sportit, gjendjet emocionale, zhgënjimet, agresiviteti, morali apo një mungesë e tij, si dhe produktet e tregut. Veshjet mund edhe të të tronditin. Vëreni një titull artikulli të kohëve të fundit në gazetën Newsweek: «Brutaliteti si një tregues i modës së adoleshentëve.» Artikulli citonte një 21-vjeçar, i cili thoshte për bluzën e vet: «E vesh, sepse ajo u tregon njerëzve në çfarë gjendje shpirtërore jam. Nuk dua të më japë mend askush dhe nuk dua të më mërzitin shumë.»
Ajo që ekspozohet mbi pjesën e përparme dhe të mbrapme të bluzave, mund të jetë e ndryshme në persona të ndryshëm. Megjithatë, konformizmi ndaj identitetit të një grupi ose ndaj frymës mbizotëruese të rebelimit, unit, paturpësisë ose dhunës është i dukshëm. Një modelist qëllon për të bërë vrima në rroba sipas porosive të klientëve të tij. «Ata mund të zgjedhin vrimat e revoles, vrimat e pushkës ose vrimat e mitralozit,—thotë ai.—Është thjesht një tregues mode.»
Çfarë shpreh moda?
«Në përgjithësi, veshja është një mënyrë për t’u identifikuar me një grup të veçantë shoqëror»,—thotë Xhen de Teliga, përgjegjëse për modën në Muzeun Powerhouse në Sidnei, Australi. Ajo shton: «Ti zgjedh grupin me të cilin dëshiron të identifikohesh dhe vishesh ashtu si ata.» Dr. Diana Keni, pedagoge e psikologjisë në Universitetin e Sidneit, pohonte se veshja si mjet për klasifikimin e njerëzve është po aq e rëndësishme sa feja, shëndeti, puna, karakteri etnik, arsimimi dhe adresa e shtëpisë. Sipas revistës Jet, në një shkollë të Shteteve të Bashkuara ku thuajse të gjithë janë të bardhë, tensioni racial «shpërthente kundër vajzave të bardha të shkollës që bënin gërsheta, vishnin rroba të varura si thes dhe ndiqnin stile veshjeje ‘hip-hop’, pasi këto gjëra kanë të bëjnë me të zinjtë».
Besnikëria ndaj një grupi është e dukshme edhe në disa nënkultura të tilla, si ato të sferës së muzikës. «Në shumë raste,—thotë revista Maclean’s,—veshja përshtatet me shijet muzikore: fansat e muzikës rege veshin rroba me ngjyra të ndezura dhe kapele të Xhamajkës, ndërsa ata që preferojnë rrokun granxh përdorin kapuçat e thurur të skive dhe këmishat me katrore.» Por, cilido tip veshjeje: ai i shkujdesur, ai i çrregullt, ai me pamjen e një varfanjaku të shkretë dhe ai i mbiquajtur granxh mund të kushtojnë një shumë të mirë parash.
Çfarë po u ndodh normave të veshjes?
«Gjithçka është e kundërta e asaj që ju mund të mendoni,—thotë reporteri Udi Hoksuendër.—Moda e burrave, e cila qeverisej më parë nga norma të rrepta, po bëhet gjithnjë e më e padisiplinuar . . . Gjithçka duhet të duket si e veshur në mënyrë të shkujdesur e kuturu.» Megjithatë, në disa rrethana, kjo modë mund të tregojë një qëndrim mospërfillës. Ajo mund të dëshmojë edhe për një mungesë respekti për veten ose për të tjerët.
Në një artikull mbi imazhin që krijojnë mësuesit te nxënësit, gazeta Perceptual and Motor Skills shpjegon se «ndonëse mësuesi që vishte xhinse konsiderohej si një mësues që krijonte ambient të gëzuar në klasë, mendimet e tij respektoheshin më pak dhe ai klasifikohej më shpesh si mësuesi që dukej se nuk kishte haber për asnjë gjë». Po kjo gazetë vërente se «një mësuese e veshur me xhinse konsiderohej si e këndshme, e afrueshme, jo dhe aq e zgjuar, që nuk kërkon shumë respekt, që nuk ngjan si një mësuese dhe që është në përgjithësi e pëlqyer».
Ndërkohë, në botën e biznesit, gjejmë edhe një tregues tjetër të modës: veshja që tregon pushtet. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë gra kanë kërkuar të ngjisin shkallët e karrierës. «Unë vishem për të sulmuar»,—pohon Meri, administratore e një shtëpie botuese. «Dua që të bie në sy. Dua ta paraqes veten si diçka me pamje fantastike»,—shton ajo. Meri është e sinqertë kur tregon se qendra e saj e vëmendjes është vetvetja.
