A ekziston Perëndia?—Disa shkencëtarë përgjigjen
DUKE komentuar mbi ekzistencën e Perëndisë, profesori i fizikës Ulrih J. Bekër i Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit pohoi: «Si mund të ekzistoj pa një krijues? Unë nuk jam në dijeni që të jetë dhënë ndonjëherë ndonjë përgjigje bindëse.»
A binte në kundërshtim kjo me botëkuptimin e tij shkencor? Përgjigjja e profesorit, e cila të fut në mendime, ishte: «Nëse zbuloni se si funksionon njëri prej ingranazheve të ‘orës’, ju edhe mund të merrni me mend se si lëviz pjesa tjetër, por nuk keni të drejtë ta quani shkencore këtë gjë dhe është më mirë që ju të mos merreni me çështjen se kush e kurdisi zemberekun.»
Në kundërshtim me opinionin e disave, shumë njerëz të nderuar të shkencës nuk e përjashtojnë idenë e ekzistencës së një Perëndie, një Truri Madhështor Projektues prapa krijimit të universit dhe të njeriut.
Vëreni me kujdes dy shembuj të tjerë në lidhje me këtë çështje. Kur u pyet se çfarë mendonte rreth ekzistencës së një Perëndie, profesori i matematikës Xhon E. Fornes i Universitetit të Prinstonit u përgjigj: «Unë besoj se ekziston një Perëndi dhe se Perëndia i jep strukturë universit në të gjitha nivelet, që nga pjesëzat elementare deri te qeniet e gjalla dhe te super-grumbujt e galaktikave.»
Profesori i fizikës Henri Morgeno i Universitetit të Jalës, tha se ishte i bindur që ligjet e natyrës ishin krijuar nga Perëndia, duke shtuar: «Perëndia krijoi universin prej asgjësë me anë të një vepre që solli në ekzistencë edhe kohën.» Ai vërejti më pas se në librin Misteri i origjinës së jetës (The Mystery of Life’s Origin), tre shkencëtarë sqarojnë se një Krijues është një shpjegim bindës për origjinën e jetës. Duke mbështetur këtë pikëpamje, astronomi Fred Hoil ka thënë se të besosh që qeliza e parë lindi rastësisht është si të besosh se një ciklon që turret përmes një depoje rrangullinash plot me pjesë aeroplani Boing 747 të copëtuara dhe të hedhura kuturu, do të mund të prodhonte një 747.
Këtyre përgjigjeve mund t’u shtohen fjalët e Pavlit, shkrimtar i Biblës: ‘Cilësitë e padukshme [të Perëndisë], fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë.’—Romakëve 1:20.
Po, Perëndia ekziston me të vërtetë! Por, cila është arsyeja që ai lejon gjendjen e sotme të mjerueshme të botës? Cili është qëllimi i tij për tokën? A mund ta dimë me saktësi se kush është Perëndia i vërtetë?
[Diçitura në faqen 3]
«Nëse zbuloni se si funksionon njëri prej ingranazheve të ‘orës’, ju edhe mund të merrni me mend se si punon pjesa tjetër, por . . . është më mirë që ju të mos merreni me çështjen se kush e kurdisi zemberekun»