Modat e përhapura kanë depërtuar në mënyrë të pashmangshme edhe në kisha. Disa prej ithtarëve më të flaktë të modës i kanë përdorur madje kishat e tyre për të ekspozuar veshjet e modës më të fundit. Megjithatë, sot, ndërsa janë të stolisur me veshjet e tyre të bollshme, klerikët shohin nga katedra e tyre një grup njerëzish të veshur me xhinse e atlete ose me rroba prej të dalldisuri.
Përse kjo mani për vetveten dhe për të rënë në sy?
Psikologët thonë se mënyra ekstravagante e të veshurit, veçanërisht midis të rinjve, është një aspekt i egocentrizmit, duke qenë se shpreh dëshirën për të tërhequr vëmendjen. Ata e përshkruajnë si «prirja kronike nga ana e adoleshentëve për ta konsideruar vetveten si objekt të vëmendjes së të tjerëve». Në të vërtetë, në këtë mënyrë ai ose ajo po thotë: «Mendoj se ju e keni mendjen të ngulitur tek unë, po aq sa ç’e kam unë te vetvetja.»—American Journal of Orthopsychiatry.
Filozofitë që vendosin në qendër të vëmendjes njeriun dhe e shpërfillin Perëndinë si të parëndësishëm, i kanë dhënë, gjithashtu, nxitje mendimit (shpesh të përhapur nga tregtia) se ti, individi, je personi më i rëndësishëm në univers. Problemi është se tani ka gati gjashtë miliardë nga këta persona ‘më të rëndësishëm’. Edhe miliona njerëz të feve të të ashtuquajturit krishtërim janë dorëzuar nën këtë sulm të furishëm materialist, duke u përpjekur që të kenë «në këtë kohë të gjitha të mirat që ofron jeta». (Krahaso 2. Timoteut 3:1-5.) Shtojini kësaj gërryerjen e institucionit të familjes dhe të dashurisë së sinqertë dhe nuk duket e habitshme që shumë veta, në veçanti të rinjtë, po kapen pas çfarëdolloj gjëje për të ndier se janë dikushi dhe për të pasur një ndjenjë sigurie.
Megjithatë, ata që interesohen për veshjen e tyre dhe për qëndrimin e tyre përpara Perëndisë, pyesin natyrshëm: Deri në çfarë mase duhet të përshtatem me normat e veshjes që janë në ndryshim? Si mund ta di nëse veshja ime është e përshtatshme? A u jep ajo të tjerëve mesazhe që të vënë në siklet ose që janë të papëlqyeshme?
A jam veshur në mënyrë të përshtatshme?
Ajo që veshim është kryesisht një çështje e zgjedhjes personale. Shijet tona personale janë shumë të ndryshme, ashtu siç janë të ardhurat tona financiare. Veç kësaj, zakonet ndryshojnë nga një vend në tjetrin, nga një shtet në tjetrin dhe nga një zonë klimatike në tjetrën. Por, cilatdo qofshin rrethanat tuaja, mbani në mend këtë parim: «Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell.» (Predikuesi 3:1) Me fjalë të tjera, vishuni sipas rastit. Dhe së dyti, ‘jini modest në ecjen me Perëndinë tuaj’.—Mikea 6:8, BR.
Kjo nuk do të thotë të vishemi si puritanë, por përkundrazi, në një mënyrë që është ‘e rregulluar mirë’ dhe që pasqyron ‘mendjen e shëndoshë’. (1. Timoteut 2:9, 10) Shpesh, kjo do të thotë thjesht të tregosh vetëpërmbajtje, një cilësi që revista Working Woman e lidh me shijen e lartë dhe elegancën. Si një rregull i mirë praktik, mos lejoni kurrë që rrobat tuaja të jenë gjëja e parë që bie në sy kur hyni në një dhomë, duke i lënë të tjerët të shtangur. Revista e lartpërmendur thotë: «Vishuni . . . në një mënyrë që njerëzit të mos shohin vetëm rrobat tuaja, por të shohin vlerat tuaja si person.»
Gazeta Perceptual and Motor Skills thotë: «Një sasi e madhe literature që shqyrton rolin e veshjes në krijimin e përshtypjeve dhe në komunikimin pa fjalë, tregon se veshja është një element i rëndësishëm në krijimin e mendimeve të para për të tjerët.» Në këtë aspekt, një grua në të 40-at, e cila më parë kënaqej nga fuqia e saj tërheqëse me anë të mënyrës në të cilën vishej, thotë: «Kjo gjë më krijoi probleme shumë të mëdha, sepse mjegullonte vijën ndarëse ndërmjet jetës profesionale dhe asaj private. Kishte gjithmonë burra me të cilët më lidhte puna, që donin të më merrnin për një drekë jashtë.» Duke përshkruar një stil të kundërt, një llogaritare tregon: «Kam vërejtur se si sillen burrat kundrejt grave që vishen në mënyrë të çrregullt ose me një stil tepër mashkullor. Ato konsiderohen si femra agresive, që janë gjithmonë gati të sulmojnë në pikat e dobëta dhe burrat ua vënë më pak veshin.»
Pasi i preu flokët në një stil disi ekstravagant, një vajzë e re e quajtur Xhefi kuptoi se kjo gjë po jepte mesazhe të papëlqyeshme. «Unë mendoja vetëm se dukesha ‘e ndryshme’,—kujton ajo.—Por njerëzit filluan të më pyesnin, ‘A je me të vërtetë një Dëshmitare e Jehovait?’ dhe kjo më vinte në siklet.» Xhefit iu desh t’i bënte vetes disa pyetje të hollësishme. A nuk është e vërtetë në fakt se «nga bollëku i zemrës» flet jo vetëm goja jonë, por edhe mënyra jonë e të veshurit dhe e të krehurit? (Mateu 12:34, BR) Çfarë zbulon veshja juaj: një zemër të vendosur për të tërhequr vëmendjen drejt Krijuesit apo drejt vetvetes ?
Vishuni me «mendje të shëndoshë»
Shqyrtoni edhe ndikimin që ka veshja juaj mbi ju. Veshja me ekstravagancë dhe pispillosja mund të nxitin egoizmin tuaj. Veshja e çrregullt mund të përforcojë mendimet negative që keni për veten. Ndërsa bluzat që reklamojnë yllin tuaj të preferuar të kinemasë ose të sportit, ose ndonjë hero tjetër, mund t’ju shtyjnë drejt adhurimit të personave të shquar: idhujtarisë. Po, veshja juaj u flet të tjerëve dhe u tregon për ju.
A po thonë rrobat tuaja se ju visheni për të rënë në sy apo për të joshur? A po përforconi veçori të personalitetit, të cilat në fakt duhet të ishit duke luftuar që t’i kapërcenit? Për më tepër, çfarë lloj personash po përpiqeni të tërhiqni? Këshilla që ndodhet në Romakëve 12:3 mund të na ndihmojë të mposhtim egocentrizmin, mburrjen dhe mënyrën negative të të menduarit. Atje apostulli Pavël na këshillon ‘të mos mendojmë për veten më shumë nga ç’është e nevojshme për të menduar, por të mendojmë në mënyrë që të kemi një mendje të shëndoshë’. Të kesh «një mendje të shëndoshë» do të thotë të jesh i arsyeshëm.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ata që janë në pozita me përgjegjësi dhe të besuara. Shembulli i tyre ka një ndikim të fuqishëm mbi të tjerët. Natyrisht, ata që synojnë privilegje shërbimi në kongregacionin e krishterë dhe gratë e tyre të krishtere, në mënyrë të ngjashme, me veshjen dhe krehjen e tyre do të shfaqnin një qëndrim modest dhe plot respekt. Kurrë nuk do të donim të ishim si burri që veçoi për keq Jezui në ilustrimin e tij të dasmës: «Kur mbreti hyri për të vërejtur mysafirët, i zuri syri atje një burrë që nuk ishte veshur me një rrobë dasme.» Pasi mësoi se ky burrë nuk kishte asnjë arsye të vlefshme për të veshur atë petk që tregonte mungesë respekti, «mbreti u tha shërbëtorëve të vet: ‘Lidheni duar dhe këmbë dhe flakeni jashtë.’».—Mateu 22:11-13, BR.
Kështu, është e rëndësishme që me anë të fjalëve dhe të shembullit, prindërit të kultivojnë te fëmijët e tyre qëndrime të shëndetshme kundrejt veshjes dhe shije të mirë në të veshur. Kjo mund të nënkuptojë që prindërit disa herë duhet të jenë të vendosur ndërsa arsyetojnë me birin ose bijën e tyre. Por, sa inkurajuese është kur dëgjojmë lavdërime të papritura për standardin e lartë të veshjes dhe sjelljes që kanë të rinjtë tanë dhe ne vetë!
Po, shërbëtorët e Jehovait janë çliruar prej kotësisë, trilleve të kushtueshme dhe një manie për vetveten. Ata kanë si udhërrëfyese parimet hyjnore, jo frymën e botës. (1. Korintasve 2:12) Nëse jetoni sipas këtyre parimeve, nuk do të jetë shumë e vështirë të zgjidhni rrobat tuaja. Për më tepër, ashtu si një kornizë pikture e zgjedhur mirë, veshja juaj as nuk do ta lërë në hije personalitetin tuaj, as nuk do të sjellë sharje mbi të. Dhe sa më shumë të përpiqeni të imitoni Perëndinë, aq më shumë do të kultivoni një bukuri frymore që, pa dyshim, nuk përcaktohet nga gardëroba juaj.